RAPORTI PËR MASAKRËN E TIVARIT – SERBËT VRANË 4626 SHQIPTARË (I)
Punimi që po ju paraqes sillet posaçërisht në vijim të dy shkrimeve të botuara në “Gazetën Shqiptare” ditët e fundit, si kujtesë për rreshtat e atij shkrimi dhe si përgjigje për alibinë tërësore të ngritur në atë shkrim, se mbi Masakrën e Tivarit nuk është bërë një hetim i pavarur. Sa më poshtë është vetëm një pjesë e hetimit tim të pavarur mbi ngjarjen, të cilin e kam realizuar i pandikuar nga asnjë presion politik, por veç nga ndërgjegjja profesionale dhe vullneti për të ndriçuar të vërtetën. Trajtesa është një përpjekje për të dhënë disa konsiderata të përgjithshme mbi rezultatet e një kërkimi njëvjeçar arkivor, mbi atë që në fakt konsiderohet si Masakra e Tivarit e në të vërtetë është një proces kompleks i riintegrimit të Kosovës, pjesës perëndimore të Maqedonisë dhe Malësisë në Jugosllavinë e Dytë dhe i eliminimit të potencialeve humane të rezistencës ndaj këtij procesi, që është ngushtësisht i lidhur me instalimin në pushtet të klikës komuniste jugosllavo-shqiptare pas datës 29 nëntor 1944. Masakra e Tivarit është vetëm një nga ngjarjet e procesit gjenocidal që është konsumuar në shumë cepa të Jugosllavisë, në Dalmaci dhe në Vojvodinë, por, fatkeqësisht edhe në Shqipëri, në rrugën nga Kukësi në Shkodër e drejt Ulqinit, nën syrin e armët e heshtura të partizanëve të UNÇSH-së. Punimi është kryesisht i bazuar në dosjet arkivore të “Foreign Office”, “War Office”, “SOE files” dhe në dosjet e Sigurimit të Shtetit diktatorial shqiptar, të interceptuara nga shërbimet inteligjente britanike 1945-1947 dhe të hapura tashmë për publikun e gjerë në Mbretërinë e Bashkuar. Në punim do paraqitet edhe një dosje e Arkivit të Kosovës që i përket dokumentacionit jugosllav.
Çfarë kuptohej aso kohe me ‘Kosovë’?
Termi ‘Kosovë’ asokohe është aplikuar në tri mënyra:
Sipas mënyrës së parë, me ‘Kosovë’ kuptohej i gjithë territori i aneksuar nga dezintegrimi i Jugosllavisë në Shqipëri dhe pak më shumë se kjo, jashtë kësaj pjese të aneksuar, në pjesën veriore dhe lindore që aspirohej nga nacionalizmi shqiptar. Sipas mënyrës së dytë, e gjithë kjo pjesë e territoreve të aneksuara në veri të Malit të Sharrit (Sar Planina) dhe në jug të Mokra Planina (d.m.th. të gjitha territoret e aneksuara Shqipërisë, me përjashtim të disa (a) fragmenteve në veriperëndim, të marra nga Mali i Zi, dhe (b) në disa hapësirave në veriperëndim të Maqedonisë, në pjesën jugore të territorit të aneksuar). Sipas mënyrës së tretë, kemi Fushë Kosovën, që është gjysma lindore e Kosovës në kuptimin e dytë (gjysma perëndimore është Fusha e Metohisë, ose siç thirret ndryshe nga shqiptarët, Rrafshi i Dukagjinit). Hapësira e referuar si KOSMET është e barabartë me Kosovën në kuptimin e tretë, plus Rrafshin e Dukagjinit dhe që korrespondon tërësisht me Kosovën në kuptimin e dytë. (PRO.WO.204.9428,From, Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6?68 of 5th March.) Por le të kthehemi në brendësi të Luftës së Dytë Botërore, për të kuptuar proceset politike të fundit të luftës dhe riintegrimit të Kosovës në Jugosllavi. Me ndihmën e Gjermanisë hitleriane, gjatë periudhës 1939-1943, Italia realizoi ambiciet e saj në Ballkan, në dëm të Jugosllavisë. Në fillim të kësaj periudhe, irredentizmi shqiptar në Kosovë u nxit të përgatitej për bashkimin e këtij territori me Shqipërinë. Një bashkim i tillë u krye me anën e traktatit të datës 15 qershor 1941 me Bullgarinë. Menjëherë pasoi reagimi serb dhe malazez: Gjatë verës së vitit 1941, u kryen sulme nga ana e kufirit malazez në zonën e Gucisë; Gjatë dimrit 1941 u kryen sulme përgjatë kufirit serb në krahinën e Mitrovicës, Novi Pazarit dhe Sjemnicës. Këto sulme u zmbrapsën nëpërmjet koordinimit të veprimeve të forcave italiane dhe shqiptare. Për pjesëmarrjen e tyre në veprime, disa udhëheqës të fiseve malësore shqiptare morën “Medaljen e Argjendtë” nga vetë Musolini. Pas kësaj, italianët krijuan “Gardën Shqiptare të Kosovës” nën komandën e Prenk Previzit, me rekrutë kosovarë, dhe “Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës”, nën presidencën kolektive me rotacion të Ferhat Dragës, Bedri Pejanit dhe Iliaz Agushit. Para armëpushimit me Italinë, ky i fundit ishte zëvendëskryeministër i Shqipërisë (Iliaz Agushi është vrarë në dhjetor 1943) dhe njëkohësisht president i radhës i Komitetit. Duhet të saktësojmë gjithashtu se Ferhat Draga dhe Bedri Pejani kanë qenë në periudhën pararendëse deputetë të parlamentit jugosllav. (PRO. WO. 204. 9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6?68 of 5th March. Enclusire, Draft “Kosovë”). Ferhat Draga ka qenë anëtari më aktiv i Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës në verën e vitit 1943. Për këtë ai do të bëhej në vijim të kësaj periudhe Guvernator i Kosovës (d.m.th. Kosovës në kuptimin e saj më të gjerë, që përfshinin të gjitha territoret e aneksuara Jugosllavisë, me përjashtim të territoreve të shtuara në prefekturat e vjetra të Shkodrës dhe të Dibrës). (PRO. WO. 204. 9428, From, Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/ GSP/ 6?68 of 5th March.) Garda Shqiptare e Kosovës ka qenë përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të rinj dhe ushtrimin e veprimtarisë policore brenda kësaj hapësire të re të përfshirë në Shqipërinë nën pushtimin italian. Kosovarët shfrytëzuan këtë rast për t’u hakmarrë në këtë periudhë kundër kolonistëve serbë, të cilët u detyruan të largohen për t’u mbrojtur, në Serbi, ose në Mal të Zi, ku madje u bashkuan ose me forcat partizane, ose me ato çetnike. Në janar të vitit 1943 forcat çetnike të drejtuara nga Gjurishiq dhe Mihailoviq sërish invaduan Kosovën, duke shkatërruar fshatra të tëra dhe duke masakruar popullsinë në Bihor dhe Rozhajë. Sipas statistikave, 4626 shqiptarë u vranë ose u plagosën dhe 200 gra dhe vajza u grabitën. Në këtë rast, italianët, të cilët në këtë moment ishin duke mbështetur Gjurishiq dhe Mihaijloviq, nuk ndërhynë. Ky fakt në mënyrë të padyshimtë ndikoi në ngritjen e ndjenjës anti-italiane në Shqipëri. (PRO. FO. 371. 48090/8181/237/90, Mr. Ralph Skrine Stevenson to Mr. Eden, Belgrade, 27th April 1945). Më 16 shtator 1943, një regjiment i Gardës së Kosovës mori pjesë në luftime kundër malazezëve, të cilët kishin sulmuar Gjakovën. (PRO.WO.204.9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6?68 of 5th March. Enclusire, Draft “Kosovë”.) Pas armëpushimit të Italisë, në Kosovë u krijua “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, më 18 shtator 1943. Kjo organizatë krijoi edhe një Asamble Kushtetuese, pozicioni gjysmëautonom i së cilës u ratifikua nga Këshilli i Regjentëve të Shqipërisë, më 14 mars 1944. Qëllimi kryesor i kësaj organizate ishte të mbronte dhe të çlironte territoret e Kosovës nga serbët. Kjo organizatë arriti të kontrollonte të gjithë administratën brenda zonës dhe kishte katër batalione milicie nën komandën e major Bajazit Buletinit. Gjermanët e shfrytëzuan këtë rast dhe arritën të krijonin në mars 1944 Divizionin SS “Skanderbeg” me 7000 shqiptarë nga Kosova, të drejtuar dhe stërvitur nga oficerë gjermanë. Në të njëjtën kohë, një konferencë e prijësve shqiptarë, që u mbajt respektivisht në Maqellarë dhe Rugovë, vendosi të krijonte një komitet ushtarak për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit dhe ndërmori rekrutime masive anekënd territorit. Kjo gjë pati sukses të konsiderueshëm. Rojet kufitare u përforcuan, njësi policore shqiptare u formuan dhe ato filluan të shërbenin si garnizone policore në Serbi (është fjala për territorin e kontrolluar nga gjermanët), por edhe në Francë dhe Holandë. Kur në verën e vitit 1944 pozitat e gjermanëve në Ballkan u përkeqësuan, Dr. Xhafer Deva u bë Kryetar i “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe Komisioner i Lartë i Krahinës së Kosovës. Përballë kësaj opozite të fuqishme, lëvizja partizane në Kosovë asnjëherë nuk arriti përmasa të konsiderueshme. Për arsye se vendet gjermanishtfolëse, dhe para së gjithash Austria kishte qenë ndër kohë mbështetëse e krijimit të Shqipërisë natyrale dhe për faktin që nën Gjermaninë naziste, një aspiratë e tillë u bë realitet, duhet të thuhet se në Kosovë mbështetja për partizanët, me frymëzim sllavo-komunist, ka qenë pothuajse inekzistente. Këtu shumica e popullsisë shqiptare preferonte të ruante kufirin e kohës së luftës, i cili i kishte përfshirë ata nën shtetin amë shqiptar. Vetë KOSMET, organizata nacionalçlirimtare e Kosovës, nuk ka pasur ndonjë mbështetje në popullsinë shqiptare të Kosovës, sa t’i mundësonte kësaj organizate partizane shqiptaro-jugosllave të ndërmerrte aksione brenda territorit të krahinës së lartpërmendur. Kështu, kjo organizatë më shumë ka vepruar jashtë territorit të Kosovës (në Tetovë), (krahinën e Preshevës) dhe në Shqipërinë verilindore. Arsyeja kryesore pse KOSMET ka qenë jo popullore në Kosovë është lidhur me bashkëpunimin e ngushtë të kësaj organizate me Marshallin Tito. Për më tepër, KOSMET, si organizatë, ishte njohur prej anës së Gjeneral Kolonelit Enver Hoxha, që të vendosej nën urdhrat e Titos, me zonën e Kosovës, si sferë të saj të ndikimit (PRO.HS.7.70, S.O.E. History, File number 37/B, Allied Military Mission in Albania, 1942-1945, faqe 16). Ajo çfarë duhet të saktësohet është se, së paku duke filluar nga fillimi i vitit 1944 Kosova u bë një fushë betejash dhe ballafaqimesh të interesave nga më të përkundërtat ushtarake dhe politike, të cilat përfshinin, forcat kombëtare shqiptare, forcat çetnike serbe, forcat partizane jugosllave, reparte të majta bullgare etj. Në rrethanat e konsolidimit të pushtetit shqiptar në Kosovë, Lëvizja Nacionalçlirimtare Jugosllave, që aspironte të merrte pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore, filloi që në këtë kohë përgatitjet për minimin e bazave të unifikimit të Kosovës në Shqipëri. Nga viti 1941 u bënë përpjekje për të përthithur një lloj mbështetjeje mes shqiptarëve dhe po këtë vit dy delegatë nga Tito, Ali Dushanoviq dhe Miladin Popoviq, morën pjesë në mbledhjen themeluese të PKSH-së.
Pozita e Frontit Nacionalçlirimtar
Pas krijimit të PKSH-së më 1941-shin, kjo organizatë kërkoi ndihmën dhe mbështetjen e PKJ-së. Komunistët serbë dërguan pas kësaj në Shqipëri dy oficerë, Ali Dushanoviq dhe Miladin Popovic. Këto dy oficerë u arrestuan nga italianët në fillim të vitit 1942 dhe u internuan në një kamp internimi në Shqipëri. Më pas ata u çliruan nga udhëheqësi komunist shqiptar Mustafa Gjinishi. Përzgjedhja e Ali Dushanoviq, një njeri ky mjaft i mprehtë dhe finok, ishte e përllogaritur, mbasi ai ishte me origjinë nga Peja. Këta persona kanë qenë pikat e kontaktit të ndërlidhjes në mes partizanëve jugosllavë dhe PKSH-së dhe kanë qenë pikërisht këta që u përpoqën të krijojnë një lëvizje partizane në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Bazuar në një direktivë nga Moska, të gjitha partitë komuniste duhej të shtypnin lëvizjet nacionaliste brenda vetes në interesin e ndërsjellë të kombeve të Ballkanit dhe formimit të lëvizjeve nacionalçlirimtare kundër fuqive të boshtit fashist. Në Shqipëri një lëvizje e tillë u njoftua me Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942 dhe pas kësaj u zhvilluan ndërlidhjet me partitë komuniste jugosllave, malazeze, maqedonase dhe greke. Për sa i përket lëvizjes nacionalçlirimtare në Kosovë, aty, në fund të vitit 1943, u krijua edhe KOSMET- (Kosovo-Metohija), për të cilën folën edhe më lart, e që përgjigjej para Marshallit Tito. KOSMET përbëhej në anëtarësi, gjysma prej serbësh dhe gjysma prej shqiptarësh, mes të cilëve shquheshin Mehmet Hoxha dhe Fadil Hoxha. KOSMET ka qenë detyruar të përkufizohej në aktivitetin e vet brenda sferës politike, me synim kryesor uljen e ndjenjave antiserbe në mes kosovarëve. U bënë përpjekje edhe për të ndërtuar një organizatë politike partizane në Kosovë dhe pak Komitete Nacionalçlirimtare. FNC i Shqipërisë pati këmbëngulur në një karakter të pavarur të kësaj organizate. Qëllimi i këtij synimi, duke ndjekur direktivat fillestare komuniste, ishte të shtypte ndjenjat antiserbe në Kosovë. Në janar të vitit 1944, në Kolgecaj të Tropojës, Malësi të Gjakovës, u mbajt një Kongres i KOSMET-it, në të cilin morën pjesë 52 delegatë, përfshirë edhe delegatë të nacionalitetit serb dhe malazez dhe dy ish-deputetë të parlamentit jugosllav. Emërtimi ‘KOSMET’ është një përzierje e fjalëve Kosovë dhe Metohi, që janë dy lokalitetet e entitetit KOSOVË, respektivisht pjesa lindore dhe ajo perëndimore. Në konferencën e muajit janar, që u drejtua nga Mehmet Hoxha, u zgjodh një këshill i përbërë si më poshtë vijon: President, Mehmet Hoxha; Nënpresidentë, Rifat Berisha dhe Padel Yovichevich (malazez); anëtarë, Ali Shukriu, Milan Zeqhar (serb), Daud Ardyshi, Fadil Hoxha, Xhevdet Doda, Zeqir Jarexha. Ata vendosën që të luftonin në anën e Aleatëve të Koalicionit Antifashist, mbi bazën e Kartës së Atlantikut dhe për të dërguar përfaqësuesin e tyre në LNÇ dhe tek Marshalli Tito. KOSMET supozohej se ishte një organizatë që përfaqësonte interesat jugosllave dhe shqiptare. Zona e saj e shtrirjes së aktivitetit përfshinte rajonet e Kosovës, Metohisë, Pukës, Nikaj, Mertur, Krasniqë. (PRO.WO.204.9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/668 of 5th March ). Me gjithë aktivitetin e pakët ushtarak në Kosovë, njësitë partizane kosovare luftuan që herët së bashku me UNÇJ në Maqedoni dhe Serbi, nën komandën e shtabeve të këtyre hapësirave. Që në vitin 1942 ishin formuar dy batalione kosovare në kodrat në perëndim të Tetovës, të cilat luftuan brenda njësisë së quajtur Brigada e Parë Maqedonase, derisa ajo u shndërrua në Brigadën e Parë Kosovare, të përbërë nga 800 trupa, në qershor 1944. Në fillimet e veta kjo brigadë ishte e përbërë nga serbë të ikur, por në qershor të vitit 1944 llogaritej se 30% e kësaj brigade ishte e përbërë nga partizanë shqiptarë. Një brigadë tjetër kosovare me 400 trupa u formua në Skopska Crna Gora në fillim të vitit 1944, në zonën në lindje të hekurudhës Nish-Shkup. Pjesa e stafit të KOSMET ka qenë e pozicionuar në territorin serb, në jug të Radan, mbrojtur nga një batalion i përbërë nga 100 kosovarë. Deri në verën e vitit 1944 KOSMET nuk mori pjesë në ndonjë aktivitet me karakter ushtarak, ndërsa në gushtin e vitit 1944 KOSMET, në hapësirën në mes Pejës dhe Gjakovës, u bashkua me Brigadën e Parë Kosovare nga Maqedonia. Megjithatë, forcat partizane në Kosovë mbetën të dobëta dhe nuk arritën të ofronin ndonjë rezistencë për t’u shënuar. Lëvizja më e rëndësishme e rezistencës ka qenë ajo e ndërtuar nga Gani Kryeziu, një pronar i madh tokash nga zona e Gjakovës. Marrëdhëniet në mes KOSMET dhe Gani Kryeziut kanë qenë korrekte dhe operacionet rastësore ushtarake janë kryer së bashku, por për shkak të refuzimit të tij për t’u bashkuar me KOSMET, ai u kërcënua nga forcat partizane të kësaj organizate dhe më vonë, në fund të vitit 1944 jeta e tij do të rrezikohej tmerrësisht nga bashkëpunimi i UNÇSH dhe UNÇJ, për të cilin zhvillim do të flitet më tej në këtë shtjellim. Më tej, përpjekjet e UNÇJ për të dërguar trupa në Kosovë nuk kanë qenë të suksesshme. Kjo, sepse rezistenca që iu bënë atyre rojet kufitare kosovare ka qenë shumë e fuqishme dhe në muajin maj 1944, korpusi i dytë i UNÇJ, në përpjekje për të hyrë në Kosovë përmes Malit të Zi dhe në korrik 1944, forcat serbe të drejtuara nga Gjeneral Lejtnanti Popoviq, duke përparuar prej veriut të Gjilanit, u sprapsën nga forcat qeveritare kosovare (nënkuptoj forcat e qeverisë shqiptarë të periudhës së pushtimit gjerman). Për shkak të kësaj disfate pothuajse të plotë në Kosovë dhe brutalitetit të kosovarëve kundrejt kolonistëve serbë, pjesa më e madhe e partizanëve jugosllavë krijuan një pamje krejt pesimiste për mundësinë e fitores me anë paqësimi mbi kosovarët. Në përgjithësi, opinioni i pjesës më të madhe të partizanëve jugosllavë, të cilët patën të bënin shumë me shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të luftës, mes të cilëve shquhet Gjenerali Vukmanovic Tempo, shpesh patën deklaruar se ata ishin banditë të pakorrigjueshëm, të cilët duhet të çohen në hell me metoda të ashpra kur vendi të çlirohet. (PRO.FO.371. 48090/8181/237/90, Mr. Ralph Skrine Stevenson to Mr. Eden, Belgrade, 27th April 1945). Kjo ndoshta është pikënisja e politikave të ndjekura në vijim nga komunistët jugosllavë ndaj Kosovës dhe popullsisë shqiptare në këtë anë të Ballkanit. Gjatë vitit 1944 u zhvilluan një seri sulmesh në territorin e Kosovës të pushtuar nga gjermanët, të cilat kulmuan në bashkëpunimin në mes Marshall Titos dhe FNC të Shqipërisë. Sulmet gjatë periudhës së parë të vitit 1944 mund të listohen si më poshtë: 1) Në mes datës 11 dhe 20 shkurt 1944 çetnikët serbë dhe trupat e Nediq pushtuan fshatrat shqiptare në veri të Pejës. 2) Më 29 maj 1944 njësitë e 2 korpusit të dytë të mareshalit Tito kryen një seri sulmesh nga zona e Beranes në drejtim të Morinës, Plavës dhe Rozhajës. 3) Në fund të qershorit 1944, shtabi i përgjithshëm serb, duke punuar në bashkëpunim me Marshall Titon, filloi pushtimin e Kosovës në zonën e Gjilanit.
ROMEO GURAKUQI
SUNDIMI I TITOS – REAGIMI I KOSOVËS NË SHKURT 1945 (II)
Cilat janë ngjarjet që shënojnë marrëdhëniet në mes Marshallit Tito dhe Frontit Nacionaçlirimtar Shqiptar?
Duke qenë se FNÇ shqiptar ishte i organizuar dhe i drejtuar nga serbët, asgjë nuk mund të pritej prej kësaj organizate ndaj reagimit serb. Qeveria shqiptare e Regjencës në fuqi, për kundërveprim organizoi formacione luftarake vullnetare, sanksionoi dislokimin e këtyre formacioneve të rregullta si Divizioni SS “Skanderbeg” dhe kërkoi mbështetjen e gjermanëve kundër FNÇ Shqiptar në çdo mënyrë. Në të njëjtën kohë u vendosën marrëdhënie miqësore me Kroacinë dhe një mirëkuptim politiko-ushtarak u tentua me Turqinë dhe Greqinë.
Pse nuk pritej asgjë nga reagimi FNÇSH? Cilat janë ngjarjet që shënojnë marrëdhëniet në mes Marshall Titos dhe FNC Shqiptar?
- Marshalli Tito me 4 dhjetor 1943 kishte shpallur një komunikatë sipas së cilës “e ardhmja e Kosovës do të vendosej prej një referendumi dhe kufiri mes Shqipërisë së pasluftës me Jugosllavinë, në qoftë se do të ishte e nevojshme, do të rregullohej në të mirë të Shqipërisë”. Kjo ka qenë formula që ka qenë e pranuar prej FNÇSH, e cila nga ana e saj theksoi se KOSMET dhe KOSOVA janë sfera të ndikimit të Titos.( PRO.HS.7.70, S.O.E. History, File number 37/B, Allied Military Mission in Albania, 1942-1945, faqe 38).
- Më 17 maj 1944, shërbimi sekret amerikan (SOA) raportonte, duke cituar Titon se, “Fronti Nacional Çlirimtar i Shqipërisë është një lëvizje jugosllave, pikëpamjet e së cilës dhe aktivitetet që ajo organizatë zhvillon nuk janë gjë tjetër veçse ato të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare Jugosllave, e cila jep urdhrat dhe komandon, prandaj aktiviteti i partizanëve shqiptarë është i përfshirë në Ushtrinë Nacional Çlirimtare Jugosllave, brenda së cilës partizanët shqiptarë janë pjesë”. Siç duket, kjo ka qenë arsyeja pse radio “Jugosllavia e Lirë” do të njoftonte “se forcat tona nacional çlirimtare janë vënë të zotërim të Beratit dhe Tiranës”. (PRO.FO.371. 48090/SF/POL/2A/B6, Albano-Jugoslav Relations, 16 December, 1944.)
- Nga vera e vitit 1944 dhe në vijim FNCSH dhe Marshalli Tito kryen veprime të përbashkëta kundër gjermanëve, të cilat kulmojnë në veprimet e përbashkëta ushtarake në Kosovë me forcat serbe që vepronin në Prishtinë dhe Gjilan dhe njësitë partizane shqiptare që vepronin në Gjakovë dhe Prizren. Në muajin nëntor 1944 në deklaratën për shtyp të Marshallit Tito u njoftua për “bashkëpunimin e armatosur (të UNÇJ) me ushtrinë shqiptare në betejën kundër pushtuesve fashistë”.
- Gjatë të njëjtit muaj u shkëmbyen nota diplomatike përgëzimi dhe miqësie në mes Dr. Nishanit (Shqipëri) dhe Dr. Ribar (Jugosllavi). Pasi japin të dhënat e mësipërme, analistët britanikë, mbi raportet e të cilëve, në pjesën të rëndësishme e kemi ndërtuar këtë punim, shkruajnë në pjesën konkluzive, se është një parim që partitë politike, në rrugën e tyre të ngritjes në pushtet, përdorin çfarëdo lloj mbështetjeje që është e mundshme. Është e pamundur të injorosh ekzistencën e ambicieve serbe ose jugosllave në marrëdhëniet me Shqipërinë. Por nga ana tjetër analistët britanikë vërejnë se është bërë më i dukshëm fakti që FNÇ i Shqipërisë ishte bërë më nacional në karakterin e tij gjatë gjysmës së dytë të vitit 1944 dhe marrëdhëniet në këtë periudhë me komunistët jugosllavë ishin më të pavarura se sa në periudhën pararendëse. Analistët britanikë gjithashtu raportonin se në fund të vitit 1944 ishte e pangjashme që prania e forcave partizane shqiptare në Kosovë të ishte e motivuar vetëm prej idealeve internacionale. Ata mendonin se Marshalli Tito nuk do ta injoronte faktin se trupat kuislinge shqiptare kishin luftuar kundër tij. “Kordialitetit politik dhe ushtarak, – shkruhet në një raport të tillë – i është bërë një publicitet i madh kohët e fundit, por gjeneral Hoxha është cituar së fundmi të shprehet se ai nuk e sheh të mundshme në të ardhmen e afërt një Federatë Ballkanike”. Forcat gjermane u tërhoqën nga Kosova duke filluar nga 19 nëntori 1944, në rrugën e vet të tërheqjes drejt Veriut, duke e lënë krahinën në një gjendje konfuzioni dhe pasigurie të përgjithshme për të ardhmen. Më 19 nëntor 1944, partizanët e brigadës 18 të UNÇSH u vunë në zotërim të Kukësit ndërsa partizanët e brigadave 3 dhe 5 të së njëjtës ushtri çliruan Pejën dhe Prizrenin në Kosovë. Kur gjermanët filluan të tërhiqeshin edhe nga Shqipëria dhe pushteti i FNÇ në Shqipëri filloi të zgjerohej, kundërshtarët e lëvizjes së FNÇSH u detyruan të tërhiqeshin në malet ngjitur me kufirin me Jugosllavinë dhe shumë prej tyre kaluan në territorin e Kosovës dhe Maqedonisë Veriperëndimore. UNÇSH lëvizi pas tyre në drejtim të kufirit jugosllav. Nga ana jugosllave, tërheqja e gjermanëve i dha UNÇJ mundësinë e parë për të depërtuar në Kosovë. Në këtë moment qëndrimi i zymtë i kahershëm i partizanëve jugosllavë përsa i përket mundësisë së pajtimit me kosovarët pësoi një ndryshim të papritur, për shkak se pikërisht në këtë kohë nga njësitë kuislinge kosovare pat një dezertim masiv. U krijuan dy brigada të reja partizane kosovare dhe nga fundi tetorit 1944 edhe dy të tjera ishin në formim e sipër. Kosovarët dhe shqiptarët e pjesës veriperëndimore të Maqedonisë filluan madje sulmet kundër gjermanëve në tërheqje e sipër. Ndërkaq, sulmi i partizanëve bullgarë në Kosovë detyroi çetnikët e Skospka Crna Gora dhe të Kopaonikut të Jugut, këta të fundit të drejtuara nga Zika Markoviç, të futen sërish në Kosovë, ku u vendosën përkrah forcave të mbetura gjermane dhe njësive nacionaliste kosovare. Në jugun e Malit të Zi, për shkak të aktivitetit partizan, disa prej forcave çetnike të drejtuara nga Gjurishiq kishin bashkuar forcat e tyre me ata të prijësve malësorë katolikë të Shqipërisë së Veriut në zonën në veri të Liqenit të Shkodrës. Duhet të nënvizojmë se në Shkodër e në Shqipërinë Veriperëndimore, lidhur para së gjithash me një seri rrethanash kulturore dhe nivelit të emancipimit shoqëror, qenies së një klase të mesme qytetare mjaft mirë të zhvilluar, ndikimit të Kishës Katolike në Malësi të Madhe dhe në Malësi të Dukagjinit, ka pasur një indiferencë të plotë ndaj propagandës komuniste dhe kjo lëvizje është konsideruar dhe kuptuar gjerësisht si një lëvizje antikombëtare dhe e huaj për orientimin pro europian të Shqipërisë.
Nga fundi i dhjetorit 1944 forcat gjermane u tërhoqën plotësisht, së bashku me gjysmën e Divizionit “Skanderbeg”, që i shoqëronte ata. Pjesa e mbetur e divizionit ose dezertuan, ose ishte lënë me qëllim mbrapa si prapavijë dhe gjithashtu një pjesë e çetnikëve qëndruan me ata në malet e Kosovës dhe të Sanxhakut. Rajoni i Skopska Crna Gora asnjëherë nuk u pastrua plotësisht nga ana e UNÇJ dhe sipas të gjitha gjasave, në këtë rajon, në kohën kur bëhet ky raport, kishin mbetur rreth 1000 çetnikë në aktivitet. Kosova dhe skajet malore rreth saj mbeten si zona të një rezistence të ashpër dhe të fuqishme kundër partizanëve. Kjo rezistencë bëhej nga pjesa e mbetur e Divizionit “Skanderbeg” dhe mbetjet e çetnikëve të Serbisë Jugperëndimore të Kopaonikut, të cilët ishin aq të kompromentuar sa nuk kishte asnjë shpresë për t’u pajtuar me partizanët. Po ashtu, në Veri të Shqipërisë u përqendruan të gjithë elementët kundërshtarë të FNÇSH dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për fshatrat në veriperëndim të Maqedonisë, e banuar nga një popullsi jomiqësore ndaj partizanëve. Gjithashtu, sipas të gjitha gjasave, edhe disa mbetje të forcave çetnike të Djurisic (Gjurishiq) mbetën në arrati rreth kufijve të Malit të Zi.
Mbi praninë e Divizioneve V dhe VI të UNÇSH në të gjithë harkun kohor të muajve të parë të vitit 1945 në Kosovë dhe operacionet ndjekëse, rrethuese dhe asgjësuese, pra në muajt kur është konsumuar procesi i zhveshjes së Kosovës dhe Maqedonisë Veriperëndimore nga djelmnia shqiptare, na dëshmojnë një seri dokumentesh të Arkivit Qendror të Shtetit të R.SH., mes të cilëve po citojmë: 1. Një dokument i Shtabit Operativ të UNÇ për KOSMET, Nr. 23, datë 13.03.1945, drejtuar Shtabit të Divizionit VI shqiptar, në bazë të të cilit, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave, Divizioni V dhe i VI i UNÇSH, do të dislokohej tashmë në Novi-Pazar edhe në Mitrovicë, Vuçitern, Podujevë. Shtabi i grupeve të brigadave, në bazë të këtij urdhëri është vendosur në vendet si vijon: Në jug: prej kryqëzimit të vijës hekurudhore tek katundi Bresnje, e gjatë vijës hekurudhore në drejtim të Pejës, deri tek lumi Drin i Bardhë, tue vazhdue më tutje në jug përgjatë lumit Drin i Bardhë deri në derdhjen e lumit Ribnik në Drinin e Bardhë, e që andej vazhdonte rrugës së katundit më në jug deri në majën 434, katundit Gerçina në majën 1261 në kufirin me Shqipërinë. Në perëndim: gjatë kufirit shqiptar, mandej në Bogiqevac e Mokra Planina e që andej gjatë vijës së kufirit ndërmjet qarqeve të Kosmetit dhe Sanxhakut mbi Mokra Gora dhe Stari Kolashin deri në pjesën e sipërme të shtratit të Lumit Ibër, dmth. deri në kufirin perëndimor të vendeve të okupuara nga ana e Divizioneve të tjera shqiptare.
Shtabi i grupeve të brigadave u vendos në Peje, kurse shtabet e brigadave përbërëse të këtyre divizioneve, kanë qenë të vendosura në Pejë, Gjakovë, Istog, Rudnik. Krahas këtyre divizioneve shqiptare kanë operuar në këtë kohë në pjesën tjetër të Kosovës, Divizioni 46, 52 41 të UNÇJ Brigadat e Mbrojtjes së Popullit etj. Detyra e caktuar ndaj të gjithë këtyre forcave të armatosura të vendosura në Kosovë ka qenë e qartë dhe e njëjtë: “me mbajtëm nën kontroll të përhershëm dhe të fortë vendin e caktuar, me asgjesue plotësisht grupet e mbetura të arratisurve dhe me ndihmue sa më tepër organet drejtuese ushtarake në krijimin dhe përforcimin e pushtetit popullor”.( AQSH, F. 14/APL Viti 1945, Dosja e formacioneve ushtarake shqiptare ne Jugosllavi, faqe 40, Urdhër i Shtabit Operativ të UNÇ për KOSMET. Nr 23, datë 13.03.1945.) Sikurse shihet, forcat e UNÇSH kanë qenë të vendosura në zonat përgjatë kufirit të Kosovës me Shqipërinë dhe Kosovës me Sanxhakun, përndryshe operacionet spastruese në brendësi të Kosovës Qendrore dhe Lindore, në muajt mars dhe fillim prilli, janë lënë në duart e forcave të UNÇJ dhe atyre të partizanëve të paktë kosovarë. Operacionet e spastrimit nuk kanë përfshirë vetëm forcat aktive kundërshtare dhe popullsinë civile mashkullore kosovare, por edhe partizanët kosovarë, gjë që dëshmohet në një numër dokumentesh të raportuar nga Vuçiterni, nga komandanti i brigadës së VIII të UNÇSH, Major Feti Smokthina dhe Komisari Politik Major Rasim Bazo. (AQSH, F. 14/APL Viti 1945, dosja e formacioneve ushtarake shqiptare në Jugosllavi, faqe 97, Raport i Shtabit të Brigadës VIII drejtuar Shtabit të divizionit të VI, nr 118/19 datë 31/03.1945 dhe nr. 118/ 29 datë 08.04.1945).
Zhvendosja e forcave partizane shqiptare drejt Kosovës Perëndimore dhe Veriperëndimore është bërë me urdhër të Komandës së Përgjithshme Jugosllave, përcjellë me anë të Korpusit II Jugosllav në fillim të marsit 1945, pikërisht në kohën kur ka ndodhur masivisht procesi i rekrutimit të sforcuar të meshkujve kosovarë. Këtë zhvendosje e dëshmojnë dy raporte të bëra nga Ramiz Alia dhe Rahman Parllaku, të divizionit V të UNÇSH, që mbajnë datat 03.03.1945 dhe 17.03.1945.( AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 1-14.). Më pas nga fundi i muajit prill 1945 divizionet V dhe VI të UNÇSH do të zhvendosen sërish drejt Kosovës Lindore dhe Qendrore, respektivisht në Ferizaj dhe Gjilan dhe divizioni V me qendër në Gjilan. ( AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 1-14, Raport i Divizionit V drejtuar Komandës së Përgjithshme, mban nr. 146 datë 29.04 1945.) Repartet e UNÇSH, që kanë operuar në Kosovë, duke qenë se janë konsideruar të jenë nën tokën jugosllave, janë vendosur nën komandën e drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave dhe janë urdhëruar të formojnë një shtab të përbashkët për dy divizionet, atë të V dhe të VI. Urdhëri tepër konspirativ për këtë është dërguar nga Gjeneral Lejtnant Velimir Treziç, zv. Naçelnik i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave dhe mban datën 17.03.1945. (AQSH, F. 14/APL Viti 1945, Dosja e formacioneve ushtarake shqiptare në Jugosllavi, faqe 84, Urdhën tepër i Rezervuar 49/ 1945, datë 17/03.1945 drejtuar Shtabit të Divizionit V e VI Shqiptar). 2. Urdhëri i datës 01.04.1945 firmosur nga Komandanti i Shtabit Operativ për divizionet V dhe VI, Nënkolonel Gjin Marku dhe Komisari Politik, nënkolonel Ramiz Alia. Në këtë dokument shkruhet: “Brigadat e Divizioneve t’onë vazhdojnë të jenë të vendosura në vendet e mëparëshme të Kosmetit. Brigadat janë duke bame ndjekje e rrethime bandave gjithnji me sukses. Elementat e aratisur e sidomos ata që kan ma pak faje po dorëzohen” (AQSH, F. 14/APL, Viti 1945, Dosja e formacioneve ushtarake shqiptare në Jugosllavi, faqe 56, Radiogram 01.04.1945.) Shumë i rëndësishëm për të kuptuar sa kanë pasur dijeni dhe sa kanë qenë të përfshira repartet e UNÇSH në procesin e dorëzimit të partizanëve kosovarë dhe atë të mobilizimit të sforcuar në terren, e tregon një radiogram shifer, dërguar nga Enver Hoxha, nga Tirana, më 30 maj 1945, Divizionit V të UNÇSH.
Në atë radiogram kërkohet: “Na lajmëroni sa bëhet numri i të arratisurve që janë dorëzuar në divizion tuaj dhe sa bëhet numri i kosovarëve që keni mobilizuar në terren”. (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 5, Radiogram i datës 20 maj 1945, firmosur: Enver). Përgjigjet në lidhje me kërkesën e mësipërme kanë ardhur për llogari të Shtabit të Divizionit V nga Komisari Politik Gafur Çuçi, i cili shpjegon qartësisht operacionet e këtij divizioni nga datat 21 maj 1945 deri më 1 qershor 1945. Në bazë të këtyre të dhënave të raportuara nga i sipërpërmenduri, kuptohet se misioni i Divizionit V të UNÇSH ka qenë grumbullimi i kosovarëve që dezertonin masivisht nga repartet partizane të KOSMET, ndalimi që ata të kalonin përmes Maqedonisë në Greqi, mobilizimi i kosovarë të tjerë dhe dorëzimi i tyre në Divizionin 52 të UNÇJ. Në këtë dokumentacion të raportuar nga i sipërpërmenduri, numri i kosovarëve të dorëzuar nga Divizioni V i UNÇSH deri më datë 1 qershor 1945 është 1389. (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 6-12). Më datë 5 qershor 1945, Enver Hoxha, nga Tirana urdhëron Divizionin V të UNÇSH që “të arratisurit e dorëzuar në divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të UNÇJ”. (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 13. Radiogram Shifer, A1.38/III). Më pas, nga dokumentacioni kuptohet se gjatë muajve gusht dhe shtator 1945, Divizioni V i UNÇSH e ka vazhduar këtë praktikë edhe në zonën e Tetovës dhe të Gostivarit. (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 17, 33.) Pra bëhet fjalë për një bashkëpunim dhe ndërveprim të hapur të UNÇSH dhe UNÇJ në procesin e zhveshjes së Kosovës nga çdo lloj rezistence kundër riintegrimit në Serbinë e federuar në Jugosllavi dhe sidomos në të ashtuquajturin “mobilizim” të kosovarëve, që na rezulton të jetë një internim i sforcuar, i mundimshëm dhe në fund edhe i përgjakshëm.
Ngjarjet në Kosovë
Për pak kohë pas pushtimit të Kosovës prej partizanëve shqiptarë, jugosllavë dhe bullgarë, nuk ka asnjë raport për trazira. Garnizonet serbe, malazeze dhe maqedonase ishin në shumë prej qyteteve kosovare, dhe trupat e FNC të Shqipërisë kaluan përmes Kosovës në rrugën e tyre për në Mal të Zi në ndihmë të ndjekjes dhe nxjerrjes jashtë të gjermanëve që andej. Pas kësaj u duk sikur pat një lloj reduktimi të garnizoneve në zonë, por në shkurt të vitit 1945 filluan trazira.
Pra muaji shkurt i vitit 1945 mund të konsiderohet pikërisht koha e një rizgjimi të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë veriperëndimore, për të kuptuar atë që po ndodhte nën rrogoz, nën turbullirën e fundit të Luftës së Dytë Botërore: Nën petkun e luftës kundër nazizmit dhe “bashkëpunëtorëve” të tyre, nën petkun e internacionalizmit partizan, po kryhej gradualisht procesi i riintegrimit, rianeksimit të territoreve të lartpërmendura në Serbi dhe Jugosllavi. Dhe në këto rrethana kanë filluar trazirat dhe ka pasuar reagimi brutal i autoriteteve partizane dhe komuniste jugosllave me bashkëpunimin, (e vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm këtë le ta gjykojë lexuesi) të brigadave partizane të Shqipërisë. Në muajin shkurt 1945, për kundërpërgjigje, autoritetet partizane jugosllave vendosën në Kosovë ligjin ushtarak dhe filluan ta administrojnë krahinën me anën e ushtrisë. Gjatë procesit të shtypjes së rezistencës, një numër i madh njerëzish humbën jetën edhe në Kosovë, ku vendosmëria e shqiptarëve për të mos u kthyer nën sundimin jugosllav u gërshetua me frikën se kjo do të kuptonte rekrutimin e burrave të krahinës së Kosovës për të luftuar gjermanët në Jugosllavinë e veriut dhe më tutje. Komunistët jugosllavë nuk kishin asnjë iluzion për problemin me të cilin ballafaqoheshin në Kosovë.
Në dhjetor 1944, Gjenerali Svetozar Vukmanovic Tempo, i tha kolonelit britanik Deakin, (the Senior British Liaison, oficer tek partizanët jugosllavë) se shqiptarët janë një grup etnik, i cili sipas të gjitha gjasave nuk mund të vendosej nën sundimin jugosllave ndryshe veçse me anën e forcës, dhe për këtë mund të përdoreshin bullgarët për ta bërë një gjë të tillë, në mënyrë që të zhvendosej fajësimi për partizanët jugosllavë. Megjithëse qëllimet politike të kryengritësve shqiptarë nuk kanë qenë të artikuluara qartë, luftimet në Kosovë kanë vazhduar me një egërsi të paparë për gjashtë muaj me radhë. Autoritetet komuniste dhe partizane jugosllave janë treguar shumë të qartë dhe të vendosur në realizimin e objektivave të tyre politike dhe nuk janë ndalur dhe frenuar para asgjëje.
Së pari, ndaj forcave të armatosura të rezistencës civile antikomuniste kosovare janë përdorur mjetet më të ashpra të reagimit ushtarak, dhe në këtë veprimtari nuk ka munguar edhe mbështetja e reparteve partizane kosovare dhe shqiptare. Së dyti, kur është bërë e qartë se disponimi antijugosllav nuk ishte pjesë përbërëse e forcave bashkëpunuese me gjermanët, por i një popullsie të tërë, është kaluar në një fazë të dytë, që konsistonte: a) në mobilizimin me forcë të meshkujve në UNÇJ, dhe b) në eliminimet fizike ndaj çdo individi apo grupe individësh që përpiqeshin të reagonin qoftë edhe paqësisht ndaj politikave të tilla diktatoriale të komunistëve tashmë në pushtet në Jugosllavi dhe në Shqipëri. Edhe një raport i hollësishëm amerikan tregon se në muajin shkurt 1945, në Kosovë u zhvillua një kryengritje e organizuar me frymëzim nga Balli Kombëtar, që përfshinte 7000 vetë. Kryengritja u shtyp vetëm në sajë të përdorimit të Divizionit VI të UNÇJ. Mënjanë këtij raporti, ka pak prova të drejtpërdrejta të revoltës ose të lëvizjeve të tjera të mëdha të UNÇJ. Në mes të muajit mars 1945, trupat dalmate, së bashku me tanke, raportohet nga disa burime, kaluan përmes Shqipërisë në rrugën e tyre drejt Maqedonisë. Përndryshe, nga pjesa veriperëndimore e Maqedonisë ka një numër raportesh për trazira.
Në fillim të shkurtit 1945, Divizioni 49 UNÇJ kishte qenë i angazhuar në luftime afër Kiçevos (Kërçovë) dhe më 28 shkurt 1945, një njësi irredentiste e Ballit Kombëtar sulmoi dy batalione të E.L.A.S. nën komandën e Gotsi (sllavo-maqedonas që më përpara vepronin në Greqi), të cilët kishin kërkuar strehim së fundmi nga Maqedonia greke në rajonin Gostivar-Kërçovë, duke vrarë 50 grekë. Trupat maqedonase, së bashku me Gotsi raportohet se më pas kanë ndërmarrë një kundërofensivë dhe i kishin mundur forcat shqiptare të Ballit Kombëtar. Më 2 mars 1945, 200 të burgosur shqiptarë u sollën nga Gostivari në Shkup.
Më pas të gjithë burrat shqiptarë nga mosha 17 deri 30 vjeç, në rajonin Strugë-Gostivar, ishin mobilizuar, dhe një raport i mëvonshëm tregonte se u ishte dhënë urdhri që të mobilizonin të gjithë burrat mes moshës 35-45 vjeç. Nga një fshat i vetëm i zonës së Radusas, i përbërë nga 125 shtëpi, raportohet se vetëm 8 burra ishin lënë pa u mobilizuar, të gjithë të tjerët rezultojnë të mobilizuar me forcë (kupto, të marrë me forcë për internim). Morali i këtyre trupave normalisht që ishte i ulët dhe një numër syresh raportohet që kishin dezertuar me shpresën që të bashkoheshin me forcat nacionaliste shqiptare në kryengritje.
Më 29 mars 1945, grupe kryengritësish shqiptarë të drejtuar nga komandantët e quajtur Xhema dhe Mifail, që operonin në rajonin Tetovë-Gostivar, raportohet që kishin lëvizur drejt Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, për t’u bashkuar me çetnikët dhe forcat nacionaliste shqiptare, të drejtuara nga Xhafer Deva, në veprimet kundër UNÇJ. Para se të largoheshin, ata sulmuan tri fshatra në zonën e Gostivarit dhe vranë të gjithë partizanët e Komitetit Nacionalçlirimtar. Në reprezalje për këtë, njësitë maqedonase dogjën të gjitha fshatrat shqiptare dhe morën me forcë të gjithë burrat dhe i dërguan në burgun e Shkupit. Në Kosovë, Miladin Popoviqi, ish-i dërguari i Titos tek komunistët shqiptarë, u vra në Prishtinë më 12 mars 1945.
Duke filluar nga data 1 prill 1945, raportohet se aktiviteti i forcave të rezistencës kosovare dhe çetnike në Kosovë ishte në rritje sërish dhe për këtë u dërgua për mbështetje brigada e 12-të maqedonase nga Shkupi, ndërkohë që në Kosovë operonin tashmë 4 brigada të tjera maqedonase dhe një numër brigadash serbe. Trazirat në fillim të prillit duket se vazhduan në skajin veriperëndimor të Maqedonisë dhe për të trajtuar situatën, më 7 prill, 2 batalione të OZNA u dërguan në Shkup, në përgjigje të kërkesës nga qeveria federale maqedonase për përforcime. Zona ndërmjet kufirit shqiptar, Maleve të Sharrit, Shkupit, Maleve Karabzica, Brod dhe Kicevo dhe inkluzive zona e Tetovës dhe Gostivarit deri në Dibër, raportohet se më 16 prill 1945 të ketë qenë një zonë lufte, për shkak të zërave alarmantë për përpjesëtimet që po merrte kryengritja shqiptare. Në luftimet kundër forcave nacionaliste shqiptare u angazhuan forca të shumta jugosllave, që përfshinin brigadën e parë të këmbësorisë së Shkupit, brigadat 8, 9, 16 maqedonase dhe trupa të tjera të paidentifikuara nga zona e Manastirit. Në shtesë, trupat e E.L.A.S. nën drejtimin e Gotsi në zonën e Gostivarit u angazhuan në luftime mbrojtëse. Sipas raporteve, 7000 shqiptarë u burgosën në Tetovë dhe një numër i madh i shqiptarëve të Shkupit u morën dhe u dërguan në pyje, 140 të tjerë kishin dezertuar nga stacioni bashkiak i energjisë në një ditë. Në vetë Shkupin kishte zëra të vazhdueshëm të trazirave shqiptare dhe 12000 shqiptarë raportohej se ishin deportuar me anë të forcës nga Kumanova, Gjilani dhe Vranja drejt Banatit. Kishte pak konfirmime për këto raporte, por nga fundi i muajit mars 1945 kishte biseda në Beograd për shqiptarët që ishin duke marshuar drejt veriut përgjatë qytetit të ruajtur nga roje dhe një amerikan raportonte për raste të tifos mes shqiptarëve në Banat. Nga Spliti gjithashtu ekzistojnë raporte se në mes datave 5 dhe 8 prill 1945 kishin arritur tri parti me kosovarë, në numër total rreth 2000 burra, dhe disa prej tyre të ruajtur me roje, të cilët thuhej se ishin mobilizuar në Kosovë për ta pastruar zonën e Prishtinës pas trazirave në këtë hapësirë.
Komentet