Dështojnë tentativat e Putinit për të ndërhyrë në Malin e Zi…
Mali i Zi i ka thënë “Jo” Moskës. Rusia duket qartë se po bën gjithçka të ndërhyjë në rajon dhe sidomos në vende si Mali i ZI, Maqedonia, Bosnja apo Serbia. Por sot ka pasur një zhvillim interesant nga Podgorica.
Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi ka thirrur sot në një takim urgjent ambasadorin e Federatës Ruse në Podgoricë, Aleksandar Lukašik, duke i dorëzuar një notë të qartë proteste për deklaratat e tij të fundit, të cilat autoritetet malazeze i konsiderojnë si “të papranueshme, të panevojshme dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të shtetit”.
Sipas MPJ-së, ambasadori rus ka dalë jashtë çdo kornize të sjelljes diplomatike duke kritikuar hapur:
-vendimin e Kuvendit të Malit të Zi për t’iu bashkuar mekanizmit të NATO-s për ndihmë dhe trajnim të Ukrainës (NSATU),
-si dhe intervistën e presidentit malazez Jakov Milatoviç për gazetën franceze La Croix, ku ai theksoi se zgjerimi i BE-së është mjeti më i fortë për të kufizuar influencat e aktorëve të tretë, përfshirë Rusinë.
“Këto vlerësime janë ndërhyrje e pastër dhe Mali i Zi nuk do të lejojë që askush të cenojë integritetin e institucioneve dhe politikës së jashtme të vendit”, theksoi MPJ në reagimin e saj.
Autoritetet malazeze i kanë bërë të qartë ambasadorit Lukašik se çdo deklaratë e ngjashme në të ardhmen do të trajtohet si veprim i qëllimshëm armiqësor, me pasoja diplomatike të menjëhershme, duke nënvizuar se Podgorica orienton politikën e saj të jashtme mbi interesat kombëtare, anëtarësimin në NATO dhe kursin drejt Bashkimit Europian – jo sipas direktivave nga Moska apo cilido aktor tjetër.
“Mali i Zi pret që Ambasada e Federatës Ruse të respektojë plotësisht institucionet dhe zyrtarët e saj, dhe se në kryerjen e politikës së saj të jashtme, Mali i Zi nuk vepron sipas udhëzimeve të asnjë pale, por ndjek vazhdimisht interesat e veta kombëtare dhe strategjike, të përcaktuara nga prioritetet e politikës së jashtme – anëtarësimi në NATO dhe angazhimi ndaj procesit të pranimit në BE“, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme.
Deklaratat e ambasadorit rus kanë shkaktuar nervozizëm të dukshëm në krahun perëndimor të politikës malazeze. Më 13 nëntor, Lukašik akuzoi Parlamentin e Malit të Zi për “veprimtari antiruse” pas votimit të angazhimit në misionin e NATO-s për Ukrainën. Edhe më herët, më 1 nëntor, ai kritikoi Podgoricën për “përshpejtimin e panevojshëm të rrugës drejt BE-së duke dobësuar lidhjet me Rusinë”.
Podgorica po i dërgon sinjalin më të fortë Moskës që nga viti 2014: Mali i Zi mbetet i ankoruar në strukturat euro-atlantike dhe nuk toleron presione, qoftë edhe përmes zhargonit diplomatik të ambasadorëve rusë në rajon. /Pamfleti