Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se Kuvendi i Kosovës është konstituuar përtej afatit 30-ditor, por megjithatë shtoi se deputetët duhet të zgjedhin nënkryetarin e dytë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Në njoftim, gjykata më e lartë në vend po ashtu tha se Qeveria e re e Kosovës është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën.
Gjykata tha po ashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Njoftimi i Kushtetueses vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës, përmes dy kërkesave, kontestoi konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e ekzekutivit. Kushtetuesja po ashtu rrëzoi kërkesën e PDK-së për vendosjen e masës së përkohshme për punimet e Kuvendit.
Më 13 shtator, pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit.
Më vonë gjatë ditës u votua edhe Qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve të qershorit, kishte argumentuar se afati 30-ditor kishte nisur më 6 gusht, kur nisi edhe seanca konstituive. Megjithatë, edhe ky afat u tejkalua, mes argumentimit nga LVV-ja se kërkohej një marrëveshje për çështjen e presidentit para se të lëvizej përpara me konstituimin e Kuvendit.

