VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Majmunët terrorizojnë fermerët, shkatërrojnë të korrat në fshatrat e Tanzanisë

By | November 19, 2021
blank

Komentet

blank

Shtëpia e Bardhë: SHBA e shqetësuar se Rusia po përgatit një sulm ndaj Ukrainës

Një marins qëndron roje në hyrjen e krahut perëndimor të Shtëpisë së Bardhë

Marrë nga Reuters

Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin se Rusia mund të jetë duke u përgatitur të ndërhyjë së shpejti në Ukrainë, duke fabrikuar një pretekst për luftë nëse diplomacia nuk arrin të përmbushë objektivat e saj, tha Shtëpia e Bardhë të premten.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara, aleatëve të saj evropianë dhe Rusisë rreth vendosjes së dhjetëra mijëra trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës përfunduan pa rezultat këtë javë, pa plane konkrete për t’u takuar përsëri. Sulmi kibernetik kundër Ukrainës i ka ndezur më tej tensionet.

Një zëdhënës i Këshillit të Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare tha se nuk ishte ende e qartë se kush ishte përgjegjës për sulmin kibernetik, por se presidenti Joe Biden ishte informuar për të.

“Ne jemi në kontakt me ukrainasit dhe kemi ofruar mbështetjen tonë ndërsa Ukraina heton lidhur me pasojat dhe natyrën e tij dhe merr masa kundër incidenteve”, tha zëdhënësi.

Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike për Rusinë nëse presidenti rus Vladimir Putin ndërmerr një ndërhyrje në Ukrainë. Rusia mohon të ketë plane për të sulmuar Ukrainën dhe i ka kërkuar NATO-s të ndalë zgjerimin e saj drejt lindjes dhe të japë garanci sigurie që ka propozuar Rusia. Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja i kanë refuzuar kërkesat.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se qeveria ruse mund të jetë duke u “përgatitur për një ndërhyrje në Ukrainë që mund të rezultojë në shkelje të gjera të të drejtave të njeriut dhe krime lufte nëse diplomacia nuk arrin të përmbushë objektivat e saj.”

“Si pjesë e planeve të saj, Rusia po krijon terrenin që të sajojë një pretekst për pushtim, përfshirë aktivitete sabotuese dhe operacione informative, që t’i përdorë më pas për të akuzuar Ukrainën për përgatitjen e një sulmi të afërt kundër forcave ruse në Ukrainën lindore.” tha zonja Psaki.

Ushtria ruse “planifikon t’i fillojë këto aktivitete disa javë përpara një ndërhyrjeje ushtarake, që mund të fillojë nga mesi i janarit deri në mes të shkurtit,” tha ajo.

Zëdhënësja tha se nëse Presidenti rus Vladimir Putin ndërmerr hapa të tillë, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen ashpër.

“Nëse ata vendosin të angazhohen në negociata dhe bisedime diplomatike, ne do të jemi shumë të hapur dhe shpresojmë që (Moska) ta bëjë një gjë të tillë. Por në fund të fundit, është një zgjedhje që u takon atyre,” tha ajo.

Operacion i mundshëm provokues

Një zyrtar amerikan tha se Shtetet e Bashkuara kanë informacione që tregojnë se Rusia ka pozicionuar tashmë një grup operativësh për të kryer një operacion provokues në Ukrainën lindore.

“Operativët janë të trajnuar në luftën urbane dhe në përdorimin e eksplozivëve për të kryer akte sabotimi kundër forcave pro-ruse” tha zyrtari, i cili foli me kushtin që të mos identifikohet.

Zyrtari tha gjithashtu se të dhënat tregojnë se “aktorë të përpjekjeve të ndikimit rus tashmë kanë filluar të fabrikojnë provokime në mediat shtetërore dhe sociale për të justifikuar një ndërhyrje ruse dhe për të shkaktuar përçarje në Ukrainë.”

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se duke u nisur nga shembujt e historisë, vështirë që këto lloj aktivitetesh të bëhen pa dijeninë e udhëheqësve të lartë rusë.

I pyetur nëse ushtria amerikane do të vazhdojë të mbështesë forcat ukrainase në rast të një pushtimi rus, zoti Kirby tha: “Ne i kemi dhënë dhe do të vazhdojmë t’i ofrojmë ndihmë sigurie Ukrainës për mbrojtjen e saj.”VOA

blank

SHBA: Me Rusinë jemi të gatshëm edhe për diplomaci edhe për sanksione

Washington DC

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, ka deklaruar se me Rusinë janë të gatshëm edhe për diplomaci mbi çështjen e Ukrainës, por edhe për sanksione ekonomike në rast të pushtimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të rregullt për media, Sullivan vlerësoi bisedimet e zhvilluara mbi Ukrainën me Rusinë në Gjenevë, Bruksel dhe Vjenë.

Sullivan tha se në takimet në fjalë edhe SHBA-ja edhe Rusia shprehën çështjet e tyre shqetësuese, si dhe shtoi se gjithashtu u shprehën hapur edhe fushat në të cilat mund të arrihet ose që nuk mund të arrihet përparim.

“Bisedimet ishin të sinqerta dhe të drejtpërdrejta. Ishin bisedime të dobishme. Neve dhe Rusisë na dhanë materiale mbi të cilët të mendohemi”, tha Sullivan.

Pasi bëri të ditur se pas bisedimeve do të flasin me aleatët e tyre se si do të vazhdojë procesi, Sullivan tha: “Jemi të gatshëm për diplomaci për zhvillimin e sigurisë dhe stabilitetit euro-atlantik. Në të njëjtën mënyrë jemi të gatshëm të japim kundërpërgjigje nëse Rusia zgjedh një rrugë tjetër. Bashkëpunimi ynë intensiv vazhdon me partnerët tanë për sanksionet e ashpra ekonomike që do zbatohen në rast se Rusia pushton Ukrainën”.

“Rreziku i pushtimit është akoma i lartë”

Sullivan theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

“Rusisë i shprehëm hapur kostot dhe pasojat e ndërhyrjes ushtarake”, shtoi Sullivan.

Më tej, Sullivan njoftoi se për vazhdimin e bisedimeve me Rusinë nuk kanë përcaktuar një datë të re dhe se kontaktet e tyre do të vazhdojnë edhe me aleatët e tyre edhe me Rusinë.

Ai theksoi se inteligjenca e SHBA-së nuk ka arritur ende një gjykim përfundimtar se Rusia do të pushtojë Ukrainën. Ai shtoi se Rusia ka grumbulluar në kufi dhjetëra mijëra ushtarë dhe se rreziku i pushtimit është akoma i “lartë”.

blank

Pasaportat më të fuqishme dhe më të “këqija” në botë për vitin 2022

Ekziston një hendek në rritje midis veriut global dhe jugut global kur bëhet fjalë për liritë e udhëtimit, thotë raporti i parë i vitit 2022 nga firma këshilluese globale për qytetarinë dhe vendbanimin me qendër në Londër, Henley & Partners.

Indeksi i pasaportave Henley, bazuar në të dhënat ekskluzive të ofruara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), ka monitoruar rregullisht pasaportat më të përshtatshme për udhëtime në botë që nga viti 2006.

Sipas kësaj firme, rritja e barrierave të udhëtimit që janë futur gjatë rrjedhës së pandemisë Covid kanë rezultuar në hendekun më të madh global të lëvizshmërisë në historinë 16-vjeçare të indeksit.

Indeksi nuk merr parasysh kufizimet e përkohshme, kështu që duke lënë mënjanë aksesin aktual të udhëtimit, mbajtësit e pasaportave në krye të renditjes — Japonia dhe Singapori — janë në gjendje, teorikisht, të udhëtojnë pa viza në 192 destinacione.

Europa dominon

Më poshtë në top 10, renditja mbetet praktikisht e pandryshuar ndërsa hyjmë në tremujorin e parë të 2022. Koreja e Jugut është e barabartë me Gjermaninë në vendin e dytë dhe Finlanda, Italia, Luksemburgu dhe Spanja janë të gjitha së bashku në vendin e tretë.

Vendet e BE-së dominojnë në krye të listës si zakonisht, me Francën, Holandën dhe Suedinë që ngjiten nga një vend për t’iu bashkuar Austrisë dhe Danimarkës në vendin e katërt.

Irlanda dhe Portugalia janë në vendin e pestë.

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë rifituar pak terren. Ata janë ngritur një renditje në vendin e gjashtë, së bashku me katër kombe të tjera me një histori izolacioni ose neutraliteti: Zvicra, Norvegjia, Belgjika dhe Zelanda e Re.

Në numrin 7 kemi Australinë, Kanadanë, Çekinë, Greqinë dhe Maltën. Vendet e Evropës Lindore përbëjnë pjesën tjetër të 10-shes së parë.

Hungaria dhe Polonia janë ngjitur në vendin e tetë, Lituania dhe Sllovakia janë ngjitur në vendin e 9-të dhe Estonia, Letonia dhe Sllovenia janë në vendin e dhjetë.

Raporti i fundit vë në dukje se shfaqja në fund të vitit të kaluar e variantit Omicron hodhi dritë mbi një ndarje në rritje të lëvizshmërisë ndërkombëtare midis vendeve më të pasura dhe atyre të varfra, duke çuar drejt kufizimeve të ashpra të vendosura kundër kombeve kryesisht afrikane që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i përshkroi si duke qenë e ngjashme me “aparteidin e udhëtimit”.

Përveç pandemisë, nivelet e përgjithshme të lirisë së udhëtimit janë zgjeruar jashtëzakonisht gjatë dy dekadave të fundit. Indeksi i pasaportave Henley zbuloi në vitin 2006 se një individ mund të vizitojë mesatarisht 57 vende pa pasur nevojë të marrë vizë paraprakisht. Sot, ky numër është 107 — pothuajse dyfishi.

Christian H. Kaelin, kryetar i Henley & Partners dhe krijues i konceptit të indeksit të pasaportave, thotë se hapja e kanaleve të migracionit do të jetë vendimtare për rimëkëmbjen pas pandemisë.

“Pasaportat dhe vizat janë ndër instrumentet më të rëndësishme që ndikojnë në pabarazinë sociale në mbarë botën, pasi ato përcaktojnë mundësitë për lëvizshmëri globale,” thotë ai.

“Kufijtë brenda të cilëve ne kemi lindur dhe dokumentet që kemi të drejtë të mbajmë, nuk janë më pak arbitrare se ngjyra e lëkurës sonë. Shtetet më të pasura duhet të inkurajojnë migrimin pozitiv të brendshëm në një përpjekje për të ndihmuar në rishpërndarjen dhe ribalancimin e burimeve njerëzore dhe materiale në mbarë botën.”

Pasaportat më të mira në vitin 2022 janë:

1. Japoni, Singapor (192 destinacione)
2. Gjermania, Koreja e Jugut (190)
3. Finlandë, Itali, Luksemburg, Spanjë (189)
4. Austria, Danimarka, Franca, Holanda, Suedia (188)
5. Irlandë, Portugali (187)
6. Belgjika, Zelanda e Re, Norvegjia, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara (186)
7. Australi, Kanada, Republika Çeke, Greqi, Maltë (185)
8. Polonia, Hungaria (183)
9. Lituani, Sllovaki (182)
10. Estonia, Letonia, Sllovenia (181)

Po, pasaportat më të këqija që kufizojnë lëvizjen në sa më shumë destinacione?

104. Koreja e Veriut (39 destinacione)
105. Nepali dhe territoret palestineze (37)
106. Somali (34)
107. Jemeni (33)
108. Pakistan (31)
109. Siri (29)
110. Irak (28)
111. Afganistan (26)

a.m/dita

blank

“Ka rrezik real për plasjen e një lufte të re në Evropë”, thotë Stoltenberg për konfliktin Rusi-Ukrainë

NATO ka shprehur vullnetin për të biseduar me Rusinë mbi kontrollin e armëve dhe zhvillim e raketave.

Është Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, ai i cili ka thënë se Moska nuk mund të përdorë veto për anëtarësimin e Ukrainës në këtë aleancë.

Ai madje ka paralajmëruar për rrezikun që situata në mes të Rusisë dhe Ukrainës të përfundojë me luftë.

“Ekziston rreziku real për një luftë të re të armatosur në Evropë”, është shprehur Stoltenberg në konferencë për media.

“Ekziston dallimet thelbësore në mes të aleatëve të NATO-s dhe Rusisë. Dallimet tona nuk do të jetë e lehtë që të kapërcehen, por që është shenjë pozitive që të gjithë aleatët dhe Rusia janë ulur në të njëjtën tryezë dhe janë të angazhuara në tema substanciale”.

Stoltenberg ka thënë se NATO është e gatshme gjithmonë për t’u dalë në mbrojtje aleatëve.

blank

Cilat janë synimet gjeostrategjike të Rusisë?

VOA

Hartuesit e politikave perëndimore mbeten po aq të paqartë për synimet gjeopolitike të Rusisë sot, sa ç’ishin homologët e tyre në prag të Luftës së Ftohtë dyzet vjet më parë.

A po përgatitet Kremlini të ndërmarrë një ndërhyrje në territorin e fqinjit të tij Ukrainës, e cila gjithnjë e më shumë e sheh veten si pjesë e Perëndimit, nëse refuzohen garancitë gjithëpërfshirëse të sigurisë që ka kërkuar Rusia?

Apo është grumbullimi i trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës një mënyrë për të treguar forcë, një manovër e Presidentit Vladimir Putin për të siguruar sa më shumë lëshime nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë në tryezën e bisedimeve?

Këto pikëpyetje mund të fillojnë të marrin përgjigje duke filluar nga e hëna që shënoi fillimin e bisedimeve mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë në Gjenevë, ku do të diskutohen kërkesat e Kremlinit që NATO-ja të tërheqë pranitë ushtarake nga vendet ish-sovjetike të Evropës Qendrore, si edhe mënyrat për të ulur tensionet mbi Ukrainën.

Edhe rreth tetë dekada më parë, hartuesit e politikave perëndimorë po përpiqeshin të deshifronin synimet e diktatorit të atëhershëm komunist sovjetik Josif Stalin, trashëgiminë e të cilit presidenti Putin është përpjekur ta rehabilitojë në Rusi.

Guy Liddell, një zyrtar i lartë i zbulimit britanik, shkruante në ditarin e tij në shkurt 1948 se sa e vështirë ishte të kuptohej nëse Rusia Sovjetike po planifikonte ndonjë agresion ushtarak.

Megjithëse Kremlini kishte këmbëngulur se synimet e tij ishin paqësore dhe tha se manovrat e Moskës ishin “për mbrojtje strategjike”, zoti Liddell komentonte në ditarin e tij se veprimet ruse – që nga përgatitjet ushtarake tek fushatat propagandistike, nga ndërhyrjet tek “përpjekjet për përçarje” – dukeshin si një “politikë e planifikuar për agresion” dhe fuqitë perëndimore nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të përgatiteshin për skenarin më të keqen dhe të qëndronin vigjilentë.

Vetëm dy javë më pas komunistët e drejtuar nga Kremlini morën kontrollin përfundimtar të qeverisë së Çekosllovakisë. Përmbysja e e demokracisë së fundit që kishte mbetur në Evropën Lindore, kompletoi ndarjen e Evropës, duke ngrirë dy gjysmat e kontinentit në një Luftë të Ftohtë prej katër dekadash.

Hartuesit e politikave janë të ndarë tani në lidhje me synimet e Presidentit Putini me grumbullimin e më shumë se 100,000 trupave në kufijtë e Ukrainës dhe lidhur me pyetjen nëse konsolidimi ushtarak është e nxitur nga ndonjë kapriço apo ndonjë ndjenjë pasigurie, pavarësisht nëse është e justifikuar ose jo.

Evropa

Disa diplomatë perëndimorë druhen se qëllimi i presidentit rus mund të jetë që bisedimet të dështojnë, në mënyrë që ta përdorë si pretekst për të depërtuar më thellë në Ukrainë, një përsëritje e skenarit të vitit 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe pushtoi një pjesë të madhe të rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore.

Ata gjithashtu po peshojnë se çfarë opsionesh kanë në dispozicion për ta penguar zotin Putin të bëjë ndonjë lëvizje dramatike ushtarake në Ukrainë.

Dhe megjithëse të gjithë anëtarët e NATO-s, dhe disa vende evropiane që nuk janë anëtare të saj, i janë bashkuar Shteteve të Bashkuara duke paralajmëruar për pasoja të rënda dhe sanksione ekonomike ndëshkuese në rast të një ndërhyrjeje ruse në Ukrainë, qëndrimet e aleatëve kanë disa dallime të rëndësishme në tonin e tyre. Disa udhëheqës perëndimorë janë shprehur më ashpër se të tjerët.

Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili ka kërkuar një takim me udhëheqësin rus Putin më vonë këtë muaj, ka folur për rivendosjen e marrëdhënieve me Moskën dhe për përpjekje për “një fillim të ri”, megjithëse ai gjithashtu paralajmëroi për pasoja të rënda në rast të një sulmi tjetër rus në Ukrainë.

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö, ka qenë shumë më i ashpër s në komentet e tij publike, duke përsëritur të drejtën e vendit të tij për t’u anëtarësuar në NATO-n, nëse finlandezët vendosin për një gjë të tillë, dhe duke hedhur poshtë kategorikisht kërkesat ruse që NATO-ja të mos pranojë anëtarë të rinj.

Suedia, e cila nuk është anëtare e NATO-s, por ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me aleancën, po reagon gjithashtu ashpër ndaj kërkesave të Moskës për moszgjerim të mëtejshëm të NATO-s. Ministrja e jashtme, Ann Linde, ka nënvizuar se Moska nuk ka të drejtë të diktojë se cilat vende mund të bashkohen me aleancën ushtarake transatlantike.

“Nuk duhet të varet nga Rusia nëse ne anëtarësohemi ose jo në NATO,” tha ajo të premten.

Zyrtarët e NATO-s i kanë hedhur poshtë kërkesat e sigurisë nga ana e Rusisë duke thënë se është e pamundur të plotësohen. Kërkesat përfshijnë ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s dhe tërheqjen e çdo pranie ushtarake të aleancës në shtatë nga tetë shtetet ish-sovjetike të Evropës Qendrore, të cilat i janë bashkuar aleancës perëndimore që nga viti 1999. Kremlini ka kërkuar gjithashtu tërheqjen e armëve taktike bërthamore amerikane nga Evropa, por nuk ka ofruar asnjë kufizim reciprok në arsenalin e saj të raketave taktike.

Bisedimet dypalëshe amerikano-ruse në Gjenevë, të cilat po udhëhiqen nga nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit për palën amerikane do të pasohen këtë javë nga negociatat e këshillit Rusi-NATO në Bruksel dhe një takim në Vjenë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ku përfshihen Rusia, Ukraina dhe të gjitha vendet e NATO-s.

Ato janë pjesë e një jave tdiplomacie intensive të një niveli të tillë që nuk është parë që nga Lufta e Ftohtë. Presidenti Putin duket i vendosur t’i kthejë bisedimet në një diskutim të të gjithë arkitekturës së sigurisë të Evropës, ndërsa fuqitë perëndimore duket se duan t’i kufizojnë diskutimet.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka paralajmëruar kundër “diskutimeve të pafundme”. Presidenti Putin, ka thënë gjithashtu se ai nuk do që bisedimet të zvarriten për dekada me radhë.

Disa diplomatë perëndimorë dyshojnë se Putini po përpiqet të nxitojë, sepse sfidat e tij mund të dobësojnë vendosmërinë perëndimore dhe të dëmtojnë unitetin e tij.

Por Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të dielën për CNN se qëllimi i Putinit mund të jetë “të rikthejë në sferën e ndikimit rus vendet që më parë ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik”.

Ai shtoi: “Ne nuk mund t’i rikthehemi një bote me sfera ndikimi. Ishte një formulë për destabilitet, për konflikt, një formulë që shkaktoi luftra botërore.”

Andrew Marshall i Këshillit Atlantik, thotë se zhvillimet gjeopolitike mund të sjellin ndryshime historike.

“Rezultati i kësaj mosmarrëveshjeje, mund të rishkruajë kushtet e sigurisë në kontinentin evropian për një brez të tërë – ashtu siç bënë vendimet e viteve 1990 pas përfundimit të Luftës së Ftohtë,” shprehet ai në një analizë të fundit.

Taktika perëndimore duket se është përpjekja për të tërhequr Putinin nga synimet e tij dhe për ta bindur të diskutojë për marrëveshje sigurie me interes për të dyja palët.

Analistë të tjerë besojnë se Putini është i fokusuar tek Ukraina dhe kthimi i saj në orbitën ruse dhe se kërkesat më të gjera mbi arkitekturën e sigurisë evropiane janë një rast i asaj që ish-diplomati amerikan Henry Kissinger dikur e përshkroi si tendencë ruse për të “shkelmuar të gjitha dyert për të parë se cilat prej tyre rrëzohen”.

Analisti rus Vladimir Frolov beson se Putini është i vendosur të garantojë që Ukraina të pranojë “përcaktimin e marrëdhënieve të saj me Rusinë sipas kushteve të Rusisë.”

Por ai mendon që edhe përparime më modeste në bisedime janë të pamundura.

“Përshkallëzimi mbetet i mundshëm, për shkak të kërkesave jorealiste që paraqiten me afate artificialisht të kufizuara,” thotë ai.

blank

BE dhe SHBA diskutojnë stacionimin ushtarak të Rusisë rreth Ukrainës

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, diskutuan stacionimin ushtarak të Rusisë rreth Ukrainës gjatë një bisede telefonike të shtunën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Telefonata u realizua përpara takimit të 10 janarit SHBA-Rusi mbi sigurinë, që do të mbahet në Gjenevë.

Borrell dhe Blinken riafirmuan mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe theksuan nevojën që Rusia të ulë tensionet dhe të zbatojë plotësisht marrëveshjet e Minskut, tha BE-ja në një deklaratë.

Çdo agresion i mëtejshëm ushtarak kundër Ukrainës do të ketë pasoja masive dhe kosto të rënda, thuhet në deklaratë.

Dy shefat e diplomacive kanë diskutuar gjithashtu angazhimet diplomatike dypalëshe dhe shumëpalëshe pas propozimeve të paraqitura nga Federata Ruse në lidhje me pikëpamjet e Moskës për marrëveshjet e sigurisë në Evropë.

Ata kanë nënvizuar partneritetin e qëndrueshëm të SHBA-së dhe BE-së dhe angazhimet e përbashkëta për sigurinë transatlantike dhe për t’u përballur me sfidat e përbashkëta të sigurisë.

Ata po ashtu kanë rënë dakord që çdo diskutim për sigurinë evropiane do të bëhet në koordinim dhe me pjesëmarrjen e BE-së, si dhe për të mbajtur kontakte të ngushta në të gjitha fushat prioritare.

Rusia pushtoi dhe aneksoi Gadishullin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014 dhe mbetet autoriteti de fakto atje. Moska atë vit filloi gjithashtu të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që ajo e ka vazhduar gjatë tetë viteve të fundit.

blank

Kazakistan: Zyrtarëve të sigurisë iu jepet urdhër për të shtëna pa paralajmërim

RFE/RL

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, ka thënë më 7 janar se ka lëshuar urdhër për zyrtarët e zbatimit të ligjit për të shtëna me armë zjarri pa dhënë paralajmërim, ndërkohë që shteti po përballet me protesta të paprecedentë.

Protestat kanë shpërthyer pesë ditë më parë, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.

Duke folur në një adresim televiziv, Toqaev ka thënë se i ka dhënë urdhër personelit të sigurisë për të shtëna me armë zjarri pa paralajmërim, me qëllim të parandalimit të përshkallëzimit të mëtejmë të situatës.

Sipas tij, ata që refuzojnë të dorëzohen, do të “shkatërrohen”.

Toqaev ka thënë se rregulli kushtetues është kthyer në këtë shtet të Azisë Qendrore, pas disa ditëve të trazirave të dhunshme, për të cilat Qeveria ka fajësuar “terroristët”.

“Rregulli kushtetues në thelb është rikthyer në të gjitha rajonet e shtetit. Autoritetet lokale e kanë nën kontroll situatën”, ka thënë Toqaev, gjatë një takimi për sigurinë më 7 janar, njofton zyra e tij.

“Terroristët vazhdojnë të përdorin armë dhe t’i dëmtojnë pronat e qytetarëve. Prandaj, veprimet kundër terrorizmit duhet të vazhdohen derisa të ketë shkatërrim të plotë të militantëve”, ka shtuar ai.

Protestues dhe policë të vrarë

Ministria e Brendshme ka thënë përmes një tjetër deklarate se 26 “kriminelë të armatosur” janë vrarë dhe më shumë se 3,000 të tjerë janë ndaluar.

Në njoftim është thënë se 18 zyrtarë policorë dhe trupa të gardës kombëtare janë vrarë prej nisjes së protestave.

Protesta vdekjeprurëse në Kazakistan 

Protesta vdekjeprurëse në Kazakistan

Imazhet e publikuara nga ushtria ruse tregojnë trupa ushtarake duke u nisur për në Kazakistan mes protestave vdekjeprurëse antiqeveritare në vendin e Azisë Qendrore. Më 6 janar, gjithashtu, u pa personel i shtuar ushtarak i paidentifikuar që gjuante me armë automatike në qendër të qytetit Almati.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se prej shpërthimit të protestave këtë javë, më shumë se 1,000 persona janë plagosur dhe 400 janë shtruar në spital.

Prej tyre, 62 janë në kujdes intensiv.

Përgjatë javës, protestuesit kanë hyrë nëpër ndërtesa qeveritare, u kanë vënë zjarrin disa prej tyre dhe kanë plaçkitur biznese.

Dhuna më e madhe është raportuar në qytetin më të madh të shtetit, Almati.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Almati, kanë thënë se forcat e sigurisë, disa edhe me pajisje të armatosura, kanë shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve më 6 janar.

Gjatë natës ka pasur raportime për shpërthime dhe të shtëna me armë.

Sipas Shërbimit Kazak të Radios Evropa e Lirë, një numër i paidentifikuar i njerëzve është vrarë.

Si pasojë e përshkallëzimit të situatës, Toqaev i ka kërkuar Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO)– që të ndihmojë në “stabilizimin” e situatës.

CSTO, me bazë në Moskë, përbën një aleancë ushtarake të disa shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik.

Trupat e para ruse kanë arritur shumë shpejt në Kazakistan më 6 janar.

Më shumë trupa ruse do të arrijnë më 7 janar nga Armenia dhe Taxhikistani, derisa edhe Kirgizia mund të dërgojë trupa nëse kërkesa miratohet nga Parlamenti.

Autoritetet është raportuar se kanë bllokuar internetin dhe kanë përkeqësuar sinjalet telefonike.

Mediave, po ashtu, u është kufizuar raportimi.

Në disa pamje që kanë depërtuar jashtë shtetit janë parë makina të djegura dhe ndërtesa të dëmtuara.

Pse shpërthyen protestat?

Vala e protestave ka shpërthyer në rajonin perëndimor, Mangystau katër ditë më parë për shkak të rritjes së papritur të çmimit të gazit të lëngshëm, i cili përdoret për makina në shtetin e pasur me naftë.

Shumë shpejt, protestat janë përhapur edhe në qytete e qyteza tjera nëpër Kazakistan, duke përfshirë edhe pakënaqësi tjera.

Presidenti Toqaev ka fajësuar bandat “terroriste” të trajnuara nga jashtë për dhunën e raportuar.

Ai ka shkarkuar Qeverinë më 5 janar dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pasi mijëra protestues kundër udhëheqësisë janë përleshur me policinë dhe kanë hyrë në ndërtesa qeveritare.

Protestuesit e zemëruar, disa prej të cilëve kanë pasur shkopinj gome dhe mburoja, kanë nisur zjarr në zyrën e kryetarit të qytetit Almati më 5 janar.

“CSTO me mision të shkurtër”

Në këtë qytet, protestuesit kanë marrë edhe kontrollin e aeroportit dhe për pasojë janë pezulluar përkohësisht të gjitha fluturimet.

Shpejtësia e angazhimit të CSTO-s në Kazakistan, është parë nga disa analistë si shenjë e strategjisë së Kremlinit për të vepruar shpejt edhe për të mbrojtur ndikimin e tij në këtë vend të ish-Bashkimit Sovjetik.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandr Grushko, është cituar të ketë thënë se trupat paqeruajtëse “janë angazhuar për Kazakistanin dhe janë duke bërë atë që bëjnë aleatët”.

Sekretari i Përgjithshëm i CSTO-s, Stanislav Zas, ka thënë për agjencinë e lajmeve RIA, se numri i forcave paqeruajtëse që do të dërgohet në Kazakistan do të jetë 2,500 dhe më pas numri mund të shtohet sipas nevojës.

Megjithatë, Zas ka thënë se pret mision të shkurtër për vetëm “disa ditë apo javë”.

Ai ka thënë se qëllimi dërgimit të trupave të Organizatës është mbrojtja “e një shteti të rëndësishëm dhe ndërtesave strategjike”, si dhe për të zbatuar ligjin dhe rregullin.

Ai ka shtuar se trupat e Organizatës nuk do të përdoren për t’i shpërndarë protestuesit.

“Trupat paqeruajtëse të CSTO-s kanë nisur të arrijnë në Kazakistan për të ndihmuar në kthim të rregullit. Trupat kanë ardhur për periudhë të caktuar për të siguruar objektet strategjike”, ka thënë zyra e Toqaevit.

Borrell: Të garantohen të drejtat e civilëve

Këto zhvillime të shpejta në shtetin e pasur me naftë, kanë rritur shqetësimet në botë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke monitoruar raportimet për angazhim të trupave nga jashtë dhe ka ngritur pyetje nëse ata janë ftuar në mënyrë legjitime në Kazakistan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore të trazirave, derisa shefi i diplomacisë në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, ka shprehur ‘shqetësime të thella” për situatën, duke insistuar se duhet të mbrohen të drejtat e civilëve dhe ka dhënë paralajmërime për përfshirjen e huaj ushtarake.

“Të drejtat e civilëve duhet të garantohen. Ndihma e jashtme ushtarake sjell kujtime të situatave që duhen shmangur”, ka shkruar Borrell në një postim në Twitter.

Përgatiti: Krenare Cubolli
blank

Presidenti i Kazakistanit: Rendi kushtetues është vendosur në të gjitha rajonet e vendit

Nur Sultan

Presidenti i Kazakistanit, Kassym Jomart Tokayev, theksoi se rendi kushtetues është vendosur në të gjitha rajonet e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të bërë nga shërbimi për media i Presidencës së Kazakistanit, Tokayev zhvilloi një takim me zyrtarët lidhur me luftën kundër terrorizmit.

Në fjalimin e tij pas mbledhjes Tokayev tha se kanë filluar operacion kundër terrorizmit, duke shtuar se institucionet e zbatimit të ligjit punojnë intensivisht.

“Në përgjithësi, rendi kushtetues u rivendos në të gjitha rajonet e vendit. Autoritetet lokale po kontrollojnë situatën. Por terroristët ende vazhdojnë të përdorin armë dhe të dëmtojnë pasuritë e qytetarëve. Prandaj operacioni kundër terrorizmit do të vazhdojë deri në asgjësimin e plotë të militantëve”, u shpreh ai.

Në njoftim gjithashtu u bë e ditur se njësitë paqeruajtëse të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) kanë filluar të vijnë në Kazakistan.

Çfarë po ndodh në Kazakistan?

Forcat kazake të sigurisë thanë më herët se dhjetëra protestues kanë vdekur teksa tentonin të pushtonin ndërtesat qeveritare në Almaty, metropolin më të madh të Kazakistanit.

Situata thuhet se është nën kontroll në qytetet Shymkent pranë kufirit me Uzbekistanin dhe Aktau që ndodhet në bregun lindor të Detit Kaspik.

Po ashtu, presidenti Kassym-Jomart Tokayev ka vendosur një shtetrrethim në Almaty, ku mijëra njerëz dolën në rrugë.

Protestat filluan në Kazakistanin perëndimor më 2 janar për shkak të rritjes së çmimeve të gazit të lëngshëm të naftës (LPG) dhe më vonë u përhapën në pjesë të tjera të vendit.

Për të garantuar sigurinë publike, një gjendje e jashtëzakonshme u shpall në Almaty dhe rajonin e pasur me naftë Mangystau.

Tokaev ka miratuar gjithashtu dorëheqjen e qeverisë.

Ai më vonë kërkoi ndihmë nga aleanca ushtarake e udhëhequr nga Rusia, Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), e cila ra dakord të dërgonte një numër të paspecifikuar paqeruajtësish.

blank

Në Kazakistan dërgohen trupa ruse për ta “stabilizuar” situatën

RFE/RL

Trazirat në Kazakistan vazhdojnë të përshkallëzohen edhe të enjten, pasi dëshmitarët kanë thënë se kanë dëgjuar shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri afër sheshit kryesor në Almati, pas pozicionimit të trupave të aleancës së drejtuar nga Rusia, me qëllim të shuarjes së protestave dhe mbrojtjes së ndërtesave.

Në disa raportime të pakonfirmuara janë përmendur edhe viktima, si pasojë e incidentit në Almati, dhe është thënë se makinat ushtarake janë duke lëvizur në qytet.

Trupat e para të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), kanë nisur të operojnë në Kazakistan në orët e para të 6 janarit, ndërkohë që ka shpërthyer një valë e pashembullt e protestave.

CSTO, me bazë në Moskë, përbën një aleancë ushtarake të disa shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik.

Agjencia e lajmeve, Ria Novosti, ka thënë më 6 janar se forcat paqeruajtëse kanë hyrë në këtë shtet të Azisë Qendrore.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, ka raportuar po ashtu për këtë gjë.

Policia e Kazakistanit ka thënë se disa protestues janë “eliminuar” gjatë natës në qytetin më të madh të shtetit, Almati, kur ata kanë tentuar të hyjnë nëpër ndërtesa administrative, ndërkohë janë përshkallëzuar trazirat kombëtare.

Zëdhënësi i Policisë, Saltanat Azirbek, është cituar të ketë thënë sipas agjencive ruse të lajmeve se vdekjet kanë ndodhur “kur forcat ekstremiste kanë tentuar të sulmojnë ndërtesat administrative, departamentin policor në Almati dhe komisariatin e policisë lokale”.

Televizioni shtetëror ka thënë se 12 zyrtarë policorë kanë vdekur gjatë natës në Almati dhe 353 të tjerë janë plagosur.

Kjo deklaratë është lëshuar ndërkohë që trupat ushtarake kanë nisur të lëvizin nëpër Almati, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Trupat kanë arritur në këmbë dhe pajisje të armatosura, ka thënë agjencia, duke cituar një dëshmitar, i cili ka thënë se ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Ende nuk dihet nëse trupat në Almati janë pjesë e forcës së CSTO-s.

Protesta vdekjeprurëse në Kazakistan 

Protesta vdekjeprurëse në Kazakistan

Imazhet e publikuara nga ushtria ruse tregojnë trupa ushtarake duke u nisur për në Kazakistan mes protestave vdekjeprurëse antiqeveritare në vendin e Azisë Qendrore. Më 6 janar, gjithashtu, u pa personel i shtuar ushtarak i paidentifikuar që gjuante me armë automatike në qendër të qytetit Almati.

Pse shpërthyen protestat?

Vala e protestave ka shpërthyer në rajonin perëndimor, Mangystau katër ditë më parë për shkak të rritjes së papritur të çmimit t gazit të lëngshëm, i cili përdoret për makina në shtetin e pasur me naftë.

Protesta afër ndërtesës së komunës së Almatit. 5 janar 2022.

Protesta afër ndërtesës së komunës së Almatit. 5 janar 2022.

Shumë shpejt, protestat janë përhapur edhe në qytete e qyteza tjera nëpër Kazakistan, duke përfshirë edhe pakënaqësi tjera.

Kryeministri armen, Nikol Pashinian ka thënë se do të dërgojë pjesëtarë të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), për të shuar valën e pashembullt të trazirave në këtë shtet të Azisë Qendrore.

Toqaev fajëson bandat e “trajnuara nga jashtë”

Pashianian, i cili udhëheq aktualisht këtë Organizatë, ka thënë më 5 janar në Facebook, se vendimi për të dërguar forca është marrë si përgjigje ndaj kërkesës së presidentit kazak, Qasym-Zhomart Toqaev.

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev.

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev.

Toqaev ka fajësuar bandat “terroriste” të trajnuara nga jashtë për dhunën e raportuar.

Ai ka shkarkuar Qeverinë më 5 janar dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pasi mijëra protestues kundër udhëheqësisë janë përleshur me policinë dhe kanë hyrë në ndërtesa qeveritare.

Protestuesit e zemëruar, disa prej të cilëve kanë pasur shkopinj gome dhe mburoja, kanë nisur zjarr në zyrën e kryetarit të qytetit Almati më 5 janar.

Në këtë qytet, protestuesit kanë marrë edhe kontrollin e aeroportit dhe për pasojë janë pezulluar përkohësisht të gjitha fluturimet.

Ministria e Brendshme ka pretenduar se tetë policë dhe trupa të gardës kombëtare janë vrarë, dhe 317 persona janë plagosur gjatë trazirave në këtë shtet, por pa ofruar hollësi.

Incizimet që janë publikuar nëpër rrjetet sociale kanë shfaqur disa trupa të protestuesve nëpër rrugë.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë si e pavarur vërtetësinë e materialeve.

Bllokohet Interneti

Policia është përfshirë në trazira me protestuesit, duke përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome si tentim për të shpërndarë turmën, mirëpo këtë gjë nuk e ka arritur.

Vëzhguesit e komunikimeve kanë raportuar për “shkallë kombëtare” të bllokimit të Internetit, derisa gazetarët e Radios Evropa e Lirë, kanë thënë se shërbimet e Internetit dhe ato telefonike janë përkeqësuar ndjeshëm.

Si shenjë për të distancuar veten nga e kaluara, Toqaev e ka larguar paraardhësin e tij, 81-vjeçarin, Nursultan Nazarbaev, nga pozita e fuqishme e kreut të këshillit për siguri kombëtare.

Nazarbaev pati rikthyer një pjesë të autoritetit prej kur ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit më 2019, pas tri dekadave në pushtet.

Disa protestues kanë drejtuar gishtin te ai për shumicën e problemeve në këtë shtet, derisa protestueset në qytetin Taldiqorhan, kryeqytetin e rajonit Almati, kanë rrëzuar statujën e Nazarbaevit më 5 janar.

Pamje tjera nga protestat më 4 janar.

Pamje tjera nga protestat më 4 janar.

Për dhunë është raportuar edhe në qytetin verior, Aqtobe, ku policia ka hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, të cilët kanë tentuar të hyjnë në qeverinë rajonale me forcë.

Sipas udhëheqësit të Departamentit të Shëndetësisë në rajonin Aktobe, Rustem Isaev, 10 persona janë marrë nga sheshi i qytetit me ambulancë.

Në mesin e të plagosurve ka policë, tre prej të cilëve janë në spital, ka raportuar Shërbimi Kazak i Radios Evropa e Lirë.

Njëri prej protestuesve është plagosur seriozisht në kokë dhe është dërguar për kujdes intensiv.

Isaev e ka përshkruar të rëndë gjendjen e tij shëndetësore.

Përveç tij, edhe shumë protestues tjerë kanë thënë se janë qëlluar me plumba gome.

Protestat janë mbajtur edhe në qytetet tjera si Aqtau, Zhanaozen dhe Oral, ku dhjetëra persona është raportuar se janë ndalur.

SHBA po shikon nga afër krizën

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke shikuar nga afër situatën në Kazakistan, dhe këtij shteti i është referuar si “partner i vlefshëm”.

Price ka thënë se SHBA-ja dënon dhunën dhe dëmtimin e pronës.

Ai u ka bërë thirrje të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje paqësore.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin “thirrjet për qetësi” dhe ka thënë se protestuesit duhet të kenë mundësi “të shprehen në mënyrë paqësore”.

Vendet fqinje të Kazakistanit, Kirgizia dhe Uzbekistani, kanë thënë se janë duke shikuar nga afër dhe me ankth këtë situatë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
blank

Qindra mijëra njerëz duan që ish-kryeministrit Tony Blair t’i anulohet “titulli i kalorësit”

Londër

Pasi mbretëresha e Britanisë, Elizabeth II, i dha titullin “kalorës” ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, numri i mbështetësve të peticionit të nisur për anulimin e këtij titulli ka kaluar 750 mijë, raporton Anadolu Agency (AA)

Menjëherë pas njoftimit se ish-kryeministrit Blair iu dha titulli “kalorës” më 31 dhjetor si pjesë e listës “Nderi i Vitit të Ri” të ndarë nga Familja Mbretërore Britanike në fund të çdo viti, në faqen “change.org” u nis një peticion për ta anuluar titullin në fjalë.

Qindra mijëra njerëz që mbështetën fushatën në një kohë të shkurtër duan që Mbretëresha Elizabeth II të kthejë përsëri titullin që i është dhënë ish-kryeministrit.

Aktivistët e shoqërisë civile dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut argumentojnë se Blair, i cili shërbeu si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar në vitet 1997-2007, ishte “personalisht përgjegjës” për vdekjen e të pafajshmëve dhe civilëve të panumërt, si dhe të ushtarëve. Sipas aktivistëve, Blair duhet të mbahet si përgjegjës për krime të luftës.

Kryetari i Lidhjes Muslimane Britanike, Raghad Altikriti, për AA tha se Blair meriton të ndëshkohet në vend që të nderohet me titullin kalorës.

“Tony Blair na futi në një luftë kundër Irakut, të kundërshtuar nga 2 milionë njerëz që marshonin në rrugët e Londrës”, tha ai.

Duke theksuar se Blair ka treguar që në fillim se është kundër popullit britanik dhe zgjedhjeve të tij, Altikriti tha se, “Ka madje prova që dalin në media që thuhet se është një luftë e paligjshme. Ata shkatërruan burimet tona, besimin tonë në qeverinë tonë si qytetarë britanikë, duke gënjyer për të hyrë në diçka, ata shkatërruan Irakun. Familja ime është nga Iraku. Ata e kanë shkatërruar vendin tonë. Deri më tani shikoni sa ka kushtuar kjo. Iraku po vuan. Dhe për çfarë? Për shkak të një lufte të paligjshme të nisur nga SHBA me mbështetjen britanike. Tony Blair është përgjegjës për shkatërrimin. Ai është kriminel lufte dhe duhet trajtuar si i tillë”.

Duke nënvizuar se Blair sigurisht nuk e meriton titullin kalorës, Altikriti deklaroi se njerëzit donin që Blair të dënohej për rolin e tij në pushtimin e Irakut.

“(Blair) I ka kushtuar shtrenjtë këtij vendi dhe të gjithë janë të bindur se kjo është një luftë që nuk duhet ta bëjmë. Një njeri si ky sigurisht që nuk e meriton një çmim apo njohje të tillë”, tha Raghad Altikriti.

“Tony Blair kreu krime kundër njerëzimit”

Aktivisti për të drejtat e njeriut, Gurcharan Singh, gjithashtu vlerësoi se me ndarjen e çmimit të kalorësit ish-kryeministrit Blair, “një kriminel lufte që kreu gjenocid në Lindjen e Mesme u nderua për krimet e tij kundër njerëzimit”.

“Ne kemi një sistem në këtë vend ku nderohen kriminelët e gjenocidit dhe krimeve të luftës dhe ne duhet ta ndryshojmë këtë”, tha Singh.

Duke theksuar se fashizmi u normalizua duke i dhënë Blair-it titullin kalorës, Singh tha se, “Nuk ka dyshim që Tony Blair dhe koalicioni i tij i mëparshëm, dhe për shkak se ai është lideri i këtij koalicioni, po kryejnë krime kundër njerëzimit. I vetmi nder që ata meritojnë është që krimet e tyre kundër njerëzimit të dënohen në gjykatën ndërkombëtare”.

Blair mashtroi parlamentin britanik për armët e shkatërrimit të masës në Irak

Ish-kryeministri britanik, Blair është kritikuar për mbështetjen e tij ndaj koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja për pushtimin e Irakut në vitin 2003.

Raporti Chilcot, i publikuar në vitin 2016, zbuloi se Blair e siguroi presidentin e atëhershëm të SHBA-së, George W. Bush, për mbështetje në negociatat private përpara se të merrte miratimin e parlamentit britanik.

Blair, i cili doli se kishte mashtruar parlamentin britanik në lidhje me armët e Irakut të shkatërrimit në masë, e kishte bërë vendin e tij partner në pushtimin e Irakut duke dërguar 30,000 ushtarë.

Vlerësohet se më shumë se 200 mijë irakianë vdiqën në pushtimin e Irakut, i cili filloi më 20 mars të vitit 2003, ku humbën jetën 179 ushtarë britanikë.

blank

Bosi i mafias italiane i kërkuar prej 20 vitesh kapet në Spanjë falë Google Maps

Gammino i kapur në operacionin e kryer në bashkëpunim të policisë spanjolle dhe italiane, ka jetuar si një qytetar i thjeshtë në qytezën 25 mijë banorëshe Galapagar në veri të Madridit për të mos ngjallur ndonjë dyshim

 

Madrid

Bosi italian i mafias, Gioacchino Gammino, i njohur në rajonin e Siçilisë të Italisë dhe i kërkuar prej 20 vitesh, është kapur në Spanjë falë një fotoje që ishte shfaqur në aplikacionin e hartave të quajtur “Google Maps”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në mediat vendase, Gammino i kapur në operacionin e kryer në bashkëpunim të policisë spanjolle dhe italiane, ka jetuar si një qytetar i thjeshtë në qytezën 25 mijë banorëshe Galapagar në veri të Madridit për të mos ngjallur ndonjë dyshim, duke punuar në dyqan të zarzavateve dhe si kuzhinier.

Ndërkohë në lajmin e gazetës “La Repubblica” të Italisë duke u bazuar në Drejtorinë italiane të Hetimit Antimafia (DIA), në kapjen e Gammino, i cili është një ndër 100 bosat e mafias më të kërkuar, ka qenë vendimtar aplikacioni Google Maps.

Gjatë hetimit nëpërmjet Google Maps në Galapagar kanë tërhequr vërejtjen afishet “Kopshti Manu” dhe “Kuzhina Manu”, ndërsa në hetimin e thelluar është mësuar që personi i cili në faqen e tij në Facebook është prezantuar si “Shef Manuel” në të vërtetën është Gioacchino Gammino.

“Si më keni gjetur mua? Që 10 vite as familjen time nuk e telefonoj”, thuhet se Gammino i ka thënë policisë gjatë kapjes.

Mësohet se Gammino, i cili u dënua për krime të shumta mafioze dhe u kap për herë të parë në Barcelonë në fund të viteve të 1990-ta, u arratis në mënyrë misterioze nga burgu në Romë në vitin 2002 gjatë xhirimit të një filmi dhe që atëherë është shpallur në kërkim.

blank

Koreja Veriore thotë se ka testuar një raketë hipersonike

Një ekran ku shihet testimi i raketës në Korenë Veriore. 5 janar 2022.

RFE/RL

Agjencia verikoreane e lajmeve, KCNA, ka thënë më 6 janar se një ditë më parë, Koreja Veriore ka testuar raketë hipersonike dhe se testimi ka treguar me sukses kapacitetet e raketës për t’u ngjitur dhe manovruar.

Lansimi i 5 janarit përbën testimin e dytë të një rakete hipersonike në Korenë Veriore, prej muajit shtatorit të vitit të kaluar.

Ushtritë japoneze dhe ajo jugkoreane kanë identifikuar lansimin e një rakete më 5 janar, mirëpo kanë ofruar pak të dhëna.

Predha ka rënë në ujë.

Agjencia verikoreane e lajmeve, KCNA, ka thënë se “koka luftarake hipersonike” ka manovruar 120 kilometra para se të qëllonte shënjestrën 700 kilometra larg.

Armët hipersonike konsiderohen gjenerata e re e armëve dhe shumë ushtri të fuqishme, përfshirë në Shtetet e Bashkuara, Rusi dhe Kinë, tashmë i kanë testuar ato.

Ato janë më të shpejta sesa raketat balistike dhe kanë kapacitet për t’iu ikur sistemeve aktuale për mbrojtje.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë më 5 janar se testimi i raketës ka shkelur disa rezoluta në Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe përbën kërcënim për fqinjët e Koresë Veriore, si dhe për komunitetin ndërkombëtar.


blank
blank
Send this to a friend