VOAL

VOAL

Manteli i purpurt i Bilal Xhaferit – Esé nga ENVER KUSHI

April 28, 2021

Komentet

Katër “Ditët e kiametit” të BIDO AJAZIT – Tregim nga Përparim Hysi


Me Bido Ajazin  kemi mbaruar shkollën e mesne mesviteve ’50-të  të shekullit tjetër. Kemi qenë konviktorë dhe,si të thuash,kemi ngrënë nga një thes me kripë bashkë. Dualëm në jetë dhe,sado në  rrethe të ndryshme, miqësinë e ruajtëm dhe e kemi gjallë dhe sot e kësaj dite.  Tani i kemi kaluar të tetëdhjetat dhe,kur dolëm në pension (mosha e mësuesëve për meshkujt qe 55-vjeç dhe për femrat 50-vjeç) qëlloi që të dy me familje zumë Tiranën. Pak nga pak,u vumë në kërkim dhe gjetëm dhe tri-katër të tjerë që kishin ardhur në Tiranë. Sado që arritëm të takoheshim së pari,pak nga pak,dikujt i priu rrisku i keq dhe u nda nga jeta dhe dikush tjetër,për arsye”hiçe”,nuk u bë më i gjallë dhe shkoi e vajti. Se mosha bën të sajën dhe pret me gërshërë reshperi. Dikujt tensioni ia ka veshur dy këmbët në një këpucë,dikush (këtu përfshihet dhe zotëria ime) ka bërë nja “dy vdekje klinike” dhe”harro mushkë VALARENË/se ALI PASHANË e prenë.” Po mjaft me sofizma e aluzione. Të dalim nga deti me aluzione  në sterenë ku u takova me BIDO AJAZIN dhe Katër”Ditët e kiametit” të tij.
                                                                 *
U takuam tek “Taivani” dhe,ngaqë gjuha vete atje ku dhëmb dhëmballa”,fillova ta pyesja për një nga bashkëshokët tanë. Më dha një lajm të keq:Ishte ndarë nga jeta M.B. dhe vazhdoi:
Jorgon nga HIMARA a e mban mend?
Si nuk e mbaj,- i thashë.  Ai,më duket.me sa mbaj mend,u martua me ZOICËN,e vetmja konviktore  në klasën tonë.
Dhe qe e bukur. Niaziu që i haheshn më shumë kumbullat për të,një ditë i tha:-Ti nuk je ZOICA,po GRETA GARBO!!!
BIDO AJAZI nuk e mbajti të qeshurit dhe shtoi:-Qe apo nuk qe GRETA GARBO, po,në u nis për NIAZINË sosi tek JORGUA nga Himara. Banojnë afër shkollës së Baletit dhe,ngaqë jam afër tyre, shkëmbjemë edhe ndonjë kafe ata si çift dhe unë i vetëm,se imeshoqe vuan nga këmbët e nuk shkon deri atje.
Dje ZOICËN e gjeta tek një kafe pranë”Liceut ArtistiK”. Qe ulur me një shoqe. U afrova,i përshëndeta dhe,sa do pyesja për Jorgon,Zoica (ajo gjithmonë brisk ka qenë nga goja) më tha:-Po ti hajde ulu,se nuk të hamë.Vjen apo nuk vjen JORGOJA,punë e madhe,ne kafeja të na bëjë mirë! U ula dhe,pa zënë vend mirë,ZOICA më prezantoi “shoqen”:kjo është vjehrra ime,mamaja e JORGOS për të cilin ty,të digjen bajgat.Dhe,ndërsa Zoica e çoi buzën vesh më vesh,vjehrra nuk foli.
E shikova me një sy,sikur do t’i merrja masën për t’i qepur një kostum dhe,pa folur fare,u mbyta nga të qeshurit.
Ore,- më tha ZOICA,- mos je dehur pa pirë që u shkërrmoqe  me të qeshur?
Vjehrrra,të më falë,por m’u kujtua një ngjarje,andej nga ana jonë ( ti e di që unë jam nga Skrapari,i thashë ZOICËS).
Hë,po ç’lidhje ka me ne?
ZOICA,e di pse qesha? Mend u hodha përpjetë,kur më the kjo ështëVJEHRRA.Aty për aty,u ndryshova vendet:vjehrra ti dhe nusja-vjehrra! Dhe për të mborjtur veten time,tregova pse qesha.
-Kishte ardhur krushku me dhëndërrin tek një lagja jonë për të marrë nusen. Gratë dalin dhe mundohen të ngrejnë ndonjë këngë shpotitëse për krushqit. U hedhin një sy të ardhurëve dhe,siç vënë re,krushku qe i mbajtur  goxha,kurse dhëndërrin e kish vrarë keqas puna. Kaq qe dhe ia thanë këngës:”Atje poshtë tek larushku/më i madh dhëndrri se krushku!!! ZOICA,sado  e sëkëlldisur,nuk e mbajti të qeshurit. Vjehrra nuk u ndje fare,por dhe unë u pendova që krijova atë situatë qesharake.  Pimë kafet dhe u ndamë. Vjehrra,të them të drejtën,sikur ma shtrëngoi dorën pak fort.
                                                        *
Ka  qenë ditë e mërkurë. Një javë pas kafes me vjehrrën dhe,meqë po shkoja tek shkolla e Baletit, thashë po trokas tek JORGOJA për kafe (atëherë nuk kish celular) dhe,sa trokita,dera u hap. -Është JORGUA?- pyeta.
-JORGUA nuk është,po është JORGJICA,-foli vjehrra. Tani i mora vesh dhe  emrin. U futa dhe pashë që Vjehrra i vuri shulin derës dhe m’u drejtua:- Ç’qenë ato”popla” që vërvite atë ditë? Si më more erzin para nuses,sikur të njiheshim prej kohësh?
-Kini   të  drejtë,ZONJË,por e kam huq,nuk më rrihet pa folur.E zbraz bamp dhe të dalë ku të dalë. Aha,- më tha,- i ke bërë hesapet,pa e pyetur hanxhinë.  Unë po rrija si pulë e lagur. Ajo nuk e zgjati shumë,por tha:-JORGUA dhe ZOICA sot u nisën për në HIMARË dhe vijnë ditën e shtunë. Ti,zoti “krushk”, tregoi kësaj”nuses” që të bëri për të qeshur se sa i zoti je. Dhe sakaq,hapi derën e dhomës së gjumit dhe,duke qeshur e pëqeshur,njëherësh,shpotiti:“Zoti “krushk” ja tek është”nusja”. -Zhvishu kollopan!-urdhëroi. Dhe ashtu si prifti që kërceu nga belaja,unë fillova atë “betejë dashurie”. Në krevat,”nusja” më kish “avaze të rënda”. Aq më tepër që,sado që i shoqi kish 10-vjet që ish ndarë nga jeta,ajo mbahej aq mirë,sa,po të marrë hua një peizazh nga fshati,dukej si një”tokë e papunuar”. Dalldiste gjatë seksit dhe,për të mos më lënë gjurmë të tradhtisë, më kërkoi gjuhën. Nxorra gjuhën,por desh pagova për një thelë,një pelë.Ma kafshoi aq fortë, sa thashë mos ma këputi.Kur mbaruam,më tha:-Sot është dita e parë.”Dëmin” që bëre do ta paguash për katër ditë me radhë. Nëse nuk vjen qoftë edhe një ditë,ta dish mirë:- Do t’i them JORGOS E ZOICËS se erdhe dhe më sulmove.
Koka ma bëri dhe koka e pësoi: katër ditë qeshë”skllav” i asaj nuseje që m’u bë si “padrone”. A nuk qenë si “ditë kiameti?!!!/
 
                               Tiranë,14 korrik 2026

Dy poezi nga Bajame Hoxha-Çeliku

TREGU I URISË
.
Pensionistët zgjasin duart e tyre të dridhura,
jo drejt qiellit, por drejt rrugës,
aty ku kalojnë thërrimet e pushtetit.
Dinjiteti i tyre, dikur i drejtë si lis,
është përkulur nga pesha e viteve
dhe nga ftohtësia e akullt e shtetit.
.
Dhe sa herë vijnë zgjedhjet,
të mëdhenjtë shpërndajnë thërrime të arta.
Jo për të ushqyer, por për të blerë heshtjen,
jo për të shpëtuar, por për t’i lidhur më fort.
.
Një bukë e thyer në njëqind copëza,
hedhur siç i hedhin një kockë qeni të uritur,
dhe shpresa kthehet në monedhë,
e shkëmbyer për një votë.
.
E quajnë ndihmë,
por është lëmoshë e maskuar,
një tregti e turpshme ku uria është monedha
dhe pleqëria, një mall për shitje.
.
LUFTË PËR MBIJETESË
.
Populli im nuk jeton më, ai mbijeton.
Si një ushtri e zhveshur në mes të dimrit,
me stomakun bosh dhe shpresën e shtrydhur si limon,
ecën nëpër baltën e varfërisë,
duke kërkuar një kafshatë si kërkohet uji në shkretëtirë.
.
Në tregun e jetës, dinjiteti blihet lirë:
një thes miell, një bidon vaj,
një premtim i kalbur,
mjafton për të blerë një votë, një zë, një shpirt.
.
Uria ka bërë aleancë me pushtetin,
dhe bashkë kafshojnë mishin e popullit.
Ndërsa lart, në pallatet me mure prej mermeri,
politikanët numërojnë fitimet,
mbështjellë me rroba luksi dhe ora floriri.
.
Ata pinë verë të shtrenjtë,
ndërsa poshtë ne pimë lot.
Ata hanë si mbretër,
ndërsa ne kafshojmë heshtjen.
,
Kjo nuk është jetë,
është një luftë e gjatë, pa armë,
ku i vetmi plumb është uria
dhe i vetmi flamur, fleta e bardhë e dorëzuar.

JANË, S’JANË KUND ?! – Cikël poetik nga RUZHDI GOLE

VESË, VERIGE
Në kult të vreshtit, në rreze të syrit
me gjethet rrojmë me mjeshtrin
e tëharrjes e të qeshurit
kur vesojnë veriget
fllade prej nuri.
Fryma e vreshtave asnjëherë
përgjumësh, e përzemë
kollën, ngazëllehemi
prej xixëllimave
tej shkumës.
Në kult të vlagave të verës e vreshtit
përhera mpleksur ne në rreze t’syrit,
bletët na mjaltojnë ato s’ngjethen
veç feksin… s’na përkëdhelin
thëllëzat e gjumit.
Ndër të parët plot frute
shkundur të fundit
në kult të rrezeve
në rreze të syrit…
GISHTA, FRYMË
Tri telefonata për tre brigje
të njohura mirë në jug,
asnjë breg mua.
s’më përgjigjet
të jenë linjat
të ngathëta
brigjet janë
a fikur
kund ?
Në buzë të detit me hapa breshke
sfilitur shumë t’arrijnë kodrën
jo malin
brigjet ç’kanë nëpër gishta
marr me vete
pompën e frymës,
zemrekun e të çalit ?
Linja të ngathëta rrokopuje në jug
të njohurit e mi s’janë janë kund ?!.
GJOJA.
Tek shëtitja e mesditës pyjeve
hapa vogëlth
një grua
më buzëqeshi
çelur paqtë,
e përshëndeta
dhe unë
gjoja vranët
plogët
rrezja e florës
më rrezëlliti kryeve
përqark drurëve afsh.
Kur je afër me një florë prej gruaje
me sy fluturimi përtëritës joshës
kodrën e ndin më thellë
fluturave luleve
nuk dëshiron
ta zbresësh
kodrën.
LINJA, LULE
Vera dritëron e bukur këtu
në këmbë në brinjë
bregmal
shtat vrapimtar kuturu.
Vera drithëron e nxehtë e freskët
të djeg e të ngrin po ta lësh
vetëm – o  zë e gjuhë
për dikë tjetër.
Verë ngazëllen gruaja ime e fundit
të deh e dehet plot flakëza,
lutje lule gjith’kundi
më qëllon me rreze
jo shuplaka…
MBYLL, ÇEL
Tek kjo natë, natëze
me bredhje të vakëta
s’u shkurtova nga shtati
as u mbulova nga rrasat,
dola … plasaritur ngaheri,
pas lashë portën
feksje mugët re
as mbyllur
as çeluri.
Do dal nga nata tjetër?.

Pëllumbi i garës- Tregim nga FATBARDH AMURSI

Në kodrën me ullinj, një skifter mori uratën e pronarëve, ngaqë u shpëtoi prodhimin, kërcënuar prej gergujve, të cilët ishin shtuar fill pas monitoriumit të armëve të gjahut. Përballë vinin tri gra, që, çuditërisht dukeshin, si shumfisha të njëra-tjetrës. Njësoj të shëndosha, me flokë të prera shkurtë dhe gjoks të bëshëm. Lëvizjet të ngathta edhe pse linin përshtypjen, sikur nguteshin. Me sa dukej e parapëlqenin ngjashmërinë mes tyre pasi preferonin të njëjtat rroba. Rrinin bashkë, sikurse burrat e tyre me pushtet. Njëra prej tyre mbante në duar një pëllumb në këmbën e të cilit ishte një lidhëse plastike, ku dallohej kodi i tij. Ishte një pëllumb gare. Sikurse më kishte thënë Tiku i priste të ktheheshin nga Kroacia. Në disa gara ndërkombëtare pëllumbat e tij kishin fituar trofe. Kisha mësuar prej tij, që të sigurohej kthimi i tyre, para garës ai i çiftonte me pëllumbeshat. Pra, veç Tikut pëllumbin e garës e priste dhe pëllumbesha.
-Ky është një pëllumb gare, ndaj e ka dhe këtë fjongo plastike të lidhur në këmbë.
-Ç’a gare thua ti?! Ai kish mbetur në mes të rrugës i dorëzuar!-ma preu ajo shkurt. Doja ta kundërshtoja, por, ishte e kot. Si gjë të gjetur, ajo e quante të sajin. Madje shtoi:-Mos ia qa hallin se një i coftur është!
E kisha numrin e Tikut dhe i telefonova menjëherë. Përtej telefonit dëgjoja zërin e tij, që, shqiptonte: “Rrofsh, rrofsh, rrofsh!” Që të orientohej i përmenda gratë e bëshme, të cilët ishin në kthim e sipër dhe ai e kishte kohën, t’u dilte në dalje të xhades. Për shansin e keq të tij gratë kishin kaluar në një rrugë tjetër dhe ai s`u takua me to. Nga larg e dallova Tikun, që priste i shqetësuar.
-Nga më humbën?!
-Me siguri kanë ndjekur rrugën tjetër.
-Ti e njeh atë?-Për një çast unë hezitova.-Ç’më rri si buf, kush ishte ajo?!
-E shoqja e skifterit.-i thashë unë, duke më shpëtuar një e qeshur, ndoshta ngaqë biseda po i ngjante një teatri kukullash, ku flitej për buf dhe skifter.
-Ëhë, e atij pijanecit të hipotekës! Ai mund të hipotekojë çdo gjë, por pëllumbin tim s`ka shanse!
-Ke ndonjë kunj me të?-nxitova ta pyes.
-Më solli ca kohë tryl, por kur e shtërngova m`i bëri me vrap letrat.
Më dukej se kisha vënë në lëvizje ngjarje, që s`dihej si merrnin. Pafuqia e pëllumbit të garës më dukej, sikur kishte kaluar tek unë.
Ajo që i ndruhesha ndodhi më keq nga ç’e përfytyroja. Tiku në rrëmbim e sipër kishte shkuar në vilën e shefit të hipotekës, por derën s`ia hapën, pavarësisht cetofonit, që, ai i binte me të zgjatur. Dikush i tha se e kish parë tek klubi i bretkosave. Kur Tiku qe futur në lokal në pjatancën e tij pa të pjekur pëllumbin e garës. Zuri një cep dhe ia shkrepi të qarit.
-S`e dinim që prekeshe kaq shumë, po qan burri për kaq gjë?! Gjë e lodhur, që u skarcua nga gara! Zëre se e hëngri skifteri!
-Ngaqë je mësuar t`i marrësh gjërat qyl, se mos ia di vlerat një pëllumbi gare!
-Ama dhe ti, në vend të merresh me një punë të hajrit, shokët e tu, po e ndjekin paranë në fund të botës, në një kohë ku njeriu po ha njeriun, kohë dronash, t`i merresh me pëllumbat e paqes?
-U mësove ti, që gjënë e tjetrit ta bësh kollaj tënden! Dhe tani që është vënë monitorimi i armëve të gjahut arma jote shkrep, ku t`i teket!
-Tek e fundit se mos e dija unë, që ishte i yti! Tani që na janë bllokuar armët, s`po hamë më as rosa të egra, as turtuj.
-Si ore s`e dije ti, kur një shoku im, ia kish thënë tët shoqeje, që është pëllumb gare, nga ata të mitë?!
-E po ai të paska fryrë ty! Ja kështu lloj mvartësish kemi ne! Hë, se atij, ia ndreq unë!
-Prapë dashke ti?! Provo dhe preke!
-Edhe ai, jashtë gare! Që nesër është i pushuar! Ta qaj hipotekën, atë vend pëllumbash!
Tikut, aq i mbajtën nervat dhe, e qëlloi me të gjithë fuqinë në fytyrë. Tjetri u rrëzua në dysheme.
-Le të thonë që e goditi për “motive të dobta”, por, për një pëllumb gare e ka me hak ky skifter zyrash. Mendja më shkoi tek pëllumbesha, që priste të dashurin e saj, i cili kishte kapërcyer male e detra për të mbërritur tek ajo.

Gëte e Kadare… (Mbi një kimi nyjëtimi mes Artit dhe Fuqisë)- Esé nga REX KASUMAJ

Korrik, 2026
1.
Në muajin e ikjes së Tij të papritur (korrik, tash dy vjet), më rastisi të lexoja një libër interesant.
Madje, të çuditshëm e të rrallëshkruar ndonjëherë.
Vetë titulli flet pohueshëm për befasinë time.
Dhe është: “I patalentuari Gëte”!
Që në fletët e para, do të gjeja se të shumtë e idhnakë i kishte kundërshtarët letrarë.
Thumbi i tyre niste nga muza që paskësh qenë aq e kursyer ndaj Poetit e duke kulmuar plot helm tek konformizmi i tij qytetar, pranë Yllit të politikës së lartë.
Mos i qasni librat e tij, zhurmonte August von Katzebue. sepse Gëte nuk di gjermanisht,
Me kaq gabime gjuhësore, vëren bezdisshëm Friedrich Glower, nuk ka shkruar askush deri tash…
Kishte dhe të tillë që jo vetëm për gjuhën, por hidhnin fjalë, gjithaq, për dhuntinë e munguar krijuese.
Dramat e tij, thoshte Friedrich Gottlieb Klopstock, nuk janë tjetër pos një mund i dështuar imitimi të dramaturgjisë antike greke.
Ç’janë këto lajka boshe për “Faustin”? Gjithçka është e mjerë, shkruante, disi njëj hakmarrje imagjinare,
Kristian Dietrich Grabbe. Më jepni mua përvitshëm nga 3000 talerë dhe, për tre vjet, betohej ai, do t’ju shkruaj një “Faust” të tillë, sa do t’mbeteni pa fjalë!
I ftuar nga Hirësi e tij, viti 1775, Gëte do të bëhej pjesë e hierarkisë së lartë të Karl Augustit, Dukë i Madh i Vajmarit.
Por kjo nuk i ndihte kolosit, anise nën udhëheqjen e tyre, Dukës e Gëtes, Vajmari u shndërrua në qendër iluminizmi gjerman, që Heinrich Heine t’i kursente fjalërëndën e vet. E thoshte përbuzshëm: është krejt e natyrshme që nuk e pëlqej Gëten, këtë shërbëtor të ulët oborrtar.
Do të ndërhynte, ndërkaq, dhe rebeltari Beethoven që, ndonëse njihej nga afër me Gëten, pyeste nga një anë tjetër morali: Princër që i lind rastësia ka shumë, por Beethoven është prorë dhe një i vetëm.
Ndaj, i pajisur kulture të epërme aristokracie, Gëte, vërtet, shpërfillte revolucionin francez dhe s’ishte fare entuziast ndaj kushtetutës amerikane. Admironte qetësinë, sigurinë e rendin vertikal të Principatës. Fundja, ngjashëm do të mendojë më vonë dhe Otto von Habsburg kur i cilësonte gjermanët “një popull perandorak”…
Një kohë Gëte ishte, madje, sekretar i Komisionit të luftës. Sa e trishtme, shfrynte sërish Heine: poet dhe, njëkohësisht, komisar kancelerie ushtarake!
Përkojnë vallë shkrimi elegant, i ndieshëm e i hollë letrar dhe skicëplanet e një lufte me gjak e jetëprerje, që mund të plaste?
Kjo, në fakt, ishte armata e salierëve të tij. Por, ndryshe nga Salieri i Vjenës, ata, tashmë në anë të ndryshme, ishin, si Mozarti vetë, popullorë.
Kurse, Gëte, i ngjasonte Salierit të parë vetëm në një gjë – ishte dinjitar aristokrat, por, sërish, i ndryshëm mijëra vjet prej tij. Një mjeshtër suprem pene që nuk vuante xhelozinë dhe s’bluante dot asnjëherë kurthe a helme kundër tyre…
Si për të dëshmuar këtë veçanësi madhështie,
historiani Wolfgang Rothe (lexuar tek “Njëzet minuta histori gjermane”), shkruante: Gëte ia doli të bashkonte në një t’vetmen levë Artin dhe Fuqinë!
2.
Ndaj dhe, ndërsa shfletoja “Të patalentuarin Gëte”, kujtoja vetishëm Kadarenë.
E kishin ftuar njëj dite të bukur vjeshte të përmallshme.
Do të vijsh, i thanë autoritetet e Nobelit, të shohësh vetë dosjenë tuaj ankimore.
Natyrisht, kishte vajtur dhe e kishte parë. Një mal shpifjesh të liga, nga kundërshtarë e zagarë, stolisnin ultësisht thashethemnajën e shthurur ballkanike.
Ashtu si përndjekësit e palodhshëm të Gëtes për Princin, e anatemonin për bashkëjetesë me diktaturën dhe, zgjedhjen e gabuar mes saj e disidencës.
Por, nuk dihet të ketë qenë doktrinar luftërash a përcaktues Ore për krisjen e tyre.
Mirëpo, nuk ishte shqetësuar aq shumë. E kishte pritur. Manteli i shkrimtarit kombëtar përcyste ende mëri që i thërriste zisë. Prijësi, ky dyshimtar karriere, që i rivalizonte duke zbërthyer çdo kod e figurë letrare të shkrimtarit të madh, nuk ishte më në jetë. Por galeria e brezave të smirës dhe prapavënjes vijonte e gjatë dhe e dhimbshme.
Salierët janë një soj i pazhdukshëm që shumëzohen në kohë të këqija stuhie e korbash dhe mbijetojnë sipër fateve elitare të Letrave të bukura.
Veçse, a nuk arsyetoi saktë për letërsinë e historinë, autori gjerman Rothe? E prandaj, duke qenë në indin e gjeniut që përballon diktaturën me estetikën e letërsisë, rezoni intelektual i historianit është, që këtej, një formulë, kimi nyjëtimi mes Artit dhe Fuqisë!
Por, prapë, s’ishte larguar pa vërejtur një kryemarrëzi të llojit më të habitshëm. Ishte një akuzë e padëgjuar. E pabesueshme. Dhe e errët sikur të vinte nga ena e urrejtjes rretherrotull shqiptarëve.
Mirëpo, do të jetë ndalur pak. Ah, është shprehur më vete, kjo akuzë e terrshme i mohon vetishëm të gjitha shkresurinat tjera përbetuese.
Dhe Anonimusi i fjalës goditëse përjarget mbi rreshtat e injorancës turpnore: Kadare nuk di të shkruaj shqip!
Athua, porsi Gëte që, dhe ai, nuk dinte gjermanisht?
3.
Ja pra, dy hierarkë letrash Europe, nuk dinë t’a shkruajnë gjuhën e vet amtare!
Kaq shumë injorancë e salierizëm s’kishte pritur kurrë.
Të tillë që të kenë aftësinë e padurueshme për t’i mohuar shqiptarëve nderin e Kombit Nobelist të Letërsisë, që Kadare, pra vetëm ai, të mos laurohej me çmimin e lartë!
Eh, ti kohë mrekullore që ndryshon e vjetron gjithçka!
Ku gjenden e livadhisin tani kundërshtarët inferiorë të Gëtes e Kadaresë?
Të Gëtes, përveç ndonjë të rrallë, nuk i kujton askush. Harresa ka hedhur qyshkur pëlhurën e saj mbi emrat e tyre.
Kurse zhganin mohimtar të Kadaresë as tani, kësomotshëm, nuk e lexon njeri, sado e ulët të jetë kultura e tij leximore. Dhe vdekja, kjo redakturë e fundme, do t’i shuaj njëj dite vetmitare!
4.
Raporti i krijuesve elitarë me politikën a diktaturat ka qenë historikisht një marrëdhënie komplekse: midis shërbesës, mbijetesës me gjuhë Ezopi dhe qëndresës së vështirë në atdhe apo në mërgim.
Por, Niçe shpjegonte këtë kalvar të dybotshëm në mënyrën e tij: mos kërkoni shenjtorë në letërsi. Ata, njëmend, nuk banojnë mes nesh…
A nuk nobelizohej një letrar sllav (Andriq), megjithëse kishte hartuar elaborate për zhdukjen e popullit fqinj e të lashtë shqiptar, në Kosovë?
Vetë autorë të shquar nga ky popull i shenjuar për mort (Kadare e Shehu), admironin deri në lavdi kryeveprën e tij “Ura mbi Drinë”…
Mandej dhe Ezra Pound, Richard Wagner apo filozofi i shquar Martin Heidegger, do t’i dilnin ballas në krah nacifashizmit në messhekullin e ikur.
E pra, vetëm Personi krijues, kujtohet, lexohet, shijohet e studijohet nga ata që vijnë pas tyre.
Kurse në Fletën tjetër paralele të Personit qytetar, ithtarë pikanterish rrëmojnë për t’i gjetur dhe evokuar muzgjeve pranë oxhakut dimëror.
Fjala vjen, sesi Napoleoni ishte joshur të flinte me t’motrën sepse, thosh, është e përdalë dhe më eksiton fort…A pati, tani, ky moment i tij i lig një ndikim në vlerësimin real të lavdisë së gjeneralit në politikë e fushëluftë?
Apo dhe atje, në veriun me diell të largët, një autor danez letrash, Hans Christian Andersen kishte një frikë të padëgjuar: trëmbej se mos e varrosnin të gjallë. Dhe mbante përherë me vete një letër ku shkruhej: “Unë vetëm dukem si i vdekur”.
Por bota tjetër e tij, Njeriu krijues nordik mbetet prorë i lartë, mbi rétë e mugëta, me letërsinë e tij të përjetshme…

MARSHIMI I FUNDIT- Nga ARIF EJUPI

Si skifterë qëndruat
në Bajgorë, Llap e Gallap;
ngadhënjyet te tabet e Llapashticës,
duke zmbrapsur turpshëm
ushtarë, policë
e paramilitarë të armikut.
.
Më 2 korrik 1999,
si ushtarë të Gardës elitë,
marshuat
e festuat në Prishtinë;
por një ushtar i huaj,
i papërvojë,
nuk diti ta bënte dallimin
se kush ishin çlirimtarët
e kush ushtarët e armikut.
.
Ju goditi pamëshirshëm
me armën e tij;
gëzimi e hareja
u kthyen në zi.
.
Kosova humbi
dy ushtarë shembullorë.
.
Në varrimin tuaj
të gjithë u emocionuan
dhe derdhën lot,
kur kontributin tuaj
në beteja
e kujtuan.
.
S’është thënë kot:
axhamiu mund të gabojë,
edhe dasmën
në makth e trishtim
ta shndërrojë.
.
Tragjedia
nuk ua zbehu meritat,
por ua ngriti lavdinë;
ndonëse luftuat
në dëborë, acar e shi,
që Kosova
të mos mbetej nën Serbi.
.
Latë të veja gratë,
latë jetimë fëmijët.
.
Avni Dudi e Fahri Bici,
yje lirie
me heroizmin e treguar,
qiellit dardan
i dhatë shkëlqim!
.
Arif Ejupi
Llaushë–Besianë, 2 korrik 2007

AMANETI I NËNËS- Cikël me poezi nga SAMI MULAJ

 

1. DALLGË BJESHKE JETA IME

Dallgë bjeshke ka nisë
breshër kokrriz madh lugjet e staneve e lëndinat zbardhi,
qielli i kaltër u fsheh,
brrakat u frynë e u turren n’ahishtë,
gurët e shpateve n’rrëknim degët e lisave i thyen.

Kaq e fortë dallga sa krejt bjeshka u dridhë,
për mue n’kalin e bardhë të shalës
me nusen n’prehër
dallga iki,
prej meje u frikësue
u degdis…

2. N’KOFSH UK, JAM ARUSHA
(…me motiv popullor )

U dridh bjeshka
u shkund krejt stani,
n’shtek të tellës
ka ardhë jarani.
O, ka ardhë jarani.

U çue çika si zanë mali,
sharovit të zi ja banë me sy,
ulu, ulu të pastë dada,
nuk asht ukë, po djalë i ri,

O, nuk asht ukë
po djalë i ri

U nis çika me i dal përpara,
si hyri kuq e bardhë tuj zdritë,
hanës i tha mos na del sonte,
unë jam hanë,
ai është diell.

O, unë jam hanë,
ai është diell.

N’shtek të tellës,
nën atë bli,
u bamë një unë e ti.
T’i nën mue,
e unë mbi ty
e unë nën ty
e ti mbi mue
na çeli dita tuj luajt
e tuj u ngacatue.

O, tuj luajt
e tuj u ngacatue.

Shejat n’qafë na kanë tradhtue,
gushën fort ma ke vrengue,
e unë me dhambë arushe gjyksin tand e kam varrue.

O me dhambë arushe, gjyksin tand e kam varrue.

Trimnisht erdhe
e nuk tu tuta,
Ti si ukë,
e unë arusha.

O, ti si ukë
e unë arusha.

3. POETËT

…nuk janë bojaxhi,
bojnat e muret vjetërohen, koha i rrëzon e i fshi.

…nuk janë as llustraxhi,
këpucët e tyre të pafshime, me pluhur e baltë rrugësh edhe në sallone me pesë yje vinë.

…nuk pudrosen kurr,
kremërat e parfumët nuk i njohin,
po të ishim të gjithë poet
do vdiste në botë kjo industri.

…nuk vejnë kollare,
sherr bejnë për zgjedhjen e rrobave në garderobë,
kostumet kurr mirë në shtat
nuk u rrinë.

4. BORXHI I ATDHEUT

Për ata që harrojnë
e presin se çfarë atdheu
nuk bëri për ty….

Atdheu,
të falë dy metra dhe
e harresën,
e si pjellë nuk të hedh,
prapë të mban në gji.

5. PSE U NGUTE ME VDEKË

Në gara makinash
tymë e flakë nxjerrin gomat,
vetëm një prej tyre garës i vë emrin
edhe shpejtësinë.

Në garat e kuajve
xixa nxjerrin patkonjtë,
vetëm një prej tyre
garës i vë emrin
e emrin e të zotit ngjitë.

Trenat bulshitin rendë,
në shina rrëshqasin vetëtimë, si kuajt nuk dallohen nga jelët
por mbi shina
sa e kanë shpejtësinë…

E njerëzit
edhe ata vrapojnë,
por, emri nuk u mbetet sa shpejt a sa ngadalë e mbërrijnë vdekësinë.

Emri ju mbetet
sa e si e mbërrijnë në jetë njeriun.

6. LULET E VYSHKURA

Të krrusura në vazon e kristaltë,
të vyshkura ranë në raft, kundërmojnë erë myku përzier me mjaltë.

Mizat e vogla
rrezë veshit më afrohen,
për ti trembur ato
vetën godita në qafë.

Dërmuar nga mizat
që lëpijnë nektarët e tyre të tharë,
mbi raft qëndrojnë të vetmuara,
më presin mua që ti hedh,
në koshin e plehrave t’i flakë.

Por nuk mundem,
dridhjet më shtohen në shtat, zemra më gufon,
lulet edhe vyshken,
mjalti,
jo, jo mjalti
kurr nuk ka me u kalbë.

7. Luje, Luje belin komshije !

Shumë shoqata
më shumë kryesi,
sherre për tubime e sheshe, për radhë fjale
hucla me musteqe pick
mbi tupana e në kingja t’pjekur n’tepsi.

Luje !
Luje belin kojshie !

Ani, ani pse stanet në bjeshkë e sobat në vrri
janë pa vegsha e pa magje,
pa lugje me tamël
e sofrat pa fëmijë.

Luje!
Luje belin kojshie !

Ah, dikur për zollumet
nënat kot nuk kanë nemë,
u mbytësh në Dri.

8. BISHTI I CIGARES

Pranë meje një zonjë
krye ultë duke kërkuar dicka në tokë.

Mendova se diçka i kishte humbur
e unë ula sytë të lyp si ajo…

Një bisht cigareje te hedhur, shtypur nga kalimtarët e mori
e vuri në buzë dhe qeshi.

A ke shkrepëse
më pyeti ta ndihmoj,
jam lypëse më tha dhe e ndezi.

Lumturia prej çmimeve
në duar të poetëve
perpara meje
më solli sytë e kësaj lypseje,
jo buzëqeshjen e tyre
por terrin.

9. DUKE UJITUR LULET

E ti u zbukurove çdo ditë
duke qesh me thinjat e mia,
në ëndrra më mbajte për dore si fëmijë,
gjumin tim e more,
mëngjeseve ju falë aromë, gonxhet e tua,
vargjepesëpetalëshe
si pesë germa në fjalën poezi.

Nuk ka nevojë për njëqind
a njëmijë,
vetëm nje lule me pesë gonxhe
mjafton të zbukuroj një shtëpi,
ashtu si vetëm pesë fjalë,
vargun mund ta hijeshojnë
e ta bëjnë nuse,
super poezi.

10. TRE VARGËSH

* E VËRTETA

Një hapësirë
e pa shkelur,
me dritë të pa mashtruar.

* NUK ËSHTË DASHURI

Ajo që shkëlqen në errësirë
e shkërmoqet prej drite
në mëngjes.

* SHKRUAJ POEZI

Fjalë të freskëta
shkruaj
në hapat e mi.

11. SOT JAM VETJA

Jam i lehtësuar sot,
e hoqa barrën e rendë te jo vetës time,
guxova,
hoqa gurët e rrugës,
këputa barnat e këqia që kishin plasaritur kalldrëmet
dhe hodha edhe zinzhirët e duarve,
qafën e kerrusur e ngrita.

Sot guxova,
vetëm njëherë mendova
për veten time.

Po kthehem
tek ai që isha,
e ika prej atij
që isha hije,
një grumbull eshtrash
nën një lëkurë hipokrizie.

Nuk e di rrugës
ndoshta do të kem
edhe të tjera surpriza,
patjetër të këndshme.

E kush e di,
e panjohura
Prandaj është gjithmonë e tillë edhe surprizë.

Guxova drejt saj,
hapi im që hodha
do të jetë shoku im më i mirë.

12. FLAMINGOT

Ah, populli im i mirë
shyqyr që u ngrite një ditë
pa gdhirë,
e qiellin e shikove lart,
flamingot qiellin më nuk e nxijnë.

Hëna e kishte zbrazur qiellin,
sikur është ndal dielli,
pa flamingot,
toka jonë nuk është më e mirë.

E bulevardet u derdhën,
si lumë me dallgë oshtinë, kafenet u zbrazën,
filxhanat e gotat mbeten gjysmë.

Ah, o mëngjes i mirë
e zgjove nje popull
herët pa u gdhirë.

Flamingo që mungojnë në laguna,
në bregdet e në qiell
ikë edhe ato të trembura,
pse muret e shtëpive
në jug e veri me djepet bosh të fëmijëve,
varë në gozhdë të ndryshkura rrinë.

13. MOS MA MERRNI POEZINË

I thonë çobanit
na e sjellë një qingj
për kurban,
më të mirin
e ma të majmin.

Shkon hallexhiu
e hyn në torishtë,
të gjithë gjingjat i afrohen,
gishtat ja lëpijnë,
po cili është më i majmi,
cili është më i mirë,
ah për çobanin e shkretë, pyetja ma e vështirë.

Kthehet bosh nga tufa,
asnjë nuk e zgjidh…
në sobë të burrave jua përplas,
asnjë kurban nuk është më i majmë,
asnjë qingj nuk është më i mirë…

E du edhe unë
me e thanë një fjalë çobani: kurr mos e thashtë zoti,
me zgjedh ai kurbanin
se torishtë me qingja të butë e të mirë kurr nuk do kishte, as kingja,
e as torishtë vatani.

14. AMANETI I NANËS

Një nanë e vetme
ngujue n’praqe t’fatit e të pleqënisë,
aty n’oborr t’kullës bri thyeme, mbi do ashkla t’nxime ngjitë
ja merr kangës si vajoticë
fjalë e lotë derdhen rigë.

Kur erdha nuse n’kto troje,
ja lash burrit amanet,
n’deksha unë para teje,
mi drejto sytë prej vorrit t’babës tem.

Kur m’vdiq vëllau i ri,
ja lash djalit amanet,
drejtoja nanës arkivolin
me e pa motra vllaun e vet.

E tani, o mure t’thata,
e ti oj gurrë e shkretë,
a m’kallxoni kah asht Anglia,
se do ju la amanet.

Koft e gzueme ajo ditë,
nana e shkretë kur i mbyll sytë,
lemni sytë çelë nga Anglia,
ta shoh atje djalin tem,
ndoshta atij kur t’i rriten fmija,
i kujtohet loti jem.

15. NATA NUK ËSHTË E IMJA

Nata shikon idhshëm
si shofer i keq në kthesë,
nën çarçafë të mban në shpellë,
herë të dridhë,
herë të nxehë
luan me yjet si me topa pingpongu,
herë i gjuan
herë i fsheh,
orën në murë
e bën jetime,
lotët e tharë
nuk i sheh.

16. NUK KAM GABUAR

Larg rrënojave qëndrova,
u mbajta me të vërtetën si një gurë,
Ti bëre një murë aty,
mendove se ike prej meje,
e bashkë nuk do të kolovitemi më kurr.

E harrove se dyert që perplasen natën
matan murit tënd,
vetëm ty të lenë pa gjumë.

Duke veshur përbuzjen tënde si një kostum të shtrenjtë,
në kembënguljen tënde të ftohtë akull
vetëm për të fajësuar,
të mirat e mia
padashur i nxore në dritë,
e vetën e ngujove në furrë.

Njëlloj si në lojën me kolovajzë të fëmijëve,
sa më fort mundohesh ta ulësh traun
aq më shumë
e ngre traun në krahun tjetër
e jo në krahun tend kurr.

17. LUMI DHE KOHA

Me gjunjët përulur
në breg të lumit
mbush grushtat me ujë,
e çdo herë,
tjetër ujë pi
e tjetër ujë më freskon sytë dhe ballin.

Lumi rrjedh…
E prek ujin e ai ikën…,
Kurrsesi nuk mund ta prek më,
ka ecur…
nuk e ndal kurr vrapin.

Edhe sekondat,
minutat, orët e vitet ikin,
e nuk kthehen më,
nuk e përsërisin kurr çastin.

Po nuk u shijuan në çdo moment,
është sikur të presësh
në breg të lumit
një jetë
pa i mbushur grushtat me ujë,
pa u freskuar e duke qarë fatin.

KORBAT E GAZIMESTANIT- Poezi nga ARIF EJUPI

Mitomanë e shejtanë
festojnë të ashtuquajturin Vidovdan,
fantazmë
të sajuar si triumf.
.
Ata,
në Gazimestanin e Kastriotit,
tubohen çdo vit,
si korbat
kur prishet moti.
.
Fare mirë e dinë
se nuk ringjallen
Mara Brankoviqi
dhe bukuroshet
e haremeve
të sulltanëve
dhe vezirëve.
.
Por i mbesin besnikë
amanetit të Ivo Andriqit
dhe Dobrica Qosiqit:
se me trillime
e gënjeshtra
duhet arritur
deri te qëllimi.
.
Të rinj e të reja të Serbisë,
të rritur e të frymëzuar
nga gjyshër të verbuar
prej miteve
dhe urrejtjes,
vazhdojnë avazin e vjetër.
.
Në vend të kërkimfaljes
për gjenocidin
dhe krimin,
prapë dëshirojnë
që Kosovën
ta mbërthejnë flakët
e ta mbulojë tymi.
.
Evropa nuk duhet
të bëjë sehir,
por duhet t’u thotë:
mjaft
epsheve ndjellakeqe
të qarqeve shoviniste të Serbisë,
që na përzunë
nga tokat tona stërgjyshore,
që nga Nishi
e deri në Merdar,
duke na plaçkitur
e vrarë.
.
Kryekasapi i Ballkanit,
në Gazimestan,
dha betimin
për Serbinë
e Car Dushanit.
.
Evropa
as që deshi
t’i dëgjonte
kërcënimet e tij.
Kur ndodhi krimi
dhe gjenocidi,
u dëgjua vetëm klithma:
“Uh, ç’u bë!”
.
Ai që nuk e pengon zjarrin,
fare lehtë
edhe vetë
mund të digjet në të.
.
ARIF EJUPI

TI ISHE BEKIM PËR NE- Nga ARIF EJUPI

(Kushtuar mësuesit tim të parë, Sabri Raçi, me rastin e 80-vjetorit të lindjes)
.
Lindja jote
ishte bekim për ne.
Nga balta
dhe pluhuri
na nxore;
si farkëtari i mirë
hekurin e lakuar,
na drejtove.
.
Na bëre
ta njohim vetveten
dhe ta themi
të vërtetën,
qoftë edhe
e hidhur
si pelini.
.
Na mësove
të falim dashuri
dhe të ndiejmë
dhembshuri.
.
Na mësove
që dëshirat
t’i plotësonim
me disiplinë
e punë,
e assesi
me forcë
e dhunë.
.
Na edukove
me respektin
ndaj të moshuarve
dhe të sëmurëve.
.
Na mësove
të mos bëhemi
zvarranikë
e vegël e askujt.
.
Vazhdimisht na thoshe:
Poqëse
Atdheu rrezikohet,
të gjithë
zot duhet t’i dalim,
se nuk kemi
Atdhe rezervë.
.
Ishe i qetë,
i ditur
dhe i urtë.
.
Me fjalë të ëmbla
dhe këshilla prindërore
na mbolle dashurinë
për shokët,
shoqet
dhe shkollën.
.
Veçanërisht për shoqet
na thoshe:
“Me sjelljen tuaj njerëzore
bëni që shkollat
të mbushen me to.”
.
Aty ku shkeli
këmba jote,
u shua errësira
dhe mbërriti drita.
.
Ishe dhe do të mbetesh
fanar drite
i shumë brezave!
.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 6 korrik 2026

TRADITA E TË QETHURAVE TË DELEVE NË STANKAJ-RUGOVË- Reportazh nga TAHIR BEZHANI

 

 

Rugova është njëra ndër krahinat më të njohura të gjeografisë shqiptare ku ruhen më së miri traditat dhe kultura jonë kombëtare. Rugovasit në radhë të parë i karakterizon bujaria, fisnikëria, trimëria dhe ndershmëria. Rugovasit i kanë dhënë burra e trima këtij vendi në mbrojtje të lirisë, atdhetarë të spikatur ndër shekuj. Veshja kombëtare paraqet kulmin e traditës dhe kulturës sonë së bashku me këngët, vallet. lojërat etj, tejet artistike.

Ndonëse të shkapërderdhur neper vende të ndryshme nga kushtet e vështira të kohëve, duke marrë boten në sy për një jetë më të mirë, megjithatë, kohëve të fundit janë rikthyer disa sish dhe kanë filluar jetën në trojet e tyre së bashku me traditat dhe mirësitë që i karakterizojnë këta banorë të vyer.

Fshati Stankaj i Rugovës jep shembullin më të mirë për të rikthyerit dhe të jetës së rehatshme në vendlindjen e tyre, ku ruhen me xhelozi traditat tona, të kësaj krahine famëmadhe.

Vëllezërit Naser e Halil Ukë Kurtaj, këto ditë dëshmuan dashurinë për vendlindje dhe për traditat tona të çmuara. Këta dy vëllezër, me 4.korrik, organizuan ceremoninë e të qethave të deleve si një nga traditat e këtij vendi prej kohësh. Tufa e deleve të tyre prej 250 krerësh, hijeshon shpatet e bjeshkëve në kullosa. Blegërima e qingjave të rikujton “Bagëti e Bujqësi” të Naimit romantik. Nuk mungon as kënga e fyelli shpateve të fshatit Stankaj.

Ferma e blegtorisë së Naser e Halil Kurtaj, është bërë e njohur edhe për produktet e qumështit dhe mishin cilësore të qingjave të tyre. Nga këto produkte edhe fitimet janë të lakmuara.

Për këtë festë të qethurave, vëllezërit Kurti kishin ftuar hiç më pa se 100-150 veta, shokë e miq, e mes tyre edhe zyrtarë të pushtetit Qendror e lokal, nga Ministria e Bujqësisë dhe pylltarisë, si bashkë organizatorë të kësaj tradite në Rugovë të Pejës. Mori pjesë këshilltari i resorit të Bujqësisë e pylltarisë, nga Peja, z. Mehdi Mulaj, i cili, me fjalët e tij kurajuese, falënderoi fermerin Kurtaj për organizimin tradicional të Rugovës, ruajtjen e traditave dhe zgjerimit të kësaj veprimtarie dobiprurëse. Premtoi bashkëpunim dhe ndihmë në këtë lami me qëllim të zgjerimit të tufave të deleve në bjeshkët e Rugovës. Ndërkaq, banorët dhanë disa mendime e vërejtje me qëllim të plotësimit të nevojave të tyre për kultivimin e fermave të blegtorisë në këto bjeshkë të bukura. Njëri nga biseduesit iu drejtuar z. Mehdi me fjalët: ” në fshatin Stankaj mbaj mend 3000 dele qe kullosnin këto shpate, ndërsa tani, vetëm 250 krerë ka fshati. Mos të përmend edhe fshatrat tjera që kishte mbi 5000 krerë dele. Andaj, na si banorë të këtij vendi kërkojmë ndihmën e pushtetit lokal e Qendrorë për ndihmë sa më të arsyeshme. Biseduesi tjetër përmendi si problem Parkun Nacional i cili ka kufizuar hapësirën për kullosa delesh…”

Në vazhdim të këtij manifestimi, n’atë lartësi bjeshkore, mes Bogës e Stankajve, jehonte kënga e çiftelia nga grupi folklorik ardhur enkas nga Shqipëria, të cilët kënaqen të pranishmit me mësonin e bukur të rapsodisë sonë. Kënaqësia kishte arritur kulmin edhe me pjesëmarrjen e disa qytetarëve nga diaspora jonë, të cilët, të përmalluar dhe të etur për vendlindjen e tyre, dalldiseshin nga kënaqësia, u qeshte fytyra dhe incizonin programin e pasur e të organizuar për mrekulli nga mikpritja e vëllezërve Kurtaj të fshatit Stankaj.

Një sharm të veçantë e të paharruar këtij manifestimi ia shtoi rapsodi tani i mirënjohur anekënd trojeve shqiptare, lahutari Hysen Kurti, i cili me veshje kombëtare, ”zbarkoi” nga hoteli “Kulla e Rugovasit” si një shqiponjë, veshur në kostume kombëtare të Rugovës, duke ia thënë bukur këngës majëkrahut, i cili u prit me duartrokitje të gjata.

Pastaj, në ecje e sipër, si një aktor i vërtetë, ofrohej masës së tubuar duke recituar vargje nga Fishta, vargje për Vraninen. Nga ajo atmosferë madhështore, dukej se edhe pishat e gjata po këndonin me këtë malësorë të Rugovës, i cili kudo që qëllon ndezë atmosferë gëzimi e hareje. Nuk mungoj as vallja e njohur e burrave të Rugovës, një valle e njohur  anekënd botes për traditën dhe koreografinë fine të shqiptarisë.

Pas kësaj ceremonie, këshilltari i sektorit të Bujqësisë nga pushteti lokal në Pejë, ndau disa mirënjohje për organizatorin ( mikpritësin) dhe disa të tjerë , si motivim e nxitje për vazhdimin e traditave tona dhe zgjerimin e fermës së blegtorisë në këtë fshat dhe tjerat për rreth.

Bujaria rugoviane është e njohur anekënd trojeve tona. Pos që të hapin zemrën e bujarisë, ata shtrojnë tryezën me gjitha të mirat që ka shtëpisë.

Për fillim, mysafirëve të ftuar iu shërbyen me përshesh me tamel të deleve, i cili ka shije të këndshme. Në radhe, pas një pauze, shtruan tryezën e gjatë për të pranishmit me të gjitha llojet e ushqimeve vendore, duke filluar me pjatat me djathë cilësor, mish qengji të pjekur, leqenik, flija, ëmbëlsira, ku secila ishte më e shijshme se tjera. Të pranishmit shërbeheshin sipas dëshirës së tyre me ato të mira të shtruara në tryezën e gjatë. Në një ambient të këndshëm bjeshkor, nën përkundjen e flladit të pishave, me pije të llojllojshme e ujë bjeshke, secili ngopjen në dy aspekte: me ajrin e pastër, pamjet dhe ushqimet e mrekulluara vendore të Rugovës.

Flija, specialitet i Rugovës

Të gjitha ushqimet e ofruara për mysafirë, ishin përgatitur nga familjaret e mikpritësit. Për kureshtje të këtyre specialistëve, tregova interesim të di për gatimet. Zymer Kurti nuk hezitoi, dhe me dërgoi në kuzhinën ku bëhej gatimi. Me njohu me nënën Cubë, Cube Kurtin, e moshës 86 vjeç, e njohur në tërë Rugovën për çdo lloj gatimi. Ajo ishte ulur në një karrige dhe përziente mazën e zier, njëri nga specialitet më të kërkuara në menynë rugoviane. Të rejat e shtëpisë e dëgjonin dhe përfillnin me vëmendje porositë e saja. Një trashëgimi ndër breza, sa mrekulli!

Ora kishte kaluar katër pasdite. Flladi i mbrëmjes kishte ndërruar melodinë, ishte më i ashpër. Pishat luhateshin dhe lëshonin armë të këndshme. Sikur donin të na tregonin për ikjen e një dite të këndshme në fshatin Stankaj, mysafir në të qethurat e deleve të mikpritësve, Naser e Halil Kurti nga ky fshat.

U ndamë duke u përshëndetur ngrohtësisht me falënderimet për ftesën, duke iu dëshiruar shëndet e suksese në zhvillimin e fermës së deleve dhe ruajtjen e traditave aq të pasura vendore.

Sa gjatë ngelet në mendje të njeriut një ditë e kalendarit të jetës kur përjetohet me aq ngrohtësi!….

 

Stamkaj – Rugovë, 5 korrik 2026

SHKALAFITJE MOTI- Skicë nga RUZHDI GOLE

O shkurtabiq, o shkurto, o gjatosh i të shkurtërve, k’ce njëherë rrumbullak!
Oooo, k’ceve? Po ku je tani? S’të shoh? S’ta ndigjoj zanin? Ooo, ja ku qenke, sipër e poshtë një reje (afër teqeje), sipër e poshtë një flakëze (thellë vashëze), poshtë një oxhaku fyelltar?…
Si u ngrite nga poshtë përpjetë, të thërriti teqeja, ndonjë qyngj çatie, të thërritën retë?
Sa bëhem gati ta mas me sy së nalti shkurton ai kthehet anash n’ajri. Koka i shtrihet nga bregu, këmbët nga kodra. Ulet, ngjitet, gufon, diku as ngjitet, as nuk zbret. Ngadalë – ngadalë përhapet gjithandej pafund pllajnajë e hirtë ajrore.
Gjithçka gjallërohet kur i vjen afër era e i ledhaton flokët, i puth sytë, i fishkëllen butë në vesh dhe i heq çorapet e vapës.
Ta shohësh shkurton ahere… pupthi -pupthi, më i hareshmi sikur s’është i këtushmi, ta shohësh degë – degë të hareshmin, sikur s’është gaz veç sot por dhe nesërmi. Ta k’qyrësh nesërmi si i qeshin edhe flokët, edhe thonjtë.
Era e rrëmben butë edhe vrullti, me ledha e fshikuj aq sa shkurtoja i vogëlth e pllajnajë nuk di nga t’ia mbathi, nuk di ku të fshihet. Të marr përpjeta nga kodra ka frikë se gris e shqep penjtë e tij të hirtë tek halat e pishave dhe bredhave, ka frikë se rr’xohet tek ndonjë gropë që e hapi papritur nata dhe nuk e mbyll dot gjithë dita e lume.
Kjo pllajnajë dhe shkurto bashkë po të zbresin tek bregu i detit mund të ftohen keqas nga grykët ose të zhyten në dallgë pa vetëdije dhe horizont.
Të jetë ky shkurto pllajnaja që k’cen në qytetin tonë blojë e të pablojë?
Shkurtoja gëzon fat, fat fitimtar. Suferina nuk e zë, se ai i dredhon fshikujve të saj, nuk i tut asnjë qerpik,
rrufeja nuk e mbërrin se ai mblidhet krruspullti mbi ca rrënoja të pagoja
mbetur rrethrrotull nga Vila mbretnore, tash aq jetime sa s’ia beson askujt rringjalljen e saj ko(m)bëtare.
Ky shkurtabiq, me dhe pa të liq, (secili e gjen vet cili është,) nuk ia thotë
askuj’ të vërtetën se ia vjedhin shpejt origjinalitetin e befasisë mjedisore.
Agu është harta natyrore plot dritë e paramëngjesit. Në paramëngjes agu jetnon mes nesh, brenda e tej nesh meterolog natyror për detin, qiellin, qytetin me amfiteatër.
Vrapi i agut i gëzon të shumtit. Ky vrap urban – lokomotivë (e qëmotshme?) me një shigjetë të padukshme në krye i nxit’ e i ndërron kahjet urbane, i afron dhe i ndan ato, kurrsesi nuk i shuan e s’i tret.
(Po perëndimi?)
Vërdallosja tërheq këmbët zvarrë e herë si pupël. Vërdallosja, ky hi i bredharakut, bredhëron sa andej-këndej me be e belara se ai vuan, jeton vorfën, se xhepat ia merr edhe flladi e kur ai është përgjumsh në mes të ditës ia vjedh qindarkat.
Vërdallosja cingëron e thatë, kërcure, e pa vaditur. Ushqehet mjerisht, jo aq mjerisht, gojon e përgojon shumë, shqyhet llupëse anekand.
Shquhet për kërcimet dhe përdredhjet e saj. Lum e mjerë kush vërdalloset!
Shpalosja e së vërtetës është e hidhur, e rëndë, kërcënuese, e bëftë. Kjo shpalosje shpartallon bredharakun dinak e më dinak me buzagazin më të helmët.
Dikush, i dikurshëm sa më s’ka, (para)thotë se ky shkurto rrethohet nga hiri tribal. Dikush, i këtushëm, (para)ndjen se i hirnosuri kallkanoset e zjarrmon çdo frymë e frymëmarrje të hirnosur, në mos secilin prej nesh.
Kryenalti me bulçinjtë gaz anadollak (para)gjykon se ky shkurto kërcimtar nuk është i hirnosuri.
(Si mendon ti, o njeri, tundshkundur gjithë jetën mes tymrave, kacafytur me veten e me botën jo për hair por për pahir të botës njerëzore mbi vete)?!
Kush të jetë anekënd rrotullimit të begatë ajror, kush të jetë rrethrrotull ca gërmadhave të tjera prej fabrike me nofulla të ndryshkura metali?
Qe besa, askund keqardhje, askund pendesa! Ne ishim grabitësit e gjithçkaje e të grabitur në gjithçka tek vetja po nga vetja. Në mos nga vetja nga tjetri, jo më i ngathëti por më sypatremburi.
Gërmadhat zbukurohen përdita, jo shumë të nalta tani, se atyre ua ka ngrënë kuja e varfërisë hekurat. Shkul’rrjep’gjakos’ duart e njeriut, shitur për një kothere bukë. Poshtë gërmadhave mjekrojnë motmotit themelet plot gongalla të krisura betoni. S’i sheh askush e askush s’ka me i pa veç gjarprinjve e të vdekurve.
Plasa – plasa tymi, prandaj duket i shkurtër këtuatje, i cekët e i thellë, hollak e bufalaq, kërcimtar e zvarritje këmbësh.
Këmbët i shtrihen nga bregu, koka i freskohet nga kodra. Kujt? Tymnajës qytetare pra, shkalafitjes qytetare…

Dyer të mbyllura me murana- Nga ARIF EJUPI

(Ish-Radio Prishtina, e pushtuar nga Serbia më 5 korrik 1990.
Kjo ndërtesë mbetet dëshmi e mbylljes së dhunshme të zërit të Kosovës
dhe e qëndresës së gazetarëve, nëpunësve dhe punëtorëve
të Radio Televizionit të Prishtinës.)
.
Në shkallët e pallatit,
njerëz harbutë
e kokëboshë,
me kallashë në duar,
ruajnë një të shitur
që thërret
për nënshtrim.
.
Nga mikrofonat
vjen
zë qyqesh
i përzier
me zë korbash.
.
Nga jashtë,
populli thërret:
“Duam zërin
e bijve
dhe bijave
të Dardanisë,
e jo të qyqeve
dhe korbave
të Shumadisë.”
.
Vuajtje
sa të Jezu Krishtit
në Judë,
por ecje
me këmbë të shëndosha
e fytyrën e ndritur
kah Perëndimi
e Atlantiku,
për ditë shprese
e ditë të bardha.
.
Gazetarë,
nëpunës
e punëtorë
të Radio Televizionit
të Prishtinës,
lajmëtarë
të lirisë
së Kosovës.
.
Farkuar
si hekuri
në zjarr,
qofshi
jetë e mot
faqebardhë!
.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 5 korrik 2000
.
P.S.
Autori i këtyre rreshtave, gjatë atyre viteve të rënda, ishte gazetar i kësaj dritareje të njohur
informimi në Kosovë e në botë. Ai u dëbua më 5 korrik 1990 nga vendi i punës, së bashku me
qindra kolegë.
Edhe pse më 14 mars 1994 u keqtrajtua rëndë nga policia serbe, për shkak se denonconte
dhunën dhe terrorin serb mbi popullin shqiptar në mediet vendore dhe ndërkombëtare, z.
Ejupi asnjë çast nuk hoqi dorë nga profesioni i tij.
Nëpërmjet qindra dokumentarëve, shkrimeve dhe ekspozitave, në cilësinë e anëtarit të
KMDLNJ-së, ai dëshmoi kudo dhunën dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të pambrojtur të
Kosovës.

Send this to a friend