Aktivistja Arilda Lleshi komentoi protestën qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës, dhe bllokimin e profileve sociale.
Në një intervistë për Neqs24, ajo deklaroi se sulmi ishte i organizuar duke drejtuar gishtin nga qeveria, ndërsa shtoi se Meta, kompania mëmë e Instagramit, ka kthyer përgjigje dhe disa faqe janë rikthyer, ndërsa disa të tjera janë në shqyrtim.
“Shumë aktivistë kanë pasur këtë problem por sot disa profile u rikthyen dhe disa janë në proces shqyrtimi. Meta tha se kemi bërë një gabim dhe po i shqyrtojmë rastet e tjera. Pati edhe ndërhyrjen e Demokratëve Evropianë që ngritën këtë çështje dhe kjo na tregon rëndësinë e ndërkombëtariuzimit të çështjes. Padyshim që është sulm i organizuar sepse profili mbyllet vetëm kur ka një numër të madh njerëzish që raportojnë. Dukshëm ka pasur një fushatë të qëllmshe për t’i mbyllur këto llogari dhe kjo vjen nga pushteti.”, tha ajo.
Më pas, ajo foli për nevojën për të kaluar në përshkallëzim të protestës. Sipas saj, qytetarët duhet të bllokojnë institucionet, ndërsa studentët të bojkotojnë auditorët.
“Protesta duhet të kalojë në një lëvizje të organizuar. Personat duhet të koordinohen më mirë dhe të ketë përshkallëzim, bllokim të institucioneve. Parlamenti fillon punën, diaspora ka njoftuar se do të qëndrojë. Shpresojmë që rikthimi i studentëve të rigjallërojë protestën.
Gjithashtu po hidhen ide të ndryshme që të bojkotojnë universitetet. Mendoj se është hap i nevojshëm. Studenti ka statusin e veçantë që nuk është në punë. Ka kohë pak më shumë se ata që punojnë. Kështu që e ka më të lehtë në shumë aspekte që të organizohet. “, shtoi ajo.