Nëse historia e kombit shqiptar ka nevojë të rishkruhet, këtë e provon në radhë të parë ngjarja tragjike me përmasa kombëtare e vrasjes së pafajshme të mijëra shqiptarëve në prag të përfundimit të luftës së dytë botërore, në vrasjen masive, të njohur me emrin “Masakra e Tivarit“.
Për vite e dekada është fshehur e vërteta e kësaj tragjedie me shumë akte, që u luajt në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi. Për të ka heshtur historia, janë harruar protagonistët dhe viktimat e saj; bashkë me të vrarët janë varrosur edhe dëshmitë e dëshmitarët. I gjithë dokumentacioni i nxjerrë me kujdes të veçantë nga studiuesi Uran Butka dëshmon se bashkëpunimi i palës jugosllave me palën shqiptare, me ushtrinë e drejtuar nga eksponentë komunistë, ishte pjesë e një komploti të madh, të ndërthurur nga të dyja palët për të nënshtruar Kosovën, me qëllim që t’i dorëzohej Serbisë, sipas traktateve të përfolura e të panënshkruara, të deklaruara e të padeklaruara, ashtu siç ndodhi në të vërtetë në përfundim të një bashkëpunimi kriminal ndërmjet komunistëve shqiptarë e jugosllavë. Me këtë akt, shqiptarët viheshin përballë shqiptarëve në një luftë vllavrasëse, përfundimi i së cilës ishte përçarja e kombit, ndarja e territoreve, shuarja e rezistencës në luftë për liri, pavarësi e ekzistencë. Këtë mundi ta realizonte udhëheqja jugosllave në bashkëpunim me udhëheqësit komunistë të Shqipërisë, që mbi kombin vinin internacionalizmin, dhe mbi interesat kombëtare vinin ato të ideve e të veprimeve të një shteti të huaj, që u siguronte atyre pushtetin dhe drejtimin e shtetit të ardhshëm, ndonëse të copëtuar e të shitur në një pjesë të tij.
Urdhri i diktatorit të Tiranës për të asgjësuar pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë është shenja më e qartë e karakterit gjakatar e antikombëtar të klikës sunduese, që për hir të marrjes së pushtetit sakrifikoi mijëra jetë të pafajshme, vetëm e vetëm që të siguronte marrjen e pushtetit në gjysmën e kombit. Lufta kundër çetave balliste e zogiste vihej në një plan me luftën kundër pushtuesve gjermanë, çka dëshmon se pushteti i lindur nga lufta do të merrej me gjak duke asgjësuar elementin nacionalist. Dhe kjo bëhej në bashkëpunim me armikun kryesor të popullsisë shqiptare, sllavo-komunistët, që nga ana e tyre do t’i linin dorë të lirë komunistëve shqiptarë, mjafton që ata të mbanin Kosovën të nënshtruar. Kështu, u bashkuan në një front të vetëm komunistët shqiptarë e jugosllavë për të nënshtruar Kosovën dhe për të marrë pushtetin në Shqipëri. Për këtë nuk munguan kontaktet e vazhdueshme ndërmjet dy formacioneve ushtarake edhe pas tërheqjes së ushtrisë gjermane, me qëllime ogurzeza dhe synime politike kriminale në dëm të popullsisë shqiptare të Kosovës. Dhe çdo gjë bëhej në emër të interesave partiake, në emër të internacionalizmit, kundër të ashtuquajturve “armiq e tradhëtarë”. Në kontaktet dhe marrëveshjet ndërmjet drejtuesve ushtarakë të palës shqiptare të Nacional-Çlirimtares dhe palës serbe flitet gjithënjë për spastrime, për rrethime, për asgjësime, që do të thoshte shkatërrim i elementeve nacionalistë, ballistë e zogistë, që mund të bëheshin pengesë për depërtimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Dhe këto operacione spastrimi kryheshin me bashkëpunimin e ngushtë të forcave ushtarake të dy shteteve, Jugosllavisë e Shqipërisë, kundër bashkatdhetarëve të Kosovës. Në mesazhet e shtabeve të dy ushtrive flitej për “qëndrime reaksionare të popullsisë”, për armiq e tradhëtarë, për banda të organizuara që duheshin asgjësuar me qëllim që forcat jugosllave ta kishin rrugën të lirë për të vendosur pushtetin e tyre. Dhe në këto operacione pati një organizim të përbashkët ku bënin pjesë forca të ushtrisë serbe, maqedone, bullgare e malazeze, duke u shtuar këtyre forcat e Nacional-Çlirimtares, të ardhura nga Shqipëria. U krijua një front i vetëm, që luftonte për shpartallimin e çdo rezistence të forcave patriotike, që nuk u nënshtroheshin formacioneve ushtarake të këtij koalicioni famëkeq. Urdhrat për asgjësimin e forcave nacionaliste ishin po aq të rreptë sa edhe për forcat gjermane që ishin larguar, në një kohë që lufta vazhdonte kundër formacioneve patriotike e nacionaliste, të etiketuar armiq e reaksionarë. Krahas luftimeve të drejtpërdrejta, u shtuan raprezaljet ndaj njerëzve të pafajshëm, që strehonin ose ndihmonin të ashtuquajturat forca reaksionare. Ndaj tyre u kryen masakra të vërteta me vrasje, përdhunime, plaçkitje, djegie e shkatërrime. Në këtë luftë civile, të përgjakshme e vllavrasëse, ranë me mijëra viktima, u shkatërruan e u dogjën shumë shtëpi, lagje e fshatra të tërë, një genocid i pashembullt i luftës për pushtet dhe për ripushtim të Kosovës nga forcat shkatrrimtare të komunizmit jugosllav, me përkrahjen e bashkëpunimin edhe të komunistëve shqiptarë. Objektivi i vetëm ishte shfarosja e popullsisë shqiptare të Kosovës nëpërmjet genocidit e terrorit, vrasjeve masive e deportimeve, konfiskimit të pasurive. Masakrat masive që u bënë mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës ia kalonin edhe atyre të fashizmit e nazizmit. Dhjetra mijë u vranë pa asnjë faj, dhjetra mijë të tjerë u dëbuan nga vendlindja e tyre, nga shtëpitë e trojet pa u ditur fati i tyre. Edhe pse ndërroheshin qeveritë dhe drejtuesit ushtarakë, politika e Serbisë dhe e vasalëve të saj mbeti e pandryshuar: “të shfaroset populli shqiptar në Kosovë”. Dhe përpjekjet e përbashkëta të forcave sllavo-komuniste vepronin në të dyja anët: edhe ndaj luftëtarëve nacionalistë me luftë të hapët e të drejtpërdrejtë, edhe ndaj popullsisë pasive duke e çarmatosur, duke burgosur parinë e çdo fshati, më të shumtët e të cilëve ose u vranë, ose vdiqën burgjeve, në tortura që përshkruhen vetëm në analet mesjetare, të denja vetëm për popujt barbarë. Ky ishte një genocid i vërtetë, jo në dhoma gazi, jo në Aushvic e Bukenvald, por në burgjet e Kosovës e të Serbisë. Ka pasur raste kur janë vrarë të gjithë burrat e një fshati, pa kursyer as edhe gra e fëmijë. Dhe e gjithë kjo makinë vrastare sllavo-komuniste punonte me kapacitet të plotë, në një kohë kur në Kosovë s’kishte këmbë gjermani, kur lufta po i afrohej fundit të pashmangshëm. Pikërisht në këtë kohë po zhvillohej një luftë tjetër, për të marrë pushtetin, për të marrë Kosovën. Vetëm në Mitrovicë, gjatë një fushate ushtarake për të spastruar vendin nga reaksioni shqiptar, u pushkatuan pa gjyq rreth 2000 shqiptarë të pafajshëm. Shumë djem të rinj, me dhjetra mijëra, merreshin me forcë e rekrutoheshin me pretekstin se do të ndiqnin ushtrinë gjermane që ishte në largim e sipër, por ata u vranë të gjithë nga bandat ushtarake që i shoqëronin, gjatë rrugës së tyre për në Golgota. Trupat e tyre mbetën udhëve të shkreta, larg shtëpisë, larg Kosovës, martires së Ballkanit. Në Kosovë u vendos një regjim i rreptë ushtarako-policor, duke ringjallur qëndrimet e vjetra të paraluftës, madje, edhe qendrime më të hershme. Dhe në këtë betejë komunistët jugosllavë patën si aleat e bashkëpunëtor komunistët shqiptarë, kryesisht nga Tirana, pjesërisht nga Kosova, që po ia dorëzonin pushtetin sllavo-komunistëve serbë me dhunë e me terror. Dhe historiografia sllavo-komuniste gjithnjë ka heshtur për këtë tragjedi me përmasa kombëtare.
Hapi i parë që i parapriu masakrës së Tivarit, ishte mobilizimi i dhunshëm ushtarak, që u shoqërua me masa të rrepta policore. 50.000 të rinj shqiptarë u dërguan për të plotësuar armatën e ushtrisë jugosllave. Qëllimi ishte që të likuidohej pjesa më e zgjedhur që mund të bënte rezistencë për të mos pasur pengesa për pushtimin e Kosovës. Dhe kur shumë luftëtarë të Kosovës, patriotë të ndershëm, iu dorëzuan ushtrisë N. Çl., ata përfunduan në dorë të ushtrisë jugosllave, ku asgjësoheshin me mënyra të ndryshme.
Masakra nisi në Prizren, kur mijëra të rinj kosovarë, të lodhur, të uritur, të çveshur e të zbathur, pasi u çarmatosën, u nisën në kolona të gjata nën mbikqyrjen e rreptë të shoqëruesve serbë, malazez e maqedonas në drejtim të Shkodrës duke kaluar nëpër Kukës. Të rekrutuarit nga Kosova kishin shpresuar se me të hyrë në tokë shqiptare nuk do të kishte më vrasje e përdhunime, por shumë shpejt u zhgënjyen, sepse ato vijuan njëlloj, madje më me ashpërsi se në tokën kosovare, ku shpesh detyroheshin të vepronin fshehtas popullsisë, që i mbronte. Ato që pau lumi i Drinit ku hidheshin kufomat e shqiptarëve, nuk kishte ndodhur më parë. Ato që përjetuan krojet, ku vriteshin shqiptarët, ishte mizore dhe barbare. Burimet e ujit, për njeriun burime jete, u shndërruan në vende vdekjeje për shqiptarët e etur që kërkonin ujë. Gjatë gjithë rrugës nga Prizreni nëpër Kukës, Shkodër, Ulqin e deri në Tivar, mbetën gjurmët e gjakut të shqiptarëve të torturuar, dhe kufomat e njerëzve të pafajshëm. Ata që u përpoqën të largoheshin, gjetën vdekjen prej plumbave të rojeve jugosllave dhe shqiptare. Disa të tjerë u kapën nga rojet shqiptare në Kukës dhe iu dorëzuan oficerëve serbo-malazez. Dhe numri i të zhdukurve në këtë rrugë kalvari arrin në shifrën 400 shqiptarë. Rruga sa vinte e zgjatej, kurse shqiptarët sa vinin e pakësoheshin. Shumë u vranë rrugës, natën dhe trupat e tyre përfunduan në gremina, në përroska a lugina të thella. Të tjerë vdiqën nga sëmundjet, ose vriteshin, se nuk mund të ecnin me ritmin e kolonave. Kjo qe rruga e përgjakshme, gjatë së cilës vdiqën ose u vranë rreth 1000 shqiptarë të pafajshëm. Ata që mbetën gjallë nga ky marshim i përmortshëm, i priste në Tivar vdekja e sigurt nga bombat dhe armët e ushtrisë serbo-malazeze-maqedonase, një masakër e pashembullt në histori. Dhe të gjitha këto kryheshin në tokën shqiptare dhe me dijeni të plotë të sigurimit të shtetit shqiptar.
Drejtuesit e operacioneve ushtarake u përpoqën t’i fshehin gjurmët e kësaj masakre të pashembullt, por gjakun e derdhur nuk mund ta lante ujët e detit; kufomat e të pafajshmëve nuk mund t’i mbulonte dheu. Dhe ata pak dëshmitarë që mundën të shpëtojnë, mbijetuan për të treguar, për të dëshmuar, për të nxjerrë mësime nga kjo ngjarje sa tragjike, aq e tmerrshme për fatin mizor të mijëra shqiptarëve, një tragjedi e vërtetë me përmasa kombëtare. Dhe ideatorët e zbatuesit e kësaj tragjedie në të dyja anët e kufijve shqiptarë mbetën të pandëshkuar.
Komentet