VOAL

VOAL

Më 22 tetor 1870 lindi shkrimtari nobelist Ivan Bunin

October 22, 2019

Komentet

BJESHKËTORE- Poemë nga RUZHDI GOLE

1.

Tek rudina mujte me dal kur d’bora u mbështoll me shall,
unë mujta me dal shkullimesh trajtë e re prej bokërrime.
Me më rrethue u k’put nj’i ortek, desh më ra mos me pas
çik mend, nj’aty ti nën lëvore pjalm ledhesh, e përkorme.

.

Trajtë-trajtë mujte me dal kur d’bora rudine e hupi shall …

.

Fyelli i zanit pak ngri, me një re, mos me e pas zili,
s’ka ngri fyelli trumcak, kotkotkoti ndillet merak,
s’ndillet kotnasikotiki, ai ardh’ nga fis i lotit ku
secili tek ky fis rrjedh vrap arratish, arratish
ma tërpjetë tek pyjet … në një fyell retë
lozin motit e kurrma re s’ngrohin fyejt…

.

Me gjet’ gurrat buzë ojnash…
thirrma tingëllon geg’nisht
geg’nisht m’afrohet bora,

.

me pajtue urnat vjeshtë
u nis shpuza geg’nisht
përmidis syrit haresë

.

me ndez natën buzë dashnish …
geg’nisht tingëllon tan’ flora
borëtimi po shkri geg’nisht.

.

Prej duhive ma i hovshmi
si me ken azgan
prej motit,

.

lumni çel tana majat
si me ken Mari
lulnajash.

.

Miradie me më dal tek kreshtat
kena me u këqyr përtej mnie,
puq jena…jena veç pendesa,
dy kodrina ledhatimesh.

.

Trandafilisht me t’pa tek kodrat
s’ndi se kund turfullon noj bishë,
veç prej teje u tulat borëbota
shkri mos shkri veç një gisht.

.

Veç një gisht
thëthin botëbora
tej mnie me u këqyr,
puq ne pendesa fjollash,
kodrinë ledhesh me një gurrë…

.

Me dal fill, falur faj
me gjet’ gjeth nj’i
dashni maj,

.

gazmend maj
me çel fill,
faj’ vyshk
belbëzim,

.

me gjet’ gjeth
nj’dashni
maj,

.

hire pemëza,
m’u gjegj
sot mue
frut i saj.

.

2.
Kokrra e qershisë me t’u ba vath,
mnia përmidis skuq ndillet gaz.

.

Oh, me plastë mnia, ndijmë
pak ofshamë, oh, me plas
ofshama ku ta gjejmë
një zanë ?

.

Kokrra e qershisë
skuq ndillet gaz,
mnia përmidis …
t’u bëftë
buzëve
xixë.

.

Vathi përmidis
kokrra e qershisë.

.

Pashë nj’iheri ca zymbyla,
erëra ndolla, ndolla frymëra,
pashë nj’iheri përrenj carrokë
herë zbathur, herë toç në kokë,

.

pashë nj’iheri gufmim kurmi,
ëndrra pik’ pa pikur zulmi,
pashë
nj’iheri ca zymbyla,
trumba ndolla, frymëra.

.

Me të ndjek me një zambak, një zambak,
ku ngadalthi, ku me vrap, vrap ngadalth’,
me të ndjek me nji zambak në vrundulli
në vrami me shkri pakndopak dimërthi,
me të ndjek me zambak, zambak florë,
ku me t’gjet me t’lanë me ik dvorë ?.

.

Vrunduj – vrunduj me u shkri…
vrap ngadalth’, tej dimërthi…

.

3.
Bukuria k’cim rrok bukurinē,
q’andej ardhi tjetër flaut
buzë më buzë xixëllimë,
Ujëvara plot lulnaja
duart …
një flaut xixëllime
jetonte tinguj
të shkuar,
K’cimi
nuk u hesht,
jetë e re në kreshtë…

.

Prej bukurive me u begat
po i gjej vjollcat
tek ty dihat,

.

gjeta vjollcat shpejt njitash
sa më mbajnë mend,

.

në ç’gjuhë t’u flas?

.

Sa më mbajnë mend ato dalldie,
sa i mbaj mend fisnikërisht,
me begat prej bukurive…
gjej, s’gjej ma vjollca
dashnish…

.

Si kumbisje hap më hap
duke ndrit’ edhe terrën
duke xan ernat në çark …
Terr dukej dhe rrëpira,
errësira çark
për
erën,
duke dashtun
vetëtima
t’mbillja
shkula
veten degëprerë.

.

Si kumbisje ti hap më hap, …
dimrit pa dimër bjeshkës
shteg kërkoja
të të kqyrja
gjatë …

.

Shpejt të ndolla bukuri,
hupa unë a s’më gjete ti,
a më gjete e s’i the askujt,
ardhe hanë njiherë me bujt?

.

Me e pa, me e gjet
ma t’bukurin
gazmend ?

.

S’hupa unë, s’më gjete ti,
vogëlth endemi
vocërri …

.

4.
C’u dishrush me t’pa, tinëz je … je ti gjithkah ?
C’u dish’rue me të ndih dhe vetmia gaz gurrni.

.

Ti je Zana ?

.

T’kam pa tuj rend, prej rudine t’sjell vah ndërmend,
fjollë e butë, gurrë vrap,…kenka thanë me të dashtë ?

.

Kenka thanë me t’dashtë tej krysh pa i thanë gja kurrkujt
prej natyre frymëz yjesh, trup harlisur pa cen, plot nyje.

.

Jam Zana jo prej hane as përralle, mos më tut më ngit
ke me hup gjithë mirësitë…C’u d’shirush me të thanë
se nj’i lum e don nj’i hanë, se nj’i gaz e don nj’i trill
kenka thanë me të dashtë fjollë frushullimë.

.

Me t’pa ç’u dishrush tej vetmie si askush…
Ku me e gjet dekikën
dekikë t’pabjerrur
tej reve rendjen
më të prushtë,

.

pritur natë parrejtur
rrejt’ sy dhe vetull
tutje nga të tutë ?

.

Ku me e gjet dekikën
bredhje krahëruar
me u ngjit
shpejt
alp…

.

ku s’bien borëra
ku shohim
veç duar

.

gishta të ylbertë, të nartë ?

.

Vetulla jote vetullon çel,
pjergulla jo kacavjerrë,
as vjerr as kacafyt
dora jote
e lumtë,
paqtë shenjti
çdo xixë mbi terr
jo fytas kacavjerrë,

.

jashta, jashta s’gjeta vetull
shkoq shkërmoq
gjithku tash

.

ma e shtrenjta pjergull…

.

Si me ken nj’i sokol prej rrezesh,
gaca gacash nj’aty të qeshet,
nj’aty me t’marr nj’iherë
me t’pa dimër je a çel,
me t’pa në je cullak
me dy – tri gishta
në farkë.

.

Farka vet asht ndez nga cuca,
cuca s’tjerr ma gja
tek furka,

.

bora borës
sytë i mbyll
me ndigjue
zanin zym’yl.

.

Mot’ i ri, me gishta gacash,
sa e pa n’ji sokol prej
rrezesh, sa e pa
nji cucë rudine,

.

nuk la më asnji
gja nga plasat
u përndrit
tisnajë
çeljesh

.

nga kjo farkë shkëndijimesh…

.

5.
Maje gishtave po kumbiset bora
shushurin në bjeshkëtore,
mahnitja, e përkora,
s’din a s’don
të dashuroj
sonte ?

.

Mahnitja
dhembshurisht, …
borëton në bjeshkëtore
më ngrohtë … në çdo gisht…

.

Me u k’put përmidis, përmidis me u tut,
ardhi mbramja me pishë, era erës i gris’
këmishë, bora del me shëtit në shkurt.

.

Me tisnaja vrapoi zalli, ariu me gëzof,
nëse jena njitash së gjalli
jena, s’jena tjetrit mot …

.

S’jena ftohur, tash së gjalli,
përmidis pa k’put e tut,-
bora gishtash alpet
mardhi,
Alpet ia
pinë borës
kupëzat
me qum’sht.

.

N’se jena tash së gjalli
tjetrit jena
gaca mardhurit…

.

6.
Qielli me verige yjesh, oh ç’romantikë !

.

I përkryer shkon me marr
një hanë – nuse
prikë paqtë
pa prikë.

.

Mbramja nusërisht vjen
të takoj shpejt bandill,

.

cili je ti, më thuej krenisht
zambak i gjithi, gjithçkaje
turfullimë.?

.

Romantika tret
plot bistakë yjesh
zjarret e vegjël ende pakryer.

.

Oh, ç’romantikë…Qielli verigë…

.

7.
Ç’don me thanë tek çel, çupit
cipëz vlage, fik ftohma … ik’?.
ç’don me thanë teksa rron
tana fruta, verige hollë ?

.

Ç’don me pri një shkrep bujar ?
sqep orteku gjysma përrallë…
çka më sjell ndërmend risk
ç’don me thanë çel çupit?

.

Dashni të pastra më të fisme,
diku brengëz, diku harlisje,
vezullues me u pa
gaze t’hirta jena
puq e nda,
shumë herët ne ma të rinj
pak zbeh’, pak me u ndih …

.

Shporeti, sy zgjue, fërkon duart gaca
tue prit t’mirat bujtje gazmend natë,
cili më shpejt e braktis me gjasa
frikën, fryme nj’iheri, nj’itash.

.

Dekika bredh ujku rrotull (jo)brenda nesh,
nesh, nji shporet tjetër i ri fërkon gacat,
tue prit t’mirat bujtje nga çdo bjeshkë
frikë k’cen britma, asnjëheri flaka…

.

Sytë tanë vesë, vesë maraku
pikëlojnë nj’i degëz bjeshkë
a po çilet syn’ i agut
a u rrok pendimi
rrezm.?

.

Rreze hanëza lodrive
me u dashtë çelët
me pa si piklojnë
andrrat
me pa si çilen
bjeshkët.

.

Sytë tanë vesë, vesë maraku,
me na mbajt…na mban gjaku.

Zhurmë për kolltuk- Poezi nga ARIF EJUPI

Ç ‘është gjithë kjo zhurmë e stihi,
që shkatërruat vendin për kolltuk e parti?
Derisa formuat Parlament e Qeveri,
luajtët me ne sikur të ishim fëmijë.
.
Erdhi koha për President –
prapë me avazin e vjetër filluat, pa menduar
se Kosovën në humnerë jeni duke e çuar.
.
O të mjerë e batakçi,
përse mizën e bëni buall,
kur kjo çështje rregullohet fare lehtë?
.
Oh, ç’e keqe me ju na gjet!
Nga lakmia për privilegje e pasuri
e latë Kosovën pa të ardhme e pa rini.
.
E anijen pa timon –
a jeni kokëkrisur apo shejtanë?
.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 3 mars 2026
.
Shënim:
Kjo poezi lindi nga zhgënjimi i thellë ndaj papërgjegjësisë politike dhe lojërave për pushtet,
që shpesh vendosin interesin personal mbi fatin e shtetit.
Ajo është një thirrje morale kundër lakmisë për kolltuk, e cila e lë Kosovën si “anije pa
timon”, pa drejtim të qartë dhe pa shpresë për rininë.

ZËVENDËSMINISTRI -Tregim humoristik nga Shkëlqim HAJNO

Në kohë të monizimit, Ivan Vilëza punoi pothuaj për njëzet vite me kamion si shofer në NFP -Ndërmarrjen e Furnizimit të Punëtorëve në qytetin e vogël industrial.
Të mos ia hamë hakun, Ivani, për të gjithë ata që e mbajnë mend, ishte edhe aktor amator i estradës në kinoteatrin e qytetit “Lulet e Karaules” dhe çmendej pas fisarmonikës së Dhimitër Jerit (Perit)
dhe Spiro Reçit (Krecit).
Tani në moshë të thyer, ka dëshirë të rrëfejë ndonjë “akrobaci”, të atyre kohëve, siç thotë ai.
“Për mua do të mbetet i paharruar shefi im, Filipi, një ikonë. I shkathët dhe babaxhan..”- tregon shoferi i dikurshëm i NFP-së. “Në atë teatër të madh të direktivës të realizimit të çdo gjëje me forcat tona dhe të parullës “EDHE BAR DO TË HAMË DHE PARIMET NUK I SHKELIM”, edhe shef Filipi , jo si ne amatorët e estradës por, si profesionist i vërtetë, një herë, e luajti një akt teatri me zarar të madh po që i doli me sukses.
Rakoja, miku i tij edhe ky amator i skenës, e ngacmon: ” Aman të keqen, na trego si ishte shef Filipi, ta dëgjojë edhe ky shoku i Gonit nga Tirana.”
“Ai ishte një burrë shtatlartë, si Brezhnjevi apo Jelcini , ose po të doni edhe si shoku Rita që priste shirita, por, më i qeshur se ata. Sa herë ndërmarrja ngecte keq për ndonjë furnizim, se ne atëhere luftonim ” nga fitorja në fitorje”, nga bllokada ne bllokadë, siç thoshte Hirësia e tij Udhëheqësi, dhe më të moshuarit sot e njohin mirë atë kohë; duhej që gjendeshin medoemos zgjidhje për problemin. Kujtoj se ishte një krizë e atyre muajve edhe për goma makine për NFP- në. Kjo, një fjalë goje duket tani por, po nuk kishe goma, domethënë shollë për të ecur makinat e NFP-së, me se, do të furnizoheshin mensat e minatorëve? 3000 minatorë babam, jo shaka! Me se, do të furnizoheshin dyqanet e MAPO-s së qytetit, njësitë e restorantet e punëtorëve, furrat e bukës? Kjo, ishte çështja.
” Nafta çan bllokadën!- citon Rakoja, duke kujtuar një parrullë të atyre viteve të lavdishme të tallonave socialiste. ” Në rastin tonë, do ua them me të vërtetë: teatri , estrada çau bllokadën! Mos u habisni! – thotë Ivan Vilëza.
“Po ti Ivan, luajte gjë në atë estradë?
“Vetëm një rol episodik, siç thoshte regjisori i kinoteatrit tonë ” Lulet e Karaules”, Note Buza. “Ivan, -më thotë i mëzitur një mbrëmje Shefi, te Taverna e Manit pranë qendrës së qytetit. “Për nesër, bëje makinën gati se do ikim në Durrës, pa u gdhirë, në katër të mëngjesit. “
“Si urdhëron Shef! “
Ndryshe nga herët e tjera, e kuptva që kishte një hall që ia kishte fshirë si me gomë buzëqeshjen e përhershme.
“Eja, të pimë një kafe këtu, – më tha,- se dua të të tregoj nja dy gjëra për nesër që duhet t’i dish vetëm ti dhe të mos bësh muhabet me askënd. As me shokët. As në shtëpi. As me nusen! Isha dhëndërr i ri. Kisha tre muaj i martuar. U ulëm te Taverna e Manit.
“Dëgjo këtu, m’u drejtua me zë të ulët sikur do më kallëzonte ndonjë sekret.”
Unë: “Urdhëro, shef Filipi!
“Më thirrën në Komitetin e Partisë të Qytetit. E kemi litarin në fyt, më thanë. Na e hiq! Ç’ ke njohje, miqësi, krushqi, kredi…e ç’të duash, tani na duhen. Makinat e NFP një nga një siç e di, po ngelen në tako ose
nëpër rrugë. Na duhen urgjentisht goma për makinat. Planin e gomave e kemi ngrënë dy herë. Këto goma kaq mbajne se jane me riveshje vendi, nuk janë te reja. Dhe goma me riveshje gjen vetme ne fabrikën në
Durrës. Të tjerat ti i di vetë më mirë se ne. Partia, ty të ka vënë shef dhe Partia nga ti e kërkon zgjidhjen e kësaj situate. Gomat nuk na bien nga qielli. Këtë e zgjidh vetëm di. Koha filloi!
Do ta tregoj gjatë rrugës sesi do të veprojmë, më shpjegoi. Rëndësi ka që të kthehemi me mall, me goma në qytet . Kaq. Ti do t’i vësh gojës tenio. Si vuvi, as edhe një fjalë sesi do të veprojmë për të siguruar mallin!
Dhe gjatë rruges kur po mbërrinim në Durrës ma trego planin. Unë do të shkoja para tij për t’u paraqitur në dyert e fabrikës së gomave me riveshje. Ata në magazinë dihet, do më thoshin se goma nuk ka, se e NFP e ka marrë planin, madje dy herë. Por unë do t’u lutesha duke thënë se ” Unë këtu do të fle dhe nuk iki pa goma….! Pas tridhjet minutave aty do të paraqitem unë me një veturë “papritur” .Por unë, këtë herë, mos u
habit: do të jem Zëvendësministri!
Dhe vërtet. Akti i teatrit vijoi sipas parashikimit te shef Filipit.
Unë isha bërë i bezdisur duke e lutur magazinierin. Madje sapo i kisha deklaruar se: Unë këtu do të fle këtu në makinë dhe nuk largohem në NFP pa goma! Ndërkohë në hyrjen e ndërmarrjes madje, fiks para portës së magazinës ku unë debatoja me magazinierin befas u shfaq Ai. Zbriti nga një makinë ” Fiat”.
Veturën tok me shoferin e la te hyrja fabrikës. Pastaj. ashtu madhështor do të ecte drejt magazinës së ndëmarrjes ku unë ende po grindesha
– Mirëdita shokë të fabrikës! Mirëdita djalosh?- m’u drejtua sikur nuk më kishte parë kurrë më parë.
-Nga të kemi ty more djalosh?-përësriti.
Unë, kaq doja dhe nisa breshërinë:
– Shoku Zëvendësministër, unë vij nga larg kam udhëtuar gjithë natën. Jam i NFPsë në qytetin E… Ndërmarrja jonë që mbulon nevojat e tre mijë minatorëve, ka mbetur pa goma dhe unë nuk kthehem i gjallë atje
pa një furnizimin me goma…. Shoku magazinier thotë që planin e kemi ngrënë…
“Zëvendësministri” i sapombërrituri. ashtu madhështor me pamjen si prej një anëtari te Byrose Politike, me pallton gub ruse te viteve ’60, iu drejtua magazinierit.
– Si ju kemi shoku magazinier? Si i keni nga shtëpia? Ç’thotë puna juaj e vështirë?.Si jemi këtë vit me planon e shtetit?….
Unë rrija si i mpirë.
Maganzinieri u ngrit vrik në këmbë nga e papritura e vizitës së qeveritarit Zëvendësministër.
“Faleminderit shoku Zëvndësministër! Faleminderit. Përpiqemi. Në të vërtetë ka edhe vështirësi se ja, si rasti i këtij shokut të NFP-së nga E. po ka edhe të tjerë, Por me ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë Partie, ju
them se kjo ndërmarrja e NFP-s dhe bëri me kokë nga ana ime ,- e ka marrë palnin e saj të gomave shoku Zëvendësministrës madje, ka marre edhe shtesa mbi planin…
-Ashtu-uuuuu?!- u habit Zëvendësministri.
Magazinieri atë çast m’u duk fiks sa gjysma e shtatit madhështor të “Zëvedësministrit”.
I sapoardhuri nga dikasteri i ra lehtë në supe magazinierit.
“Ju kuptoj drejtë, shoku magazinier. Ne në Tiranë ju kuptojmë mjaft mirë ,- dhe në pastaj e hodhi vështrimin nga unë.
” Shoku magazinier, po ndërmnarrjne e NFP-së që mbulon me furnizime mbi tremijë minatorë, si thoni ju: pa goma për makinat qytetit do ta lëmë ? Kemi dëgjuar fjalë të mira edhe për fabriken tuaj. Edhe per ju
personalisht se ne, dhe bëri me kokë shenjën atje lart,- domethënë atje sipër në Ministri, kuptohet që e njohim gjendjen dhe i dimë të gjitha se jetojmë me situatën.
“Faleminderit shoku Zvendësministër po dua ta dini se NFP-ja në fjalë, e ka ngrënë planin bile, edhe mbi planin,- dhe syzet që mbante ne dorë i la mbi tavolinë duke fërkuar ngadalë duart.
“Ju kuptova shumë drejt, shoku magazinier. Ne e njohim përkushtimin dhe devotshmërinë tuaj, shoku …
-Zenjo-u prezantua tjetri
Por sot rregullojeni dhe ndihmojeni që makina e NFP të furnizohet dhe ky djalosh ta përmbyllë detyrën që i kanë ngarkuar kllasa jonë punëtore e minierës, minatorët tanë heroikë!
“Siurdhëron shoku Zëvendësministër!
Atë çast zyrtari i mbërritur nga Tirana duke i rënë lehtë në supe magazinierit shtoi
“Ne,atje lart, nuk do ta harrojmë përkushtimin tuaj shoku magazinier, shoku Zenjo.
Pastaj na dha dorën të dyve duke thënë:
“Mua do më falni se kemi një mbledhje me shokët në Durrës,-dhe u largua qetë-qetë për nga hyrje e fabrikës ku tashmë ish afruar “Fiati”.
“Nëne nëne!-thash atë çast me vete. E dija se vetura që do ta çonte deri ne plepat e Durrësit ku kishim lënë takimin e kthimit, do priste sipas planit të ideuar nga shef Filipi.
“Nëne-nëne”, përsërisja me vete kur punëtorët po ngarkonin karocerinë e makinës sime me goma të reja dhe tek e shihja këtë pamje më dukej sikur i kisha vjedhur atë mall. Që ta mbliodhja veten hapa kofon*)
(mbulesën e motorit) e makinës dhe nisa të pastroja kuturu me nje traço trupin e motorit.
***
Atë ditë nata na zuri në afërsi të qytetit. Ishim kthyer fitimtarë me makinën plot me goma. Duke hyrë në qytetin me drita të ndezura, shefi Filipi më thotë:
“Ivan, nesër bëje pushim se je i lodhur.
Unë: “Nuk jam i lodhur. Do dal në punë.”
Ai më vuri dorën në sup: “Zbato urdhërin e eprorit: nesër do ta bësh pushim! Qëndro me nusen dhe prindërit. Kështu siç të them unë! Ky është urdhër nga lart! Doja t’ia ktheja si gjithmonë: ” Si urdhëron Shef!”,
po nuk di si më doli nga goja :
“Faleminderit, shoku Zëvendësministër!”
___
o0o___

NË PUKË TE SHKOLLA E MIGJENIT- Poezi nga KONSTANDIN DHAMO

Kur hyra në klasën – muze
Kërkova përnjëmend Migjenin
Ta përshëndesja nxehtësisht.
.
Zura vend në një bankë
Si nxënësit e tij të mençur, dikur…
Eh, duhej të përgjigjesha
Në mësim…
.
Kush nuk qahet nën zë
Këtu, Migjen,
Madje më zi se në kohën tënde.
.
Partiqeveria përgjon e gjurmon
Gjarpërisht gjithkënd;
Varfërimi i shqiptarëve
Është strategji ideologjike.
Dhe, s’ka më kishë,
Xhami nuk ka më.
.
Një prift
Që e vunë të ngulte gozhdë
Në një punishte qerresh, në fshat,
E burgosën, sepse pagëzoi
Fshehtësisht një fënijë …
,
Por s’u ngopën dhe,
E pushkatuan mizorisht…
Tashmë ka vetëm policë dhe ushtarë
Dhe një masovik pijanec
I vatrës së kulturës,
Që tek qendron në sfond
Të veprave të kuqe t’Enverit
U rrëfen të rinjve
Sesi, një partizani të rënë
Në luftë kundër pushtuesve
I gjetën në gjoks Vargjet e Lira,
Të shpuara nga plumbi,
Me gjak të dekoruara…
.
Por,masoviku kurrsesi s’u thoshte dot
Se, ky episodi, Migjen, i partizanit hero që përpinte ethshëm
Mes zjarrit të luftës
Frymën e lirisë nga libri yt,
Mrekullisht ndoshta të shpëtoi
Dhe paradoksialisht,
Nga censura e Enver |Hoxhës !
Dëmi i saj pesëdhjetëvjeçar,
I rëndë poet do t’ish,
Tepër i rëndë,
Siç ishte për Fishtën,Koliqin,
E për kë s’ish…
.
Prej letrave q’i nisje miqve të tu
Kuptohet se dilje shpesh
Dhe vetëmoheshe tek shëtisje
Këtyre hapësirave të pjerrëta
Të kristalizuara nga bora rrëzëllitëse,
Apo të bleruara sensualisht
Nga pranverat e brishta të bjeshkëve ,
Teksa shqiponjat n’ajër
Kërleshnin sqep e kthetra
N’erotikë t’egër si te Uitmani…
.
Ah ç’letra poet, ç’letra,
Traktate të vërtetë filozofie.
Mendoheshe e mendoheshe, Migjen.
.
Integriteti yt prej gjeniu
Çdo herë të shpëtoi
Nga llumi i injorancës provinciale….
.
1988

Dy proza poetike nga RUZHDI GOLE

GROPTH’
Sikur s’e pashë. Sikur të më shihte ajo do të më gremiste. Do gremisesha vet po t’i afrohesha. Po t’i afrohesha natën. Ajo s’bën zë. As dritën nuk e njeh.
Mundt’i bjerë pak hënëz. Qarkuar me një shirit të ndritshëm. Dukej edhe i kuq edhe i zi, zikuq në buzët rrethrrotull. Iu afrova i çuditur. Baltovinë, ujërat pis. Kërkohet… çfarë kërkohet këtu poshtë, ç’kërkojmë ne gjithandej, ç’mbulojmë?
M’u afrua një pishë. Dukej e lodhur, tek-tuk me pika uji në bohçet e saj. Uji i pastër sjell nga shiu. Mirëkuptohen shiu dhe pisha. Shiriti sikur u squll, përsipër i ranë cikma balte. Poshtë, jo aq thellë, jo aq terr. Guvë kjo, gropë kjo, e çarë vetiu, hon këputur nga nata ?      Pisha ngriti një nga bohçet, e shkundi. Mua më ranë cikmat në fytyrë. Paqtë. Pisha u tërhoq pas e shkoi tek të tjerat. Sikur s’ishte këtu me mua. Nuk i mbajta mëri. Kjo pishë më ka mbajtur nën kurorën e saj në diell e shi. Asnjëherë s’pashë ndonjë shirit rreth saj. As të zi, as të kuq, as të verdhë, as jeshil. Po pse e kishin rrethuar honin para këmbëve të mia ?
Ta shihnin e t’iknin, t’i afroheshin, të zgjateshin të këqyrnin çka dukej turbullt aty poshtë a të brohoriste njeriu e të hidhej tëposhtë? Si do të ngjitej lart? Nuk donte të ngjitej sot, sonte? Shkoqiteni mirë fjalën, shkoqiteni thellë.!!! Po ra në gropë si do të ngjitet lart? Këmbë e duar, me thonj? Litarë s’ka. E kush ta afron litarin sot për t’u ngjitur përpjetë ? Në qafë ta varin!      Po pse ne shpesh hapim gropa kur s’ka më florinj? Thonë se edhe në bankën :”Beso, s’të gënjejmë”(paksa i gjatë si shiriti i gropës ky togfjalësh) ne nuk këmbejmë të hollat tona të vërteta por të vërtetat gënjeshtra me djersën tonë.
O miku im, secila gropë, kudo që ta shohësh, edhe gropa e gopit (o, ç’paturpësi, më falni ! ) nisen nga kjo gropë që unë shoh tani. Eja, ta shohësh, mos u vono, se nesër mund t’i bëjnë gropën këtij honi, ta mbulojnë.
Gropa m’u zhduk nga sytë. Pisha po ecte, por eckërka dhe gropa si plagë kodre ?
SYRI TJETËR
Ai, gjithë shirat sikur do i pinte vetëm sonte. Nuk do i pinte, por do i shkundtte. Gjithë erërat do e rrihnin nga koka tek shputat. S’do e rrihnin. Ai do i përzinte. Doja ta takoja, isha mbathur mirë. Ku i dihet nga ç’krah vjen shiu edhe më me rrebesh, nga ç’krah vjen era. Ai aty do mbetej. Po unë?
Dukej, zhdukej syri më i madh i qytetit, ndoshta i dy qyteteve, them ndoshta, sepse i moshuari qytet rrudhej herë tek amfiteatri, herë tek kulla Anzhui.
Lashë gropën me shirita, (mos iu afroni gropëzës, ju lutem! ), pashë pemëzën e frymorit besnik, tharë e përtharë. Hova përpjetë. Ditës këtu kullosin të tjerë frymorë. Prej tyre pijmë qumësht kodre. Me bisht të syrit pashë portën e ndryshkur të Vilës mbretnore, më pak se asnjëherë mbretnore.
Nëse don të hysh duhet të paguash – më tha njëdizaj rojtari.
– Ç’të paguaj, zotrote? Ndryshkun e portës, rrënojat ?
Hajdutët hynë këtu pa paguar, shkulën..
S’i pa askush as me bisht të syrit. I panë në ditën me diell…
Kujt i fola : pishës, erës, rojtarit? .
Grabiti, s’grabiti mbreti…një popull. Po
ky popull i pranoi eshtrat e mbretit
dhe ca nga të tijtë, nuk ishin pak ata, i
vodhën e përshkelën pastaj edhe stemën ?
Ç’ka po më duhet kjo mua ? S’më ka
vjedhur kush as i përlyer s’jam.
Arrita aty ku Ai pinte shirat, nuk i pinte
po i shkundtte, aty ku Ai rrihej nga erërat
detare, nuk rrihej por i përzinte ato.
Një erë e rëndë bagëtish qelbte dynjanë.
Një gardh telash ia kishin qarkuar
këmbët. Kryeve s’kishin ç’t’i qarkonin.
Syri i madh i shkëlqente. Zbriste nga
kodra, vrapimthi shkonte në det, u rrinte anijeve mbi direkë, i sillte në port, i
përqafonte, kthehej shëndosh e mirë tek maja e kodrës në vendin e vet.
Veç me një sy. Ia pashë syrin mes një
drite të meket…paksa përlotur. Trupin
s’ia preka dot. S’më linin telat.
Natën e mirë, fari im,
natën, far i të gjithëve !

DO HAMË SËNTE* – Tregimth humoristik nga Shkëlqim HAJNO

Si mësues që shkonim nga qyteti në fshat për të dhënë mësim çdo ditë, flinim ndonjëherë dhe në fshat kur kishim mbledhjet me prindër. Ditët e enjte.
Qyteti ndodhej pesëmbëdhjetë kilometra larg dhe në grupi i mësuesve iknim për në shtëpi me autobuzin ndërqytetës mbi pasarelën e lumit Drino. Autobuzi qëndronte për ne pranë një lapidarit që përkujtonte
luftimet e partizanëve në një pritë me gjermanët që vinin nga Gjirokastra, në dyzet e katrën.
Por, të qëndroje në fshat dhe të mos shkoje nga MAPO, që ishte njëlloj marketi i kohës ku shiteshin artikuj industrialë dhe ushqimorë, ishte aso vitesh si të shkoje në mal në mes të gushtit dhe të mos pije ujë nga kroi
që të shfaqej befas në udhë.
Mësues Përparimi i historisë dhe gjeografisë, miku im i mirë, me cigare në dorë, para dhe unë, si mësues jabanxhi *) ( i ardhur nga një vend tjetër), pas tij. Hymë te dyqani METRAZHE. Qetësi prozaike e
prajshme. U përshëndetëm miqësisht me shitësen dhe Përparimi bëri për nga dera. E ndoqa pas.
– Shkojmë nga ana tjetër, andej ka zhurmë dhe pak gallatë se është dita e rrogave sot. Kanë marrë paratë e pesëmbëdhjetditëshit punëtorët e sektorit të fermës *) (ndërmarrje bujqësore) tonë- tha kolegu im.
Hymë te dyqani:
BYLMET-FRUTA PERIME. Zhurmë e zallahi. Majtas, radha e burrave. Njeri pas tjetrit. Të qetë. Pothuaj, të pagojë.
Dikush thithte cigaren i menduar paf-puf.
Djathtas, radha e grave, ku zoti kishte hedhur pa kursim hiret e së bukurës që dallohej lehtë megjithë stërlodhjet e ditës në fushat e bujqësisë. Nga aty vinte zhurmimi më i madh po edhe një gazmend i pakuptueshëm për mua. Nga kjo radhë ishte pothuaj trefishi i blerësve të radhës së majtë, asaj të burrave.
Ndryshe nga muzgu i krahut të majtë, ato, ishin më të qeshura dhe u ndrinte fytyra siç thuhej aso kohe, si fillim pesëmbëdhjetditëshi*) sapo ishin marrë rrogat) ku optimizmi atë mbrëmje rrogash, ishte ngritur në
pikën më të epërme të kolonës së zhivës.
Hyn nga jashtë një burrë me mustaqe që unë e njihja.
Ishte Demo, një traktorist me pamjen e Pugaçovit te “Vajza e kapitenit” e Aleksandër Pushkinit. Me pak mustaqe namusli dhe një vështrim të mprehtë, pas pak, kuptova tipin e tij prej hokatari.
Shkon direkt i pari në radhë. Burrat reaguan të indinjuar që ai prishi drejtësinë e radhës së blerësve dhe ritualin socialist: një burrë- një grua.
– More juve, ç’keni që bërtisni“!?-u foli të majtëve të radhës.
Dhe shtoi duke vendosur ngjitur me peshoren në banak, një torbë të madhe doku me doreza plastike.
– E di edhe unë radhën e dyqaneve që vij nga industria, nga traktori: një burrë- një grua- një polic , thonë në Shkodër po, meqë polic në fshat nuk ka, unë do blej sikur të isha polic dhe të kisha një ngut për shkak të
shërbimit dhe detyrës. Gratë qeshën me zë lartë. Burrat u ngrysën dhe mërmëritën mes vedi.
Shitës Beluli, një burrë shtatlartë përballë klientëve që dukej si një sfinks që shërbente me drejtësi, tha:
-Ç’ keni me mua? Me mua ç’keni! Mos bëtisni. Gjejeni me njeri- tjetrin.Unë shërbej, ju e mbani radhën vetë”- dhe hodhi syë nga Përparimi në mes të dy radhëve nga fundi dhe unë që shkelja për herë të parë në atë dyqan.
Beluli, si për të vendosur qetësinë dhe duke vështruar nga ne të që po qëndronim veçmas thjesht për të parë, jo si blerës, shtoi:
-Tregoni ju lutem, kulturën shekullore të fshatit tonë, o njerëz të mirë!
Atë çast ai po i mbante duart mbi një arkë me marmallatë molle vendosur anash peshores dhe gramarëve të saj sistemuar në resht nga madhi tek më i vogli, sipas peshës.
Demo pa me bisht të syrit nga ne dhe iu kthye shitësit.
-Belul, mbaje mendjen në mësim! Këtu, në frontin e punës.
Gratë u shkrinë së qeshuri, por ai shto:
-A kemi thënë: bujqësi, plus industri janë si gishtat e njerës dorë të bashkuar. Unë vij nga industria, nga traktori, po, merre kalemin edhe shkruaj!
-Si urdhëron!-tha Beluli.
-Merre mellanin!
Beluli mori lapsin mbi fletoren e trashë me vija ku bënte llogaritë e artikujve që shiste për çdo klient.
-Urdhëro Demo!
– Bëja edhe një herë majën kalmit të mellantë se i është thyer, më duket!
Beluli e pa edhe njëherë majën e lapsit, mori thikën e madhe ngulur në marmallatë molle dhe nisi ta mprehë lapsin.
-Ashtu, de! Mprehja majën, bëje xixë!
Ashklat e vockëla që dilnin nga lapsi hidheshin sa nga radha e grave aq edhe e burrave. Në çast, qetësia në dyqan ishte vendosur si me magji.
-Ja bëre mirë majën? Të lumtë!
-Gati, siç e doje Demo.
-Tani shkruaj, Belul: Një shkrepëse!
Beluli shënoi shpejt e shpejt: shkrepëse.
-Sa copë?
-Pesë copë njëherë, pa këtu jemi.
Beluli shkruajti: 5 X 5=25 lekë
-Ec poshtë!-urdhëroi Demo.
Nga radha e djathë, sy e veshë të dëgjonin artikujt e shumtë dhe llojet që do të blinte klasa punëtore nga mekanika e bujqësisë.
-Dy: Një konservë peshku, me vaj ullinxri* (kupto:ulliri)
Beluli: -Sa copë?
-Një, një, se na vrasin…
Beluli shkroi: copë 1 X 27 =27 lekë
-Tjetër, shokun Demo!?
-Ah se harrova, qirinjtë për dritat që na ikin çdo natë kur bëjnë detyrat fëmija dhe u heq veshin mësues Përparimi pastaj, dhe pa me bisht të syrit nga ana jonë.
-Sa copë?
-Dhjetë copë.
Beluli shtoi te lista.
-Tjetër?
-Hiqe vizën në fund! Pa mblidhi një herë se vanë shumë, më duket!
– Nga e djathta gratë çuçurisnin dhe nisën të qeshin.
-Pse habiteni? -tha Demo.-
Do hamë sënte, do dërckosemi!*( do shqepemi)
Gratë dhe burrat në radhët e gjata, nisën të qeshin me të madhe.
Ishte koha e tollonave, e racioneve të detyrueshme për cdo artikull ushqimor për familje që sot, nuk ka asnjë kuptim por, atëbotë që iku, tridhjetë e gjashtë vite më parë, ironia dhe humori i Demos ishte si një lloj bombole oksigjeni. I nevojshëm për të gjithë, në radhën e burrave dhe të grave .///
__o0o__

*Nga libri në proces “SPARTAKU NË URËN E KARDHIQIT”

PËRRALLËTARI ANDERSEN- Poezi nga KONSTANDIN DHAMO

Hans Christian Andersen
Vdiq,pasi ra nga krevati,
Kur ishte shtatëdhjetë vjeç.
.
Bashkëkohësit e tij,kjo nekrologji
Pa mend i la,
Për më tepër, kur mësuan se…
Prej rënies nga krevati
Vdiskësh
Një në tre milionë vetë…
.
Përrallëtari i Madh Hans
Veçse çuditshëm mund të vdiste ;
Si episodet e përrallave të tij
Vdekjen duhet ta kishte…
.
Ah,dhe në xhep ngaher’Anderseni mbante
Një pusullë të vogël,ku kish shkruar,
Ashtu shqetësueshëm me ndonjë gabim
Ortografik,
Siç i shkruante i përpirë nga frymëzimi
Rreshtat e rrjedhshëm të përrallave:
.
Kujdes, nuk kam vdekur!
.
Ua kujtonte atyre që do t’ia gjenin në xhep,
Ndoshta kur ta pikasnin përhumbur n’ëndërrim
Në shoqëri t’ëmbël me Rosakun,
Që zbukurohej tek rritej,
Njëherësh me Princeshën mbi Bizelen
Dhe, atë Vogëlushin trimosh dhe çapkën,
Që briti mes turmës servile dhe frikacake:
.
Mbreti është lakuriq…
.
Ajo pusulla e vogël,
Ashtu,me ndonjë gabim drejtshkrimor
Vlente
Edhe pasi Përrallëtari i Madh
U rrokullis nga krevati…
.
Kujdes, nuk kam vdekur…
2000

Rrap shekullor*- Poezi nga ARIF EJUPI

Rrap shekullor pranë udhës
që çon në Bllacë e Toplicë,
në tokën e të parëve të mi.
.
Atje ku ende,
sikur nga varret, dëgjohet gjëma
e nënave dhe fëmijëve
të atij dimri të zi.
.
Bishat e tërbuara të stepave të Karpateve,
me bekimin e të çmendurës së Bosforit,
dogjën mbi 600 fshatra
dhe vranë mijëra pellazgo-dardanë
me plisa të bardhë.
,
Dimër i tërbuar i 1878-ës,
qofsh mallkuar që na dëbove
nga Shqipëria e vjetër
dhe na dhe emrin muhaxhirë.
.
Rrënjët e trungut, të zhytura në gjakun e shqiptarëve,
s’thahen e s’harrohen kurrë.
.
ARIF EJUPI
*Shënim:
Kjo poezi u kushtohet dëbimeve masive të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe trevat
përreth gjatë viteve 1877–1878, si pasojë e dhunës së ushtrive serbe. Mijëra familje shqiptare
u shndërruan në muhaxhirë, duke lënë pas tokat, varret dhe historinë e tyre të trishtë.

Bjeshkë përballë stuhish- Poezi nga ARIF EJUPI

(Këto vargje i kushtohen z. Adem Demaçi, që i dha gjithçka Atdheut — e prej tij mori vetëm
një copë tokë për varr.)
Shtatshkurtër,
por me gjurmë hapi kudo.
Frikën nuk e mbaje barrë së koti.
.
Atyre që mendonin se ua kishe zënë diellin —
në sy ua thoshe: ja ku jam.
Kosova është djep i të parëve të mi.
.
Do ta mbroje qoftë edhe me thonj,
ashtu siç i mbron shqiponja zogjtë e saj.
.
Me guxim u përballje
me çakallë e dobiçë,
të lindur në stepat e Azisë.
.
I dashur e i butë
ndaj të njerëzishmëve
e punëtorëve;
i ashpër dhe i pamëshirshëm ndaj atyre
që preknin djersën e popullit të shkërmoqur
nga plagët e pushtimeve në çdo stinë.
.
Në djalëri e në pleqëri ishe
dhe mbete vetvetja.
.
Atë që e ndjeje në shpirt
e nxirrje nga goja —
kurrë hipokrit.
.
Ballafaques e guximtar ndaj armiqve,
mirënjohës ndaj miqve.
.
Njëzet e tetë vjet
ngujuar në qeli,
por gjithnjë
me hapin e luanit.
.
Bjeshkë ndaj sulmeve e shpifjeve
që pillnin
të shiturit
e gojëkëqijtë.
.
Kur zagarët të lehnin prapa,
ti vazhdoje rrugën,
duke thënë:
detyrë e kanë.
.
Gjithmonë ecje
me ballin lart, e krenar.
.
Shpesh thoshe: me vdekjen s’kam
kontratë — kur të dojë, le të më marrë.
.
Jetove pa u ankuar
dhe pa kërkuar lëmoshë.
.
Vdiqe pa gjëmë,
ashtu siç vdesin
luftëtarët e lirisë
në beteja.
.
Gjatë gjithë jetës — urë e Atdheut!
.
Arif Ejupi
Gjenevë, 26 shkurt 2026

U Botua në gjuhën angleze në Amerikë libri me novela dhe tregime i shkrimtarit të mirënjohur Kristaq Turtulli

Synopsis of the Rainy Night in Thessaloniki
In an age when the human voice is often drowned by the noise of the modern world, Kristaq Turtulli on RAINY NIGHT IN THESSALONIKI emerges with a voice unlike any other: a voice gathered from the depths of memory, from the wounds of history, and from silences that carry the weight of stones. His writing is not merely storytelling; it is the confession of a life marked by suffering, questions, and a stubborn glimmer of light, an unending search for what it means to be human at the edges of existence.
At the heart of his work stand the broken ones, those who have watched systems crush them, cripple them, tear them away from themselves and the ones they love. Yet, remarkably, they are never portrayed as defeated. They endure. They endure with scars, with emptiness, with guilt, and with unspoken love. Turtulli’s narratives lead us into places where fear becomes breath, where hope is a luxury, and where an abandoned man speaks to himself to avoid losing his mind. And it is precisely there, in the darkest corners of life, that he finds the light of art.
His prose is deep, turbulent, raw in feeling, and unsettled in spirit, as restless as life itself. His long, winding sentences echo the breath of someone who cannot find rest, the rhythm of thoughts that refuse to quiet, the nervous tapping of fingers on a plastic table in a foreign room. Kristaq Turtulli writes with a rare, almost steel-like authenticity, crafting the human figure through trembling nostrils, through the shiver that travels across the limbs, through the silence that is no longer silence but an invisible scream.
His characters live between two worlds: the past that calls like a curse, and the present that confronts them with themselves. On one side stands the homeland, the pain, the internment, the escape, the violence of the system. On the other hand stands the new world, the free world, where one boards an airplane without fear and lands in a place where no one punishes you for crossing a border. This painful contrast, at times shaped into a quiet jealousy, gives Turtulli’s work an extraordinary human depth.
His writing gathers the voices of the silenced, voices that have finally found a way to speak. These are stories that strike without mercy but with dignity. For Turtulli does not write to complain; he writes to bear witness. Not to judge, but to understand. Not to close wounds, but to show the world that they exist.
The book RAINY NIGHT IN THESSALONIKI you hold in your hands is more than a collection of stories or recollections. It is an act of testimony, a chronicle of a lost generation, a testament to the Albanian soul in its confrontation with historical absurdity. With a pen that is sensitive, sharp, and sincere, Kristaq Turtulli invites us into the world of the wounded, the humbled, but never the extinguished into a place where pain becomes art, where trauma becomes literature, where silence finally begins to speak.
This book, RAINY NIGHT IN THESSALONIKI, is a journey, a journey through fractured memories, forgotten voices, and resurrected light. And it is a journey worth taking.
– Bryan Henry Fox, Editor of the English edition of the novel, THE INN WITH TWO DOORS
Saimir Lolja Studjues editor i librit
The book of short stories and novels, RAINY NIGHT IN THESSALONIKI, that you hold in your hands is more than a collection of stories, novels, histories, or memories. This book of significant literary and artistic value is an act of testimony, a powerful chronicle of a lost generation, a testimony of the Albanian spirit in its confrontation with historical absurdity.
Kristaq Turtulli, with a sensitive, sharp, and sincere pen, the author invites us to a world once rich and noble but now wounded and spiritually wounded, but never humbled, and extinguished in a place where pain becomes art, where trauma becomes literature, where silence finally begins to speak.
This powerful and very significant book, RAINY NIGHT IN THESSALONIKI, takes the reader in an intriguing journey, a journey through broken memories, forgotten voices, and revived light. And it is a journey worth taking and then experiencing deeply.
In this book of short stories and novels: RAINY NIGHT IN THESSALONIKI by Kristaq Turtulli, which I intend to give to English-speaking readers, are creations crafted with love and responsibility. They are short stories with contemporary themes set in Canada, United States, Albania, and Greece. This works address a broad range of themes with well-defined characters. They explore human dignity and humanitarianism, the struggles of women for justice, dignity, democracy, and progress. They condemn various vices reflected in today’s world, among other things. This prose has artistic intensity and expressive power, accurately reflecting today’s reality.
Editor SAIMIR LOLJA

NJË JETË E MADHE ME PËRPJEKJE DHE ARRITJE. – Inxhinier Mërgim Korça iku… – Nga Visar Zhiti

I dhimbshëm dhe i trishtë lajmi se Inxhinier Mërgim Korça iku… Tani në qiell përgjithmonë. Një jetë me ikje dhe me arritje të mëdha, me vuajtje të mëdha, mendova, por plot me dije, me njerëz dhe libra, me shkencë, shpikje dhe gjuhë… ndërkaq i përndjekur dhe i mbrojtur nga talenti i tij si inxhinier mekanik, duhej për patentat e makinerive bujqësore, që ia njeh dhe bota… ndërsa në Amerikë iu përkushtua dhe një pasioni tjetër…

 

NË LUSHNJËN E INTERNIMEVE

Aty e pamë inxhinierin dhe ne, të rinjtë e gjimnazit në Lushnjë, dëgjuam për aftësitë e tij, lexonte në disa gjuhë të mëdha, gjermanisht e frengjisht e italisht, etj, burrë fisnik, ashtu shtatlartë, i çiltër deri në buzëqeshje, ndryshe nga të gjithë, qytetar, kurajoz dhe i heshtur, por… seç kishte në biografi.

Dhe e shoqja e tij, doktoreshë Mimoza Selfo Korça, njihej për humanizmin e saj, pa luftë klasash dhe kritikohej në mbledhjet e kokektivit të spitalit në Lushnje: mos na u bëj si Nënë Tereza!, – i thoshin. Edhe ajo ashtu e kishte biografinë… Regjimi i kishte pushkatuar babanë, por njiheshin a kishin lidhje si gjirokastritë me Enver Hoxhen dhe diktatori bëri një lëshim dhe…

Dhe babai i Mërgimit kishte vdekur në burgun e Burrelit, madje me dëshirë tronditëse, me grevë urie, e para në burgjet shqiptare, i dha fund jetës dhe në shenjë proteste… në një popull që shtypej dhe të uritur gjatë gjysmë shekullit diktaturë…

– Krenar me babanë tënd…! – i kishte thënë im atë Inxhinier Mërgimit, do të ma tregonte vetë ai, kur do të miqësoheshim dhe bashkë.

Xhevat Korça kishte mërguar si kundërshtar i monarkisë, u kthye t’i shërbejë atdheut gjatë pushtimit fashist, u bë dhe ministër i arsimit, etj, dhe e dënuan si kolaboracionist.

Njihet polemika e tij në burgun e Burrelit me ministrin e brenshëm të atëhershëm, Mehmet Shehun, qënke i ditur, Profesor, – i tha ai, – pse s’u bëre komunist me ne? – Prandaj, Mehmet, – ia ktheu ai, se e di…

Ndoshta Kryeministri Shehu, ashtu brutal dhe trillan siç ishte, e mbështeti të birin e tij, Mërgimin. Në Lushnje porositi se ne nuk na duhen të deklasur si Mërgim Korça, por na duhen inxhinierë si ai…

 

TË DHËNA

DHE CA SHËNIME:

Mërgimi lindi në mërgim, prandaj dhe iu vu ky emër, në Graz të Austrisë, në kohë trazirash politike, në 30 dhjetor 1932…

Lexoj në nekrologji që “trashëgoi nga familja e tij (Xhevat dhe Seadet Korça, si edhe vëllai Gene X. Kortsha) një traditë guximi dhe intelekti. Megjithëse u përball me pengesa sistematike në atdheun e tij (Shqipëri) për shkak të përndjekjes së familjes nën regjimin komunist, Korça nuk u dorëzua. Ai u formua si inxhinier mekanik, duke krijuar makineri bujqësore origjinale që avancuan ndjeshëm procesin e mekanizimit në Shqipëri. Përkushtimi dhe zgjuarsia e tij u vlerësuan me titullin prestigjioz “Punëtor i Shquar i Shkencës dhe Teknikës”, i akorduar me dekret shtetëror — një nder i rrallë që qëndronte mbi paragjykimet politike të kohës.”

Pas vdekjes se babait në burg, ndërsa vëllai i tij më i madh, Genci, me të dalë nga burgu, arratiset, vjen në SHBA dhe shquhet si shkecëtar dhe ai dhe për një libër autobiografik, të shkruar në anglisht, Mërgimi mbetet me nënën në atdhe, duke u endur jug e veri, duke bërë punë nga më të rëndat, edhe në gurore thyente gure me varreh, u njoh me të persekutuar të mëdhenj, me të klerit katolik në Shkodër, me mendimtarë e shkrimtare të viteve ‘30, që i kishin lënë gjallë, kryen shkolla nate, duke fshehur dhe identetin, universitetin me korrespondecë, shkëlqen si talent në punë, inxhinier në SMT në Lushnjë, lexues i madh romanesh në gjuhë të huaja, etj, etj.

Me të rënë perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri, – ajo nuk ra, por u shkërrmoq, – thoshte Mërgimi, – ikën në vitin 1991 bashkë me gruan, Doktoreshë Mozën dhe vajzën e tyre të vetme, Bibikën.

Ndalën në Itali. Mërgimi më tregonte se në bisedat e tij me gazetarin e shquar italian, themelues i gazetarisë moderne, Idro Montaneli, babai i të cilit kishte qenë këshillar në Tiranë i babait të Mërgimit ministër, do t’i thoshte se në Shqipëri demokracia po bën një gabim, kuçedrës së diktaturës nuk po i pret kokën vulnerabile dhe, kur i heq një, nxjerr dy koka të tjera. Do të vuajë Shqipëria…

 

NË MICHIGAN, SHBA

Mërgimi familjarisht mërgon për në SHBA, te i vëllai, Genci, në Michigan. Nisi një jetë të re dhe një pasion të ri. Në të gjashtëdhjetat zotëron gjuhën angleze, “në një moshë kur shumëkush mendon të ngadalësojë ritmin, ai përqafoi një thirrje të dytë si shkrimtar, analist dhe ligjërues publik… ai u shndërrua në një publicist të mprehtë, duke sjellë qartësi dhe guxim në tema shpesh të mjegulluara nga ideologjitë. Përtej shkrimeve të tij, Mërgim Korça njihej për humanizmin e tij të ngrohtë, ndershmërinë intelektuale dhe bindjen e palëkundur se historia duhet të shqyrtohet jo përmes ideologjisë, por përmes fakteve dhe analizës kritike”.

Janë me rëndësi zgjidhjeve që u ka dhënë ai çështjes së kolaboracionizmit në Shqipëri, trajtesat për personalitet kompkekse të historisë moderne, polemikat me akademikë, studimet për Nënë Terezën, Baba Rexhepin dhe Padre Pio-n, adhurimi per at’ Fishtën, drejtimet letrare, epoka e Skenderbeut, posdiktatura, etj, etj.

Unë e takova Mergim Korçën në New York, i ftuar në veprimtarinë e “Shtëpisë së Lirisë”, organizuar nga drejtuesi i saj Muç Xhepa. U bë ajo që s’ishte bërë në Shqipëri, që iu dha emri “Gjyqi i New Yorkut”, ku dënohej diktatura. Mergim Korça mbajti referatin kryesor, ai analizoi në thellësi burgologjitë e mia “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, ndërgjegjja dhe përgjegjësitë.

Dhe çudia tjetër për mua do të ishte se ai iu përvesh punës dhe përktheu në italisht të gjithë veprën “Ferri i çarë”, mbi 500 faqe, duke punuar 8-9 orë, 10 në ditë dhe e mbaroi brenda një viti. Miqtë italianë që e kanë lexuar, u pëlqen italishtja e tij, “manzoniane”, më thonë. Botuesi që nxori “Rrugët e ferrit” e pret si vazhdimin…

Pastaj do të takoheshim dhe në Tiranë. Në Ministrinë e Kulturës një sesion përkujtimor per shkrimtarin themeltar Ernest Koliqi. Përsëri fjala kryesore do tẽ ishte nga Mërgim Korça.

Tashmë ai si profesor në Wayne State University, do të jepte mësim gjuhën dhe kulturën shqiptare për studentët e rinj, “duke ushqyer krenarinë për trashëgiminë e tyre”

Mërgim Korça shërbeu si aktivist i komunitetit për Teqenë, Xhaminë dhe Kishën Katolike, duke frymëzuar unitet, dialog dhe nderim të ndërsjellë mes traditave patriotike e fetare. .

Në nekrologjinë anglisht lexojmë që Mërgim Korça u nda nga jeta në 22 shkurt 2026, bashkëshort i përkushtuar, baba i dashur dhe gjysh i çmuar. Ndërkohë inxhinier i shquar, intelektual me profil publik, mbrojtës i palodhur i së vërtetës historike, një gjurmë e pashlyeshme në diskursin kulturor dhe qytetar. Mërgim Korça dha një krijimtari referuese, libra nyjëtues të çështjeve historike e bashkëkohore me një integritet intelektual.

* * *

Në ditën e fundit të shkurtit dhe të dimrit do të mbahet “Celebration of Life” dhe më pas ceremonia e varrimit në Guardian Angel Cemetery, 4701 N Rochester Rd, ndërsa të nesërmen e tyre do të jetë dita e parë e pranverës. Lulet dhe bari aty do të duken si porosi të bukura nga ëndrra e Mërgim Korçës, ideali dhe përpjekjet ia vlejtën, e dëshmojnë lulet në fund që janë dhe një fillim tjetër i jetës…

Libri “Sofra e Fjalës” e Neki Lulajt- Nga Ornela Radovicka*

Ndërsa lëvron vëllimin poetik “ Sofra e Fjalës” me autor Neki Lulaj, është sikur ke përpara
disa pjesë të një puzzle, dhe do të ndërtosh një Mozaik. Nuk ka asnjë një kriter për rradhitjen
e tyre, sepse ato kanë imunitetin organik e aplikativ, kanë atësi të funksionojnë si një
rregulator automatik në hierarkinë e kësaj Sofre arbitrare. Arti i autorit e kapërxen atë mendim
të Vitgenshtajni kur thotë se vështirësia në të cilën ndodhet mendimi është si ajo e një njeriu
që dëshiron të dalë nga një dhomë. Së pari ai përpiqet ta bëjë këtë përmes një dritareje, por
është shumë e lartë për të. Pastaj ai përpiqet përmes një oxhaku, por është shumë i ngushtë.
Tani, nëse do të donte vetëm të kthehej, do të shihte se dera ishte lënë hapur gjatë gjithë
kohës, dhe dera hapur është pikërisht çelsi i fjalës, përdorimi i saj, dhe këtë gjë profesor Nekiu
e bënë me lehtësi sepse ai zotëron çelësin e fjalës.
Në poezitë e tij “ Fjala shqipe” merr karakterin biologjik e pitogram. Ajo metamorfozohet si
një grua e moçme, nuk është Evë mëkatare, por një Evë hyjnore, flokët e murosura në kala, e
në shekuj janë mbjellë eshtra. Epitafe fjalësh të zhytura në gjuhën e heshtjes, me qepallat që i
rëndojnë si dy gji bjeshke të malit, ecën si një jetime mbi valët e Drinit të Bardhë.
Sofra e Fjalës, na ofron Universin ilirik, me veshët e tij të pafund ku kaltërsia e detit dhe
qiellit coptëzohen nga vetëtimat e Zeusit. Dodona, Orakulli, Kalimtarë. Kalimtarë, patkonjtë e
Molosve, Pirros e Kaonve, Thesprotëve. Kalimtarë si Ajkuna, Doruntina, Rozafa, Marigo,
Teuta.
Kulla dardane, ku gurët janë pllaka smerlade e ndriçon loti.
Plaku i vjetër, urtaku i shekullit me tirqet, gajatan në brez mbi gozhdat e heshtjes pret. Në
shekuj në kishën e Deçanit, u këndua kënga e lisit në shqip. Ajo tokë baruti, pyll me buzë
vjollce zhagiten hojet e agut të lirisë. Një univers, ku ortakët kurrë nuk heshtin. Ngjitet
mjergulla në majë të Strellcit e qepon mbi gurë të Sokolit. Në ato kulla, Flas me ty. Mbi supe
ngarkuan bjeshké, lugje, kodra e fusha, qëndroi besa, e spërkatet vargu me pikat e gjakut nën
piskamën e degëve që hodhë në Europë e Amerikë.
Kalimtarë, si Bogdani ku fjalën e praroi në ar, e zërin në gjëlpër Buzuku Mesharin skaliti.
Kalimtarë, apostofuar në sokollimën: “O vjen Ahmet Delia”, 70 manushaqe i mblodha mes
shkrpave për Jusuf Gërvallën. Në Velani, elipsat e shallit fatin e nëkëmbur të dy milion
shqiptarëve mblodhi.
Diku aty afër, Prroit të Batushës te guri Koshares u bëmë fitimtarë mes kuçedrën barbare. Mbi
arnat e tyre, ethe pritjeje, hyjnë e dalin kalimtarë. Do pyes edhe Brazdat e Bërliqit për , Halil
Nekën ,Namik Selmani.
Kalimtarë që ecën në shekuj, e ngelën vatra pa mysafir e duhan kaçak. Atje ku lumenjtë
puthen pa u ndarë, atje ku zogjtë pinë uji para shiut e nga larga si një jehon gjama e burrave
mbrthen klithat çame.
Burra me kësulë llamburit plisi\qeleshja si vesa ecin me peshën e shekujve mbi këtë
palkoshemnik. Atë ditë kallnuri Dardania fitoi shtetin. Aurela lindi në agim si një zanë, me
kordele arbërore mbi kokë, nën notat e një valsi ilirik mbi Drin Lumëmadh. Kalmtarë,
gjyshmiri e duarvogli, bulëza sykaltër Adrola, Leandra si një flutur duke vrapuar drejt
cingërrimes së ziles së parë të shkollës. Në shpinën e shekujve rriskat e bardha të diellit, dhe
nën hijen e manaferrës, fëmijërinë me korin e Pagjumësisë së nënave kujtonin.
Kalimtarë, ku fjala triumfon e kodifikon emocionin. Florina, do të jetë si një ëngjëll mes reve
e shoqëruar nga orfeu me lirën e tij. Sulejman Loka do të jetë currilë jete pranë oxhakut të
ngrohtë. Reshat Arbana do të jetë virtyti më i lartë i miqësisë sa dhe Buna kristaltë do të
lakmonte atë pastëri sinqeriteti mes tyre.
Kalimtarë, të zhuritur nga malli me këmishën e lumturisë së coptuar, me ëndërrat në livadhet
me bar. Gjon Buçaj mallin për atdhe do ta të grryente, e të bënte të thahej si një kashtë ugari.
Kalimtarë në Bunkart, kalimtarë me opingat, e tollumat e Lulit të vocërr pikëzonin padrejtësi,
hiri i biblotekave të djegura nxirrte lotë mallkimi ku ndërgjegjja futet në xhepat e çmëndurisë,
Kalimtar, Relike e shpirtit. Ti, Laleja e bukur. Kur do ikësh? Sot,flokthinjur mbjellë fjalët e
tim eti me urtësi e jetë. Mbrëmjeve, një muzë fisnike pranë krevatit mbledh lirikën dhe
erotikën.
Ti, çamja e bukur me syrin tim vegimtar e trurin e rrudhur më shpirtin e nxehtë të Saharës më
prit te shtegu i Lamës apo i mollës gjyle. Jam unë lëkura jot në hirin tënd o univers i ri.
Gërmat, ku harku i shekujve lëshon tingullin më të lasht të shiut mbi tjegulla, herë si fjolla
bore, herë si sfera notash të një sinfonie. Në odën e zemrës një qiri i ndezuer, noton e zhytet
qënia human. Janë poetët bletarë që shpërndajnë hojin e fjalëve. Amanet të vizitoj Ninfën
motër, Mësenjtoren. Kambana e poetit vazhdon në hapsirë me lavjerrsin e saj, me tingujt e
fjalës shqipe në Sofër dhe aromën e lules së gurit të Kosovës.
Poezitë e autorit Neki Lulaj mendoj se mbartin forcën e karakterit epik por duke u shprehur në
karakterin lirik. Forca e vargjeve të tij nuk bie asnjëherë në përsëritje. Pushteti e fjalës nuk del
si forca fizike, si predhë armë e zjarrit, por ajo goditje pagëzohet si një sinergji force që nuk
eklipson inteligjencën.
Sensi i lirisë për autorin përkufizohet në esklamacionin;”Lëreni të Fluturojnë zogjtë me krahë
hapur”.
Vëllimi, përmban edhe poezi groteske: “Çuditërisht”, “Fyerja” “ Zahalli e madhe”, “Atdheu”
Hesht, Historia po luan symbyllazi, etje. Mes shumë kalimtarëve, përmend Kalimtarë të
shekullit të një botë tjetër, viktima me armë dhe pa armë, trupa ku mbajnë siglën Covid 19.
Me sa duket zhanri i teatrit si dhe Shekspiri kanë lënë gjurmë te autori.
Vëllimi poetik për sa i përketë gjuhës është shumë i pasur me toponime, leksik e fjalëformim.
I shtrirë në hapsirë dhe kohë vëllim prek edhe temën e Çamërinë.
*Qëndra Albanologjike kërkime mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe
themeluar nga Atë Bellusci Frasnitë\ Frascineto

Send this to a friend