Vepra studimore “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci (Tekstualizëm dhe stil)”, Onufri, 2024, i dr. Luan Topçiut përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në kritikën letrare shqiptare bashkëkohore shënon një moment të rëndësishëm në fushën e kritikës letrare shqiptare. Ai nuk është thjesht një analizë e veprës së poetit, por një qasje e re, e thelluar dhe e kontekstualizuar, që ndërthur tekstin poetik me dimensionet filozofike, stilistike dhe strukturore të tij. Dashuria e hershme e Topçiut për Lasgushin është e dokumentuar edhe në botimin e vitit 1998 nga shtëpia botuese “Përpjekja”, ku përkthyesi Edi Rama sjell veprën “Wassily Kandinsky – Mbi shpirtëroren në art dhe veçanërisht në pikturë”. Në esenë përmbyllëse “Cadri Forever”, Rama përmend mikun e rinisë, Luan Topçiun, duke e cilësuar si antikonformist i lindur ai ve në gojën e tij cilësorin “Kodi Penal i Modernizmit” për veprën e bujshme që doli më 1979-n, “Labirinthet e Modernizmit”… Ai përshkruan bisedat e gjata mes tyre për Lasgushin në korridoret e Liceut Artistik Jordan Misja, duke e portretizuar Luanin si një mbrojtës të guximshëm të artit të poetit në një kohë kur pakkush guxonte ta përmendte… “Me komentet e tij përdëllyese, duke cituar vargjet e poetit të tij të preferuar, Luani kishte aftësinë të dehte gjer në jerm dëgjuesin me muzën lasgushiane…”- shkruan Edi Rama… Kjo lidhje e thellë me veprën e Poradecit ka ndikuar në formimin artistik dhe intelektual të Topçiut, duke e bërë studimin e tij një unison të rrallë mes autorit dhe objektit të analizës. Ai ndjek parimin e njohjes së thellë të veprës dhe jetës intelektuale të Lasgushit, duke e shtrirë analizën në modele artistike të ndryshme që kanë ndikuar në formimin e poetit.
Një tjetër koncept i rëndësishëm është vizioni kronotop në poezinë e Poradecit. Koha, si koncept filozofik universal, trajtohet krahas hapësirës dhe qenies. Vargjet “Jam sot / Si vjet, / Si mot, / Si përgjithnjë” përfaqësojnë një përjetim pankronik të kohës. Studiuesi referon Shën Augustinin, i cili thotë: “Nuk ekziston as e shkuara, as e ardhmja, por vetëm e tashmja”. Koha, si dimension thelbësor i veprës së artit, është “dhuratë e përjetësisë” – siç thotë William Blake. Në kapitullin “Paradigma e Mallit”, Topçiu analizon ndjenjën e mallit si një përjetim metafizik dhe ontologjik. Malli, mungesa, udha, janë ndjenja që përshkojnë poezinë e Lasgushit, duke u shndërruar nga përjetim subjektiv në një rrethanë të pastër lirike. Kjo shprehet edhe në universin gjuhësor të Poradecit, të cilin studiuesi e quan një koncept herdrian, naimian. Lasgushi studioi për vite në gjuhë të huaja jashtë vendit, njohu gjuhë të rëndësishme europiane, lexoi në origjinal poetë të mëdhenj e sugjestivë, ndërsa poezia e tij mbetet kthjelltësisht shqip, na njofton Topçiu. Pas një sërë studimesh dhe shkrimesh të botuara në shtypin shqiptar e të huaj mbi veprën e Lasgush Poradecit, Topçiu i rikthehet poetit të madh me synimin ambicioz për të zbërthyer dy përmasave themelore të krijimtarisë së tij: tekstin dhe stilin. Ky libër është një përpjekje e thelluar për të deshifruar “kodin lasgushian” dhe për ta vendosur atë në një kontekst të gjerë europian.
Sipas autorit, poezia e Poradecit, me përmbajtjen e saj filozofike, thellësinë e mesazhit lirik, rezonancën e brendshme muzikore dhe pastërtinë e vargut, qëndron krahas emrave të mëdhenj të letërsisë së shekullit XX si Baudelaire, Rilke apo Verlaine. Me ardhjen e tij, lirika shqipe hyri në rrjedhat e letërsisë universale. Topçiu ndalet me vëmendje në tiparet e ligjërimit poetik të Poradecit, duke e parë atë si një dukuri europiane në tërësinë e saj, ndërkohë që, përmes një qasjeje krahasimtare, ndërton ura mes traditës sonë poetike dhe modernitetit letrar perëndimor. Në kapitullin e parë, “Poezia, vlera, interpretimi”, autori thekson nevojën për rivlerësimin e vazhdueshëm të kësaj vepre, e cila, sipas tij, mbetet e hapur për interpretime të shumta, si për lexuesin e zakonshëm, ashtu edhe për studiuesin e specializuar. Duke u mbështetur në parimet hermeneutike të Umberto Eco-s mbi karakterin e hapur dhe polisemantik të tekstit, Topçiu na kujton se çdo vepër letrare e madhe kërkon një lexim të ri në kohë të ndryshme, duke mbajtur gjallë dialogun mes saj dhe brezave të lexuesve. Libri studimor është jo vetëm një analizë kritike e hollësishme e poezisë lasgushiane, por edhe një ftesë për ta parë Poradecin jo si një monument të palëvizshëm, por si një zë të gjallë e universal të letërsisë shqipe. Duke iu përgjigjur pyetjes “Çfarë e bën veprën lasgushiane të vështirë?”, studiuesi Luan Topçiu, në mënyrë implicite, zbardh edhe arsyet që e shtyjnë të ndërmarrë një studim kaq ambicioz, të vështirë e njëherazi provokues për letrat shqipe.
Sipas tij, “teksti poetik lasgushian mbetet i afërt dhe i pashteruar në kumte, mesazhe, nxjerrja në pah e të cilave provokon dhe zgjon lexuesit e të gjitha kohërave”. Nga ana tjetër, për arsye politike e ideologjike, poezia e Lasgush Poradecit ka mbetur për një kohë të gjatë e pastudiuar, e injoruar dhe e keqinterpretuar, e veshur me mister dhe rrezik. Ky proces shpërfilljeje e përçmimi, megjithatë, nuk e ka zbehur interesin e përgjithshëm për këtë krijimtari, i cili është dëshmi e vlerës së saj poetike, modernitetit, thellësisë dhe kompleksitetit. Për analizën e mirëfilltë të tekstit poetik, L. Topçiu operon me mjete moderne e të përshtatura, duke reflektuar arritjet më të fundit të kritikës letrare. Për të ndriçuar anë të panjohura të veprës së Poradecit dhe për të deshifruar ambiguitetin e saj, ai përdor mjete specifike që ia sugjeron vetë natyra e kësaj poezie. Nisur nga ideja bazë se vepra poetike lasgushiane përbën një të tërë integrale, ku uniteti siguron koherencën e universit artistik, Topçiu e paraqet këtë univers si një sistem strukturor, i formuar nga një rrjet lidhjesh ku “organizimi dhe hierarkizimi përbën deri në fund një sistem”.
Kapitulli “Karakteri sistemor e strukturor i veprës” zbërthen unitetin e këtij sistemi, duke identifikuar lidhjet korrelative midis cikleve, poezive e poemave, si dhe mënyrën e funksionimit të tij. Vlerësimi i veprës si një ansambël ku pjesët lidhen organikisht me tërësinë dhe anasjelltas, përbën, sipas autorit, çelësin e interpretimit në planin pragmatik. Në nënkapitujt “Simbolika e shenjave të sistemit” dhe “Sistemi dhe përkatësia tekstuale”, Topçiu shpjegon marrëdhëniet midis shenjës dhe interpretuesit, si dhe domethënien e shenjave poetike. Ai ndan universin lasgushian në pesë zona: e qiellit, e tokës, e vdekjes, e zemrës së poetit dhe e përjetësisë. Kjo e fundit është një hapësirë me kufij të papërcaktuar, e pranishme në të gjitha zonat e tjera, sepse përjetësia prek poetin, jetën e tokës, jetën qiellore dhe vdekjen. Vendosja e këtyre zonave mbi dy boshte themelore, “zemër” dhe “valle”, siguron lëvizjen e tyre harmonike, ndërsa paraqitja grafike e ndërlidhjes së tyre ndihmon në deshifrimin e simbolikës. Këto shenja, sipas autorit, projektohen në sistemin poetik në një gjendje të dyfishtë – në lëvizje dhe në qetësi – duke ruajtur harmoninë universale dhe duke shpalosur dimensionin metafizik të tyre. Ky model interpretimi shfaq thelbin filozofiko-estetik të Poradecit, i cili ushqehet nga njohuri erudite dhe përvoja studimore në universitete prestigjioze të Evropës.
Në kapitullin “Vështrim hermeneutik mbi poezinë filozofike”, autori sjell risi, duke trajtuar marrëdhënien midis “poezisë filozofike dhe filozofisë si poezi” dhe duke deshifruar nyje të tilla si “Vallja”, “Zemra e përjetësisë”, “Lënda dhe jeta” – një vizion dihotomik që lidhet me konceptet e “Frymës” dhe “Qëllimit”, apo “Ndjenja dhe njeriu – homo duplex”. Kapitulli pasues, “Paradigmat e pulsioneve të jetës”, është një analizë e hollësishme e erotikës lasgushiane, ku shpalosen motive si malli i miturisë, kronotopi i dashurisë, heshtja dhe muzika, si dhe karakteri onirik i poezisë erotike. Studimi vijon me kapituj të tjerë që ndriçojnë anë të pashkelura të krijimtarisë: “Vizioni poetik i vdekjes”, “Poeti dhe piktura”, “Paradigma e mallit” dhe “Vlera stilistike e fjalës”. Në to analizohet në mënyrë shkencore mekanizmi i gjuhës poetike lasgushiane, magjia e kombinimeve të saj dhe fuqia sugjestive e imazheve. Vepra mbyllet me kapitullin “Lasgush Poradeci dhe ligjërimi modern i poezisë shqipe”, ku Topçiu e pozicionon poetin në rrjedhat më të rëndësishme të modernitetit letrar shqiptar. “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci, (Tekstualizëm dhe stil)” është një ftesë për të lexuar me kënaqësi jo vetëm përmbajtjen, por edhe mënyrën se si kjo përmbajtje është ndërtuar, duke u ofruar lexuesve një përvojë të dyfishtë: kënaqësinë estetike dhe kënaqësinë e mendimit. Në një epokë ku kultura është kthyer në mall, dhe malli në kulturë, ku përditshmëria është estetizuar dhe globalizuar, Topçiu arrin të tërheqë vëmendjen e kritikës letrare pa cenuar përmasën estetike, duke u mbështetur në traditën dhe mendimin modern të poezisë shqiptare.