2 korrik 1990; njerëzit ishin përfshirë në ndjekjen e Botërorit të futbollit që zhvillohej në Itali… Nga e gjithë Shqipëria u turrën dhe hynë në ambasadat e huaja një masë e madhe njerëzish. Familja Popa nga Durrësi kishte dhënë shembullin e parë. Atdheu po zvogëlohej në numër. Dufi dhe urrejtja e mbledhur për pothuaj 45 vite, varfëria dhe ëndrrat e vrara, humbjet e të dashureve për shkak të luftës së klasave, sollën atë ngjarje. Ato dhe ata kapërcyen më në fund murin, sfiduan izolimin, frikësuan frikën dhe u nisën drejt lirisë. Ja ç’mund të bëjë regjimi diktatorial! Ai të bën të paduruar jetën në atdheun e të parëve, atje ku të ka rënë koka. Dhe ti ikën. Kthen shpinën me dhimbje, sepse e ndjen se copëtohet familja jote. Ndahesh nga aroma e shtëpisë tënde, nga kujtimet, nga miqtë dhe shoqëria, nga gjithçka që ka një tjetër shije në atdheun tënd. Ikja vijoi, nga deti, nga mali, rrugë e pa rrugë. Ikje, si të urdhëruar nga një porosi mesianike. Ikje, si një pelegrinim drejt një të ardhmeje më të mirë. Ikja vazhdon fatalisht ende.
“2 korriku i 1990-ës është një ditë e shënuar e historisë sonë kombëtare. Ndoshta nga ato pika kulmore të shekullit XX, që nuk mund të kalojnë me harresë, me injorim apo me një lloj nënvlerësimi.
Ata njerëz janë sot shqiptarët europianë. Janë krenari për ne, janë modele dhe shembull trimërie e mençurie, por edhe patriotizmi. Pa dërgesat e tyre të parave te familjet, Shqipëria do asfiksohej. 2 korrik 2015, një ditë e shënuar! Ata dhe ato kudo që janë, na bëjnë krenarë, kudo ku kryejnë aktivitete, në punë, në zyra, në banka, në universitete, në akademi, në salla koncertesh, në spitale apo në hapësirat spaciale… Ju shqiptarë të mrekullueshëm që kryet atë akt kurajoz, jeni sot Europa shqiptare, jeni Amerika shqiptare, jeni ëndrra e pararendur e një populli që po dilte nga errësira diktatoriale, por që nuk e dinte se ç’e priste dhe çfarë duhej të bënte. Ju e treguat se çfarë: mirënjohje!”
Ky është shënimi që vura në murin tim të “FB”-së në 2 korrik 2015. Më bënte përshtypje heshtja zyrtare, më indinjonte anashkalimi… Edhe botimet në këtë vit për ngjarjet e tranzicionit shqiptar, shkruar në libra nga profesor Servet Pëllumbi, ideolog i majtë, nga letrari Preç Zogaj, ideolog oportun i koniunkturës, apo dhënë në intervista në të përditshmet, e injoronin me harresë këtë ngjarje. Të trembur t’i afrohemi ikjes, braktisjes së atdheut, zbrazjes së tij. Pse dhe deri kur? Pikërisht në këtë kohë, Ilir Demalia më shkruan se po punonte për një libër dhe së shpejti do ta sillte në dritë për lexuesin. Tani librin e kemi në duar, e lexova me një frymë. Më përpiu dhe e përthitha. Janë 200 faqe nga historia e Shqipërisë. Janë jo më shumë se 7 muaj: janar 1990 – 14 korrik 1990. Brenda harkut kohor ka episode, ngjarje, ndodhi, njerëz, fakte, digresione, diakroni historike. Është rrëfenja e një njeriu për të cilin nuk pengohem të them që në hyrje: Ilir Demalia është i “martuar” me lirinë. Jeta, e tani edhe librat e shkruar të Ilir Demalisë, tregojnë se ai ka një identitet të klasifikuar. Nën diktaturë liria ishte sfida për atë çka mungonte. Demalia iu qas asaj duke adhuruar “klerin katolik” dhe kulturën e tij. Ndoshta pa e ditur atë që thoshte Goethe, se “Europa është krijuar nga pelegrinazhi, gjuha e nënës e të cilit është krishterimi”, Iliri ishte mirë me lirinë, sepse ai njihte veprën teorike dhe njerëzore të Patër Anton Arapit dhe klerikëve të tjerë. Brenda tij, si në një gur ishin gdhendur fjalët e Patres në gjyqin komunist që e dënoi me vdekje, se: “Ne nën dhP do të jemi më të fuqishëm se Ju mbi dhP”. Edhe gjatë faqeve të librit, në historinë e asaj kohe që e rrezikoi jo pak jetën dhe lirinë e tij, Iliri në gjendje zhgënjimi apo pafuqie, në udhëkryqet e brendshme, e kujtonte atë thënie si bekim të misionit të tij njerëzor.
Liria e Ilir Demalisë në komunizëm ishte antikonformizmi i tij, që herë kishte pikërëndesa, e herë i shprishte ato, falë një anarkie kundërshtuese ndaj gjithçkaje që i takonte atij sistemi. Liria te ky person ishte blatuar edhe nga e ndaluara. Fishta dhe “Lahuta e Malcisë” kishin lënë vraga të thella të protestës në ndërgjegjen e tij. Ai e recitonte atë në atë kohë kur disa nuk i dinin as emrin, ose më keq akoma, kishte që Fishtën bashkë me Koliqin dhe Konicën, i quanin si shkrimtarët më reaksionarë dhe më antishqiptarë. Liria kishte bërë vend në personin e tij edhe për faktin se, si punonjës i Kinostudios në atë kohë, ai lëvizte në të gjithë Shqipërinë. Shihte nga afër gjendjen e përgjithshme të vendit, varfërinë ekonomike, izolimin e thellë, terrin informativ, manipulimin propagandistik, dhe horizontin e mbyllur me çka po ndodhte në ish-vendet e Lindjes. Prekte me shqisat humane pakënaqësinë e grumbulluar në dekada. Edhe pas viteve ‘90 e në vazhdim, Ilir Demalia, tashmë jo vetëm me jetën, por edhe me botimet, vjen si një “pelegrin i lirisë”, duke dashur të na provojë se shoqëria shqiptare, dhe në veçanti ajo që dje quhej inteligjenca dhe sot pjesa elitare, teknokate, eurokrate apo edhe globalokrate, nën diktaturë jetonte në “lirinë e munguar” nga frika e diktaturës; ndërsa sot është ende në gjendjen e mungesës së kurajës për t’u ndeshur, duke pasur “frikë nga liria”. Ky ekuacion është i dhimbshëm, dhe nuk duhet të ketë si zgjidhje fatalitetin. E them këtë, se edhe pas 25 viteve shqiptarët janë të dëshpëruar, të varfër, ëndërrplagosur, për të mos thënë ëndërrvrarë; duan të ikin dhe ikin në një pelegrinim dëshpërimi. A është libri i Ilir Demalisë, “Guri i Fundit i Dominosë”, një rrëfenjë thjesht personale që ai na e servir neve publikisht? Po, ky libër është i tillë! A është libri në fjalë një analizë e kronikës së kohës me skrupulozitetin që lyp shkenca e historisë, ku faktologjia e gjallë përbën themelin? Po, botimi është i tillë, sepse Ilir Demalia sjell deri në detaje ngjarjet që ka jetuar vetë, në stadium, në Kinostudio, në grumbullime (p.sh. demonstrimi i heshtur – një iluzion dhe deziluzion në vetvete), në Shkodër, në Sarandë, Himarë, në rrugët dhe rrugicat e Tiranës, dhe që kulmojnë me ditët e hyrjes në Ambasadën Gjermane, që kulmojnë me largimin nga atdheu. A është ky një libër i besueshëm? Në gjykimin tim, po. Historiografia jonë fiton edhe një tjetër botim jo nga ata të kalemxhinjve që çdo gjë shkruajnë, porse të vërtetën ose e ambalazhojnë, ose e gjysmojnë, ose më keq akoma e dënojnë me komplotin e heshtjes. Me këtë libër Ilir Demalia kryen një shërbim shumë pozitiv ndaj historiografisë sonë, e cila, për fatin jo të mirë të saj dhe tonin, ka mbetur ende në duart e disave që ende nuk janë shkëputur nga lidhjet e vjetra dhe të reja të merimangës së nomenklaturës së djeshme, klaneve, interesave okulte dhe shërbimeve të tjera të frikshme jashtë vendit.
Pse unë e besoj këtë libër? Për materien e tij historike, unë kam në atelienë time të arsyetimit dhe kujtesës edhe burime të tjera të besueshme për atë kohë dhe për ato ngjarje, dhe linjat e tyre më konvergojnë, ato janë komplementare. Pjesa e dytë e librit tregon ato 10 ditë të korrikut 1990 në Ambasadën Gjermane. Është përshkrimi i ndjerë i një gravure dhimbjeje, shprese, ankthi, denigrimi nga autoritetet jashtë ambasadës, që shkoi deri në prerjen e ujit të pijshëm, kufizimin e ushqimit dhe lënien e njerëzve, burra, gra e fëmijë, në kushte higjieno-sanitare mizerable. Përballë kësaj situate, spikasin humanizmi dhe përkushtimi i stafit të ambasadës, me në krye Ambasadorin e RFGJ në atë kohë, Dr. Verner Daum. Ishin 3.189 frymë. Drama e tyre fillon me një tragjedi, sepse ditën e parë të futjes në ambasadë, 17-vjeçari Altin Braka goditet nga polici shqiptar me armë zjarri brenda oborrit të pasmë të ambasadës dhe ai, me gjithë kujdesin e personelit, madje edhe në spital, humbi jetën. Ky djalosh krejt i harruar është dëshmori i parë i lirisë, ai që pasoi vrasjet në kufijtë e vendit tonë, dhe më kujton atë djaloshin 18-vjeçar gjerman, Peter Fechter, që u vra i pari kur tentoi të kalonte murin e Berlinit. Por drama vijon me lindjen e një gruaje në ambientet e ambasadës, në kushte krejt të paimagjinueshme, me asistencën e mjekut gjerman, doktor Platiel. Bebja u quajt nga prindërit Liberta – Liria. Një njeri iku nga ajo botë, një tjetër erdhi. Duhet llogaritur në këtë dramë edhe ai djali frikacak i cili, në momentin që do hipnin në autobusë për të ikur, edhe pse kishte kaluar kalvarin e atyre ditëve të tmerrit, nga kushtet dhe nga frika se mund t’i nxirrnin me forcë, si edhe ishte deklaruar nga autoritetet se “do të fusim Ushtrinë t’i nxjerrim”, i mbytur nga ngashërimi preferoi të dilte, ndërroi autobusin që do e shpinte në portin e Durrësit me makinën “Xingfu” të Degës së Brendshme. Në dramën njerëzore ka edhe të tillë, që vijën ndarëse mes guximit dhe frikës e kanë tejet të brishtë. Por Demalinë në atë kohë dhe në libër e ka ligështuar diçka më e thellë: guximi i munguar i inteligjencës së asaj kohe. Strukja e saj dhe, më keq akoma, mosdalja nga përkufizimi gati ekzistencial i Enver Hoxhës, se “shkrimtarët dhe artistët janë shërbëtorë të Partisë në edukimin komunistë të masave punonjëse”. Në hyrje të viteve ‘90, ata rezultuan me ndryshimin kozmetik, “shërbëtorë të Ramiz Alisë” për “uljen e butë”, me qëllim që të fitohej koha dhe të manipulohej historia që do të vinte. Dhe kjo ndodhi, për fatin e keq të të gjithë neve. Zhgënjeu shkrimtari Ismail Kadare me ikjen e vonuar, që rezultoi personale, sepse si argument që u dha prej tij ishte se “më ndjek Sigurimi i Shtetit”. Zhgënjyen shumë asokohe që shkruanin për idetë e plenumit të 9-të dhe të 10-të të KQ. Porse në muajin gusht 1990, në takim me Ramiz Alinë, pyetjes së tij se “Ç’mendoni për pluralizmin politik?” ata nuk iu përgjigjën. Ky mbetet Sizifi i tyre. Cilado manovër apo shteg orientimi sot prej tyre nuk shpie te kuraja, tek e vërteta, dhe kurrsesi te disidenca. Heshtën, heshtën, heshtën!
Në libër Ilir Demalia ka paraqitur një polemikë të hapur me ta, me fakte dhe me dëshmi të shkruara. Autori i vë ata përballë atyre se çfarë kanë shkruar ata në atë kohë, dhe ç’kanë deklaruar më vonë; kur janë përpjekur të retushojnë shkrimnajat e tyre. Në këtë mënyrë, autori zbulon në dritë të diellit inkoherencën e tyre, meskinitetin dhe pasinqeritetin me kauzën e lirisë dhe demokracisë. Shqetësimi i autorit në libër është se, kështu humbëm kohë atëherë, porse humbëm dhe kohën që do të vinte. Ëndrra e demokracisë kishte ardhur e asfiksuar, e përgatitur nga inkubatori i regjimit. Dhe ja ku jemi sot, me sistem të ndryshuar në strukturë dhe në formë, por me të njëjtët njerëz. Pikturimi që Demalia u bën atyre në sjellje, në karakter, në manierat e tyre, e sjell librin edhe si një analizë të arritur antropologjike. Edukata amerikane që ka marrë përgjatë leximeve ka lënë jo thjesht gjurmë, porse ka krijuar shtresë tektonike kulturore te Demalia. Librat e antropologjisë historike janë nga më të goditurit; kështu shkruan Erich Fromm, kështu shkruan Hennry Kissinger etj. Përveç elitave të pandryshuara, në vendin tonë kemi dhe të njëjtin mentalitet drejtimi dhe sjelljeje ndaj shoqërisë, progresit dhe lidershipit, që dje e quanim udhëheqja e partisë. Iliri ka revoltë në libër, sepse historia ka ngelur në vend si zhvillim, po pse? “Po se, – argumenton ai, – bijtë e regjimit sajuan pluralizmin dhe bëjnë sot rolin e demokratit dhe njeriut të lirisë.” Kjo hipokrizi neveritet nga autori. Ai proteston, por edhe ndjen dhimbje për atdheun. Demokracia e vendit është e pabesueshme, ndërsa dinjiteti njerëzor ende i molepsur. I vetmi ndryshim është se, ata që nuk guxuan dje, sot janë pasuruar në mënyrë të frikshme. Ndërsa Iliri me lirinë e tij punon 12 orë në Boston, dhe pasi vinte nga puna shkruan deri në orët e vona të natës librin. Ilir Demalia me këtë libër na kujton të jemi vigjilentë, sepse tek hipte në anije natën e 13 korrikut 1990, ish-zëvendësministri i Brendshëm i asaj kohe i tha: “Ik dhe mos llap andej keq”. Iliri iu gjej: “Kam folur këtu, por atje do flas edhe më shumë”. Dhe pas 25 viteve, Iliri vjen me një libër që ndryshe mund të quhet dëshmia e një dishepulli të lirisë. Porse ironia është e hidhur. Zv.ministri i djeshëm është edhe sot, pas një çerek shekulli, zv.ministër në po atë ministri, në Ministrinë e Brendshme. “Kujtesa ka gjithmonë të drejtë!” Një tjetër vlerë e librit të Ilir Demalisë është karakteri polemizues. Ky tipar i jep atij vlerë arkivale, sepse ai citon se çfarë kanë shkruar dhe deklaruar protagonistët e asaj kohe. Dhe autori njerëzit e shërbimeve sekrete Qemal Lame e Dilaver Bengasi, i diskrediton për shtrembërimet monstruoze, madje i kap “shah-mat” në alogjizmat e argumenteve të tyre. Në referencat që ka ndaj intelektualëve të fillimviteve 1990, dhe që më vonë ndërtuan partitë politike dhe të ashtuquajturën shoqëri civile, autori u zbulon tri gjëra: hipokrizinë, demagogjinë, megalomaninë, që në vetvete janë tri tiparet themelore të komunizmit dhe propagandës që ai ndërtoi… Jam i sigurt se më këtë libër Ilir Demalia do të bëjë shumë miq, por do zgjojë edhe shumë armiqësi. Libri do t’u kthejë gjumin e prishur shumë njerëzve që janë ende gjallë, madje me kostumin e rremë të demokratit, duke filluar që nga zoti Sali Berisha, që demokracinë ia dedikonte udhëheqësit Ramiz Alia. E citoj zotin Berisha, marrë nga libri i Demalisë. Është një fragment i fjalës së tij në 12 dhjetor 1990 përpara studentëve. “Në këtë mes, mirënjohja jonë e madhe shkon së pari te presidenti, shoku Ramiz Alia, me një mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të Ushtrisë sonë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në beteja të reja të demokratizimit të Shqipërisë.” Demalia nuk beson as tek Edi Rama, tek i cili kishte një besim të skajshëm në pranverën e vitit 1990. Ja si shkruan autori në librin e tij: “Nuk do ta mendoja kurrë në atë kohë që Rama do të përfundonte këtu ku është sot, i shpërfytyruar së pari me veten e për veten, kundër asaj çka ka predikuar si kundërshti e moskundërshtisë për të kundërshtuar,… fakti që Rama u bë pjesë e përçmimit për çmimin, tregon se rebelimi i tij ka qenë thjesht për të plotësuar kapriçot dhe manierat e tij, por aspak si njeri me bindje në veprimet e tij. Këtë e tregon e gjithë veprimtaria e Ramës, i cili, ashtu si e ka lyer Tiranën, ka dhe mendimet. Kjo duket në të gjithë moskonsistencën e tij.” Me këtë frymë polemike Ilir Demalia tregon se me “kryqin e lirisë” në shpinë vijon të ngjisë Golgotën e tij qytetare. Me librin e tij na thërret të gjithëve në një meshë të sinqertë pendimi. Edhe mua personalisht, që në atë kohë nuk isha në krah të Alisë, porse nuk isha as edhe në krahun e Demalisë… Për t’u ndarë me pak më shumë entuziazëm nga ajo gjendje, po i sugjeroj diçka autorit. Ju në libër shtroni një problem: përse intelektualë të tjerë nuk u futën në ambasada, dhe citoni vetëm dy-tre emra, Eva Pëllumbin, Armand Xhulin dhe bas baritonin e Operës… Tani po të tregoj diçka që edhe syve të tu, që ndryshe quhen “syçe”, u kanë shpëtuar… Atje në hyrje të godinës kryesore të Ambasadës Gjermane, sipër ca kartonëve, ka qenë edhe një familje nga Fieri. Violinisti Virgjil Gega, nipi i Liri Gegës, e shoqja Valentina Ajazi Gega, violiniste, që sot janë mësues të nderuar në Gjermani, djali i tyre i vogël, por dhe vajza e tyre 15 vjeçe, Evis Gega, me violinën e saj. Pra, në atë “Titanikun” tuaj që mund edhe të mbytej, ishte edhe një instrument muzikor dhe një trio orkestër dhome. Sot Evis Gega është profesore në Universitetin e Mainzit, është një artiste me famë botërore dhe ambasadore e UNESCO-s… Ja pra atje, nga ai “gjirizi” i atij ambienti, që politika zyrtare nuk besonte dhe shfryu me injorim, lindën margaritarë të tillë. Në përvjetorin e 25-të të futjes në ambasada, pati një aktivitet në Gjermani, ku Evis Gega ishte e ftuar nderi. Nëse heshtet në atdheun tënd nga institucionet, kjo është e turpshme, porse memoria historike është më e gjerë: ajo ushqehet edhe nga botime si ky i Ilir Demalisë. Vetëm ambasada e RFGJ-së në Tiranë organizoi një aktivitet përkujtimor, ku nuk munguan protagonistët e ngjarjes së 2 korrikut të 1990-ës, por ishin dhe ithtarët e djeshëm të pushtetit. Kishin ardhur të tregoheshin si ish-disidentë. Historia nuk retushohet, e vërteta nuk pranon kozmetikë, heronjtë nuk lindin në zyra! Ky është përfundimi që të ngulitet në mendje pasi lexon këtë libër të gjallë të historisë sonë. Ju faleminderit të gjithëve juve, heronjve civilë të futjes në ambasada në korrik të vitit 1990! Siç thoshte Napoleon Bonaparti, “bota vuan më shumë nga heshtja e njerëzve të mirë”. Me këtë libër mësohemi të mos heshtim… Historia vazhdon!
Komentet