VOAL

VOAL

Londër, vizitorët e parkut Hyde shijojnë fundin e vjeshtës

November 26, 2017

Komentet

GJNP lëshon fletarrestime për Shoigun dhe Gerasimovin

Ish-ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe gjenerali i ushtrisë ruse, Valery Gerasimov. Fotografi nga arkivi.

 

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar fletarrestime për ish-ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe gjeneralin rus, Valery Gerasimov, nën dyshime se kanë kryer krime gjatë pushtimit rus të Ukrainës.

Muajin e kaluar, Shoigu u largua nga posti i ministrit të Mbrojtjes dhe u emërua sekretar në Këshillin e Sigurisë së Rusisë. Ky ishte ndryshimi më i madh që presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë në komandën ushtarake që kur ka nisur luftën kundër Ukrainës më 2022.

GJNP-ja, që ka selinë në Hagë, tha se Shoigu dhe Gerasimov dyshohen se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për shkak se kanë urdhëruar sulme ndaj civilëve dhe objekteve civile në Ukrainë.

Gjykatësit gjetën “bazë të arsyeshme për të besuar se dy të dyshuarit kanë përgjegjësi për sulmet ajrore të kryera nga forcat e armatosura ruse kundër infrastrukturës energjetike ukrainase nga të paktën 10 tetori i vitit 2022 deri më 9 mars 2023”, u tha në njoftimin për media të GJNP-së.

Rusia, që nuk është anëtare në GJNP, vazhdimisht ka thënë se infrastruktura energjetike e Ukrainës është cak legjitim ushtarak dhe ka mohuar se shënjestron civilët apo infrastrukturën civile.

Po ashtu, as Ukraina nuk është anëtare, por i ka dhënë GJNP-së juridiksion për të ndjekur krimet e kryera në territorin e saj.

Fletarrestimet për Shoigun dhe Gerasimovin bëjnë që numri i përgjithshëm i fletarrestimeve kundër zyrtarëve të lartë rusë që nga nisja e pushtimit, të arrijë në tetë. Në mesin e tyre bën pjesë edhe Putini, i cili dyshohet për krime lufta, përkatësisht për dënimin e fëmijëve ukrainase për në Rusi.

GJNP-ja nuk ka forcë të saj policore dhe varet nga shtetet anëtare që të kryejnë arrestimet. REL

Ukraina kërkon nga NATO-ja vendim të “fuqishëm” në samitin e Uashingtonit

Ukraina dëshiron që NATO-ja të marrë vendim të “fuqishëm” në samitin e NATO-s në Uashington muajin e ardhshëm, pasi Kievi synon ta çojë përpara synimin e vet strategjik për t’iu bashkuar aleancës ushtarake, tha këshilltari për politikë të jashtme i presidentit Volodymyr Zelensky.

Ihor Zhovkva tha për Reuters se Kievi dëshiron që samiti i NATO-s të përfundojë me rezultate konkrete.

“Mendoj se samiti meriton ta ketë një vendim të fuqishëm, përfshirë për Ukrainën. Sepse, nëse i mungojnë vendimet e fuqishme për Ukrainën, samiti do të jetë i kotë”, tha ai në Kiev të hënën vonë.

Ai nuk specifikoi se çfarë mendon se do të sillte një vendim i tillë.

Zelensky, ndërkohë, ka thënë se Kievi duhet të ftohet për t’iu bashkuar NATO-s në samitin e sivjetmë në Uashington, pasi dështoi të marrë ftesën në samitin e 2023-ës në Vilnius, pavarësisht lobimit.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg dhe Uashingtoni kanë thënë të dyja se nuk presin që 32 anëtarët e aleancës ta ftojnë Kievin për t’iu bashkuar asaj gjatë samitit që mbahet më 9-11 korrik.

Po,r Stoltenberg ka thënë se shpreson se samiti do të tregojë se Ukraina është duke lëvizur më afër anëtarësimit.

Aleatët kanë diskutuar për tekstin e mundshëm të deklaratës së samtit, i cili mund të dërgojë sinjal të tillë, duke deklaruar se rruga e Ukrainës drejt NATO-s është e “pakthyeshme”.

“Ne meritojmë vendim të fuqishëm. Për çdo vendim të NATO-s nevojitet pajtim. Të gjithë ne e dimë këtë, dhe ne e kuptojmë që mbase këtë herë, do të ketë pajtim përsëri në ditën e fundit para samitit”, tha Zhovkva. REL

Gjykata e Lartë e Iranit rrëzon dënimin me vdekje ndaj reperit Toomaj Salehi

Gjykata e Lartë e Iranit ka rrëzuar një dënim me vdekje kundër reperit Toomaj Salehi, i cili u burgos për mbështetjen që i dha protestave mbarëkombëtare të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini.

Pas lajmeve se reperi disident Toomaj Salehi ishte dënuar me vdekje për përfshirjen e tij në protestat e përhapura që përfshiu Iranin në vitin 2022, avokati i tij  Amir Raisian ka konfirmuar se dënimi është anuluar.

“Dënimi me vdekje i Salehit u anulua,” tha Raisian në një postim në X, duke shtuar se gjykata supreme kishte urdhëruar një rigjykim.

“Gjykata e Lartë parandaloi një gabim të pariparueshëm gjyqësor,” tha Raisian, duke shtuar se gjykata gjithashtu vendosi se “dënimi i mëparshëm i Salehi (gjashtë vjet e tre muaj) ishte gjithashtu pa përputhje me rregullat për një sërë krimesh”.

Tekstet e tij: Nëse sheh dhimbjen e njerëzve, por e hedh vështrimin tutje

Nëse sheh shtypjen e të shtypurve, por vendos të ikësh tutje

Nëse e bën nga frika ose për interesat e tua

Ti je dorë e tiranit, edhe ti je një kriminel!

Nëse e vë veten në gjumë kur ata bastisin shtëpitë

Nëse shqetësohesh për paratë kur ata po i marrin jetën rinisë

Nëse rri në mes e thua “politika, ç’duhet ajo?!”

Dije se s’ka vota të zbrazëta, nuk ka neutralitet kjo luftë, jo!

sn

Sulmues të panjohur i vrasin disa policë, përfshirë një prift, në Dagestan të Rusisë

Një kishë duke u djegur pas një sulmi nga burra të armatosur në Makaçkala, Dagestan, Rusi, 23 qershor 2024.

 

Disa oficerë të policisë janë vrarë pasi burra të armatosur hapën zjarr në një sinagogë, në një kishë ortodokse, dhe në një stacion policor gjatë sulmeve të ndryshme në qytetet Derbent dhe Makaçkala në Dagestan të Rusisë.

Është e paqartë se sa njerëz janë vrarë në përgjithësi saktësisht gjatë sulmeve të 23 qershorit, por guvernatori rajonal Sergei Melikov tha në një video të postuar në Telegram se “më shumë se 15 oficerë të policisë ranë viktima të aktit terrorist sot, duke e mbrojtur paqen dhe qetësinë në Dagestan”.

Melikov shtoi se disa civilë – përfshirë atin Nikolai, 66 vjeç, i cili shërbeu për më shumë se 40 vjet në kishën ortodokse në Derbent – u vranë gjatë sulmeve, dhe se gjashtë “banditë” u “likuiduan”.

Disa media ruse i cituan zyrtarët duke thënë se së paku 15 oficerë të policisë u vranë gjatë sulmeve, të cilat ndodhën vetëm tre muaj pasi 145 njerëz u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën kur ekstremistët e Shtetit Islamik (IS) hapën zjarr ndaj një turme njerëzish në një sallë koncertesh në periferi të Moskës.

As IS-i, e as ndonjë grup tjetër nuk e mori përgjegjësinë për sulmet e 23 qershorit në rajonin e Kaukazit Verior.

Mediat shtetërore ruse i cituan zyrtarët ligjorë duke thënë se në mesin e sulmuesve ishin dy djemtë e kryetarit të qarkut të Sergokalas në Dagestan, të cilët u arrestuan nga hetuesit.

“Kjo është një ditë tragjike për Dagestanin dhe për tërë vendin”, tha Melikov, pasi zyrtarët njoftuan për tri ditë zie në këtë rajon.

Komisioni Hetues i Rusisë tha se ka nisur hetime penale për “aktet e terrorit”.

Sipas një organizate fetare lokale në rajonin me shumicë myslimane, sulmet ndodhën në një ditë feste fetare në kishën ortodokse ruse.

“Radikalët duan të na nxisin kundër njëri-tjetrit me të gjitha forcat e tyre, dhe duan t’i shkatërrojnë urat ndërfetare. Por, nuk do t’ia dalin”, tha organizata.

Edhe Melikov tha se sulmet ishin përpjekje për ta destabilizuar rajonin.

Kryetari i këshillit publik të Komuniteteve Hebraike të Federatës Ruse, Boruch Gorin, tha në Telegram se sinagoga në Derbent u përfshi nga zjarri pas sulmit.

Sulmi ndaj stacionit policor ndodhi në Makaçkala, kryeqytetin e Dagestanit.

Sulmues të panjohur e sulmuan një postbllok të policisë së trafikut. Sipas Ministrisë së Brendshme të Dagestanit, dy sulmues u vranë në Makaçkala, aeroporti i të cilit në tetor u mbyll për disa ditë, pasi një turmë që po bënte thirrje kundër hebrenjve e sulmoi atë pas mbërritjes së një avioni nga Izraeli.

Protestat kundër hebrenjve shpërthyen në disa qytete në këtë rajon pas sulmit të 7 tetorit në Izrael nga Hamasi, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Disa muaj më vonë, pas sulmit vdekjeprurës më 22 mars në sallën e koncerteve Crocus në afërsi të Moskës, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) i arrestoi katër persona në Dagestan nën dyshimin se u kishin dhënë të holla dhe armë pjesëmarrësve.

Përgjegjësinë për sulmin e mori një degë e IS-it, e njohur si Shteti Islamik-Khorasan.

Hetuesit rusë thanë se sulmi ishte kryer nga katër burra, të gjithë shtetas të Taxhikistanit. REL

Mbi një mijë pelegrinë myslimanë vdesin nga temperaturat e larta në Arabinë Saudite

Besimtarët myslimanë në Qabe në Xhaminë e Madhe , gjatë pelegrinazhit vjetor të Haxhit në Mekë, Arabi Saudite, 17 qershor 2024.

 

Marrë nga Associated Press

Më shumë se një mijë vetë vdiqën gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite, njoftuan autoritetet.

Besimtarët myslimanë u përballën me temperatura tepër të larta, që arritën deri në 46 gradë celsius, gjatë pelegrinazhit të këtij muaji në Mekë.

Më shumë se gjysma e të vdekurve ishin nga Egjjipti, sipas zyrtarëve në Kajro. Egjipti njoftoi heqjen e licencës për 16 agjenci udhëtimi që ndihmoi pelegrinë të paautorizuar që të udhëtonin në Arabinë Saudite, njoftuan autoritetet.

Arabia Saudite nuk ka komentuar mbi vdekjet gjatë pelegrinazhit.

Një nga pesë shtyllat e Islamit, Haxhi është një detyrë e shenjtë që çdo besimtar mysliman duhet të ndërmarrë të paktën një herë në jetë,

Qeveria e Egjipit njoftoi se 31 pelegrinë të autorizuar vdiqën për shkak të sëmundjeve kronike gjatë pelegrinazhit të këtij viti, por nuk dha shifra zyrtarë për besimtarët e tjerë.

 

Megjithatë, një zyrtar i qeverisë tha se të paktën 630 egjiptianë të tjerë vdiqën gjatë pelegrinazhit.

Autoritetet saudite penguan pelegrinët e paautorizuar, duke dëbuar dhjetëra mijëra njerëz. Por shumë, kryesisht egjiptianë, mundën të mbërrinin në vendet e shenjta brenda dhe përreth Mekës, disa në këmbë. Ndryshe nga pelegrinët e autorizuar, ata nuk kishin hotele për t’i shpëtuar vapës përvëluese.

Sipas të dhënave të agjencisë së lajmeve Associated Press, bilanci i të vdekurve përfshin 165 pelegrinë nga Indonezia, 98 nga India dhe dhjetra nga Jordania, Tunizia, Maroku, Algjeria dhe Malajzia. U njoftua edhe për vdekjen e dy pelegrinëve amerikanë.

Gjatë perudhës së Haxhit këtë vit temperaturat e larta varionin nga 46 në 49 gradë Celcius në Mekë dhe në vendet e shenjta përreth qytetit, sipas të dhënave të shërbimit meteorologjik në Arabinë Saudite.

Sipas të dhënave saudite, më shumë se 1. 83 milionë myslimanë ishin pjesë e pelegrinazhit të këtij viti. REL

Gjykata Supreme përmbys dënimin me vdekje për reperin iranian

Gjykata Supreme në Iran e ka përmbysur dënimin me vdekje kundër reperit Toomaj Salehi, ka bërë të ditur të shtunën avokati i tij.

Në prill, Salehi është dënuar me vdekje nga një gjykatë në Isfahan, nën akuzën “korrupsion në Tokë”, teksa ka qenë duke kryer një dënim tjetër me burgim, për pjesëmarrje në protestat e vitit 2022, që patën tronditur Iranin për disa muaj.

“Siç ishte pritur, Gjykata Supreme e ka shmangur një gabim gjyqësor të papërmirësueshëm”, ka thënë avokati i Salehit, Amir Raisian, në një postim në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

“Dënimi me vdekje është përmbysur dhe bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme, rasti do të referohet te një degë paralele për rishqyrtim”.

Salehi, 33-vjeçar, është arrestuar për herë të parë në tetor të vitit 2022, pasi është deklaruar publikisht në mbështetje të protestave që kanë shpërthyer në shtator të atij viti, pas vdekjes së Mahsa Aminit, 22-vjaçares, e cila vdekur sa ka qenë në mbajtje policore, me arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Ai është liruar dhe riarrestuar disa herë prej atëherë, për shkak të vendimeve të ndryshme që kanë marrë gjykatat.

Salehi ka fituar vëmendje për tekstet e këngëve të tij, me tema kundër korrupsionit, varfërisë, ekzekutimeve dhe vrasjes së protestuesve në Iran.

Ai, gjithashtu, ka folur edhe për rritjen e dallimeve mes banorëve iranianë dhe udhëheqësisë së shtetit, duke akuzuar autoritetet se kanë “ngufatur” njerëzit, pa pasur parasysh mirëqenien. REL

Digjet një depo nafte pas një sulmi të dyshuar me dronë në jug të Rusisë

Pamja e magazinës së djegur në Azov, e publikuar nga Ministria ruse e Emergjencave, më 18 qershor 2014.

 

Një zjarr i madh ka përfshirë një depo nafte në qytetin jugor rus të Azovit, pas asaj që guvernatori rajonal e quajti sulm me dronë gjatë natës në mes të 17 dhe 18 qershorit.

Guvernatori i Rostovit, Vasily Golubev tha se nuk kishte viktima në këtë incident.

Ai gjithashtu tha se nuk kishte “asnjë rrezik që zjarri të përhapej në objekte të tjera, apo kërcënime për banorët”.

Ministria ruse e Emergjencave postoi një video të zjarrit dhe tha se një rezervuar karburanti prej pesë mijë metrash kub kishte marrë flakë.

Ai tha se më shumë se 70 zjarrfikës me pajisje, duke përfshirë një tren zjarrfikës, po përpiqeshin të shuanin zjarrin.

Zyrtarët rusë kanë fajësuar dronët ukrainas për sulme të shumta ndaj instalimeve të naftës në javët e fundit, pranë kufirit me Ukrainën.

Kievi në përgjithësi i shmanget komentimit të incidenteve.

Por Ukraina është duke u drejtuar gjithnjë e më shumë në shënjestrimin e infrastrukturës energjetike ruse, kryesisht instalimet e naftës, gjatë sulmeve me dronë, në mënyrë që të pakësojë rezervat e karburantit të ushtrisë ruse.

Ukraina i është nënshtruar sulmeve, pothuajse të vazhdueshme, me dronë dhe raketa ruse në infrastrukturën e saj civile dhe energjetike që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia, nga shkurti i vitit 2022.

Sulmet ajrore ruse kanë shkaktuar viktima të shumta në mesin e civilëve dhe dëme të mëdha materiale në të gjithë vendin, duke përfshirë Kievin – kryeqytetin ukrainas.

Gjyqi kundër gazetarit Gershkovich nis më 26 qershor me dyer të mbyllura

Gjyqi ndaj gazetarit të burgosur amerikan, Evan Gershkovich, do të nisë më 26 qershor dhe do të mbahet me dyer të mbyllura, kanë bërë të ditur autoritetet ruse më 17 qershor.

Javën e kaluar prokurorët kanë thënë se gjyqi ndaj Gershkovichit, nën akuzat për spiunim, do të mbahet në një gjykatë në Jekaterinburg.

Ai është arrestuar në po atë qytet në mars të vitit 2023, përgjatë një udhëtimi pune.

Autoritetet ruse nuk kanë ofruar asnjë dëshmi për t’i bazuar akuzat për spiunim, të cilat e përditshmja amerikane Wall Street Journal – për të cilën ka punuar gazetari – dhe Qeveria amerikane, i hedhin poshtë vazhdimisht.

Të dyja institucionet kanë deklaruar disa herë që Gershkovich, 32-vjeçar, ka qenë duke e bërë punën e tij kur është arrestuar.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë në dhjetor që Moska e refuzuar ofertën e bërë për të liruar Gershkovichin dhe amerikanin tjetër të burgosur në Rusi nën akuzat për spiunim, Paul, Whelan.

Një tjetër shtetase amerikane që aktualisht po mbahen prej autoriteteve ruse është edhe Alsu Kurmasheva, gazetare e Radios Evropa e Lirë.

Ajo është arrestuar në Kazan të Tatarstanit në tetor të vitit 2023 dhe akuzohet se ka dështuar të regjistrohet si “agjente e huaj”, si dhe për shpërndarje të të pavërtetave për ushtrinë ruse.

Nëse dënohet, ajo përballet me 10 vjet burgim.

Autoritetet amerikane kanë thënë se Kurmasheva është arrestuar në shenjë hakmarrjeje për punën që ka bërë.

Shumë analistë besojnë se Rusia është duke shënjestruar shtetasit amerikanë për t’i shfrytëzuar për këmbim të të burgosurve dhe për qëllime tjera gjeopolitike.

Rusia besohet se po kërkon lirimin e Vadim Krasikovit, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani më 2021, për vrasjen e Zelimkhan “Tornike” Khangoshvilit, shtetasit të Gjeorgjisë, me prejardhje çeçene, për luftim të trupave ushtarake ruse në Çeçeni.

Ai më vonë ka kërkuar azil në Gjermani.

Kur presidenti rus, Vladimir Putin është pyetur në shkurt për mundësinë e lirimit të Gershkovichit, ai duket se i është referuar Krasikovit, teksa e ka përmendur një burrë të burgosur nga një vend aleat i SHBA-së, pse e ka “likuiduar një bandit”, i cili dyshohet se ka vrarë ushtarë rusë gjatë luftimeve në Çeçeni. REL

Kate rishfaqet në paradën e ditëlindjes së mbretit Charles

Princesha Kate së bashku me bashkëshortin, fëmijët, Mbretin Charles III dhe Mbretëreshën Camilla/Keystone

VOAL- Parada e Trooping the Color sapo është zhvilluar në Londër, momenti kryesor i festës së sotme (sot, të shtunë) të ditëlindjes zyrtare (të paregjistruar) të mbretit 75-vjeçar Charles III. Kështu bëjnë të ditur agjencitë e lajmeve, cituar nga RSI. Monarku, i cili u kthye në aktivitetin publik për më shumë se një muaj në vazhdën e përparimit në trajtimin e kancerit të diagnostikuar në fillim të vitit, drejton procesionin në një karrocë (dhe jo me kalë siç ishte mësuar të bënte) me Mbretëreshën Camilla.

Ndërsa në një karrocë tjetër, bie në sy prania e Princeshës së Uellsit, Kate, me Willamin dhe tre fëmijët e saj, e cila rikthehet në publik pas më shumë se gjashtë muajsh, ndërkohë që edhe ajo po lufton kancerin dhe efektet e kimioterapisë. Kate, e patëmetë sikur asgjë të mos kishte ndodhur në elegancën e saj të zakonshme, pavarësisht sëmundjes (përveç profilit të saj në dukje më të hollë), në vend të kësaj u vu re duke buzëqeshur nga një ballkon i vogël, e vëmendshme në ndjekjen e evolucioneve të departamenteve së bashku me tre fëmijët e saj: në veçanti Louisin e vogël pranë saj gjatë gjithë kohës, dhe gjithmonë si rastësisht duke ndjekur shfaqjen mes batutave dhe gjesteve.

Kryeministri britanik Rishi Sunak mori pjesë gjithashtu në paradën Trooping the Color për nder të mbretit Charles me Zonjën e Parë Akshata Murty, e cila përfundoi pak pas orës 13:00 (në Zvicër) në sheshin e madh të Paradës së Gardës së Kuajve, në kalanë e Whitehall, në zemër të Londrës, në St. James Park, kulmi i festës publike të ditëlindjes zyrtare të monarkëve britanikë.

Papa Françesku, pontifi i parë në një samit të G7, ngre alarmin për Inteligjencën Artificiale

Bari, Itali – Papa Françesku sfidoi liderët e demokracive të pasura të botës që të mbajnë dinjitetin njerëzor të parin në radhë,  para zhvillimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar se një teknologji e tillë e fuqishme rrezikon t’i kthejë vetë marrëdhëniet njerëzore në algoritme të thjeshta.

Françesku solli autoritetin e tij moral në Grupin e të Shtatëve, i ftuar nga Italia pritëse, për të folur në një sesion të posaçëm në samitin e tyre vjetor mbi rreziqet dhe premtimet e Inteligjencës Artificiale. Duke vepruar kështu, ai u bë Papa i parë që mori pjesë në një takim të G7, duke ofruar një qëndrim etik për një çështje që është gjithnjë e më shumë në axhendën e samiteve ndërkombëtare, politikave qeveritare dhe bordeve të korporatave.

Françesku tha se politikanët duhet të marrin drejtimin për t’u siguruar që Inteligjenca Artificiale të mbetet në qendër të njeriut, në mënyrë që vendimet se kur të përdoren armët apo edhe mjetet më pak vdekjeprurëse të merren gjithmonë nga njerëzit dhe jo nga makineritë.

“Ne do ta dënonim njerëzimin për një të ardhme pa shpresë, nëse do t’u hiqnim njerëzve aftësinë për të marrë vendime për veten dhe jetën e tyre, duke i dënuar ata të varen nga zgjedhjet e makinerive,” tha ai. “Ne duhet të sigurojmë dhe të ruajmë një hapësirë ​​për kontrollin e duhur njerëzor mbi zgjedhjet e bëra nga programet e Inteligjencës Artificiale: Vetë dinjiteti njerëzor varet nga kjo.” sn

‘Rilindja’ e një ylli, vjeshta vjen me fenomenin e rrallë qiellor

Këtë verë, astronomët profesionistë dhe amatorë do t’ia ngulin sytë një yjësie të vogël. Nuk janë shtatë yjet e “Kurorës së Veriut” që kanë ngjallur kaq kureshtje, por një pikë e zezë midis tyre, një nova që do të mund të shihet me sy të lirë nga planeti ynë, raporton NASA.

“Është një ngjarje e rrallë që do të gjenerojë shumë astronomë sepse të rinjtë do të mund të shohin një ngjarje kozmike, të bëjnë pyetjet e tyre dhe të koleksionojnë të dhëna”, tha dr. Rebekah Hounsell. “Do të nxisë gjeneratën e shkencëtarëve të ardhshëm”.

T Coronae Borealis ose “Ylli i flaktë”, njihet nga astronomët si T CrB. Është një sistem binar që e ka folenë në Kurorën e Veriut, rreth 3000 vite dritë larg nga Toka. Sistemi përbëhet nga një xhuxh i bardhë, pra një yll i vdekur me përmasa sa planeti ynë dhe rëndesë të krahasueshme me Diellin si dhe një gjigant i lashtë i kuq që po humbet ngadalë hidrogjenin për shkak të forcës tërheqëse të fqinjit të tij.

Hidrogjeni nga gjiganti i kuq shtresëzohet në sipërfaqen e xhuxhit të bardhë duke grumbulluar presionin dhe nxehtësinë. Kështu ai nxit një shpërthim termonuklear kaq të madh sa mjafton që ta largojë gjithë materialin. Për T CrB, kjo ndodh mesatarisht një herë në 80 vjet.

Mos ngatërroni novën me supernovën që është një shpërthim total, titanik që shkatërron disa yje që po vdesin. Në rastin e novës, ylli xhuxh mbetet i paprekur dhe thjesht largon të gjithë materien e grumbulluar sa hap e mbyll sytë. Procesi përsëritet për qindra e mijëra vjet.

“Ka disa nova me cikël të shkurtër, por ne nuk shohim shpesh një shpërthim të radhës gjatë jetës tonë njerëzore e aq më rrallë një që është kaq afër sistemit tonë diellor. Është bukur të kesh sedilje në vendin e parë”.

Nova T CrB u pa për herë të fundit nga Toka në vitin 1946. Shkencëtarët janë bazuar në shenjat e shpërthimit të atij viti dhe sipas përllogaritjes, i radhës do të jetë në shtator 2024.

Por çfarë duhet të kërkojmë në qiell?

Kurora e Veriut është një linjë e lakuar yjesh në formë patkoi në perëndim të yjësisë së Herkulit. Mjafton të gjeni dy yjet më të ndritshme të hemisferës veriore, Arcturus dhe Vega e duke ndjekur një vijë të drejtë nga njëri te tjetri, mund të gjeni Herkulin dhe Kurorën e Veriut.

Shpërthimi do të jetë i shkurtër. Pasi të ndodhë, do të duket me sy të lirë për më pak se një javë.bw

Aktakuzë për spiunazh ndaj gazetarit amerikan të paraburgosur në Rusi

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë konfirmoi më 13 qershor një akuzë përfundimtare për spiunazh kundër gazetarit amerikan, Evan Gershkovich dhe e dërgoi çështjen e tij në gjykatën rajonale në Sverdlovsk.

“Hetuesit zbuluan dhe konfirmuan me dokumente se gazetari amerikan i gazetës Wall Street Journal, me kërkesë të CIA-s, në mars 2023 mblodhi informacion të klasifikuar në lidhje me operacionet e objektit industrial Uralvagonzavod, që prodhonte dhe riparonte pajisje ushtarake,” tha zyra në një deklaratë, duke shtuar se Gershkovich “kreu veprimet e paligjshme nën masa të plota maskimi”.

Shtetasi amerikan, 32-vjeçar, u arrestua në fund të marsit 2023 në qytetin Urals të Yekaterinburgut, derisa ishte në një udhëtim raportimi.

Autoritetet ruse nuk kanë ofruar asnjë provë për të mbështetur akuzat për spiunazh, të cilat The Wall Street Journal dhe qeveria amerikane fuqishëm i kanë hedhur poshtë.

Ata thonë se Gershkovich ishte thjesht duke bërë punën e tij si reporter i akredituar, kur u arrestua.

Departamenti amerikan i Shtetit tha në dhjetor se Moska hodhi poshtë një ofertë të rëndësishme që bëri për të siguruar lirimin e Gershkovich dhe Paul Whelan – një tjetër amerikan i burgosur në Rusi për akuzat për spiunazh.

Një tjetër shtetase amerikane e mbajtur aktualisht nga autoritetet ruse është Alsu Kurmasheva, një gazetare e Radios Evropa e Lirë, e cila u arrestua në Kazan, kryeqyteti i Republikës së Tatarstanit të Rusisë, në tetor të vitit 2023 dhe u akuzua për mosregjistrim si “agjent i huaj”.

Para arrestimit, Kurmashevës iu konfiskua pasaporta pas një vizite për t’u kujdesur për nënën e saj.

Radio Evropa e Lirë dhe qeveria amerikane thonë se akuzat kundër saj janë hakmarrje për punën e saj.

Shumë analistë dhe zyrtarë thonë se duket sikur Rusia po synon që qytetarët amerikanë të ndaluar t’i përdor për shkëmbimin e të burgosurve ose për qëllime të tjera gjeopolitike.

Rusia besohet se po kërkon lirimin e Vadim Krasikov, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në Gjermani në vitin 2021, për vrasjen e Zelimkhan “Tornike” Khangoshvili – një shtetas gjeorgjian me origjinë çeçene, i cili kishte luftuar me trupat ruse në Çeçeni dhe më vonë kishte kërkuar azil në Gjermani.


Send this to a friend