Vendlindja e atit ose origjina, nuk është thjesht një toponim, një emër i thjeshtë vendi diku në mal apo në fushë. Nuk është thjesht një emër trualli. Vendlindja ose origjina, me bukuritë dhe traditat nëpë kohëra, mbetet një univers, një memorie kolektive e mbushur me ngjarje, luftëra për liri dhe mbijetesë në sfidat që pllakosën dhe si e tillë është edhe një kujtesë që duhet ruajtur gjithësesi në kushtet e presionit dhe tiranisë së globalizmit dhe furisë së kohëve moderne.

1.
Në këtë rrugëtim, përtej mbijetesës dhe mirëqënies, ndoshta është e dobishme të kthejmë sytë nga disa fakte ku përpos të tjerash edhe nje fshat në dukje e shtrirje fizikisht i ‘vogël’ si Lekdushi, pati dhe ka një reliev historik e social që i dha disa tipare të mëvetësishme krahas atyre të përbashkëta si trevë, si Kurvelesh e si Labëri.
Si ka mundësi që ‘një grusht fshat’ kishte burrat apo përfaqësues të tij në betejat dhe kuvende krahinore përgjatë rrjedhave të historisë e përpjekjeve për liri, gjatë okupacioneve shekullore apo disa vjeçare?
Por është fakt psh ,që përtej kurorës së kështjellës së maleve mbi njëmijë metra mbi nivel të detit, banorë të Lekdushit kërkuan dy rrugë: atë ekonomike për prosperitet e mirëqënie dhe atë të dritës për emancipim shoqëror.
Kështu me pak habi mësojmë se rrugët e kurbetit shriheshin nga Stambolli, në Australi e Amerikë.

Në Federatën drtiëdhënëse “VATRA” me dy apostujt elegant e largpamës të shqiptarisë si Fan S.Noli dhe Faik Konica, ku u projektua për herë të parë edhe ideja e shtetit dhe mëvetësisë sonë si shtet, nga ky fshat ‘i vogël’ ishin anëtarë aktivë mbi tetëdhjet burra (nga Lekdushi. ) Dikush prej tyre shkruante edhe në gazetën “Dielli”. Ka edhe fakte impresionuese nga diaspora e kohës së lavdishme të VATRËS që lidhen dhe e bëjnë të ndihet mirë çdo bir të këtij fshati apo me origjinë nga Lekdushi.
Në një letër të Imzot Fan Nolit, Hirësia e Tij falënderon kontributin e komunitetit lekdushas në Amerikë në dobi të Kishës Autoqefale të Shqipërisë. (Kjo letër mund të lexohet sot në Lekdush edhe në Sallën Kujtesës dhe Traditave).
…”Mora letrën tuaj të datës 4-11-59 dhe u gëzova pa masë që do të na përkrahni për ditën e pesëdhjet vjetorit të Meshës së parë SHQIPE…Perëndija ja u çpërbleftë me të gjitha bekimet në jetë mor bir i pakursyer fare. Babai i yt ishte kurorëzuesi i kësaj pune pesëdhjet vjet më parë (1908)d he juve sot na nderoni të bëhemi më të fortë se kurrë…”

2.
Në pllajën malore të Kurveleshit të Sipërm ka një reliev kaq befasues me kanione e hone të frikshme shkëmbore, dramatike si ajo e Stomiries përballë, rrëpira, lugina e lugje gjithfarësoj.
Por, kur ngjitesh nga Tepelena drejt Kurveleshit dhe lë pas Gërxhunin e famshëm, befas, je ngjitur ne pikën më të lartë ku sytë rrokin një pllajë lirike, lëndinat e qeta të Lekdushit. Dhe të duket sikur je pranë tempullit te retë si një bashkë e bardhë delesh në qiell. Si një pëllëmbë afër Zotit.

Jo pak njerëz kanë vënë re se lekdushasi dallohen si tipa socialë jo nga temperamenti bërtitës por, nga tonet dhe një temperament i qetë dhe i butë e përkorë.
Sa ndikon relievi gjeografik në temperamentin e njeriut? Po ndërgjegja dhe kujtesa kolektive, sa? Po emigrimi dhe tradita e të parëve, që shtresohet nga brezi në brez, sa?
Për këto, nuk ka studime, por sytë e vëmendshëm të kureshtarëve dhe bashkëbiseduesve të gjezdisur dhe krahasimtarë, mundet ta qëmtojnë këtë temperament lehtësisht.

3.
Fshati i gazetave. Po së paku prej një shekulli është ndeshur sinonimi i këtij fshati edhe si ‘fshati i gazetave’.
Si gazetar i jugut në vitet ’80, e ndesha për herë të dytë diku në një stan të një fshati minoritar grek. Në Gravë. Çobani i moshuar më pyeti:
Nga je? Këtej nga Jugu. Çobani: Po nga?Unë: Nga Tepelena Ai: Po nga? Nga Labëria? Ai: Po nga fiks? Nga Kurveleshi. Ai :Po nga cili fshat?(qënkej i gjezdisur…) Unë: Me origjinë nga Lekdushi. Ai: Aaaaa, qënke nga fshati i gazetave.!…
Vëzhgues të ndryshëm konstatojnë se emigrimi pothuaj masiv i banorëve të fshatit të vogël në Amerikë mes dy luftrave Botërore, po edhe frekuentimi nga disa të rinj me këtë origjinë i kolegjit famëmadh ZOSIMEA ku u mbrujt Rilindja jonë Kombëtare, ka lënë gjurmët e veta ndoshta në metaforën e mësipërme.
4.
Kush shkon tani në Lekdush, mund të vizitojë në shkollën “Sinan Kërpi” edhe një SALLË të konceptur së fundi nga bashkësia e atyshme dhe ‘diaspora’ e afërt, me origjinë prej këtu si SALLA E KUJTESËS DHE TRADITAVE.

Nuk ka diçka me hije të rëndë prej muzeumi klasik. Me pavione, etj, etj,.Jo. Ka disa ‘grimcëza’ nga personazhe historikë e socialë në harkun kohor të një shekulli pothuaj, ku, mund të ‘udhëtosh’ e të qëmtosh diçka më shumë e konkrete nga kujtesa kolektive të këtij komuniteti nëpër kohëra. Ka disa figura këtu që “xixëllojnë” prej territ të historisë me me bëma kontribute.

Hito Labi Lekdushi, anëtar i Çetës së Çerçiz Topullit dhe atentator i Bimbashit turk të Gjirokastër (1908) është kthyer këto ditë në fshatin e tij, tani në bust prej me kontributin vullnetar të bashkëfshtarëve. Këtej ështe edhe Muço Matohiti, Heroi i Popullit, pp edhe një jurist si Hidajet Lekdushi (ish prefekti i Mallakastrës gjatë lufëts së Dytë Botërore ) për të cilin studjuesi Xhezo Cana, pohon se punoi për shmagien e disa vëllavrasjeve në Mallakastër dhe pushtetin e dorëzoi në tavolionë te njerëzit e malit (rast i rrallë në ish vendet e Lindjes),por kur shkoi të ndiqte si jurist punimet e Asamblesë Kushtetuee në Tiranë në ’46-tën e arrestuan dhe vdiq në tortura në burgun famëkeq të Burrelit… Sinan Kërpi, patrioti dhe publicisti i “Diellit”, mësuesi që erdhi nga VATRA me përgatitjen më parë te “ZOSIMEA” për të çelur shkollën e parë shqipe në fshat ishte edhe ky nga “fshati i gazetave”.

Po edhe te tjerë janë me rrënjë nga ky fshat i vogël që kanë spikatur në disa fusha me vokacion kombëtar si Bujar Llapaj, sot dirigjent i orkestrës së Vankuverit (Kanada), Hito Hitaj ish trajner i Flamurtarit dhe zv.trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, gjeologu i shquar Afat Serjani, infermieri ikonë i spitalit “O. Nishani” në Gjirokastër, etj, etj,.
Sot fshati i vogël ka rreth 25 shtëpi me njerëz brenda. Ka dy bujtina që presin turistë vendas dhe të huaj çdo muaj të vitit. Një tjetër po bëhet gati të nisë aktivitetin. Njera nga bujtinat ka emrin “VATRA” dhe menaxhohet sot nga një pasardhës i mlsuesit që erdhi dikur nga VATRA për shkollën shqip . Këtij visi sheh një copëz Labërie.
Në këtë qasje u përpoqëm të sillnim vetëm disa qëmtime dhe grimcëza nga personazhe historikë e socialë të kësaj copëze Shqiperie që quhet Lekdush.
