Që nga aksidenti dramatik në Meribel në dhjetor të vitit 2013, Mikael Shumaker është mbrojtur nga një mur i pakalueshëm privatësie. Me dëshirën e familjes, nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar dhe asnjë buletin mjekësor publik. Vetëm një rreth jashtëzakonisht i ngushtë njerëzish të besuar ka pasur akses në rezidencën e ish-pilotit të Ferrarit, mes tyre Zhan Tod, Luka Badoer dhe menaxherja historike Sabin Kehm.
Megjithatë, një emër i papritur krijon një lidhje interesante mes legjendës së Formula 1 dhe të tashmes së tenisit botëror: Laila Hasanoviç. Sipas “Daily Mail”, partnerja aktuale e Janik Siner është një nga shumë pak personat në botë që i njeh kushtet reale shëndetësore të ishkampionit gjerman. Para se të lidhej me tenistin italian, modelja daneze kishte pasur një lidhje të rëndësishme me Mik Shumakerin, djalin e Mikaelit.
Gjatë asaj periudhe, Laila fitoi besimin e plotë të familjes Shumaker dhe veçanërisht të Korinës, duke përfituar një privilegj të rezervuar për shumë pak njerëz: hyrjen në shtëpinë e familjes dhe takimin me Mikael Shumaker. Një sekret i madh dhe një respekt absolut për privatësinë, të cilin Laila Hasanoviç vazhdon ta ruajë me diskrecion të plotë, pavarësisht përfundimit të marrëdhënies së saj me Mik Shumakerin.
PANORAMASPORT.AL