Berlin, vjeshtë e vonë 2017
1.
Prishtinë. 10 nëntor. Ditë intrigash. Lajmesh të zymta. Dhe marrëzie të pritshme, të rëndomtë, me status të konsoliduar civiliteti në tregtizën e errtë provinciale.
Njëj shenje të tillë vijon Komedia tragjike mbi trupin e shndërruar në arenë teatrale, të Kosovës.
Një nga aktet e saj dërgon, tashmë, kumtet veçuese të dramës. Dështakët e roleve dytësore nuk braktisin shfaqjen. Në lojën a kurthet regjisoriale, ata stolisen me kurorë triumfi: nuk rezervojnë mundësinë e re për një kohë dytë.
Jo, jo! Përkundrazi.
Deputetë që i refuzon besimi dhe nuk arrijnë të drejtën e përfaqësimit bëjnë tutje – nga poshtë, ku duhej të ktheheshin në harrim, në shkallët e epërme të nomenklaturës politike. Dhe titullohen rëndshëm nënministra, administratorë fondesh, diplomatë a këshilltarë të parë.
Në këmbim të mohit që marrin, ngjiten, çuditërisht, lartë në skenën e madhe si fatprerës të jetës politike të Kosovës
Vetëm aty, në krijesën që gjendet akoma në provën gjenerale të shfaqjes shtetërore, kjo specie e paftyrë sfidon vullnetin e elektorëve, poshtëron popullin dhe përtall shpresën e bijëve të tij.
2.
Fragment i trishtë. Dëshmi reale, e prekshme deri në dhimbje, e kësaj goditjeje përulëse nga figurantët e pajuar me lavdinë e shesheve. “Urdhërarresti i rremë për Haradinajn, dëmton dialogun”.
Ç’urtësi! Ç’vrojtim largvajtës! Ç’referencë strategjie..!
Po si qenkësh kështu?
Mbase akuza është e shpifur, por urdhërarresti nuk është i rremë. As ëndërr e keqe. Është e zezë mbi të bardhën. Një makth i vërtetë që mbajti atë në burgun frëng muaj të tërë!
Autori i këtij mendimi të vyer, dinak, depërtues e të parrëzueshëm është një humbës i përndertë (me emrin Matoshi). Por tani, sipas kodit të përligjur në plojën e karrierës së kësaj “fushëmëllenje të gjânë që kaq shumë vajton”, është këshilltari më i afërt i Premierit të Kosovës.
3.
Tani, me gjasë, është vetëm mrekullia qiellore që mund ta nxjerrë nga Sheoli, nga gropa zeztore shtetin e vogël e të pafaj, që duan t’i marrin frymën e fundit sundtarët e fantaksur.
Tek “Dorëshkrimi i Akrës”, Koelho rrëfen ngushëllimshëm për ekzistencën e Mrekullisë. Ndaj dhe udhëzon ndjekësit e ligjërimit, që, ashtu si për bukën, t’i drejtohen Hyut me lutjen: Mrekullinë e përditshme jepna sot!
Le të jetë kjo një lutje shqiptare, poashtu. Më e thellë dhe më e përkorë se e askujt..!
R. K.
Komentet