Kreu i PD Sali Berisha në fjalën e tij përpara gazetarëve tha se kreu i fushatës së Donald Trump, Chris LaCivita që erdhi në Shqipëri ka bërë një vizitë historike në Tiranë.
Ai tha se LaCivita ka deklaruar se “Berisha është persekutuar njësoj si Donald Trump në SHBA”. Sipas Berishës, mesazhet e LaCivita kanë domethënie të madhe politike.
“Ju jeni dëshmitarë të ngjashmërive, të sjelljes së administratës së SHBA që shkoi dhe Xhorxh Sorosit ndaj presidentit Donald Trump dhe sjelljes së tyre ndaj Sali Berishës.
Ju jeni dëshmitarë të vendimeve për të mos regjistruar emrin e tij në listë dhe mosregjistrimin e Sali Berishës në listat e zgjedhësve.
Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve për eliminimin fizik të Donald Trump, por të njëjta edhe për Sali Berishën në prag të aktivitetit.
Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve për burgosjen e tij dhe burgosjen e Sali Berishës po nga falangat e Xhorxh Sorosit dhe kukulla e tij Edi Rama në Shqipëri.
Këto janë të vërteta të cilat e sollën në Shqipëri këtë kryetarin e komitetit kombëtar të Partisë Republikane, Chris LaCivita.
Mesazhet e tij janë shumë të thella dhe duhet të kuptohen nga çdo shqiptar.
Presidenti Donald Trump u tha amerikanëve se më i rrezikshëm nga të gjithë për SHBA është armiku i brendshëm. Dhe kjo është e vërtetë e madhe.
Nuk ka vend tjetër në botë që të ketë fuqinë, teknologjinë, forcën e pakufishme të SHBA. E megjithatë, në këtë vend, nga ekstremi i majtë, nga marksistët dhe post marksistët sorosianë, demokracia u kërcënua njëlloj si në një vend të botës së tretë.
Në qoftë se përdorën gjykatat për të përjashtuar nga procesi zgjedhor kandidatin kryesor të partisë kryesore.
Në qoftë se aplikohen gjoba gjysmë miliardë dollarë.
Në qoftë se lëshohen urdhra për t’i mbyllur gojën, këto nuk ndodhin kurrë në një demokraci pa probleme.
Në qoftë se promovohet censura, një gjë do u them, çdo hap drejt censurës është hap drejt diktaturës. Ndaj dhe Donald Trump me shumë të drejtë tha, se armiku më i rrezikshëm për Amerikën është armiku i brendshëm.
Në këtë kontekst duhet të kuptojmë qartë dimensionin e deklaratës së kryetarit të komitetit kombëtar republikan, Chris LaCivita, të cilin Rama e quajti punonjës i Donald Trump, ka domethënien më të madhe politike.
Është një thirrje, është një apel për shqiptarët të çlirohemi me ndihmën e SHBA, nga Xhorxh Sorosi, ideologjia dhe i gjithë ndikimi që de facto u krijua në Shqipëri republikën e Xhorxh Sorosit.
Qytetari i thjeshtë shqiptar e ka të vështirë të besoj që Edi Rama solli në parlament, bazuar në doktrinën e Sorosit, ligjin për krijimin e fermave të grave që të lindin fëmijët e askujt se duhet të krijoheshin fëmije më prindër 1 dhe 2 dhe pa prindër fare për të shuar familjen dhe vlerat hyjnore njerëzore të saj.
E kanë të vështirë se në Tiranë, njëlloj si në Nju Jork filluan të numerotohen prindërit që në kopsht dhe mijëra familje amerikane u shpërngulën nga Nju Jorku për në Teksas ku nuk lejoheshin praktika të tilla antifamiljare.
Pra, miqtë tanë e kanë të qartë se çfarë ndodhi. E kanë të qartë se kush është Leticia Jones, Alex Brag të Shqipërisë që angazhohen për shkatërrimin e pluralizmit në një akt kriminal antikushtetues të paimagjinueshëm.
Ndaj dhe shpreh mirënjohjen më të madhe kryetarit të komitetit kombëtar të Partisë Republikane për vendimin e tij për të shprehur demokratët dhe konservatorët në Shqipëri, në shpëtimin e Shqipërisë nga stihia e ekstremit të majtë dhe Xhorxh Sorosit në këtë vend”, tha Berisha.
Kryetari i PD Sali Berisha, në një konferencë për shtyp ka deklaruar se zv. kryeministrja Belinda Balluku u ka ndaluar çdo lloj tjetër komunikimi punonjësve me të, përveçse komunikimit me letra të shkruara me dorë.
Sipas tij, një vendim i tillë është marrë nga frika e hakerimit të kompjuterëve që ndodhen në zyra dhe dalja e sekreteve.
“A mund të imagjinoni ju që Lubi Loti iu ka ndaluar në mënyrë të prerë të gjithë ekipit të komunikojnë ndryshe me të përveçse me letra me shkrim dore.
Iu ka ndaluar celularët, i ka ndaluar mesazhet dhe tani komunikimi në kabinetin e zëvendëses së Edi Ramës, sepse ajo sheh dy zëvendësit e tij njëri pas tjetrit e thotë ika dhe unë, dhe do ikë ajo se e meriton 100 herë.
Pra, tani është tipike e mafies, tani as celularët nuk i përdorin dot, as kompjuterët nuk i përdorin dot, tani janë të detyruar që çdo problem që kanë me bosen e tyre ta paraqesin vetëm me shkrim dore.
Gjer këtu jemi, po i garantoj shqiptarët se kjo situatë i ka kohërat e shkurtra dhe ne do bëjmë gjithçka që 11 maji të jetë dita e fundit e tyre në pushtet.
Sikundër çdo ditë që kalon me Edi Ramën në pushtet është një barrë e rëndë për çdo shqiptar.
Nuk ka komb tjetër që mund të pranonte pas atyre skenave, pas këtyre skandaleve të qeveriset nga një njeri si ai”, tha ai.
Kreu i PD Sali Berisha në deklaratën për mediat tha se vizita e kreut të fushatës së Donald Trump në Shqipëri Chris LaCivita është historike.
Berisha tha se LaCivita është arkitekti i fushatës së suksesshme të rikthimit të lavdishëm të Trump në pushtet. Më tej, Berisha nënvizoi se Chris LaCivita do ta vazhdojë në Tiranë betejën që kishte në Uashington, atë për luftën ndaj njerëzve të Soros.
“Tani, dje siç theksova, ishte një ditë ndër më të veçantat në 34 vite.
Ishte ditë unike.
Në Tiranë zbarkoi bashkëkryetari i menaxhimit të fushatës më të rëndësishme elektorale pas Luftës së Dytë Botërore të SHBA dhe planetit.
Ishte bashkëarkitekti i asaj fushate që përballoi makineritë më gjigante të miliarda e miliarda dollarëve, të medieve kryesore të SHBA dhe të botës, të sondazheve të manipuluara në SHBA dhe në botë, dhe siguroi rikthimin më të rëndësishëm, më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm me votën e lirë në tërë historinë e njerëzimit, ishte zoti Chris LaCivita.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se Chris LaCivita në kërkesën planetare që ekziston, në qindra kërkesa nga i gjithë planeti, që ekzistojnë për të bashkëpunuar me të, ai fisnikërisht zgjodhi Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Zgjodhi PD-në jo rastësisht. Ai personi, të cilin Edi Rama e quajti punëtor i Donald Trump sikur të ishte kopshtar apo lulishtar në Mar-A-Lago është njëkohësisht kryetar i komitetit kombëtar të Partisë Republikane të Donald Trump.
Dhe ai foli aty në cilësinë e bashkëkryetarit të menaxhimit të fushatës më të suksesshme në histori, por foli edhe në cilësinë e kryetarit të Komitetit Kombëtar Republikan.
Për kryetarin e Komitetit Kombëtar Republikan dhe Partinë Republikane që ai përfaqëson, Edi Rama është një kukull e Xhorxh Sorosit.
Dhe ai, që ta kemi shumë të qartë, erdhi këtu për të vazhduar betejën që fitoi në SHBA, kundër Sorosit dhe ekstremit të majtë të tij.
Pra, ishte një akt kryekëput politik pasi i prenë kokën gjarprit në Uashington, duhet t’ia presin tentakulat kudo, dhe në Shqipëri ato ishin dhe janë më të zhvilluara se në asnjë vend tjetër”, shprehet Berisha.
Kreu i PD Sali Berisha, në një konferencë për mediat foli për takimet në Romë.
Berisha shprehet se shqiptarët në Romë kishin një entuziazëm të paparë. Ai shtoi se takimi me shqiptarët në Itali ishte dëshmia më e sigurt e fitores së ardhshme të PD-së.
Sali Berisha: Dua të falënderoj shqiptarët në emigracion që mbushën sallën e takimit. Takimi ishte tepër entuziast, ishte fitorja më e qartë e fitores së PD-së. Diaspora shqiptare është me PD-në dhe Sali Berishën.
Falënderoj degën e PD të Romës dhe të gjithë qytetarët që u mblodhën në atë takim. Falënderoj edhe deputetët italianë të Forza Italia, që erdhën në takim. Dje ishte ditë unike, në Tiranë zbarkoi menaxhuesi i fushatës së Donald Trump, Christ LaCivita. PD e zgjodhi LaCivita jorastësisht, pasi ishte arkitekti i fitores së madhe të Trump.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëdita, së pari unë dua të shpreh mirënjohjen më të pakufishme para atyre mijëra e mijëra qytetarëve shqiptarë në emigracion që mbushën sallën e atij takimi, ndër më entuziastit dhe më mbresëlënësit që kam pasur ndonjëherë.
Ai takim ishte diamanti i fillimit të fushatës elektorale.
Ishte dëshmia më e sigurt e fitores së ardhshme të PD.
Ai takim aq entuziast u dëshmoi shqiptarëve, por edhe italianëve dhe të gjitha kombeve të tjera se emigracioni dhe diaspora e Shqipërisë është me PD-në, është me Sali Berishën.
Ndaj dhe vetëkuptohet frikëra dhe tmerret e pseudomazhorancës socialiste nga vota e diasporës dhe përpjekjet për ta penguar.
Pra, unë dhe njëherë shpreh mirënjohjen më të pakufishme ndaj të gjithë atyre që e organizuan, degës së PD të Romës, drejtuesit të kësaj dege dhe të gjithë qytetarëve që u mblodhën në atë takim.
Një mirënjohje të veçantë kam unë për kryetarin e grupit parlamentar të Forza Italia, Paolo Bareli. Për kryetarin e grupit në senat të Forza Italia, Gaspari. Për deputeten Erika Maseti, mikun tim, deputetin Batilokio, të cilët në një ditë të dielë u shkëputën nga familjet e tyre, nga detyrat e tyre dhe erdhën në një takim shumë miqësor, ku diskutuam për bashkëpunimin tonë të ardhshëm me Forza Italia.
(Balkanweb)