Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë seancës së 21 korrikut bëri të ditur se kostoja totale për realizmin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore parashihet të jetë mbi 1.9 milion euro.
Për këtë projekt, ministri Aliu tha se nga buxheti i Kosovës do të ndahen 980 mijë euro, ndërkaq nga buxheti i Shqipërisë do të ndahen 1 milion euro.
“Aktualisht, jemi në një fazë që mund të realizojmë projektin dhe të hapim mundësinë e krijimit të kësaj linje, e cila pastaj mund të shoqërohet me shumë projekte tjera që do të mundësonin qarkullimin e mallrave nga Porti i Durrësit në gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor, e që Prishtina do të ishte qendër e kryesore e shpërndarjes së këtyre mallrave”, tha Aliu.
Realizmi i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë do të mundësonte nisjen e projektit tjetër, që është ndërtimi i dy porteve të reja tregtare: Porto Romano në Durrës dhe Porti i Thatë në Prishtinë.
Ky projekt ishte prezantuar në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila është mbajtur më 20 qershor në Prishtinë.
Sipas prezantimit të bërë nga Eric Smit, drejtor i kompanisë holandeze “Royal Haskoning”, e cila e ka bërë projektin, Porti i Thatë në Prishtinë do të shfrytëzohej për zhdoganimin e mallrave, gjë që do ta lehtësonte pastaj ngarkesën në portin detar të Durrësit.
Projekti i investimit në Porto Romano llogaritet se do të ketë ndikim pozitiv në bruto prodhimin e brendshëm të Shqipërisë, nga 3 për qind deri në 6 për qind, ndërsa për Kosovën ende nuk ka një përllogaritje të saktë.
Ideja mire kjo qe me linje hekurudhore do te lidhet Durresi me Prishtinen dhe pastaj dhe me Tiranen.
Kjo ben te mundur bashkepunim dhe lidhje me te thella
midis kosovareve dhe shqiptareve per te jetuar dhe punuar se bashku.