Teksa në vitin 1971 Shqipëria nisi të prishte bashkëpunimin me Kinën, e dëshmuar kjo dhe në letrën që Hoxha i dërgoi Mao Ce Dun për afrimin me SHBA, bashkëpunimi me Korenë e Veriut ishte solid. Gazeta po publikon dy letra të këmbyera mes Enver Hoxhës dhe liderit korean Kim Il Sung, ku ky i fundit e informonte diktatorin shqiptar mbi planin e tij për bashkimin e Koresë së Veriut me atë të Jugut. Po ashtu palët shprehen se janë në unison kundër SHBA.
7 korrik 1973
Letër e udhëheqësit korean Kim Il Sung për udhëheqësin shqiptar Enver Hoxha, ku theksohet historia e Koresë si një vend i vetëm dhe parashtrohet programi me pesë pika për bashkimin paqësor. Më tej Kim Il Sung shtron çështjen e pranimit në OKB dhe thekson se vetëm një Kore e bashkuar duhet të bëhet anëtare e kësaj organizate.
I dashur shoku Enver Hoxha,
Duke parë me lumturi të madhe zhvillimin e marrëdhënieve vëllazërore dhe të miqësisë mes partive, qeverive e popujve të dy vendeve tona, ju dërgoj ju dhe partisë shqiptare përshëndetjet tona më të ndjera. Desha t’ju shpreh ju dhe komitetit të partisë tuaj mirënjohjen e thellë për faktin se arenën ndërkombëtare, duke përfshirë dhe në OKB, vendi juaj po bën një betejë të ashpër në mbështetje të kauzës së madhe të popullit korean, për bashkimin e atdheut tonë. Ju keni marrë masat e nevojshme për të treguar solidaritetin e fortë dhe mbështetjen për letrën që ne i kemi dërguar qeverive të botës, të aprovuar në sesionin e dytë të asemblesë së vendit tonë. Përfitoj nga ky rast për t’ju informuar ju dhe komitetin qendror të partisë suaj, mbi situatën e krijuar së fundmin vendin tonë në lidhje me programin pesë-pikësh të ribashkimit paqësor të vendit, të publikuar së fundmi. Me kalimin e kohës, ndarja e vendit i ka shkaktuar shumë dhimbje popullit tonë, i cili gjatë mijëra vjetëve ka jetuar si një i vetëm, dhe ka krijuar gjithashtu probleme për ruajtjen e paqes dhe sigurisë si në Azi dhe në të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara prej 28 vjetësh kanë vendosur regjimin e ndarjes së territorit duke ndarë kombin dhe popullin tonë. Ndërsa tani duke përdorur taktikat e dyfytyrësisë, por përpiqen të nxisin koreanët kundër koreanëve, me qëllim konsolidimin e ndarjes së tyre përgjithmonë dhe fabrikimin e dy Koreve të ndara. Pas letrës sonë mbi makinacionet e SHBA, zyrtarët e Koresë së Jugut po punojnë drejt një konfrontimi mes Jugut e Veriut, duke shtuar kapacitetet ushtarake dhe duke përqendruar forcat e tyre në kufi. Ata kanë nisur planet për krijimin e dy shteteve të veçanta dhe po njoftojnë publikisht ndarjen e vendit tonë. Prej këtyre fakteve dhe megjithë përpjekjet tona për bashkimin paqësor të vendit, ne për momentin nuk shikojmë progres të mjaftueshëm në bisedimet mes Jugut e Veriut, ndërsa perspektivat e mrekullueshme për ribashkimin e atdheut që u prezantuan një vit më parë në deklaratën e përbashkët të Veriut dhe Jugut, tashmë po errësohen gjithnjë e më shumë dita-ditës. Në një kohë kur brenda dhe jashtë vendit tonë ne po shikojmë këto përpjekje për ndarjen e përhershme të vendit, bazuar në përpjekjet e sinqerta për tejkalimin e këtyre vështirësive dhe arritjen e aspiratës së vendit, ne po prezantojmë përsëri programin tonë për bashkimin paqësor dhe të pavarur.
Programi
Së pari ne propozojmë eliminimin e situatës së konfrontimit ushtarak dhe të tensioneve mes Jugut e veriut. Likuidimi i situatës ushtarake dhe i tensioneve është aktualisht çështja më urgjente dhe thelbësore për të eliminuar keqkuptimet dhe mungesën e besimit. Ai do të krijonte atmosferën e bashkimit të madh kombëtar për realizimin e ribashkimit paqësor. Për sa kohë që thika mbetet nën xhaketë, nuk do të mund të krijohet atmosfera e besimit reciprok dhe të zgjidhet me sukses problemi i bashkëpunimit dhe shkëmbimeve. Ngrirja e rritjes së forcave të armatosura do të ishte një hap i parë në shkrirjen e tensionit, teksa ne disa herë i kemi kërkuar autoriteteve ndalimin e garës së armatimeve, largimin e trupave të huaja dhe ndalimin e dërgesave të armatimeve nga jashtë. Së dyti ne kemi prezantuar propozimin për arritjen e bashkëpunimit në disa nivele dhe lidhjet tregtare mes Veriut dhe Jugut, në fushat e politikës, diplomacisë, ekonomisë dhe kulturës. Në mendojmë se nisja e një bashkëpunimi të tillë mes Veriut dhe Jugut ka një rëndësi të madhe për rihapjen e lidhjeve kombëtare të ndërprera, dhe për krijimin e premisave për ribashkimin. Në e përsërisim se zyrtarët koreanë nuk duhet të mbështeten në forcat e huaja por duhet të pranojnë zhvillimin e ekonomisë në interes të të gjithë kombit tonë, me anë të shfrytëzimit reciprok të burimeve tona natyrore dhe të arritjes së bashkëpunimit në të gjitha fushat. Së treti ne propozojmë që t’i jepet të gjitha shtresave të popullatës së Jugut dhe Veriut, shansi për të marrë pjesë në procesin kombëtar e patriotik të ribashkimit të atdheut tonë. Ne besojmë se për sa kohë që ribashkimi i atdheut duhet të zgjidhet me vullnetin e popullit të Jugut e të Veriut, dialogu mes tyre nuk duhet të kufizohet në përfaqësuesit e autoriteteve qeveritare, por të ulet dhe nivel të gjerë kombëtar. Për këtë arsye ne propozojmë të mblidhet një asamble e gjerë kombëtare me shumë nivele të popullatës, rretheve politike e shoqërore, ku të kryhen diskutime të lira për çështjen e ribashkimit dhe vullnetit e dëshirave të popullit tonë. Së katërti ne propozojmë krijimin e konferederatës së Jugut e të Veriut në emrin e një shteti të vetëm, Republika Konfederative e Gorios. Mbledhja e asamblesë kombëtare dhe arritja e konsolidimit të madh kombëtar, si dhe mbi këtë bazë krijimi i sistemit konfederativ, konsiderohet nga ne kursi më racional për arritjen e ribashkimit të vendit, duke ruajtur për njëfarë kohe dy sistemet që ekzistojnë në Veri dhe në Jug. Ne kemi propozuar që nëse krijohet sistemi konfederatë i përbërë nga Jugu dhe Veriut, vendi të quhet republika konfederative e Gorios, duke e risjellë emrin e Gorios i cili njihet gjerësisht në botë si shteti i vetëm që ka ekzistuar në territorin e kombit tonë.
Marrëdhëniet e jashtme
Së pesti, ne kemi propozuar që veriu e Jugu të veprojnë në mënyrë të përbashkët në marrëdhëniet e tyre të jashtme, me qëllim zbutjen e ndarjes së dy kombeve tona. Kombi ynë si një komb i vetëm, i cili gjatë mijëra vjetëve histori ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë si një kulturë dhe gjuhë e vetme, nuk mund të jetojë i ndarë në dy pjesë. Ne besojmë se për shuarjen e ndarjes së përjetshme duhet të nisim punën në marrëdhëniet e jashtme. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare me vendet e tjera, ne gjithashtu jemi absolutisht kundër çdo tentative për të fabrikuar dy Kore të ndara. Në insistojmë se Jugu dhe Veriu nuk duhet të jenë anëtare të ndara të Kombeve të Bashkuara, prandaj duhet të synojmë në fillim bashkimin e vendit pastaj anëtarësimin në OKB me qëllim të të hyjmë me një emër të vetëm, të paktën pas vendosjes së sistemit konfederativ. Ne besojmë se përveç çështjes se anëtarësimit në OKB, sa herë që çështjet e lidhura me Korenë përfshihen në axhendën e përditshme të OKB, duhet të ftohen përfaqësuesit e Republikës Demokratike të Koresë. Ne besojmë se propozimet tona janë të pranueshme për të gjithë, ato janë më racionalet dhe më praktiket që përfaqësojnë aspiratat më urgjente të popullit korean, i cili kërkon ndalimin e ndarjes së vendit, përmirësimin e jetës së tyre dhe avancimin e kauzës së tij të pavarësisë dhe paqes. Tani po bëhet çdo ditë e më e qartë se cilët dëshirojnë me të vërtetë paqen dhe ribashkimin dhe cilët dëshirojnë luftën dhe ndarjen. Shpreh besimin se partia juaj, qeveria dhe populli do t’i kushtojnë vëmendjen e duhur situatës aktuale të popullit tonë dhe do të marrë masa aktive për mbështetjen e kauzës së tij të ribashkimit, pa ndërhyrje nga jashtë dhe mbi baza demokratike e paqësore. Unë jam i bindur se marrëdhëniet e ngushta dhe miqësia mes partive e popujve tanë do të forcohet në të ardhmen dhe do të zhvillohen bazuar në parimet marksiste-leniniste dhe internacionalizimin proletar. Ju uroj shëndet dhe suksese në punën tuaj. Sekretari i komitetit qendror të partisë koreane, Kim Il Sung
Gusht1973
Leter nga Enver Hoxha për udhëheqësin korean Kim Il Sung, në lidhje me çështjet e ribashkimit të Koresë, ku Hoxha ofron mbështetje të plotë për propozimet e Veriut për ribashkim. I nderuar shoku Kim Il Sung, mora me kënaqësi të madhe letrën tuaj të ngrohtë të 7 korrikut 1973, ku ju miqësisht informoni Partinë e Shqipërisë për propozimet për ngjarjet e fundit në Kore, dhe për programin e ri të hartuar prej jush për ribashkimin paqësor të vendit. Përfitoj nga ky rast t’ju falënderoj për urimet e ngrohta për popullin shqiptar, partinë dhe qeverinë, si dhe për njohjen e mbështetjes sonë ndaj kauzës së drejtë të popullit vëlla korean për aspiratat e tij kombëtare të ribashkimit. Ne jemi të lumtur që marrëdhëniet dhe miqësia mes dy vendeve tona po zhvillohen nga një ditë në tjetrën. Këto marrëdhënie mbështeten në asistencën e respektin reciprok për konsolidimin e fitoreve të socializmit në Kore e Shqipëri, dhe vlerësohen shumë prej nesh. Populli dhe partia shqiptare kanë ndjenja të thella dashurie e respekti për popullin guximtar e liridashës të Koresë, dhe janë lumturuar pa masë nga fitoret tuaja në ndërtimin e socializmit dhe në forcimin e republikës demokratike të Koresë. Partia dhe qeveria e Shqipërisë e kuptojnë më së miri shqetësimin e ligjshëm të partisë koreane mbi situatën e tensionuar që ka ardhur si rezultat i ndarjes së vendit dhe vuajtjen e bashkatdhetarëve tuaj në Korenë e Jugut nën shtypjen e dyfishtë dhe nën terrorin e imperialistëve amerikanë dhe kukullave të tyre në qeverinë e Koresë së Jugut. Ne denoncojmë politikat agresive që Shtetet e Bashkuara po zbatojnë tashmë prej 20 vjetësh ndaj Koresë së Jugut, dhe vazhdojnë të mbajnë trupat e tyre ushtarake në Kore, duke e kthyer atë në një koloni dhe në një bazë agresioni ndaj Koresë së veriut. Vazhdimi i një situate të tillë është shkelje e rëndë e të drejtave sovrane të popullit korean, i shkakton atyre shumë dhembje, dhe gjithashtu kërcënon paqen dhe sigurinë në gadishullin korean dhe në të gjithë Lindjen e Largët. Populli korean ka një histori të lashtë, mijëra-vjeçare, që përbëhet nga një popull i vetëm. Ai ka të drejtën e parefuzueshme të ribashkohet dhe të jetë përsëri një. Ribashkimi i popullit korean është një detyrë e lartë historike të cilën ju padyshim do të realizoni. Partia dhe qeveria e Koresë me të drejtë dhe vazhdimisht i ka dhënë rëndësi parësore çështjes së ribashkimit. Ju keni luftuar të vendosur për arritjen e kësaj detyre të madhe dhe plani me 5 pika i prezantuar këtë vit nga partia koreane e punës për ribashkimin, është një akt i rëndësishëm politik që kontribuon në avancimin e aspiratave të shenjta të popullit korean, dhe godet imperializmin amerikan dhe veglat e tyre në Korenë e Jugut, të cilat po përpiqen të përjetësojnë ndarjen e vendit tuaj. Propozimet tuaja specifike dhe në kohën e duhur për eliminimin e konfrontimit ushtarak dhe arritjen e një atmosfere uniteti kombëtar, tregojnë vullnetin e mirë të Koresë Demokratike për zgjidhjen e problemit dhe tregojnë qartësisht se cilët janë të interesuar në zgjidhjen e ribashkimit, dhe se cilët janë të interesuar në luftën dhe ndarjen.
Qëndrimi
Në emër të popullit shqiptar, partisë dhe qeverisë, më lejoni t’ju shpreh ju dhe partisë koreane, mbështetjen tonë por programin me 5 pika mbi bashkimin e popullit korean në një front të vetëm të unifikuar kundër imperializmit dhe administratës së Seulit, duke hapur mundësitë e reja të zgjidhjes paqësore të problemit korean, pa ndërhyrje nga jashtë. Unë ju siguroj se populli shqiptar do të jetë gjithmonë përkrah popullit vëlla korean, qoftë në Kombet e Bashkuara apo dhe në forume të tjera, në mbështetje të largimit të trupave agresive dhe bazave amerikane nga vendi juaj, dhe për ndalimin e garës së armatimeve dhe përqendrimin e forcave ushtarake në kufirin tuaj ndarës. Ne duam t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë ndërhyrjes së OKB në punët e brendshme të popullit korean, dhe shpërndarjen sa më shpejt që është e mundur të ashtuquajturit komisioni i OKB për Ribashkimin e Rindërtimin e Koresë, i cili është një grup ilegal që nuk dëshiron bashkimin e vendit. Partia dhe qeveria jonë do të demaskojnë me forcë planet djallëzore për dy Koretë, të cilat kërkojnë të bëjnë të ligjshme kolonizimin dhe dominimin e vendit nga SHBA. Ne do të kundërshtojmë me vendosmëri çdo tentativë për të pranuar “dy Kore” në Kombet e Bashkuara si dhe çdo intrigë tjetër që mund të shpikë imperializmi amerikan, i vetëm ose me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij, kundër popullit korean. Ne do të bëjmë çdo gjë për të forcuar pozitën ndërkombëtare të republikës demokratike të Koresë, si përfaqësuese e vetme dhe e vërtetë e popullit korean. Përfitoj nga kjo mundësi t’ju jap ju dhe partisë koreane përshëndetjet e ngrohta dhe urime për suksese të mëtejshme në triumfin e kauzës së revolucionit dhje socializmit në Kore. Enver Hoxha, Sekretar i parë i Partisë së Punës së Shqipërisë.
Komentet