Ka dy ditë që nuk dëgjoj lajme se është fikur sinjali i News24. Sot mbushen 37 vite që diktatura komuniste, paraardhësja e rilindjes varte poetin e fjalës së lirë. Sot prisja që gazetarët e News24 të jepnin përvjetorin e varjes së Havelit shqiptar, Havzi Nela.
Jo, nuk jepet ky përvjetor, sepse media e lirë dhe e hapur për antikomunistët dhe të përndjekurit politikë s’ka sinjal se e kanë ndaluar horrat e rilindjes që imitojnë udhëheqësin shpirtëror të tyre, Enverin dhe Ramizin!
Në Shqipëri nuk po jetojmë thjesht një krizë diktatoriale, jo vetëm një krizë politike. Ne jemi të zhytur në një krizë psiko-sociale, e cila ka filluar të përthithë çdo sferë të jetës së qytetarëve, si një re e zezë që rëndon mbi mendjen dhe shpirtin e një kombi të tërë.
Si mund të heshtësh përballë represionit të pushtetit kur ndalon fjalën e lirë, kur të përndjekurit i quan armiq dhe nuk i lejon të konkurrojnë, kur mbyll televizionin se e quan pronën shtetërore si pronë të veten personale për ta përdorur për interesa fitimi e korrupsioni!
Nën petkun e një demokracie formale, vendi po qeveriset nga një regjim ku fasada pluraliste mbulon një realitet gjithnjë e më diktatorial. Këtu vota është përçudnuar, drejtësia është një dekor, institucionet janë shërbëtorë të pushtetit, dhe liria po ngulfatet çdo ditë, ngadalë, por me saktësinë e një helmi të përditshëm.
Të gjitha duken demokratike: zgjedhjet, parlamenti, drejtësia por në thelb janë thjesht mjet për të riprodhuar pushtetin. Nuk ka kontroll, nuk ka transparencë, nuk ka ndëshkim!
Mbyllja e TV News24 është kambanë alarmi për demokracinë shqiptare, heshtja ndaj 6000 të zhdukurve dhe përcudnimi i pushtetit ndaj atyre shqiptarëve që u vranë për fjalën e lirë është piskamë kombëtare, ku vemi! Ne duhet t’i themi ndal këtij pushteti diktatorial, të mbrojmë lirinë tonë. Liria është e shenjtë dhe ajo duhet mbrojtur më cdo kusht. Sot Havzi Nela, në 37 vjetorin e varjes së tij na apelon:
Ma mirë le t’i mbylli sytë
Ma mirë zëmra lë t’pushojë
Ma mirë mos me pa ma dritë
Kur harbuti t’më sundojë!
.
Ma mirë nga kjo botë të ndahem
Ma mirë krimbat lë t’më hanë
Ma mirë gurë e e dhé të bahem
Kur i ligu nis më shan!
.
Ma mirë lis, lëndin’ a fush’
Ma mirë bar, kullot bagëtitë,
Ma mirë mos më t’njohë kurrkush
Kur zuzari t’rrin mbi krye!
.
Ma mirë bota lë të thonë:
“Vdiq i mjeri, shkoi me nder!”
Se i rrëzuem përgjithmonë
Me më shkel një derr beter!
.
Burrel, 1977