Në vjeshtën e vitit 1912 kur plasi përgjakshëm Lufta e Parë Ballkanike (18 tetor 1912-30 maj 1913) Mbretëria e Malit të Zi (1910-1918) me Grupimin e Verilindjes të komanduar nga gjenerali Janko Vukatiç më 9 tetor 1912 ndërmori një ofensivë të madhe ushtarako-politike për të pushtuar deri edhe Sanxhakun e Prizrenin duke futur në okupimin e vet komunën e sotme të Mojkovacit (9 tetor), atë të Bjellopoljes (11 tetor, me rezistenë të dobët nga forcat turke), Beranën (15 tetor) dhe hynë në Pazarin e Ri më 21 tetor 1912. Në drejtim të Kazasë të Plavë-Gucisë nisën disa reparte luftarake malazeze, të komanduara nga gjenerali Radomir Veshoviq që pas një lufte qëndrestare të shqiptarëve në vijën kufitare: Vizitor-Qafë Xhami (Pepaj)-Arzhanicë-Çakorr e pushtuan Plavën (19 tetor) dhe pas një lufte mbrojtëse në vijën Vermosh-Greben-Zeletinë-Vizitor e morën Gucinë (20 tetor 1912). Forcat turke ikën nga Gucia pas një rezistence të lehtë dhe të ndihmuar nga Riza Beg Kryeziu i Gjakovës. Në këto luftime pati dhjetra shqiptarë të vrarë, ndër të cilët plagoset lehtë edhe Bajram Curri që mori pjesë në luftën e Gjakovës kundër serbëve e malazezëve (2 nëntor 1912), po nuk mundi të shkonte në Kuvendin e Vlorës. Is Boletini pas disa luftimeve qëndrestare në Kosovë hyni në Malësinë e Gjakovës. Grupimi i Verilindjes u nis më 20 nëntor 1912 si përforcim në rrethimin e Shkodrës.
Në Kuvendin historik të Vlorës Plavë-Gucia (me Pejën, Gjakovën e Malësinë e Gjakovës) pati përfaqësuesit e saj me manadat ekskluziv popullor: Rexhep Bej Mitrovica, Bedri Bej Pejani, Salih Gjuka – Dukagjini, Mithat Frashëri, të cilët morën pjesë aktive në Shpalljen e Pavarësisë.
Malazezët, pas pushtimit, e riorganizuan Plavë-Gucinë në një “Kapiteni” (rreth) me pesë komuna, me kryeqendër Gucinë, duke vendos qeveritarët e vet dhe nga janari 1913 u fut në juridiksonin e Pejës së bashku me Gjakovën.Kapiten të parë ishin antishqiptarët Milutin Radonjiq, Milivoje Dragoviq, Gjuro Vujosheviq. Ndërkohë në “Kapiteni të Gucisë” vijnë kriminelë si Avro Cemoviq (Avro Cemi) me brigadën e tij terroriste të pashembullt (me të beranas – vasoviq të poshtëm), që kishte kryer masakra edhe në Sanxhak (Rozhajë, Tutin) dhe në Pejë e Istog.
Në kushtet e rrethanat kur Plavë-Gucia nuk ishte “kaza turke” po “kapiteni malazeze”, ndërkohë që administratën e kishte të veten sipas interesave politike-ushtarake-fetare malazeze, kur nga vendasit nuk kishte revolta apo atentate ndaj tyre, Mali i Zi nisi hakmarrjet ndaj shqiptarëve myslimanë e katolikë dhe ndaj shqiptarëve të (vet)kthyem në boshnjakë, duke kryer masakra nga egrat në historinë e njerëzimit. Ky ishte një genocid e terrorizëm klasik, sepse kryhej për shkak të etnisë (shqiptare) e të fesë (jo ortodokse), nga “kapiten të Parë” – zyrtarë të krahinës (rrethit) dhe nga brigada terroriste si ajo e “Avro Cemit faqezi”.
Në vjeshten e viti 1912 Mbretëria e Malit të Zi në Plave Guci ndërmori vrasje tragjike kolektive, masakroi e dhunoi qindra shqiptarë burra gra dhe fëmijë nen pretekstin e nënshtrimit dhe të kryqëzimit të atyre të përkatësisë muslimane, kurse shqiptarëve të besimit katolik duke ua prerë dy gishtrinj që lutjet t;i bëjnë sipas bindjeve ortodokse serbe.
Në këtë kohë të vështira u krye një masakër e jashtëzakonshme që në historinë shqiptare njihet si “Masakra e Previsë”, e cila në përmasat e saj tragjike përfshin edhe masakrime të tjera të genocidit malazez në këtë krahinë “Kapitani”, në këtë kohë të sundimit malazes.
Ne pasarëdhësit e të parëve tanë martirë të kësaj “Masakre të Previsë” të kryer nga malazezët e kemi për obligim të lartë demokratik, një detyrë madhore kombëtare, që ta përkujtojmë në mënyrën ma dinjitoze këtë jubile 100 vjeçar të saj.
Javën e kaluar komuniteti islamik i shqiptarëve të asmiluar që sot e quajnë vetveten “boshnjakë” kishte organizuar një mbrëmje koomerative për këtë përvjetor jubilar.
Unë, Esad Gjonbalaj, mora pjesë në këtë veprimtari në cilësinë e një qytetari të thjeshtë, së bashku me bashku me veteranin e disa epokave historike, Rexhep Gali-Balidemaj, përndryshe i thirrur edhe “Mandela i Plavë- Gucisë” dhe me aktivistin e shquar të komunitetit tonë, Sadri Mehaj, ish-luftëtar i UÇK-së në Kosovë me batalionin “Atlantiku” e asokohe e vlerësonin si “Adem Jashari i Nju Yorkut”.
Vet mënyra e platforma e organizimit të këtij jubileu në Nju York të venë në pikëpyetje: A thue vërtetë të jenë “Dy Previja” – një Boshnjake dhe një Shqiptare (!)
Atë mbrëmje porsa hymë brenda në sallë na ra në sy një fakt i papritun dhe i padëshirueshëm: Ballas në mur ishte vendos një flamur kombëtar shqiptar në përmasa shumë të vogla përballë e në mes të flamujve amerikanë e atyne boshnjakë (shih, si ilustrim në foto-fakt). Vetëm pas dy orëve nga vërejtja e kërkesa jonë e sollën një flamur shqiptar të barabartë me ata të tjerët të varur në ballë të murit.
Ky ishte një qëndrim jo korrekt i palës organizatore – komunitetit boshnjak të Plavë-Gucisë në Nju York e ndaj tij nuk e kam ndërmend të zë vang për ndonjë çështje të veprimtarive të shoqërisë civile, po e cilësoj këtë fakt se ka të bëjnë me vet nivelin e përfaqësimit të shqiptarëve në këtë veprimtari jubilare.
Boshnjakët në këtë mbrëmje të rëndësishme duke mos ftuar faktorët relevant shqiptar që veprojnë në komunitetin shqiptar në SHBA, në Nju York e në Plavë-Guci ia ulën deri në zbehje peshën e mirëfilltë që duhej të kishte e të merrte ky përvjetor jubilar, që të jehonte deri në kancelari ndërkombëtare.
“Përfaqësuesit e vetshpallur” të Shqiptareve të Plave Gucisë në SHBA , të mbledhun atë natë në atë veprimtari kanë të drejtë të nënshkruajnë për “Msakren e Previsë” në emërat e tyre vetjak e në asnjë mënyrë në emër të të gjithë Shqiptarëve të Plavë-Gucisë në SHBA.
Një absurd i llojit të vet të pa preçedent ishte fakti se në këtë mbrëmje jubilare nuk u lejua fotografimi e as inçizimi (!) Një pyetje: nga kush kishte droje organzatori i veprimtarisë?! Pse kjo veprimtari me iu fsheh publikut, kohës, brezave?! Nga kush kishte presion a cili ishte misioni nismëtar e final i saj?!
Organizatori i kësaj mbrëmjeje e dinë fort mirë se Fondacioni Plavë-Guci në Nju York është një ndër shoqatat më të fuqishme në SHBA dhe, moskoordinimi i kësaj veprimtarie me fondacionin tonë institucional e në aktivitet të prejkohshëm , por marrja me individ të përzgjedhun të organizatorit përbën një tentativ për mos përfaqësim me dinjitet të shqiptarëve në këtë veprimtari për 100-vjetorin e Masakrës së Previsë.
Ne, si fondacion me nivel e aktivitet të pandalur, e kemi në traditë të prejkohëshme bashkëpunimit dhe mbetemi thellësisht të interesuar që përvjetorët në përkujtim të vuajtjeve e dhimbjeve tona të përbashkëta të organizohen si është më e mira dhe më e mbara, pasi kemi përvojë e potenciale nivelore intelektuale e veprimtarë të përkushtuar për krye në lartësitë e nderit veprimtari të tilla.
Fondacioni Plavë- Guci është në proçes pune përgaditore për të përkujtuar “Masakren e Previsë” në mënyren më të mirë të mundshme, sepse 100 – vjetori nuk vjen çdo ditë edhe kemi 100 vjet që nuk e kemi ngritë zërin ndërkombëtarisht për dënimin e kësaj masakre të përgjakshme të fillim shek. XX si genocid i jashtëzakonshëm, si “krim kundër njerëzimit”
Esad GJONBALAJ
Sekretar i Fondacionit Plavë-Guci
Nju York
Komentet