Mediat shkruajnë se provat e paraqitura në gjyq vërtetuan se Didani ishte një udhëheqës i një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës me lidhje me Shtetet e Bashkuara, Amerikën e Jugut dhe Evropën
SHBA– Një 48-vjeçar shqiptar është dënuar me 25 vite burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është Ylli Didani, 48 vjeç, me origjinë shqiptare. Didani i cili jeton në Michigan është dënuar për shkak të trafikut ndërkombëtar të kokainës me një vlerë prej 100 milionë dollarësh. Gjithashtu ai akuzohet për shpërndarje kokaine dhe pastrim parash.
Mediat shkruajnë se provat e paraqitura në gjyq vërtetuan se Didani ishte një udhëheqës i një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës me lidhje me Shtetet e Bashkuara, Amerikën e Jugut dhe Evropën. Didani dhe disa persona të tjerë planifikuan dhe financuan shpërndarjen e kokainës nga disa vende, duke përfshirë Distriktin Lindor të Miçiganit.
Didani organizoi shpërndarjen e dërgesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, ku kokaina u sekuestrua nga forcat e rendit. Si rezultat i këtij hetimi, në vitin 2019 dhe 2020, forcat e rendit sekuestruan mbi 4300 kilogramë kokainë të ngarkuara në pesë anije të ndryshme kontejnerësh që ishin drejt porteve ndërkombëtare. Kokaina e sekuestruar ka një vlerë rrugore prej mbi 100 milionë dollarë.
Provat në gjyq vërtetuan se Didani dhe anëtarët e tjerë të organizatës së tij planifikuan projektimin e një droni nënujor që do të përdorej për të transportuar sasi të mëdha kokaine në Evropë. Droni, i cili do të pajisej me një modem nënujor dhe antenë GPS, do të transportonte kokainën ndërsa ishte ngjitur në fund të një anijeje komerciale.
“Ky dënim dërgon një mesazh të qartë se asnjë organizatë e trafikut të drogës nuk është përtej mundësive tona. DEA punon krah për krah me partnerët tanë lokalë, shtetërorë, federalë dhe ndërkombëtarë për të identifikuar, prishur dhe çmontuar këto rrjete kriminale globale. Konfiskimi i më shumë se 4,300 kilogramëve kokainë gjatë këtij hetimi tregon se çfarë mund të arrijmë kur qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e publikut nga ata që përfitojnë nga varësia,” tha Agjenti Special i DEA-s Dixon./Dosja.al