Kinematografi Mishel Koçiu ka ndarë një mesazh prekës për vajzën e tij, e cila ka marrë pjesë në protestën e të rinjve në Tiranë, duke qëndruar në rreshtin e parë, përballë efektivëve të policisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu shpreh krenarinë për të bijën, por edhe shqetësimin e madh si prind për sigurinë e saj, në një kohë kur protestat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me forcat e rendit.
“Bëj kujdes, bab! Shqipëria ka nevojë për ju, për këtë brezin tuaj kaq të bukur, që ende e do vendin e vet dhe beson se mund ta bëjë më të mirë. Më shumë sesa për heronj e heroina, ky vend ka nevojë për mirësi, dinjitet e njerëzillëk”, thuhet ne reagimin e tij.
Ai kritikon mënyrën se si autoritetet po përballen me protestuesit, duke theksuar se të rinjtë duhet të priten në institucionet shtetërore për t’u dëgjuar dhe jo të përballen me forcat e rendit.
“Taksirati që shokët e brezit tim ëndërrimtar, tashmë në pushtet, në vend që t’ju shtronin tapetin e kuq e t’ju prisnin me banda muzikore në dyert e zyrave të shtetit, për t’ju dëgjuar mendimet e shqetësimet, zgjodhën t’ju presin me policë me skafandra, shkopinj gome, gaz lotsjellës e plumba gome”!
Postimi i polote i Mishel Koçiut
Trimëresha e babës, përballë policëve, në rreshtin e parë! ❤️
Ti e di sa krenar jam për ty, por meraku është edhe më i madh se krenaria! Flasim çdo ditë për protestat në Tiranë, për gjithçka që po ndodh atje, por nuk ta fsheh që më iku truri kur të pashë përballë gjithë atyre policëve me skafandra!
Bëj kujdes, bab! Shqipëria ka nevojë për ju, për këtë brezin tuaj kaq të bukur, që ende e do vendin e vet dhe beson se mund ta bëjë më të mirë. Më shumë sesa për heronj e heroina, ky vend ka nevojë për mirësi, dinjitet e njerëzillëk.
Kujtoja se i kishim kryer punët me përmbysjet kur isha sa ty. Se ju nuk do të kishit më nevojë të dilnit në rrugë për të kërkuar ato që kërkuam ne dikur.
Taksirati që shokët e brezit tim ëndërrimtar, tashmë në pushtet, në vend që t’ju shtronin tapetin e kuq e t’ju prisnin me banda muzikore në dyert e zyrave të shtetit, për t’ju dëgjuar mendimet e shqetësimet, zgjodhën t’ju presin me policë me skafandra, shkopinj gome, gaz lotsjellës e plumba gome!
Më dhemb që ju duhet të përballeni me gjëra që ne besonim se i kishim lënë pas.
Jam në merak për ty, bab! Shumë në merak, dritë e syrit!
Jam me ty, me ju të gjithë!
Panorama
Komentet