SPIEGEL
Izraeli justifikon sulmet ndaj Iranit me rrezikun që paraqet zhvillimi i armëve bërthamore nga ana e tij.
Teherani është pranë përfundimit të tyre, deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë ditëve të fundit.
Por këtë vlerësim nuk e ndajnë shërbimet amerikane të inteligjencës, raportojnë disa media amerikane.
Duke iu referuar “katër personave të njohur me vlerësimin”, CNN shkruan se shërbimet amerikane të inteligjencës nuk besojnë se Irani po synon aktivisht ndërtimin e një arme bërthamore.
Për më tepër, vlerësohet se Teherani është ende deri në tre vjet larg nga zhvillimi i kapaciteteve të nevojshme për këtë.
Edhe “New York Times” ka kryer kërkime në qarqet e inteligjencës dhe ka arritur në përfundime të ngjashme: Sipas saj, zyrtarët e lartë të qeverisë nuk kanë pasur në dispozicion ndonjë informacion të ri që të sugjerojë se Irani i është afruar rrezikshëm ndërtimit të një bombe bërthamore.
Më herët, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) kishte deklaruar në një intervistë për CNN se organizata e tij nuk ka mbledhur prova që tregojnë për përpjekje të tilla nga ana e Teheranit.
Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan, që nuk u identifikua me emër, tha për CNN se Irani është “sa më pranë që mundet për të ndërtuar një armë bërthamore”.
Sipas një burimi të brendshëm, të cilit i referohet televizioni, sulmet izraelite e kanë vonuar programin bërthamor të Iranit “vetëm për disa muaj”. sn