Zoti
U mërzit,
Vendosi ta rikrijojë botën sërish
Qiellin e bëri det
Detin qiell
Zogjtë notojnë në det
Peshqit
Fluturojnë në qiell
Yjet i bëri lule
Lulet yje
Lulet rrezatojnë dritë
Yjet përhapin aromë
Diellin
E bëri sy Polifemi
Syrin e Polifemit diell
Diellin e verboi Odiseja me urën e zjarrit
Syri i Polifemit ndriçon edhe djeg
Shpendët
I bëri avionë
Avionët shpendë
Shpendët hedhin bomba
Avionët lëshojnë glasa
Kafshët
I bëri njerëz
Njerëzit kafshë.
Kafshët ecin me dy këmbë
Njerëzit vrapojnë me katër
Kafshët bisedojnë
Njerëzit
Ulërijnë, blegërijnë, pëllasin.
Politikanët i bëri qenër
Qentë politikanë.
Qentë bisedojnë
Politikanët lehin
Poetët
I bëri bilbila
Bilbilat poetë
Poetët këndojnë majave të lisave
Bilbilat recitojnë skenave tribunave,
Në radio ekrane
Pemët
I bëri peshq me luspa
Peshqit pemë me gjethe
Rrënjët i bëri degë
Degët rrënjë
Rrënjët
Pa lule, pa gjethe
Degët pa rrënjë
Rrënjë
Luajnë me flladin.
Lulet kalben nën tokë
Zoti
Përzjeu shqisat
Zhvendosi tiparet
Sytë
I vuri
Te veshët
Veshët te sytë
Sytë dëgjojnë
Veshët
Shohin
Gojën
E vuri te bytha
Bythën te goja
Goja pjerdh
Bytha
Flet.
Dhëmbët
I vuri te gishtat
Gishtat tek dhëmbët
Gishtat kafshojnë kasaforta thesare
Dhëmbët
Rrëmbejnë valutë dogana
Zoti
Zemrën
E vuri në stomak
Stomakun në zemër
Stomaku
Përtyp dashuri
Zemra rreh e uritur.
Zoti
Edhe ditët i bëri rrëmujë
Të dielën
E bëri ditë pune
Të hënën, të martën, të mërkurën,
Të enjten, të premten, të shtunën
Të gjashta i bëri ditë pushimi
Vdekjen
E bëri lindje
Lindjen vdekje
Të vdekurit rilindin
Të lindurit
Rivdesin
Ditën
E bëri natë me diell
Natën ditë me hënë
Ditën flemë
Natën punojmë bixhoz
Të keqen
E bëri të mirë
Të mirën të keqe
Djallin
E bëri Krisht
Krishtin
Djall…
U përmbysën dhe sharjet
Njerëzit shajnë së prapthi
Ik
Or
Krisht me brirë
Ky është djall
Shpirt njeriu
Kishat
U bënë stalla
Stallat kisha
Djalli
Falet në kishë
Krishti
Në
Stallë
Krishti rivdiq
Djalli u ringjall…
1995
Komentet