Ali Bej Këlcyra zë një vend të rëndësishëm në historinë shqiptare si një figurë poliedrike, historian, deputet, eseist, gazetar dhe veprimtar politik.
Ai ishte ndër organizatorët dhe prijësit kryesorë të Luftës së Vlorës, si edhe një nga drejtuesit më të rëndësishëm të Ballit Kombëtar.
Në Antologjinë historike “Shkrime për historinë e Shqipërisë”, që i është paraqitur publikut pas hulumtimeve në arkiva nga studiuesi Tanush Frashëri, përfshihen materiale me autorësi të Ali Këlcyrës që trajtojnë periudha kyçe të historisë shqiptare, nga viti 1912 deri më 1945, duke ofruar një panoramë të plotë mbi zhvillimet e luftës dhe fillimet e emigracionit politik shqiptar.
Ndër kontributet e shumta të Ali Këlcyrës të pasqyruara në antologjinë historike, vlen të përmenden shkrimet e tij kushtuar figurës së Llazar (Zai) Fundos, ky i fundit një personalitet me ndikim në historinë politike dhe ideologjike të Shqipërisë së shekullit XX.
Në mars të vitit 1936, emigracioni politik shqiptar në mërgim përjetoi një ndër momentet më të rëndësishme të organizimit të brendshëm dhe të rivlerësimit të qëllimeve të tij politike. Në një mbledhje me përfaqësues të të tre grupimeve kryesore të kohës, përfshirë edhe figura të reja të ardhura nga Shqipëria, u analizua situata politike në vend dhe roli i diasporës në luftën kundër regjimit. Grupi i quajtur “Çlirimi Nacional” kishte pësuar ndryshime dhe ndër figurat që kishte kërkuar të kthehej në Shqipëri ishte edhe Llazar (Zai) Fundo.
“Në mars 1936 krerët e emigracionit shqiptar mbajtën një mbledhje, në të cilën morën pjesë si përfaqësuesit e të tre grupeve ekzistues ashtu edhe shokë të rinj të ardhur nga Shqipëria pas Lëvizjes së Fierit. Aty u analizua me hollësi gjendja e brendshme dhe situata e përgjithshme e emigracionit shqiptar.
Nga çlirimtarët (Çlirimi Nacional) kishin mbetur pak njerëz, pasi edhe Fundo (Zai) kishte kërkuar të kthehej në Shqipëri. OBK, ashtu si më 1925, kur regjimi shpalli faljen e përgjithshme, insistoi për vazhdimin e luftës, me gjithë propagandën e fuqishme të Mehdi Frashërit, të ardhur rishtas në fuqi (1935-1936), për të tërhequr emigracionin brenda vendit. Propozimi Mustafa Krujës për pushimin e luftës e për çështje të tjera u refuzua nga të gjithë pjesëmarrësit. Meriton të theksohet se gjatë periudhës së emigracionit 1924-1939, midis OBK-së, e sidomos personit tim, dhe eksponentëve të çlirimtares nuk ekzistonte asnjë pengesë për tu ulur rreth një tryeze e për të biseduar vëllazërisht për të gjetur mënyrën si t’i shërbehej sa më mirë atdheut, gjë që u bë e pamundur gjatë emigracionit të pas 1944-ës.” thuhet ndër të tjera në faqen 139 të këtij libri.
Më tej në kujtimet e tij, Ali bej Këlcyra thotë se në 1941 ka bërë udhëtime të ndryshme në qytete të Shqipërisë dhe qëllimi kryesor ishte vënia e bazave për organizimin e rezistencës. Korça u bë një nga qendrat më të rëndësishme të diskutimeve dhe përpjekjeve organizative për rezistencën kundër pushtuesit. Ali Bej Këlcyra, i strehuar për disa ditë në shtëpinë e Lutfi Zavalanit, përshkruan takimet e përditshme me Fazlli Frashërin dhe Zai Fundon, ku diskutuan gjatë për mënyrat e organizimit të fshehtë të lëvizjes kombëtare. Sipas dëshmisë së Këlcyrës, pavarësisht dallimeve në Korçë u krijua një klimë ku iniciativa për organizim u pranua me entuziazëm dhe u ndërtua rrjeti i fshehtë, sigurimi i materialit luftarak dhe përgatitja për nisjen e veprimeve në momentin e duhur.
“Në Korçë zbrita në shtëpinë e Lutfiut (Zavalanin) djalit të tezes sime, ku ndenja disa ditë. Përditë vinin aty Fazlli Frashëri dhe Fundua (Zai). Që të katër, ata të dy dhe unë e Lutfiu, bisedonim gjatë për mënyrën e organizimit të fshehtë të rezistencës, Fundoja ishte i mendimit se të gjithë kundërshtarët e gjendjes së krijuar nga pushtimi duhet të futeshin en bloc (të gjithë së bashku në fashio, që të bërthamosej me celulat e organizatës sonë të fshehtë. Kështu shtiem në dorë materialin e duhur luftarak, për të qenë të gatshëm për të organizuar lëvizjen kombëtare në momentin e përshtatshëm. Në Korçë e ndjeva veten në një ambient intim krejt nacionalist. Bashkëfjaluesit e mi atje e pranuan me entuziazëm propozimin tim për krijimin e organizatës së fshehtë. Fundoja më shpuri në një shtëpi në Varosh, ku më prezantoi disa shokë të tij të rinj. Fazliu me Fundon morën përsipër të organizonin grupin e rezistencës në Korçë. Isha kështu i sigurt që, më parë se të arrija në Tiranë, organizimi në të dy krahinat më të rëndësishme të Jugut do të përparonte me shpejtësi. Me sa konstatova më vonë, Fazlliu me Fundon iu vunë seriozisht punës, për përgatitjet që bënë dhe aktiviteti që zhvilluan ra shpejt në sy të autoriteteve fashiste, një gjë e tillë u bë shkak për internimin e tyre në Ventotene, disa javë pas vizitës sime në Korçë” thuhet ndër të tjera në faqet 174-175 të kujtimeve të Ali bej Këlcyrës.
Më tej, Këlycra ka dhënë detaje nga kongresi i Parisit i vitit 1936, ku morën pjesë refugjatë politikë shqiptarë, mes tyre edhe Zai Fundo. Në historinë e emigracionit politik shqiptar të viteve ’30, figura e Zai Fundos qëndron e veçantë dhe e dalluar jo vetëm për veprimtarinë e tij si intelektual i përkushtuar, por edhe për guximin për të thyer rreshtimin ideologjik të kohës dhe për të denoncuar hapur krimet e Stalinizmit. Zai Fundo, sapo kishte mbërritur në Paris nga Bashkimi Sovjetik, ku ishte detyruar të largohej në fshehtësi pasi ishte shpallur “element armik” nga autoritetet staliniste. I zhgënjyer nga brutaliteti dhe terrori i regjimit të Stalinit, Fundo u bë një prej zërave të parë shqiptarë që denoncoi publikisht spastrimet masive. Kjo përvojë, që la gjurmë të thella në vetëdijen politike të Fundos, e distancoi atë nga bolshevizmi dhe e afroi më shumë me rrymat demokratike e humaniste të së majtës evropiane.
“Më 1936 u mbait në Paris një kongres i mbarë refugjatëve politikë shqiptarë, pavarësisht nga dallimet ideologjike, për të miratuar një program minimal të përbashkët në rast të rrëzimit të regiimit të Zogut, pasi në fakt më 1935-1936 u kryen në Shqipëri dy revolucione kundër pushtetit të Zogut. Në kongresin e Parisit, ku u vendos të zbatohej pothuaj një program i njëjtë me atë të miratuar në 1943 në mbledhjen e Mukjes, ne konstatuam se Çlirimi-Nacional praktikisht ishte shpërndarë; Fan Noli pati shkuar prej kohësh në SHBA, Azis Çami ishte bashkuar me grupin tonë nacionalist Bashkimi Kombëtar. Tajar Zavalani, Riza Cerova, Kostandin Boshnjaku e Shefqet Korça ishin kthyer në Shqipëri, dr. Omer Nishani ishte vendosur në Greqi, pasi kërkesa e tij për t’u amnistuar ishte hedhur poshtë, ndërsa komunisti më i flaktë midis të tërëve Zai Fundo, që pak kohë më parë kishte ardhur në Paris nga Rusia Sovjetike nga ku ishte larguar tinëz, pasi ndiqej si antistalinist, tanimë qe neveritur plotësisht nga bolshevizmi. Fundo ishte lemerisur kryesisht nga egërsia çnjerëzore me të cilën persekutoheshin nga regjimi i Stalinit kundërshtarët e vet, ideologët më të mëdhenj rusë të marksizmit, të cilët qenë arrestuar prej GPU-së gjatë operacioneve të spastrimit e qenë dënuar me vdekje në periudhën e proceseve të bujshme për egërsinë e tyre, gjatë viteve 1936-1937” thuhet ndër të tjera në kujtimet e Këlcyrës.
Në kohën kur Komintern-i nisi të dyshojë dhe të përjashtojë intelektualët shqiptarë si “të pabesueshëm”, për t’i zëvendësuar me figura të errëta dhe të verbra ideologjikisht, Zai Fundo mbeti një nga të paktët që ruajti integritetin dhe qëndroi i lidhur me idealin për një Shqipëri të lirë, por jo të nënshtruar ndaj një tjetër diktature. Roli i tij si dëshmitar dhe kritik i herët i stalinistëve e vendos atë në një pozitë të veçantë në historinë e mendimit politik shqiptar, një figurë që u përpoq ta reformonte nga brenda të majtën shqiptare, duke e distancuar nga dogmatizmi dhe terrori ideologjik.
“Pas largimit të Nolit, e sidomos të Fundos të skandalizuar, Komintern-i nisi t’i shohë intelektualët shqiptarë si elemente të dyshimtë, armiq të stalinizmit dhe parapëlqeu zëvendësimin e tyre me njerëz të paditur e të paskrupullt, si dhe një varg kuadrosh e aktivistësh të partisë së sotme komuniste shqiptare”, thotë ndër të tjera Këlcyra./ CNA