Më 12 janar 1939, familja e njohur në Vlorë e Agllai dhe Perikli Naqos përjetonte një gëzim të madh sepse, mbas tetë vite të lindjes së parë që ishte vajzë, Martha, erdhi në jetë fëmija i dytë që ishte djalë. Ai u quajt Mina, që gjatë gjithë jetës, i ka falur familjes së tij të afërmve, shokëve dhe miqve të tij të shumtë vetëm mirësi, ndihmesë, ngrohtësi, dashuri e gëzime.
I lidhur me Prof. Minain me një shoqëri e miqësi mbi shtatëdhjet vjeçare e duke jetuar shumë pranë njëri-tjetrit, në shkrimin që vazhdon, nuk mund t’i shkëputesha krejt ndjesive personale e të shkruaja pa sjellë disa momente të përjetuara së bashku. Miqtë lexues të më falin, nëse diçka e shkruar mund t’iu duket e tepërt.
Diçka para njohjes sonë
Në shtator 1944 pra, gati gjysëm viti para se të mbushte gjashtë vjet, Minai hyri në shkollën fillore ndërkohë që bashkënxënësit e tij ishin shtatëvjeçar, sipas rregullit të asaj kohe për fillimin e shkollimit. Ky ndryshim moshe nuk ishte aspak pengues për të voglin Mina, përkundrazi, ai indiqte mësimet me lehtësinë më të madhe.
Një ngjarje historike për kulturën në qytetin e Vlorës ka qënë vënia në Skenë e dramës franceze ‘Dy Rreshterët’ në vitin 1946 prej një grupi amatorësh shumë të talentuar të atij qyteti. Ajo u luajt disa herë, u pëlqye shumë prej spektatorëve dhe mbetet e vlefshme dhe e paharruar në zhvillimin historik të Teatrit në qytetin e Vlorës.
Personazhe të dramës ishin edhe dy fëmijë. Drejtuesit e dramës (regjisor me profesion nuk kishte) kërkuan nëpër shkollat fillore dhe zgjodhën dy djem që spikatën për nga shkathtësia dhe inteligjanca (sipas mësuesve). Më i vogli prej tyre ishte Minai. Pra, shumë herët u pa se Mina Naqo ishte një fëmijë me një shkathtësi mendore dhe reagimi sipër moshës së vet.
Kur isha në klasën e katërt të shkollës fillore, në një festim që bëhej në fushën e sportit, kam parë për herë të parë Minain që vinte nga një shkollë tjetër. Por vetëm kaq.
Lidhja jonë si shokë
Në vitin e parë të gjimnazit (1951-1952), u njoha me bashkënxënësin Mina Naqo dhe prej asaj kohe, u lidhëm me një shoqëri dhe miqësi të përjetshme. Fati e bëri të jemi më vonë edhe në të njëjtin profesion dhe vend pune. Minai u dallua shumë shpejt si nxënësi më i mirë i klasës. Kur takoheshim mbas dreke për biseda, Minai i kishte mbaruar të gjitha mësimet dhe detyrat për të nesërmen sepse për to, i mjaftonte vetëm një gjysmë ore. Për vet natyrën e tij të çiltër, miqësore, ndihmuese dhe me një mirësjellje të natyrshme, ai fitoi respektin dhe dashurinë e të gjithë shokëve e sigurisht edhe të mësuesve tanë.
Ishte një moshë kur lexonim, shkëmbenim dhe diskutonim me njeri tjetrin libra të ndryshëm që na binin në dorë. Kjo marrëdhënie e lidhi më fort shoqërinë tonë. Falë aftësisë së tij Minai mësoi shumë shpejt gjuhën ruse e kështu u hap një mundësi e madhe për të plotësuar etjen e tij për dituri e kulturë sepse, në atë kohë, kishin filluar të vinin në libraritë e qytetit tonë shumë libra në atë gjuhë.
Në shtator 1955 Minai filloi studimet në Instituti e Lartë Pedagogjik të Tiranës në degën matematikë-fizikë. Në atë degë që ishte nga më të vështirat në shkollat e vendit dhe mjaft studentë nuk ia dilnin t’i kryenin studimet . studenti Mina Naqo, i përballoi lehtësisht. Në çdo vit e në provim të çdo lënde vlerësimi ishte maksimal, student i shkëlqyer. Interesant është një detaj i vogël, që ma ka thënë shoku i tij i klasës Engjëll Saliu.
Në atë kohë, muaji janar dhe qershor, ishin periudhë provimesh me intervale kohore të ndërmjetme zakonisht katër ditë. Shpesh herë në këto intervalle Minai shkonte në shtëpinë e vet në Vlorë. Udhëtimi si për vajtje dhe për kthim zgjaste 8 orë pra, humbisnin dy ditë për përgatitje. Kur kthehej ai e kishte mbyllur krejtësisht përgatitjen, ndërsa shokët e tij ishin akoma në vazhdim. Ishte kapaciteti i tij intelektual, shpejtësia e gjykimeve dhe kujtesa e fuqishme që Minai zotëron, shpjegimi i arritjeve të tij pa kurfarë sforcimi.
Qysh në periudhën studentore Minai shkonte shpesh në bibliotekën kombëtare dhe atë të universitetit për interesat shumëdrejtimore që kishte. Kështu ai formoi një njohje të mirë të fondit të librave të tyre dhe i mbante mend si me qënë një skedar lëvizës. Një rast interesant që më kujtohet, lidhet me një pohim që më duhej ta vërtetoja në temën e kursit që ma kishte dhënë profesori rus L. Kaminin. Kur ia paraqita profesorit, ai kërkonte diçka më shumë që nuk e kuptoja se ç’farë donte. Kjo vështirësi vinte sepse nuk po shihja se ç’farë nuk shkonte në vërtetimin që i paraqita por edhe sepse nuk e zotëroja gjuhën ruse mjaftueshëm për të shprehur arsyetime të hollësishme. Për këtë hall që më doli u konsultova me shokun e klasës A. Bardulla (e kujtoj me dhimbje të ndjerin Prof. A. Bardulla, ishte një talent i rrallë me veti shumë larta njerëzore) si dhe me Minain që ishte një vit më lartë se ne, për të parë ku qëndronte gabimi im në vërtetim.
Mbasi edhe së bashku nuk kapëm dot ndonjë gabim, Minai i dha rrugë kësaj pune. Më tha, në Bibliotekën Kombëtare është libri me autor Markusheviç në të cilin e kam parë këtë pohim. Mora vërtetimin e atij libri dhe e futa në temën e kursit. Kur ia paraqita profesorit, atij nuk i erdhi mirë për këtë veprim që bëra por, tema u pranua dhe unë e hoqa qafe hallin tim. Nuk është ky një rast i vetëm që Minai orienton bashkëstudentët apo bashkëkolegët për të gjetur burime të vlefshme literature për studimet e tyre, janë të shumtë ata që i janë mirënjohës për një ndihmesë të tillë.
Si në shkollën e mesme dhe në atë të lartë ai mbeti gjithmonë njeri komunikues, me sjellje shumë miqësore me cilindo që njohu dhe prandaj edhe si student, bëri shumë miq që ruajnë kujtime shumë të mira për të.
Fillimi i karierës profesionale
Në vitin 1959 Minai diplomohet shkëlqyeshëm dhe emërohet pedagog në Katedrën e Matematikës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Megjithëse ishte i sapodiplomuar dhe në moshë shumë i ri (njëzet vjet e gjysmë), Minait iu besua dhënia e kursit të leksioneve të analizës matematike në Institutin e Lartë Pedagogjik (dy vjeçar) në Tiranë.
Për Minain filloi një periudhë intensive pune. Në të njëjtën kohë ai zhvillonte linjën e ushtrimeve në analizë dhe algjebër në degët e matematikës dhe të fizikës. U fut për herë të parë lënda e matematikës në degën e Kimisë dhe programi u hartua dhe u zhvillua prej pedagogut të ri Mina Naqo.
Në pjesën më të madhe të viteve gjashtëdhjetë, kemi qënë së bashku në një dhomë treshe në konviktet e qyetit të studentëve. Në ato vite universiteti i Tiranës ishte ende në fillimet e veta me hapje degësh me programe të reja ku trashëgimia nga institutet e mëparshme ishte veçanërisht e pakët për tekstet mësimore në gjuhën tonë. Pothuajse të gjithë pedagogët u angazhuan në një punë intensive për të hartuar tekste të linjës teorike, të ushtrimeve dhe të laboratorëve e materialeve të tjera për studentët. Punohej shumë.
Më kujtohen disa raste kur Minai përgatiste një nga tekstet e tij. Nëse zgjohej disi herët dhe i mbetej edhe gjysëm ore para se të shkonte në fakultet për leksionin e radhës, ai ulej në tavolinën e dhomës tonë dhe punonte për tekstin. Ishte një kapacitet si ai i Minait që të kalonte menjëherë përqëndrimin e vëmëndjes nga një lëndë ku punonte për ushtrimet në një tjetër fushë të matematikës për leksionin që do të mbante në auditor pas pak minutash.
Falë tërësisë së dhuntive dhe interesave të tij, Minai lexonte shumë libra letrarë, historikë, biografikë, me kuriozitete si në shqip ashtu edhe në gjuhën ruse që e njihte shumë mirë e, të gjitha këto, krahas zgjerimit e thellimit në disiplinat matematike të cilave, sigurisht, i kushtonte më shumë kohë e vëmendje. Nuk më haroen rastet e periudhës së dimrit të ftohtë në dhomën tonë të konviktit pa ngrohje kur, mbuluar me tre batanie, shkonim në shtrat qysh në orën 8 të mbrëmjes dhe secili merrte në dorë ndonjë libër. Kështu ndodhte në të gjitha dhomat e atij kati të konviktit ku banonin edhe kolegët tanë pedagogë në fakultete të tjera. Por, këto radhë, për atë kohë dhe kushtet e saj, i shkrova thjesht si mjedisin ku pashë nga afër aftësinë e veçantë të Minait për të lexuar shumë shpejt: mbas afërsisht dy orësh ai mbaronte së lexuari të gjithë librin e filluar po
në atë mbrëmje. Shumë njohuri nga ç’ka lexonte Minai, kishin interes edhe për mua dhe nga qartësia me të cilën m’i tregonte, nuk ishte nevoja t’i lexonja vetë. U bëra pa dashur një parazit informacioni.
Në vitet gjashtëdhjetë dilnin në shitje kalendarët e tavolinës (në çdo zyrë të shtetit kishte një të tillë) të cilët në çdo fletë (ditore), në faqen e mbrapsme sillnin një shkrim mbi një ngjarje historike të ndodhur vite më parë në të njëjtën ditë kalendarike dhe ishte një rast jubilar për t’i kujtuar. Këto shkrime lexoheshin me shumë kënaqësi sepse sillnin njohuri interesante nga fusha të ndryshme të shkencave e të kulturës dhe ishin shkruar me
një gjuhë të qartë prej duarsh mjeshtërore të tre eruditëve ku bënte pjesë edhe Prof. Minai. Dy të tjerët ishin Profesorët e nderuar Aleko Minga dhe Petrit Skënde. Ky bashkëpunim vazhdoi disa vite.
Në linjën e publicistikës shkencore, me botime në të përditshme ose revista Prof. Minai pati një veprimtari të vazhdueshme deri këto vitet më të fundit. Në mënyrë të veçantë kjo u shfaq në revistën ‘Shkenca dhe Jeta’ ku ishte edhe anëtar i redaksisë përkatëse. Aty paraqiteshin me një gjuhë të kuptueshme për lexuesin e gjerë shpjegime të dukurive të ndryshme, teori nga fusha të ndryshme të shkencës, ngjarje, kontribute dhe jetëshkrime shkencëtarësh të shquar në përvjetore jubilarë e të tjera materiale lidhur me shkencat. Në këtë revistë dhe në të tjera gazeta periodike, përfshirë edhe Radio- Televizionin Shqiptar, ai shkroi shumë artikuj e shtjelloi në mjetet audiovizive materiale të kësaj natyre. Pra, veç auditorit universitar ai, si pak të tjerë, lojti një rol mësuesi edhe jashtë ambienteve akademike.
Prej vitit të parë të punës Prof. Minai, ndoqi seminarin me disa tema bashkëkohore me një prirje edhe aplikative në analizë funksionale që zhvilloi Prof. Kostjuçenko në Katedrën e Matematikës. Këto seminare ishin me shumë vlerë për ngritjen e nivelin të njohurive shkencore për arsyen e thjeshtë se programet tona të deriatëhershme nuk e ceknin fare këtë drejtim të disiplinave analitike. Pas ngjarjeve politike të asaj kohe, puna e profesorit rus u ndërpre por, mbas disa vitesh, Prof.Minai i vazhdoi studimet në atë drejtim përgjat një specializimi gjashtëmujor në Universitetin e Pekinit. Mbas kthimit nga Kina Prof. Minai zhvilloi me studentët e vitit të katërt të matematikës një kurs të plotë të Analizës Funksionale në nivel shumë të lartë e bashkëkohor. Ishte ky një kontribut i vlefshëm në pasurimin dhe modernizimin e programit mësimor të asaj dege.
Në horizontin e gjerë të Minait për dije, kishte zënë vend një pasion për të patur sa më shumë informacione nga Astronomia pavarësisht se vendi ynë nuk ka patur ndonjë njësi vëzhgimi astronomik. Lëndën e astronomisë në degën e matematikës fillimisht e zhvillonte profesori i ynë Qazim Turdiu por, kur ky pati një ngarkesë të madhe mësimore në analizë matematike, nuk e dha më tej atë lëndë. Prof. Minai e pranoi detyrën për dhënien e kësaj lënde që erdhi përshtat natyrës së tij kureshtare me një bagazh memorie për dije që sa më shumë mbushej aq më shumë hapësirë krijonte për dije të reja.
Tekstet që botoi Minai: Astronomia për shkollat e mesme dhe Astronomia për degët Matematikë e Fizikë kanë sjellë një trajtim bashkëkohor të kësaj shkence në shkollat tona të mesme e të larta. Nga ana tjetër, librat Nikolla Koperniku dhe Astronomia e Re si dhe Enigmat e Astronomisë by Jeton Ostreni me redaktor Mina Naqo janë vlera që i shtohen publicistikës mbi shkencat që, në Vendin tonë, është e paktë. Po në këtë drejtim prof. Minai ka botuar librin ‘Shpikjet e Mëdha, Dua të Njoh Botën’ që i takon ciklit Enciklopedia për Fëmijë. Në bashkëautorësi prof. Aleko Minga dhe Prof. Mina Naqo botuan librin ‘Në Botën e Shkencës’.
Fusha ku Prof. Minai kontribuoi më shumë është ajo e Teorisë së probabiliteteve.
Kjo teori i ka fillesat e veta disa shekullore por, në kuptimin e përpiktë matematik të termit teori, ajo u përkufizua si e tillë në 1933 nga matematikani ishquar shekullit të kaluar (i njëzetë) A. Kollmogorov sipas sistemit aksiomatik të përzgjedhur prej tij. Ky shkencëtar i shquar i krijoi një shkollë me pasues të tij gjithashtu matematikanë të nivelit te larte te shekullit të kaluar. B. Gnjedenko, një dishepull i Kollmogorov, hartoi një nga librat më të mirë të kohës mbi teorinë e probabiliteteve. Pikërisht këtë nivel shkencor të lartë i pruri shkollës sonë Prof. Mina Naqo, kur futi për herë të parë atë teori në programet e degës së matematikës dhe botoi tekstin mësimor përkatës Teoria e probabiliteteve. Me njohuritë e thelluara që ai krijoi mbi teorinë e probabiliteteve ai përcaktoi temat e sdudimit dhe udhëhoqi në përgatitjen e disertacioneve një numër pedagogësh të matematikës në Universitet, matematikanësh në INIMA të Akademisë së shkencave si dhe në institucione të tjera. Krahas kësaj teorie ai dha edhe kursin e Statistikës, një lëndë fortësisht e koreluar me teorinë e probabiliteteve dhe botoi librin shumë cilësor Statistika.
Si specialist i lëndës së statistikës Prof. Minai ka ndërtuar programe dhe ka mbajtur kursin përkatës edhe në universitete të tjera ku është kërkuar. Për ta rritur më shumë zbatimet e statistikës në praktikë nëpërmjet teknologjive të kohës, ai botoi librin interesant ‘Hyrje në Statistikë me exel’.
Aktivizimi i Minait në institucionet qëndrore të arsimit dhe të shkencës
Profesori i ri tashmë kishte bërë emër shumë të mirë në qarqet universitare dhe të arsimit në përgjithësi. Ky fakt na jepte kënaqësi ne shokëve dhe miqve të shumtë të tij;
Por ai solli dhe një pasojë të beftë, në vetvete vlerësuese por, jo e dëshirueshme për Minanë. Një ditë prej ditësh e thëresin në Ministrinë e Arsimit dhe aty Zv.ministri i njofton emërimin e tij drejtor i Drejtorisë së Arsimit të Mesëm pranë asaj ministrie. Krejt i papërgatitur nga çka dëgjoi, reagimi i Minait ishte: “po unë s’kam asnjë njoftim për këtë” dhe replika e zv.ministrit që e njihte fare mirë Minanë ishte: “po të të njoftonim, ti
do t’i thoshe prof. Pilikës i cili do ndërhynte për interes të tij e, të më prishte punë mua”. Nuk mbetej fishek për të zbrazur, Minai filloi punën e caktuar në Ministrinë e Arsimit.
Në vitin 1972 u themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Struktura qendrore e administratës së saj përbëhej nga Kryesia (kryetari, dy nënkryetarë dhe sekretari i përgjithshëm) dhe tre seksione (i shkencave humanitare, i shkencave t natyrës dhe i shkencave teknike). Prof. Minai emërohet përgjegjës i seksionit të shkencave të natyrës; detyrë që e mbajti deri në fillim të viteve nëntëdhjetë. Përgjat kësaj periudhe u zhvilluan dhe rritën prodhimtarinë e vet Insituti i Fizikës Bërthamore, Instituti i Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar (INIMA) e tj. si struktura të Akademisë së Shkencave. Ngritja e institucioneve të tilla në një vend si yni që nuk kishte kurfarë trashëgimie kërkonte personel të kualifikuar, bazë materiale dhe financiare dhe, domosdoshmërisht, mbështetjen nga shteti. Duheshin bërë plane dhe programe pune afatshkurtra dhe perpektive shumë të detajuara, të argumentuara mirë për dobinë e tyre në mënyrë që sigurohej mbështetja e strukturave shtetërore nga varej Akademia me institutet e saj. Falë një përkushtimi pasionant e prej vizionari të drejtorit të INIMA-së Prof. Kristian Bukuroshi, në konsulencë e koordinim me prof. Mina Naqo, përgjegjës i seksionit përkatës në Akademinë e Shkencave, me programet dhe raportet e vazhdueshme që i paraqesnin kryesisë së Akademisë që kur duhej, i kalonin edhe qeverisë, u arrit një përparim i madh në sasinë e cilësinë e kuadrove. Gjithashtu, u sigurua një baze materiale-teknike më bashkëkohore (cilësore) si dhe, një organizim i brendshëm me seksione që lehtësonin kualifikimin e mëtejshëm të specialistëve ç’ka ndikonte në rritjen e prodhimtarisë së insitutit në tërësi. Në veçanti, një ndihmesë të vlefshme i dha seksionit të Statistikës në atë institut ku, ku përveç diskutimeve mbi çështje profesionele, Prof. Minai udhëhoqi me sukses edhe disa kuadro në studimet për disertacionet e gradës kandidat i shkencave (sot, doktoraturë). Si përgjegjës i seksionit të shkencave të natyrës në A.SH.SH. Minai pati të njëjtin bashkëpunim produktiv edhe me Institutin e Fizikës Bërthamore që, gjithashtu, pati arritje shumë të rëndësishme në prodhimtarinë e vet kërkimore.
Një falënderim meriton t’i shprehet prof. Mina Naqos që së bashku me prof. Aleko Mingën e në konsultim me Ak. Petraq Pilika, ideuan dy Konferencat Kombëtare të Matematikës ku mbajtën referate për arritjet dhe shpalosën idetë programore për zhvillime të mëtejshme të kërkimit në matematikë. Në të dyja konferencat u mbajtën kumtesa nga shumë matematikanë të institucioneve tona.
Prej vitit 1991 e deri në 1995 Prof. Minai kaloi në Komitetin e Shkencave të Shqipërisë, organ që varej nga Kryeministria.
Në vitin 1995 Prof. Minai rikthehet në Departamentin e Matematikës të F.SH.N deri në daljen e tij në pension. Themi fjalën ‘rikthehet’ për korrektesë të fjalës, në kuptimin administrativ por, në të njëjtën kohë duhet të themi se Minai asnjëherë nuk i ka shkëputur lidhjet dhe bashkëpunimin me atë fakultet aq sa, shumëkush e ka parë praninë e Minait atje si me qënë përherë një nga profesorët e brendshëm.
Niveli e saktësia shkencore e leksioneve të Prof. Minait, qartësia e shprehjes me një gjuhë të pastër shqipe, atmosfera e lehtë që ai krijonte në auditor në mënyrën e vet të qetë e pa sforcime për të trajtuar edhe pjesët më të vështira të lëndës, diku edhe me ndonjë batutë gazmore e të tërhiqte plotësisht vëmendjen e studentëve mbi temën që trajtohej. Këtë linjë të një humori të lehtë në mbajtjen e leksioneve të veta që, psikologjikisht ishte
çlodhëse për studentat, e sjell Prof. Minai edhe për lexuesin e gjerë në librin shumë tërheqës Matetika(nët) Qesh(in) të botuar në vitin 2019.
Për horizontin e dijeve matematike që kishte arritur, për aftësitë e spikatura si mësimdhënës, për cilësinë e teksteve dhe materiale të tjera që kishte shkrojtur, Minait, në një moshë shumë të re, iu dha titulli docent (sot, i njëvlefshëm me titullin Profesor i Asociuar). Në vitin 1994 iu dha titulli i merituar Profesor.