Për përgatitjen e një angazhimi të mundshëm në Ngushticën e Hormuzit pas përfundimit të luftës me Iranin, ministri i Mbrojtjes,Boris Pistorius, planifikon të dërgojë paraprakisht njësi të marinës gjermane në Mesdhe. “Do të dislokojmë njëanije për pastrimin e minave në Mesdhe dhe do ta shoqërojmë me një anije komanduese dhe furnizimi,” tha Pistorius për gazetënn “Rheinische Post”.
Qëllimi është që në rast të një mandati nga parlamenti gjerman të mund të veprohet shpejt. “Për të kursyer kohë, kemi vendosur të zhvendosim paraprakisht një pjesë të njësive gjermane në Mesdhe, në mënyrë që pas miratimit të mandatit të mos humbasim kohë shtesë,” shpjegoi ministri.
Sipas tij një qasje e ngjashme është ndjekur edhe para nisjes së misionit detar të Bashkimit Evropian “Aspides” në Detin e Kuq, gjë e përshpejtoi ndjeshëm fillimin e operacionit atje.
Kushte të rrepta për angazhimin e marinës gjermane
Boris Pistorius shtoi: “Marina jonë është shumë e aftë për zbulimin dhe pastrimin e minave. Ne mund ta ofrojmë këtë për të kontribuar për një lundrim dhe navigim të lirë dhe të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.”
Megjithatë, sipas tij, një angazhim i tillë në Gjirin Persik është i lidhur me kushte të rrepta. “Kushti kryesor për një angazhim të marinës gjermane në Ngushticën e Hormuzit është, para së gjithash, përfundimi i luftimeve,” theksoi ai.
Si kornizë ligjore ministri përmendi mundësinë e zgjerimit të misionit ekzistues të Bashkimit Evropian, “Aspides”, mandati i të cilit aktualisht është i kufizuar për përballimin e rreziqeve në Detin e Kuq./DW