E nderuara Zonja Elida,
Lexova artikullin me titull “22 marsi 1992 dita e Sovranit” që e kishit botuar në Portalin tuaj “voal.ch”. E lexova dy herë dhe u trondita. Sot ishte dhe një ditë jubilare: ishte pikërisht 25-vjetori i fitores së lirisë. Ju, si një intelektuale dhe publiciste me formim të admirueshën intelektual, keni shumë të drejtë: kjo ditë duhej festuar me madhështi. Po kush ta festonte? Ata që janë të etur për pushtet nuk mund ta festonin, sepse etja për pushtet është mendësi neokomuniste në kushtet e pluralizmit. Prandaj liria për popullin shqiptar mbeti si një vegim i largët, i cilit, sa më shumë të mundohesh t’i afrohesh, aq më shumë largohet. Liria, moj Zonjë e nderuar, erdhi vërtet më 22 mars, por erdhi me ca kushte që qenë vendosur diku atje nëpër kthinat e diktaturës enveriste: që kriminelëve të atij sistemi gjakatar që i hodhi shqiptarët kundër shqiptarëve gjatë një gjysmë shekulli, të mos u prekej as thoji i këmbës, që Enver Hoxha të vazhdonte të mbetej i dekoruar me medaljen “hero i popullit”, që popullit t’i reklamohej demokracia si një mjedis parajsor, por nomenklatura komuniste të vazhdonte të rrinte hijerëndë në qetësinë e vet. Dhe kështu ndodhi vërtet. Se shqiptarët nuk do të dënoheshin më për agjitacion e propagandë, për sharjet dhe fyerjet në adresë të pushtetit, por ama, në vend të burgut dhe të kampeve të pëqendrimit, të rrethuar dikur me tela me gjemba, tani do të braktiseshin në mëshirën e varfërisë së tejskajshme. Dhe kjo me qëllim që të pabindurit të braktisnin vendin, kurse kurrizshtruarit ta shtronin edhe më shumë kurrizin para padronëve neokomunistë. Pikërisht ky është realiteti rrëqethës që u krijoi klasa politike shqiptare shtresave të gjera të popullit, realitet që u shoqërua me krijimin e një kaste oligarkësh milionerë dhe miliarderë.
Tani, në këndvështrimin tim, populli është shushatur dhe s’di nga t’ia mbajë se zhgënjimi i tij është i paimagjinueshëm. Ai nuk turret më drejt Sheshit Skënderbej, drejt Kryeministrisë dhe ta kapë për lecka këtë klasë politike tradhtare majtas e djathtas, të kërkojë me ngulm rrasjen e saj prapa hekurave, në mënyrë që t’u bëhet mësim atyre që do ta zëvendësojnë. Inteligjencia universitare hesht, studentët duken si të paqenë, prandaj edhe klasa politike ekzistuese, në heshtje, i nxjerr gjuhën popullit. Në këto kushte, unë perspektivën e shikoj të zymtë, aq më tepër që Reforma në drejtësi, i ashtuquajturi Veting, shërben si telenovela e radhës për ta vënë popullin edhe më shumë në gjumë, sidomos edhe nën ndikimin e drogës. Te Perëndimi evropian nuk mund të shpresohet për të ndryshuar gjendjen, sepse ai, gjatë më shumë se një shekull të tërë, kombin shqiptar e ka trajtuar dhe vazhdon ta trajtojë si parcelë eksperimentale. Aq më tepër që ai ta vë festen siç ke kokën.
Të fala mikut tim Skënderit.
Me respekt.
Eshrefi
Santa Barbara, Kaliforni
22 mars 2017
Komentet