Kush po e mbjell përsëri farën e urrejtjes
Në tokën tënde Kosovë grua e plleshme
Ugarët e tu që nxijnë rrafshit të rrënqethur
Kush po i mbars me mllef përsëri
Thikën kush po ta ngul në shpinë me pabesi
Me dhëmbë kush po të kafshon me të gjithë dhëmbët
Kush po e ha dheun tënd të mbrujtur me lot e gjak
Dheu e mbuloftë varri i humbtë përgjithmonë
Kush është ai që kurrë s’u ngop me lotin tënd
Përrua vërshues gjerësive të tua të hedhëta
Mezhdave tua korniza pikturash shumëngjyrta
Kush po të lë sherre e gverre kobe në pusi
Kush po të shpie në humnerë përsëri
Portat tua kush po i kyç me mallkim
Gjumin tënd të pasherr kush po ta prish
E pagjumja e vyeshmja e palodhura
Ëndrrën tënde dritëplotë kush po ta këput
Natës sate kaltroshe kush po ia shuan yjet në vezullim
Që qielli yt të të mbulojë si çarçaf i zi
Kush po të lë pa muzg dhe pa agim larë në kuqlim
Prej Sharrit dhe Bjeshkëve të Nemuna
Kryelarta ime
Kush po të hedh në hedhurina me vërvimë
Ku sëmundja e qyteteve të përlyera brufullon
Me lutje të pashenjta buzë varrit kush po të çon
Komentet