VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Mal i Zi: Dëshmi për përfshirjen ruse në ngjarjet e tetorit 2016

By | March 25, 2017

Komentet

Një histori suksesi- 34 vjeçarja Ajser Ademi sot u emërua prokurore në Maqedoninë e Veriut

Juristja 34 vjeçare Ajser Ademi nga Shkupi sot edhe zyrtarisht u emërua prokurore në Prokurorinë Themelore në Shkup. Ajo dha betimin para Këshillit të Prokurorëve  të Maqedonisë së Veriut se do të angazhohet që të ndaj drejtësinë në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët,  konform kushtetutës dhe ligjit.

Ajseri ka zgjedhur profesionin e drejtësisë të cilës ia ka kushtuar gjithë jetën duke shpresuar se është e gatshme që të kontribuojë edhe më shumë në pozitën e prokurores për të ndëshkuar shkelësit e ligjeve në Maqedoni.

Ajo ka mbaruar me sukses të dalluar Akademinë prestigjioze 2 vjeçare për gjykatës dhe prokurorë në Shkup “PAVELL SHATEV”  ku është përgatitur në mënyrë profesionale  nga profesorë dhe ekspertë të prokurorisë, gjykatave, policisë dhe fushave të ndryshme.

Ajser Ademi ka studiuar drejtësinë në Universitetin më të mire në Maqedoni, ndërsa ishte fituese e bursës në Universitetin e UEJL-së për master në diplomaci nga Ambasada Holandeze në Shkup.

Në afat rekord me notat me larta ka mbaruar drejtësinë, ku profesor eminent të fushës së drejtësisë kanë vërejtur talentin e rrallë të studentes së dikurshme, se një  ditë do të bëhet prokurore dhe do të jetë gardiane e ndarjes se drejtësisë.

Që nga viti 2007, një kohë të gjatë ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, si një nëpunese e shkëlqyeshme.

Ajser Ademi, një vajzë e lindur dhe rritur në qytetin e bukur të Shkupit, që vjen nga vendbanimi Haraçinë, nga një familje me tradita dhe vlera njerëzore, njihet nga të gjithë për bujarinë e humanizmin që e karakterizon familjen nga babai, Ibush Ramadani nga Haraçina e Shkupit.

Ajseri ka rrëfyer per sfida, triumfet e saj,pasi vazhdoi karrierën menjëherë edhe pas lindjesë së fëmijës së tretë, Ronës, duke u regjistruar në Akademin prestigjioze per gjykatës dhe prokurorë në Shkup.

Ajo tregón për vrullin e një nëne të re me 3 fëmijë të vegjël, por të plotësuar ëndrrën e saj që të jetë  e dobishme për familjen dhe shoqërinë.

Si arriti BE ta ballkanizojë Ballkanin – Nga Katerina Kolozova

Ky është momenti i duhur kur Europa Perëndimore duhet të kuptojë se ka më shumë se një mënyrë për t’u bërë europian.

Më 18 tetor, Franca ishte e vetme në kundërshtimin që i bëri pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zyrtarë të lartë dhe udhëheqës të BE-së, si Donald Tusk, Jean-Claude Junker dhe Komisioneri Johannes Hahn shprehën keqardhje ndaj vendimit të qeverisë franceze.

Studiues dhe vëzhgues të ndryshëm e përshkruan votën e Presidentit francez Emmanuel Macron si një “gabim të madh”, analizon Katerina Kolozova.

Justifikimi që z. Macron i bëri “jo-së së tij historike” në pranimin e hapjes së negociatave të pranimit të dy shteteve të mësipërme ishte se ai nuk mund t’i siguronte njerëzit e tij se gjithçka “po shkonte vaj”, sa ai të pranojnë të hapë negociatat, kur ndërkohë numri i shqiptarëve që po aplikojnë për azil në Francë po rritet nga dita në ditë.

Kjo frikë e emigracionit nga brenda Europës nxjerr në pah faktin se jo të gjithë europianët shihen si të barabartë, p.sh., disa europianë janë dukshëm më europianë se të tjerët.

Nuk është çudi që instrumentet dhe nismat e ndryshme që kanë qenë pjesë e procesit të integrimit europian quhen “Europianizim”.

T’i përkasësh të njëjtit kontinent dhe të ndash trashëgimi kulturore të ngjashme, mesa duket nuk është ajo çka europianizmi do të thotë.

Përkundrazi, elementet që të bëjnë një europian të vërtetë, duket se ende i përkasin një shteti kapitalist dhe neoliberal të pasur, veçanërisht një fuqie të mëparshme koloniale, e cila ende gëzon disa përfitime pas koloniale.

Të gjitha shtetet ish-komuniste të këtij kontinenti pritet të imitojnë këtë model përmes procesit të ashtuquajtur të integrimit, duke miratuar “masa”, “instrumente” dhe “reforma” të diktuara nga teknokratët perëndimorë. Premisa e këtij procesi tradhton një supozim të fshehtë në lidhje me tendencat drejt shkeljes së ligjeve dhe korrupsionit në vendet e Europës Lindore, dhe veçanërisht Ballkanit.

Ashtu siç e ka theksuar edhe historiania bullgare, Maria Todorova, në librin e saj “E ardhmja e Ballkanit”, Europa Perëndimore e ballkanizoi Ballkanin në të njëjtën mënyrë siç veproi edhe me Lindjen (këtë teori e mbështet edhe Edward Said). Pas pohimit të këtij mendimi, për disa europianë mund të jetë krijuar perceptimi se znj. Todorova ka shkruar nga këndvështrimi i një “emigranteje” potenciale. Por ajo na siguron se ka shkruar nga këndvështrimi i një qytetareje europiane.

 “Në të njëjtën kohë, si pasojë e bindjeve të majta, pranimi im për të qenë një europiane e vërtetë, mund të tingëllojë për shumë të majtë, si një tradhti ndaj idealeve të këtij krahu politik, që zakonisht është shumë europskeptik. Sidoqoftë, kjo nuk është tradhti e asnjë lloj forme dhe ne nuk duhet të harrojmë se socializmi si ide bazohet në modernizmin europian. Unë u rrita në Jugosllavinë socialiste, ku edukimi ynë dhe i gjithë këndvështrimi ynë mbi botën, sidomos për shkak të inkuadrimit të tij ideologjik, ishte europian sa i takon traditës dhe vizionit të së ardhmes.

Për më tepër, teksa e forconte brandin e vet të regjimit socialist, Federata jugosllave ishte mjaft e hapur ndaj Europës Perëndimore dhe u krijonte mundësinë qytetarëve të saj që të lëviznin lirisht në Perëndim. “Pas shpërbërjes së saj, të gjithë banorët e Jugosllavisë menduan se do të hynin menjëherë në Bashkimin Europian, sepse, në fund të fundit, ata ishin europianë, ishim nga Europa dhe gjithmonë kishin menduar se ishin pjesë e saj”, u shpreh znj. Todorova. Ajo thotë më tej se “kjo ishte një pritshmëri më se spontane dhe ne u ndiem të gjithë të tradhtuar në momentin kur në vitet 1990, BE-ja na kërkoi që t’i nënshtroheshim ‘europianizimit’ para se të quheshin zyrtarisht ‘europianë’. Ndiheshim të poshtëruar por duhej ta pranonim këtë ‘shuplakë’ nga vëllezërit dhe motrat tona më të sofistikuara, më të zhvilluara dhe më të pasura nga Europa.

Ne filluam t’i referohemi “demokracisë së tyre të përparuar” sikur të ishte modeli më i mirë dhe i vetëm drejt mirëqenies dhe zhvillimit të mëtejshëm (i cili kohët e fundit është vërtetuar se është shumë më i prekshëm, i paqëndrueshëm dhe i ndjeshëm ndaj sundimeve të ekstremit të djathtë). Por, aq e fortë ishte trysnia e europianizmit, sa ne vërtet filluam të besojmë në inferioritetin tonë të lindur.

Prandaj, ne ndërmorën rrugën e transformimit kolosal, çmontuam sistemin tonë socialist, privatizuam të gjitha industritë tona, shkurtuam buxhetet për shërbimet themelore si arsimi dhe kujdesi shëndetësor, mësuam se si të jemi konservatorë të vërtetë, duke braktisur idealet e barazisë gjinore dhe sekularizmin e fortë që i kishim trashëguar nga gjysmë shekulli socializëm.

Mbi themelet e një sistemi tjetër, edhe pse bëhej fjalë për një sistem të zhvilluar dhe në mes të situatës kaotike që sollën vitet e konfliktit, ne pritej që të ndërtonim nga e para një demokraci liberale, plotësisht të zhvilluar perëndimore, edhe pse ne po përballeshim me barrën e rëndë të thellimit të nivelit të varfërisë dhe të traumës që na shkaktoi një transformim i tillë.

Shoqëria jonë po shkatërrohej, ndërkohë që ne pritej që të ndërtonim një shoqëri të re, të krijonim institucione të reja dhe të formësonim një mentalitet të ri, sikur të kishte diçka thellësisht të gabuar ose ‘jo-europiane’ në lidhje me mentalitetin tonë të mëparshëm”.

Ky proces gjatë të cilit shkatërrohej një sistem i mëparshëm dhe ndërtohej një sistem krejtësisht i ri, u quajt me eufemizëm “tranzicion”. Ashtu siç shumë prej nesh mund të kishin parashikuar, një proces i tillë nuk u krye as brenda një kohe shumë të shkurtër dhe mbi të gjitha, as në mënyrë të suksesshme, sepse konkurrenca nuk ishte aspak e drejtë.

Hapja e tregjeve tona drejt kapitalizmit të zhvilluar të Perëndimit dhe ndërmarrja e reformave neo-liberale i shteroi burimet tnjerëzore dhe ekonomike ndërsa ne vazhdonim të përpiqeshim me të gjitha forcat tona. Ndërkohë, ndikimet konservatore “jo-europiane” u përhapën kryesisht në rajonet laike dhe ato multikulturore të ish-Jugosllavisë.

Forcat e tjera gjeopolitike, ndikimi i të cilave e frikësonte BE-në si Rusia, Kina, Turqia, Arabia Saudite, etj, arritën të ndërhyjnë dhe sabotojnë procesin e panevojshëm të “europianizimit”, që Perëndimi e kishte kërkuar me aq insistim. Në këtë periudhë të gjatë pritjeje, teksa ne bënim hapa para dhe mbrapa në Dhomën e Pritjes së BE-së, nisëm dalëngadalë “t’i largoheshim europianizimit”.

Sot, pas gjithë asaj që ndodhi, është e qartë se BE-ja nuk do të arrijë stabilitet dhe prosperitet, vetëm nëse ajo do të përpiqet të krijojë një territor me të vërtetë të unifikuar në kontinent. Bashkimi i territoreve të pazhvilluara, që nuk janë pjesë e BE-së dhe janë ende të hapura ndaj ndikimeve konservatore “jo-europiane” do të shoqërohet, në mënyrë të pashmangshme, me pakënaqësi të shumta.

Në mënyrë që Bashkimi Europian të arrijë të funksionojë ashtu siç duhet, ai duhet të rikrijojë fillimisht veten.

Në vend që ta shohë veten si një klub elitar, ai duhet të përdorë një qasje gjeopolitike më integruese dhe të pranojë faktin se mund të bëhet shumë më shumë se sa thjesht nocioni i “Europianizimit”.

Katerina Kolozova është profesore e filozofisë dhe teorisë politike në Maqedoni

Zaev: Pas asaj që ndodhi në Shqipëri, BE më detyroi të pezulloja Vettingun

Eksperienca shqiptare me vetting-un në drejtësi dhe problemet që ajo shfaqi kanë detyruar BE të pezullojë aplikimin e të njëjtës reformë në shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë ekskluzive për A2, kryeministri Zoran Zaev pranon se ishte Brukseli që e frenoi në nisjen e këtij procesi.

“Unë e pata premtuar në zgjedhje, jo vetting, por atë që e cilësoj njohje e së drejtës për t’u rizgjedhur e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ishte pjesë e programit. Por, kur mora detyrën, BE nuk dha mundësi të nisja procesin. Pse? Sepse ndoshta duhet të ndiqnin si po shkonte në Shqipëri, si do të mbyllej. Ata na thanë se nuk keni njerëz, nuk keni si të plotësoni vendet që do të mbeten bosh” – tha Zaev.

Nuk e mohon se bashkimi në të ashtuquajturin Shengen Ballkanik synon shtimin e presionit ndaj Unionit Europian për të përshpejtuar procesin e integrimit.

“Të bësh presion është mirë. Shpresoj, presion pozitiv. Por ata do të shohin më shumë luftë ndaj korrupsionit. Do të shohin se vlerësojmë taksat e paguara nga qytetarët në Francë apo Gjermani, si ne ndërtojmë rrugë, autostrada, sepse ata kanë shpenzuar shumë para në rajon. Ata do të shohin se ne vlerësojmë. Ne shpresojmë që të ketë impakt pozitiv tek Bashkimi Europian, por më së pari ne e bëjmë këtë për qytetarët tanë”.

Zbulon se ideja e Shengenit Ballkanik lindi gjatë një takimi në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.

“Ne u takuam aty, po pinim verë dhe nisëm të flisnim për këtë. Biseduam për procesin e Berlinit, për integrimin europian, Vuçiç na tha se do të zhgënjeheni, ndërsa ne besonim kaq shumë. Gjatë këtyre diskutimeve, folëm për krijimin e One Stop Shop me Maqedoninë dhe të përgatiteshim dhe me Shqipërinë. Dhe vlerësuam se nuk është mjaftueshëm. Disa e quajnë Mini Shengen, disa Mini Jugosllavi, disa të tjerë nuk e di se çfarë. Është përshpejtim i bashkëpunimit rajonal”.

Konfirmon se asnjëherë nuk e ka mbështetur idenë e ndarjes së Tiranës dhe Shkupit në rrugën drejt BE.

“Ka patur shumë diskutime nga vendet anëtare. Kur më kanë pyetur, qëndrimi im ka qenë: mos e bëni këtë. Ne duhet të shkojmë bashkë. Pse të diskutojmë? Miqtë kujdesen për njëri-tjetrin”.

Mik konsideron dhe Edi Ramën dhe thotë se nuk kishte arsye për të dhënë dorëheqjen, njësoj siç veproi Zaev.

“Ishte një situatë ndryshe. Edi ka më shumë shanse të fitojë në Shqipëri. Unë e di, e ndjek, sepse është fqinji im. Unë kam më pak shanse të fitoj në zgjedhje. Shqipëria ka reformat e saj, sukseset e saj. Është ndryshe”.

Zoran Zaev këmbëngul disa herë se është krenar që ka mbështetjen e shqiptarëve dhe shfaqet optimist se njësoj do të jetë edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Në shtëpinë e deputetes Remenski janë gjetur materiale për lëndët “Monstra” dhe “Kumanova”

Dokumente konfidenciale që kanë të bëjnë me rastin “Monstra” dhe rastin e Kumanovës janë gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së deputetes së LSDM-së, Frosina Remenski, e cila është në mesin e të dyshuarëve në rastin “Reket”, shkruan portali MKD. Prokuroria ka konfirmuar informacionet, por duke mos dhënë detaje.

Remenski është e dyshuar në rastin “Reket”, pasi që ajo ishte kryetare nderi e organizatës joqeveritare “Lidhja Ndërkombëtare” të Bojan Jovanovskit – Boki. Prokuroria në përgjigjen e saj ka thënë se gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuares janë gjetur dokumente dhe se për këtë janë njoftuar institucionet përgjegjëse, se nga kanë dalur ato dosje. Megjithatë Prokuroria përgënjeshtron dhe nuk di se a bëhet fjalë për dokumente për rastin “Monstra” dhe rastin e Kumanovës të 9 majit të 2015. Sipas portalit MKD, bashkëshorti i deputetes Remenski, Jovçe Remenski deri pak muaj më parë ishte ndihmës drejtor në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.

Kryeministri Zaev mori pjesë në forumin e biznesit Maqedoni e Veriut-Rusi

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka marrë pjesë në forumin e biznesit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë, i cili mbahet në kuadër të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, i cili zyrtarisht fillon nesër në Ohër, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij hyrëse, Zaev tha se raportet mes dy vendeve kanë traditë të miqësisë, duke shtuar se ka potenciale të mëdha të pashfrytëzuara. Zaev gjithashtu shprehi kënaqësinë e organizimit të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, i cili aktivizohet pas një pauze 5-vjeçare.

 

“Është një nder i veçantë që sot të përshëndes edhe punën e sesionit të 9-të të komisionit ndërqeveritar për bashkëpunim ekonomik, tregtar, shkencor dhe teknik mes vendit tonë dhe Rusisë mike. Raportet mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Federatës Ruse janë tradicionalisht miqësore dhe ato i karakterizon një frymë pozitive, por edhe potenciale të pashfrytëzuara”, tha Zaev.

Duke përmendur të dhënat statistikore që thonë se shkëmbimi tregtar me Rusinë përbën vetëm 1 për qind nga shkëmbimi i përgjithshëm tregtar i Maqedonisë së Veriut, kryeministri Zaev theksoi se kjo është tejet e ulët dhe paraqet një sfidë për bashkëpunim më thelbësor.

I pyetur pas ngjarjes nëse riaktivizimi i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar mes Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë paraqet ndonjë lloj përgjigje ndaj Bashkimit Evropian (BE), Zaev tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë porosi të këtillë dhe se alternativa e vetme e vendit mbetet BE dhe NATO.

Në forumin e biznesit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë, përpos kryeministrit Zaev, të pranishëm ishin edhe zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, dhe ministra tjerë. Nga pala ruse, të pranishëm ishin zv/ministri i industrisë dhe tregtisë i Rusisë, Alexey Gruzdev, ambasadori i Rusisë në Shkup, Sergei Bazdnikin, si dhe afaristë të shumtë.

Presidenti maqedonas: Nuk ka ‘vdekur’ ideja e rrezikshme e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski deklaroi se ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ‘vdekur’ ende.

Pendarovski ka thënë në RTSH se kjo ide vazhdon të diskutohet nga politikanë e ekspertë të rajonit.
“Jo, ende jo (nuk ka vdekur ideja e shkëmbimit të territoreve). Ju e dini që kjo ide erdhi publikisht nga nivelet më të larta të mundshme politike, erdhi nga ish-këshilltari për Sigurinë kombëtare i presidentit amerikan, z. John Bolton. Ai tashmë nuk është pjesë e administratës për arsye krejt të tjera, por aty-këtu dëgjoj njerëz nga rajoni, politikanë, ekspertë, që ende rreken me këtë ide”, -tha Pendarovski, ndërsa ka theksuar se “kjo është ide e rrezikshme”.

Ai ka thënë se mënyra për t’i bindur bashkëbiseduesit, gjegjësisht Kosovën dhe Serbinë, se kjo është një ide e rrezikshme, është se shpërndarja etnike e popullsisë në rajon nuk guxon të ndodhë pasi që ajo sjell efektin domino.

“Së pari, nuk mund të ndjekësh shpërndarjen etnike të popullsisë në rajon. Nëse ti e nis diku, për shembull në Kosovë dhe do të vijosh pastaj me zona të tjera, çdokush e di që në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë në vetvete, ne jemi heterogjenë në pikëpamjen etnike dhe fetare. Prandaj, teza ime kryesore është se do të doja të shihja që problemi i Kosovës, problemi ndërkombëtar i Kosovës, të zgjidhet. Pse?! Sepse të dyja këto vende janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë. Ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. E njëjta gjë me Serbinë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të kemi marrëdhënie dypalëshe shumë të mira me të dyja vendet, dhe për ata që të kenë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe me njëri-tjetrin. Por nuk është gjë e mirë që të mbyllësh një problem, problemin e Kosovës dhe të hapësh 2 apo 3 probleme të tjera në rajon. Ju e dini, sikundër dhe unë, që rreth 30 vjetët që kanë kaluar na kanë treguar se pa një përfshirje serioze të SHBA-së nuk është e mundur që BE-ja e vetme t’i zgjidhë krizat dhe problemet e kësaj natyre. Ne patëm një krizë tonën në vitin 2001, patëm konflikt në territorin tonë dhe pas kësaj nënshkruam marrëveshjen kornizë të Ohrit dhe atëherë ndërmjetësuesi i BE-së punonte ngushtësisht me ndërmjetësin amerikan. Unë nuk mendoj që pa një përfshirje aktive nga Uashingtoni, do të shohim një zgjidhje të qëndrueshme të këtij procesi”, -deklaroi presidenti maqedonas, Pendarovski.

Çfarë po fshihet? Maqedonia e Veriut i vetmi vend në Evropë pa regjistrim të popullsisë

“Për shkak të zgjedhjeve të reja parlamentare që do të mbahen më 12 prill regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut mund të shtyhen për vitin 2021”. Kështu u shpreh sot kryeministri i vendit, Zoran Zaev, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Siç shkruajnë mediat fqinje, Zaev paralajmëroi takim me drejtorin e Entit Shtetëror për Statistikë, në të cilin, siç tha ai, do të konfirmohen rregullat dhe do të sillet vendim për nënshkrimin.

Maqedonia e Veriut ka shënuar një rekord të pa parë. Ajo është vendi i vetëm në Evropë në të cilin nuk është realizuar regjistrimi i popullsisë për më shumë se një dekadë, raporton INA.

Por sa banorë ka Maqedonia? Këtë askush nuk e di me saktësi. Sipas një vlerësimi të Entit Shtetëror të Statistika në Maqedoninë e Veriut tregohet se në këtë shtet jetojnë 2.072.490 banorë të regjistruar, ndërsa dendësia e popullsisë është 80.6 banorë për kilometër katror.

Por këto nuk janë statistika të sakta dhe zyrtare për faktin se tashmë 15 vite nuk është bërë regjistrimi i popullsisë, edhe pse një gjë e tillë është kërkuar nga Bashkimi Evropianë. Sipas regjistrimit të vitit 2002 në Maqedoni jetojnë 2.022.547 banorë, prej të cilëve 65 % maqedonas, 25,17 % shqiptarë, 3,85 % turq, 2,66 % romë, 1,78 serbë % dhe komunitete tjera pakicë.

Organizatat ndërkombëtare, por edhe ato vendore kërkojnë që të realizohet regjistrimi për të pasur një pasqyrë të saktë për popullsinë si dhe aspektet se sa komunitete jetojnë, si janë trendet ekonomike dhe sociale si dhe shumë çështje tjera. Por problem në vend është edhe fakti se sa është numri i votuesve në Maqedoni, pasi që nga 2.1 milionë banorë, rreth 1.8 milionë janë votues.

Shkup: Gjykata Kushtetuese së shpejti shqyrton Ligjin e gjuhëve

Dhjetëra iniciativa të përfshira në një lëndë, të dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese nga persona të cilët kontestojnë kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, së shpejti do të vendosen në rend dite. Ndër ata që kontestojnë kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është edhe partia politike“ E majta”, të cilët ligjin në fjalë e quajnë kontrovers.

Sipas tyre ligji mori mendim negativ nga Komisioni i Venecias, kaloi ilegalisht në Kuvendin e Maqedonisë dhe më pas u publikua në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e nevojshëm të presidentit. Nga Gjykata Kushtetuese kanë thënë për Alsat se do të shqyrtohen të gjitha aspektet e iniciativave të dorëzuara nga dhjetëra personë fizik, por se më shumë detaje do të kenë vetëm pasi lënda të kalojë në rend dite.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut mbahen më 12 prill

Partitë e pushtetit dhe të opozitës në Maqedoninë e Veriut ranë dakord të dielën në mbrëmje për datën e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare dhe kjo do të jetë 12 prilli i vitit të ardhshëm.

Në takimin e thirrur nga presidenti Stevo Pendarovski çështja e zgjedhjeve ishte si temë e dytë pas asaj të dështimit për marrjen e datës së bisedimeve nga Bashkimi Evropian.

Data e zgjedhjeve është pranuar me konsensus nga të gjithë pjesëmarrësit në takim: Zoran Zaev, kryeministër dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së opozitare, Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Zijadin Sela kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Afrim Gashi i Alternativës, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa dhe Menduh Thaçi i Partisë Demokratike Shqiptare.

Në bazë të marrëveshjes së para disa viteve të njohur si e “Përzhinës”, tre muaj para datës së zgjedhjeve Kryeministri duhet të japë dorëheqje dhe të formohet një qeveri teknike, ku do të përfshihet edhe opozita. Kështu, qeveria teknike duhet të formohet më 3 janar.

Zoti Zaev ka theksuar në takim se partia e tij është e gatshme të pranojë një njësi të vetme zgjedhore ose listat e hapura.

Maqedonia e Veriut aktualisht ka gjashtë njësi zgjedhore dhe secila dërgon nga njëzet deputetë në parlamentin republikan.

Drejtuesi i opozitës, Hristijan Mickovski u tha gazetarëve se me rëndësi është që u caktua data e zgjedhjeve të parakohëshme, teksa hodhi poshtë akuzat që i ishin bërë nga zyrtarë të LSDM-së se ai të ishte gëzuar që vendi nuk mori datën për negociatat me BE-në.

Kryetari i BDI-së, Ai Ahmeti u shpreh se takimi kishte kaluar në mënyrën më të mirë të mundëshme. Ai, si edhe shumica e drejtuesve të tjerë partiakë, vlerësoi se çështja e censusit nuk do të jetë lehtë të realizohet, sipas planeve paraprake, përkatësisht në pranverën e vitit 2020 për shkak të zgjedhjeve të parakohëshme, por i vetmi Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët konsideron se censusi do të mund të bëhej në mënyrë paralele me përpagtitjet e zgjedhjeve.

Partitë e opozitës për muaj të tërë kanë kërkuar zgjedhje të parakohëshme, duke e kritikuar qeverinë e zotit Zaev për skandale korrupsioni, nepotizëm dhe paaftësi për realizimin e reformave që do ta çonin vendin drejt integrimit evropian.

Nga ana tjetër, ka analistë të cilët vlerësojnë se zgjedhjet e parakohëshme do të zvarrisin reformat në vend. zëri i amerikës

Shkup – Takimi i parë i liderëve pa ndërmjetësim ndërkombëtar

Takimi i parë i organizuar nga kryetari Stevo Pendarovskit sot në orën 17:00, është takimi i parë në këtë format që nga pavarësia e Maqedonisë.

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, takim liderësh të organizuar nga kryetari i shtetit nuk ka ndodhur asnjëherë.

Ndryshe, takime liderët muajin e kaluar ka pasur Zaevi dhe Mickoski rreth Ligjit për Prokurori Publike ndërsa në janar të vitit 2018 kishte takim liderë për emrin e shtetit.

Gjatë vitit 2015 kishte takim liderësh në Përzhino ku mori pjesë edhe euro komisari për zgjerim, Johahnes Hahn.

Zaev propozon zgjedhje të parakohshme

Shkup
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev: Propozoj të organizohen zgjedhje të parakohshme sa më parë që të jetë e mundur.

Kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në Qeveri sot tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ky propozim i tij vjen pasi që dje nuk u mor data për fillimin e negociatave me BE-në.

“Duke parë zhvillimet që ndodhën dhe pas konsultave që kam zhvilluar zgjidhja më e mirë dhe për të mos humbur kohë janë zgjedhjet e parakohshme”, theksoi Zaev.

Ai tha se me këtë propozim do të shkojë edhe në takimin e nesërm të liderëve të thirrur nga presidenti Pendarovski.

“Para dy dite Brukseli na bëri padrejtësi, ne kemi kryer të gjitha obligimet. Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Ky është një gabim historik i Evropës. Falënderojmë shumicën e liderëve të Evropës. Kjo është një vendim i Evropës dhe problemeve të tyre të brendshme. Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve. Ëndrra evropiane e Maqedonisë nuk do të shuhet. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve”- tha mes tjerash Zaev.

“Duhet më shumë të vazhdojmë me reformat pasi që aspiratat tona për BE nuk janë vetëm për tu anëtarësuar ne duhet të sjellim Evropën tek qytetarët . Nëse jemi të mençur do të iu tregojmë të gjithëve se kështu të de-motivuar do të vazhdojmë me reformat. Sepse vetëm kështu qytetarët do të ndjejnë Evropën. Marrëveshja e Prespës gjithsesi se do të vazhdon me siguri që është bërë për Evropën por që kemi lëvërdi ekonomike, Marrëveshja duhet të vazhdoj të implementohet.

Në pyetjen për qëndrimin skeptik të Makronit për zgjerimin e BE-së, Zaev tha se nuk ka dilema dhe se vendi ynë do të bëhet anëtare një ditë dhe këtu s`ka dilema.

“Këtu do të bëhet si Evropë këtë duhet ta vazhdojmë. Delegacioni evropian qendrën këtu. Unë e kuptoj dilemat e Francës por 27 shtete ishin pro. Evropa është bërë me qëllime të jetë e fortë. Mbrëmë më janë lajmëruar gati se të gjithë liderët për të na inkurajuar”-tha mes tjerash Zaev.

Jep dorëheqjen kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka dhënë dorëheqjen.

“Kjo është ajo që mësohet nga burimet diplomatike evropiane në margjinën e samitit të BE-së, ku Shtetet Anëtare nuk kanë arritur një marrëveshje për të filluar negociatat e pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë”, shkruan “ANSA”.