VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kush është i fejuari i Elvana Gjatës, nga biznesi i hotelerisë te shpenzimet e luksit

By | October 5, 2018
blank

Komentet

blank

Zbardhet padia e kreut të PD: “Ja shpifjet e kyebashkiakut të Tiranës. I përdor për të përfituar kredo politike”

TIRANË

Zbardhet padia e kreut të PD-së Lulzim Basha ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, të cilën e akuzon për shpifje. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për “BalkanËeb” padinë e plotë, ku citohen deklaratat e Veliaj, edhe si drejtues i fushatës zgjedhore në qarkun e Tiranë. Në këto deklarata Veliaj akuzon Bashën për miliona euro dhe përdorimin e partisë që drejton për përfitime personale.

Sipas padisë, Veliaj “të gjitha këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve për të përfituar personalisht dhe për Partinë Socialiste”.

“Qëllimi i shpifjeve është që të barazojë në perceptimin e publikut, viktimën akuzuese si kryetar i Partisë Demokratike, me të inkriminuar për gjobëvënie apo me aferat korruptive të denoncuara gjerësisht në media të qeverisë që drejtohet nga Partia Socialiste”, thuhet në kërkesën për gjykimin penal të kreut të PD ku kërkohet që kryebashkiaku i Tiranës të deklarohet fajtor.

PADIA E PLOTË
I nderuar z. Zëvendëskryetar,
Z. Lulzim Basha është kryetar i Partisë Demokratike që është edhe partia më e madhe opozitare në vend, ndërkohë që z. Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë Tiranë dhe njëkohësisht drejtues i fushatës zgjedhore për qarkun Tiranë për Partinë Socialiste për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.
Ky i fundit, në datat 16 dhe 17.10.2020 ka qenë duke zhvilluar fushatën elektorale në cilësinë e drejtuesit të fushatës për qarkun Tiranë për Partinë Socialiste ku më konkretisht në datën 16.10.2020 ndër të tjera ka cituar se:

“Luli nuk ka hall pse qyteti po kursen 3 milionë euro, Luli ka hall se kishte planifikuar t’i merrte ai këto 3 milionë euro, se qartazi ajo punë mund të bëhet me më pak, me 30% më pak. Qyteti i Tiranës sot ka kursyer 30% nga propozimi i Lulzim Bashës. Jo vetëm 30% çdo ditë, por edhe 34.7 milionë që Lul Basha do ta paguante që në fillim fare. Ndaj, unë e kuptoj që ai vajton më shumë fitimin e humbur të tij, se sa kursimet e qytetit. Sigurisht, në kohën kur Lulzim Basha dhe kunati i tij kishin përgatitur të gjithë skemën se si do t’i faturonin qytetit 30% më shumë, pyetja është: kur kjo punë mund të bëhet me 30% më pak, pse Basha donte të faturonte 30% më shumë? Që përkthehet në 3 milionë euro në vit më shumë për qytetin dhe që përkthehet në 20 vite, në 60 milionë euro dhe në 30 vite, në 90 milionë euro. Ky ishte plan-biznesi i Lul Bashës, që ai dhe kunati i tij në kurriz të qytetit, do ta bënte 30% më shumë”.

“Ju bëj thirrje demokratëve, se nëse e kanë kuptuar se partia është vënë në funksion të një familje të largohen. Nuk është më një kundërshtare e denjë, është një mjet gjobvënie e shantazhues. Ata vajtojnë akoma gjobat që nuk volën dot.
Sot Tirana është më e pastër se sa kur firma e kunatit zihej me romët për të mbledhur kanaçe. S’do ju bëjmë kurrë mish për top siç e bën PD. Lulin dhe kunatin lëri të ikin në Holandë.
Në fund dua t’i them Lulit, a ke cipë, a ke turp, se si ke degraduar partinë tënde. Ty Lul të ka plasë cipa me kohë, sepse vetëm ke faturuar gjoba që në kohën kur ke qenë kryetar bashkie”.

Më tej, në datën 17.10.2020, nga Bërzhita, i akuzuar Erion Veliaj vijon me të njëjtat deklarata duke cituar ndër të tjera se:

“Humbën zgjedhjet në qershor, qeveria bëhej gati të fillonte punën. Ja dokumenti, në gusht Lul Basha i thotë Saliut të paguajnë 34.6 mln euro dhe 37 euro për ton, që t’i çojnë plehrat në kompaninë që kishte përgatitur ky me kunatin. E kishin bërë Tiranën plaçkë për ta shqyer për një familje. mezi pres të shkoj në Gjykatë që t’ia tregoj dhe gjykatësit, pasi e firmos këtë ia çon Saliut kërkesën që ta financojë.

Sot Tirana është dita me natën më e pastër seç ka qenë. Ky e ka hallin tek xhepi, tek portofoli i vet. Ky e ka hallin tek kunati i vet, se po t’i gjesh çmimin këtij, ky e lë edhe Astirin, edhe Teatrin, edhe Bulevardin, edhe kullat, edhe digën, edhe Liqenin. Sa iu kushton këtyre një gjobë? Deri dje thonin, këto qendrat tregtare i kanë oligarkët”. Sapo mori vilat tek Gjiri i Lalzit, nga një pronar i qendrave tregtare, oligarkët u bënë të mirë. Ky i ka vënë çmim opozitës. I ka vënë çmim çdo proteste.

Krraba nuk ka qenë bastioni ynë, ka qenë bastioni i LSI. Bërzhita nuk ka qenë bastioni ynë, ka qenë bastioni i PD. Fakti që sot janë kthyer masivisht me PS-në, do të thotë që kjo skuadër dhe kjo familje punon vërtet për këta njerëz. Partitë që kemi përballë janë parti familjare. Një parti punon vetëm për kunatin, 24 orë në ditë. Kur flasim për ekonominë, për tërmetin, pandeminë, s’flasin fare. Por, po i përmende atij kunatin, zgjohet nga gjumi në orën 11 dhe të than piten, se për kunatin nuk të fal. Partia tjetër punon për burrin, për gruan, e kanë kthyer në sh.p.k.”

Po në datë 17.10.2020 tashmë nga zona e Kombinatit, i akuzuar Erion Veliaj vijon me shpifjet madje duke konsumuar edhe elementet e veprës penale të “kallëzimit të rremë” duke i bërë thirrje SPAK. Më konkretisht, ndër të tjera ai citon se:

“Pyetja është pse e la protestën ky? Ky tha: Unë do shtrihem aty, do bëhem tapet kur të vijë ruli i bashkisë, fadroma. Pse e la ky? Sa ishte ajo makina që ia kishte dhënë ai kontraktori aty? Pse e la, se ky tha: Ne do u sulemi qendrave tregtare. Ne e dimë sa qendra tregtare ka. S’ka Tirana 100, 2 ka, i njëjti pronar është. Aaa, pasi mori vilat te Gjiri i Lalzit, u bënë të mirë oligarkët, se deri dje ishin të këqij. Po oligarku tjetër që ka vilat dhe thoshte-krimineli i Edi Ramës, oligarku i Edi Ramës, mori 2 shtëpi atje në kohë pandemie, kur të gjithë njerëzit o i humbën, o iu dëmtua shtëpia, ky u bë me 4 vila.
Është e vetmja parti politike që po t’i shohësh historikun në Facebook, ka më shumë postime që i ka hequr kundrejt pagesës, se sa ato që ka lënë. Turp i madh. Një parti që është e denjë për emrin bandë, kështu që po ka njerëz te SPAK-u, po ka njerëz në prokurori, këta duhet të zgjohen, se nuk mund të vihet gjobë në çdo biznes dhe thirrja për çdo biznes është: Mos paguani gjobat që iu vë Luli dhe kunati”.

Në të gjitha këto prononcime publike, i akuzuari Erion Veliaj vijon të thellojë shpifjen e nisur në emisionin “Opinion” në TV Klan të datës 24.10.2020 për të cilën është regjistruar në gjykatë një kërkesë penale e më tej me një kërkesë tjetër penale në lidhje me shpifjen për përfitimin e një automjeti në vlerën 130 mijë euro nga kontraktorët e rrugës së “Astir” në favor të viktimës akuzuese. Përveç këtyre shpifjeve konkrete, më tej shtoi edhe shpifjen se viktima akuzuese, në cilësinë e kryetarit të Partisë e drejton atë në formën e një “skuadre që vë gjoba”, “i bie një biznesmeni” apo “çetë që vë gjoba” apo që viktima akuzuese i organizon protestat me paramendimin që t’i lërë ato për të përfituar materialisht pasuri të paluajtshme apo të luajtshme.

Por në prononcimet e fundit ka iniciuar deklarata shpifëse edhe në lidhje me akuza konkrete se i akuzuari do të përfitonte 3 milionë euro nëpërmjet landfillit të Sharrës, ka faturuar gjoba në kohën që ka drejtuar Bashkinë e Tiranë, që ka krijuar kompani për të faturuar gjoba apo që heq postime në “Facebook” në këmbim të parave.

Në të gjitha këto prononcime të të akuzuarit Erion Veliaj, është konsumuar vepra penale e shpifjes për sa vijon:
1. Fakti që viktima akuzuese kishte planifikuar të merrte 3 milionë euro si kryetar bashkie;
2. Fakti që viktima akuzuese dhe kunati i tij kishin përgatitur të gjithë skemën se si do t’i faturonin qytetit 30%, më shumë apo se kanë pasur një plan-biznesi, që viktima akuzuese dhe kunati i tij në kurriz të qytetit, do të përfitonin 30% më shumë;
3. Fakti që viktima akuzuese në cilësinë e përfaqësuesit të opozitës, e ka shndërruar këtë të fundit në një mjet gjobëvënieje dhe shantazhi, që viktima akuzuese vajton akoma gjobat që nuk voli dot, që viktima akuzuese ka faturuar gjoba që në kohën kur ka qenë kryetar bashkie dhe që do t’i çonte plehrat në kompaninë që kishte përgatitur me kunatin apo dhe e fundit që viktima akuzuese e kishte bërë Tiranën plaçkë për ta shqyer për familjen e tij; dhe
4. Fakti që partia që drejtohet nga viktima akuzuese punon vetëm për kunatin, 24 orë në ditë apo fakti që po t’i referohesh historikut në “Facebook”, ka më shumë postime që i ka hequr kundrejt pagesës, se sa ato që ka lënë madje duke cituar se partia që drejtohet nga viktima akuzuese është denjë për emrin bandë dhe vendos gjoba në çdo biznes.
Nëpërmjet këtyre prononcimeve publike në “Facebook” vetëm brenda dy ditëve (ku i akuzuari ka mbi 500 mijë ndjekës” apo në një sërë televizionesh, janë deklaruar një sërë faktesh të pavërteta.
Këto faktet të pavërteta janë bërë me qëllimin kriminal për dëmtimin e reputacionit dhe imazhit të viktimës akuzues dhe qenë se ky i fundit është Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia më e madhe opozitare në vend ndërkohë që i akuzuari duke qenë Kryetar i Bashkisë Tiranë dhe njëkohësisht drejtues i fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës për zgjedhjet e vitit 2021, të gjitha këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve për të përfituar personalisht dhe për Partinë Socialiste.
Qëllimi i shpifjeve është që të barazojë në perceptimin e publikut, viktimën akuzuese si kryetar i Partisë Demokratike, me të inkriminuar për gjobëvënie apo me aferat korruptive të denoncuara gjerësisht në media të qeverisë që drejtohet nga Partia Socialiste.

blank

Padia për shpifje ndaj Veliajt, Basha refuzon kërkesën e GJKKO për pajtim, gjyqi vijon në shtator

Kryedemokrati Lulzim Basha është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, GJKKO. Kjo pasi kreu i PD, ka paditur për shpifje kryebashkaun e Tiranës, Erion Veliaj dhe juridiksioni i ka kaluar GJKKO.

Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se Erion Veliaj nuk është paraqitur në Gjykatë, ndërsa është përfaqësuar nga avokati i tij.

GJKKO seancën e sotme kishte parashikuar një seancë pajtimi mes palëve, por mësohet se Basha ka refuzuar të ndërmarrë një hap të tillë dhe kësisoj gjyqi do të vijojë më 24 shtator. Kërkesa për pajtim është refuzuar edhe nga Erion Veliaj, i cili nëpërmjet avokatit të tij Petrit Ismaili, ka kërkuar që gjyqi të vijojë.

Padia për shpifje kreu i PD Basha ka bërë ndaj kreut të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i takon muaji tetor të vitit 2020, ku titullari i PS, në takimet gjatë fushatës, ka thënë se në kohën e tërmetit lideri i PD është bërë me 4 vila si dhe ka bërë një ndërtim pa leje.

blank

Basha: PD ka depozituar 185 padi penale në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve për krimet zgjedhore

TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha kërkon ndëshkimin e autorëve të masakrës zgjedhore. Në një postim në “Facebook”, Basha publikon një video me disa nga pikat e raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, teksa thekson se PD ka depozituar 185 padi penale në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve për krimet zgjedhore.

Ai deklaron se pa u ndëshkuar autorët e kësaj masakre, pa u kthyer legjitimiteti në vend, nuk do të kemi një pushtet të njerëzve për njerëzit.

“25 prilli ishte një masakër zgjedhore! Këtë e dinë të gjithë shqiptarët, këtë e konfirmon edhe OSBE/ODIHR. Partia Demokratike ka depozituar 185 padi penale në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve për krimet zgjedhore. Ne presim drejtësi, sepse shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa u ndëshkuar autorët e kësaj masakre, pa u kthyer legjitimiteti në vend, nuk do të kemi një pushtet të njerëzve për njerëzit, por sundimin e një pakice të korruptuar që varfëron dhe shpopullon Shqipërinë”, shkruan Basha.

blank

Në kërkim për vrasje në Shqipëri, Florenc Çapja prej 6 ditësh qytetar i lirë në Emiratet e Bashkuara

Ndonëse në kërkim për vrasje në Shqipëri, Florenc Capja prej 12 korrikut është një qytetar i lirë në Emiratet e Bashkuara Arabe, me leje qëndrimi madje edhe i punësuar.

Avokati i tij mbrojtës, Neshat Fana konfirmoi për ‘BalkanWeb’ se Florenc Çapja ka qëndruar për një periudhë kohe nën mbikëqyrje në një banesë në Dubai, por tashmë është lënë i lirë. Çapja pretendon sipas një e-maili dërguar Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se nuk ka marrë asnjë dijeni për procesin që po zhvillohet ndaj tij në Shqipëri.

Një ditë më parë Gjykata e Posacme vendosi të vecojë cështjen ndaj tij dhe Olsi Lekut nga të pandehurit e tjerë me argumentin se Florenc Capja nuk ka marrë dijeni për këtë proces.

Florenc Capja është në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi akuzohet si porositës për vrasjen e at e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje kjo e ndodhur në Elbasan në vitin 2012. Lidhur me këtë ngjarja është vënë në pranga xhaxhai i tij Ardian Çapja.

Për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit janë arrestuar edhe Jorgo Leku alias Olsi Leka, i cili u prangos në Athinë më 11 Tetor 2020; Etien Cani i cili u ekstradua nga Italia në Shqipëri po në vitin 2020 si dhe Ervis Bardhi.

Gentian Beqiri u qëllua për vdekje më 15 Gusht 2012 në banesën e tij kur ndodhej në ruajtje nga policia në gjendjen e “arrestit të shtëpisë”. Beqiri ishte dënuar si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005. Po atë ditë u dhunua edhe babai i tij Nezir Beqiri i cili ndërroi jetë.

blank

Dosja 339/ Lirohen nga qelia Astrit Avdyli dhe dy të tjerë, u përfundoi afati i paraburgimit

Astrit Avdyli, Jasin Kala dhe Denis Llaftiu janë liruar nga qelia. Tre të arrestuarit për dosjen 339 do të shkojnë në arrest shtëpie, raporton gazetarja Klodiana Lala.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se shkaku i lirimit në arrest shtëpie të tre të arrestuarve është fakti se u ka përfunduar afati i paraburgimit.

Tre të arrestuarit i përkasin operacionit ”Vol-Vo 4” të laboratorit të heroinës në Brengosë të Hasit në 2018. 4 grupe kriminale u goditën atëhere teksa pjesëmarrës ishin dhe të ashtuquajturit ”Avdylajt” e Shijakut.

Për Astrit Avdylin, Jasin Kalën dhe Denis Llaftiun nuk ka ende një vendim Gjykatë nga Shkalla e Parë prandaj ata janë liruar me vendim në arrest shtëpie.

blank

Ruçi, mesazh ngushëllimi popullit të Kosovës për aksidentin e rëndë në Kroaci: Kurajo e forcë për të përballuar këtë dhimbje të madhe!

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet për humbjet e jetëve dhe lëndimet e qytetarëve të Kosovës, si pasojë e aksidentit të rëndë në Kroaci.

Ruçi shprehet në mesazhin e tij se në emër të Kuvendit të Shqipërisë iu shpreh ngushëllimet familjeve të motrave e vëllezërve tanë që humbën jetën dhe të plagosurve iu uron shërim të shpejtë.

“Me trishtim mora vesh lajmin për aksidentin e rëndë automobilistik që ndodhi në Kroaci, si pasojë e të cilit humbën jetën dhjetë qytetarë kosovarë dhe u lënduan rreth tridhjetë të tjerë. Shpreh ngushëllimet e Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat për familjet e motrave e vëllezërve tanë që humbën jetën dhe të plagosurve u uroj shërim të shpejtë. Kurajo e forcë për të përballuar këtë dhimbje të madhe!”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

blank

Aksidenti tragjik në Kroaci, kryeministri Rama: Çfarë fatkeqësie pikëlluese! Lutem që të plagosurit rëndë t’ia dalin, ngushëllime vëllazërore familjeve

TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas aksidentit tragjik në Kroaci, ku një autobus i nisur nga Gjermania për në Prishtinë doli nga rruga dhe 10 persona kanë humbur jetën.

Rama shkruan në “Twitter” se lutem që të plagosurit rëndë t’ia dalin, teksa iu shpreh ngushëllime vëllazërore familjeve të viktimave.

“Çfarë fatkeqësie pikëlluese lajmi nga Kroacia për humbje jetësh të vëllezërve e motrave nga Kosova. Lutem që të plagosurit rëndë t’ia dalin dhe ngushëllime vëllazërore familjeve të viktimave!”, shkruan Rama.

blank

Aksidenti në Kroaci, reagon Basha: Tragjedi që na ka tronditur të gjithëve. I bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve, ngushëllimet më të ndjera

TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas aksidentit tragjik në Kroaci ku një autobus i Kosovës me rreth 60 pasagjerë doli nga rruga, teksa humbën jetën 10 persona.

Teksa shprehet i tronditur nga kjo tragjedi, Basha iu shpreh ngushëllimet të afërmve të viktimave dhe iu uron shërim të shpejtë të lënduarve.

“Me trishtim të thellë mora lajmin e rëndë të aksidentit tragjik të ndodhur në Kroaci, në të cilin sipas të dhënave të para ka viktima dhe të plagosur. I bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera!
Shërim të shpejtë të lënduarve. Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur të gjithëve”, shkruan Basha.

blank

Sfidat e gazetarëve në zonat me kriminalitet të lartë në Shqipëri

Raimond Kola

Disa zona me kriminalitet të lartë në Shqipëri përbëjnë një sfidë për raportimin e lajmeve. Gazetarët thonë se shpesh ndihen të pambrojtur nga grupet kriminale kur u duhet të raportojnë përplasjet apo inicidentet me viktima. Qytete si Elbasani, Durrësi por edhe zona si Gjirokastra vlerësohen për nivelet e lartë të kriminalitetit kryesisht prej trafiqeve të drogës.

Ngjarjet kriminale në disa qytete në Shqipëri, të lidhura kryesisht me tregëtinëe drogës, por edhe me trafiqet dhe kultivimin e marijuanës, e kanë bërë më të vështirë raportimin e lajmeve.

Reporterët vendorë në disa zona si në Elbasan, Durrës por edhe Gjirokastër dhe gjetkë ndeshin mjaft sfida që vijnë prej pasigurisë prej aktivitetit të grupeve kriminale.

Bardha Nergjoni ,një reportere prej vitesh në Elbasan thotë se sfida është me raportimin nga disa zona të nxehta të njohura për kriminalitetin e lartë.

“Në fakt është shumë e vështirë realisht të raportosh, sidomos në zona që konsiderohen “të nxehta”, për sa i përket kriminalitetit dhe sidomos krimit të organizuar, pasi ti nuk e di se për kë je duke raportuar dhe duke qenë se jeton në atë komunitet në cdo kohë mund të përballesh me elementë të tillë. Na ka ndodhur, edhe unë personalisht mund të jem kërcënuar përmes telefonit nga persona të caktuar, pasi kam raportuar për ngjarjet”.

Zonja Nergjoni thotë se në raste të veçanta i është dashur të heqë dorë nga raportimi për këta persona me precedentë kriminalë në komunitetin ku jeton.

“Edhe kam hequr dorë nga raportime të cilat kanë qenë në komunitetin ku unë jetoj pasi është shumë e vështirë të raportosh për ata persona. Ka qenë ngarja e fundit në Elbasan në fushatën zgjedhore, përplasja mes dy grupeve dhe po kështu raportime nga gjyqësori shumë të vështira, por kryesisht ngjarje kriminale dhe operacione policore.

Vetë qytetarët kanë krijuar një distancë me këto ngjarje kriminale si pasojë e frikës dhe situata bëhet dita ditës më e vështirë në komunitete të caktuara,thotë zonja Nergjoni.

“Qytetarët në Elbasan kanë krijuar një lloj distance nga këto ngjarje për shkak të frikës, panikut, dëshirës për të mos u ngatërruar me gjëra që nuk u takojnë. Mirëpo kjo çdo ditë bëhet një histori shumë e vështirë për t`u përballur në komunitete të caktuara”.

“Shpresojmë, thotë zonja Nergjoni, të ketë një ndryshim të situatës me reformën në drejtësi dhe ndryshimet në polici”.

“Shpresojmë që kjo situatë të ketë një lloj ndryshimi sidomos me vetingun në Drejtësi dhe ndryshimet në sektorët e policisë. Nëse të njëjtët persona do të jenë në detyra të caktura në Polici ,kur dihet reagimi i tyre ndja elementëve kriminale, situate do ngrelet e njëjtë.”

Ndërsa Geri Emiri ,një reporter në Durrës,thotë se në disa qytet kriminaliteti është i strukturuar dhe gjithmonë ka sfida në raportimin e lajmeve nga gazetarët lokalë.

“Në qytete të tilla si në Durrës ,Elbasan apo Shkodër kriminaliteti është i strukturuar dhe ka një lidhje të konsoliduar mes grupeve kriminale. Gjithmonë raportimi përbën sfidë pasi këto grupe të paktën janë të sofistikuara”.

Zoti Emiri thotë më tej sepuna e reporterëve në komunitetetlokale bëhet tepër e vështirëpor mbetet e nevojshme këmbëngulja e reporterëve për t`iu ritkhyer ngjarjeve.

“Mbetet gjithnjë e nevojshme të bëhet jo thjesht një raportim i parë, pra për ngjarjen që ndodh, por edhe një ndjekje e ngjarjes, mënyra si fillon hëtimi, a shkon në gjykatë, a ka autor etj. Publiku ka nevojë për detaje të qënësishme që përbëjnë interes publik dhe ekspozojnë punën e institucioneve ligjzbatuese dhe gjithashtu sigurinë publike që është shumë e rëndësishme për qyetarët.”

Zoti Emiri thotë se institucionet ligjzbatuese duhet të jenë më ndihmuese për gazetarët.

“Së pari është puna e institucioneve për zbatimin e ligjit për të dhënë më shumë informacion për reporterët që interesohen për ngjarjet dhe së dyti duhet të jetë një nivel më i lartë sigurie që të krijohet nga strukturat shtetërore për gazetarët që raportojnë për ështje sensitive sic është krimi i organizuar dhe jo vetëm. Nga ana tjetër duhet të ketë bashkëpunim me komunitetin pasi ata janë sytë dhe veshët për ngjarjet që ndodhin.”

Ndërsa kryeredaktorja e RTSH Gjirokastrës Silvana Lula thotë se gazetarët përpiqen të ndërtojnë marëdhënie më të ngushta sidomos me institucionet e drejtësisë për marrjen e informacionit.

“Duhet të përballemi me vështirësi të shumta, janë disa institucionet që kërkojnë më shumë punë nga reporterët për të marrë informacion, përmes kërkesave të bazuara në Ligjin për të drejtën e Informimit . Këto kërkesa bëhen sidomos në organet e drejtësisë.”

Zonja Lula thotë se reporterët e institucionit si televizion publik kanë marëdhënie të mira me policinë, por për ngjarjet e kronikës që lidhet me incidente apo krime nevojiten herë pas here hulumtime nga vetë gazetarët përtej burimeve zyrtare.

Reporterët vendorënë Shqipëri janë pak të paguar nga redaksitë qëndrore dhe në një masë të madhe sfidave tëtyre në terren u shtohet edhe pasiguria prej elementëve kriminalë të përfshirë në trafiqe apo kultivim të marijuanës.

Raporte të organizmave ndërkombëtarë kanë shprehur herë pas here shqetësim për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e shtypit në Shqipëri.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurtë në Ballkanin Perëndimor në raportin e vitit 2020, publikuar së fundi në Tiranë, thotë segazetarët në terren pohojnë se ndihen të pambrojtur nga kërcënimet fizike, ndërsa gazetarët investigativë pohojnë se kanë frikë nga proçeset gjyqësore, që nisen prej aktorëve të prekur nga puna e tyre.

Rrjeti i ka nxitur autoritetet shqiptare të rrisin transparencën dhe sigurinë e gazetarëve ne punë, duke ftuar nga ana tjetër mediat shqiptare të forcojnë mekanizmat vetërregullues në komunitetin e tyre.

blank

Erl Murati: Koha që Reforma në Drejtësi të japë rezultatet e para, të goditet korrupsioni në nivele të larta

Kryeredaktori i ‘’Gazetës Shqiptare’’, Erl Murati i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 ka folur për 5-vjetorin e miratimit të Reformës në Drejtësi dhe zhvillimet politike që presin Shqipërinë në shtator.

Murati thotë se Reforma në Drejtësi ende nuk ka dhënë rezultatet e para, madje është vonë në këtë aspekt, por tashmë është koha të godasë korrupsionin në nivele të larta.

A i thekson se shqiptarët duan drejtësi pasi uria për këtë është e madhe, por s’mund të përdoren si alibi rrethanat pasi dihet sipas tij që klasa politike nuk e do këtë Reformë.

PYETJA: 5 vjetori i Reformës në Drejtësi, kemi parë goditjes e para të SPAK, Gjykata Kushtetuese pothuajse formuar, ka vend për entuziazëm apo jemi larg asaj që imagjinonim?

MURATI: Entuziazëm ësthë fjalë e madhe, por janë shtruar shinat e Reformës në Drejtësi dhe tani do të prodhohen frytet e para. Me dashamirësi po themi, ka përpjekje dhe vullnet për ndryshim. Para pak vitesh drejtësia në përgjithësi perceptoheshin si më të korruptuarat në shoqërinë shqiptare. Nevoja për ndryshim ishte vullnet popullor. Ka pasur dhe ka nevojë për ndryshim në sistemin e drejtësisë.
Shpresa është e madhe, me realizëm ka një lloj zhgënjimi. 5 vite më parë kur u miratua Kushtetuta e re, prisnim që Reforma të prodhonte drejtësi të shpejtë. Nuk ishim në fazën të festonim për prangosjen e një kryebashkiaku apo zv.ministre. Nga pikëpamja sasiore çalon, Vettingu ka ngrënë kokat shumë prokurorëve e gjyqëtarëve, por dosjet zvarriten. Standardi i zyrtarëve ka qenë dhe më parë, historia e drejtësisë shqiptare s’ka filluar në korrik të vitit 2016. Janë arrestuar më parë kryebashkiaku i Vlorës, Dibrës, Kavajës, Guvernatorin e Bankës. Pra të shohim. Rezultatet do të jenë kur të goditen peshqit e mëdhenj, korrupsioni politik në nivele të larta. Nuk jam entuziast në këtë pikë. Drejtësia ka funksionuar edhe para 2016. Nëse është lajmëruar apo pritshmëritë kanë qenë për peshqit e mëdhenj, ka ardhur koha që të ndodhë. Njerëzit prisnin të goditeshin më herët, për mua është e vonuar.
Pavarësisht se Reforma për Drejtësi trumbohet e suksesshme, uria për drejtësi është e madhe.

Dëgjova një ambasador sot që aktorë politikë duan të pegojnë Reformën. Kjo është fazë e tejkaluar. Duhet të jetë e vetëmjaftueshme. 5 vite pasi është miratuar, institucionet duhet të jenë të pavarura për të dhënë drejtësi. Nuk mund t’ia vëmë fajin gjithmonë presionit politik që politikanë të caktuar nuk e duan Reformën dhe prandaj s’ndodh drejtësia.
Mbaj mend vite më parë, një nga amasadorët më të mëdhenj në vend tha që Reforma ka filluar të ecë me këmbët e veta dhe s’mund të ndalet nga politika. Këtu e gjithë klasa politike mund të mos e dojë Reformën. Këtu perceptohet gjithë politika e korruptuar, politikanë të korruptuar, këta kanë emër e mbiemër. Prandaj u bë reforma, prandaj është ky proteksion për të dhënë frytet e para.
Rezultatet nuk janë këto, s’dua ti vë notë Reformës, mjafton një sondazh si para 5 viteve në popull nëse njerëzit janë ose jo të kënaqur. Perceptimi popullor është që klasa politike nuk është goditur, pra vijon të jetë e korruptuar.

Shumica e njerëzve duan drejtësi, është terreni për ta bërë këtë. Drejtësia shqiptare si institucion përfaqësues vuan si sporti apo gazetaria. Sigurisht që në njëfarë mënyre, s’mund të ketë alibi, ka qenë njerëz më të varfër e korruptuar se ne. Rrethanat s’mund të jenë alibi për drejtësinë e re apo të vjetrën. Ka një consensus, shqiptarët e duan drejtësinë. Aty ka njerëz që e kanë marrë përsipër të japë drejtësi. Janë disa individë, disa që nuk janë baltosur nga drejtësia e vjetër, ndaj këtyre njerëzve ka pritshmëri. Ka ardhur momenti të prodhohen rezultatet e para, nëse nuk arrihen atëhere Reforma nuk prodhoi atë që pritej. Të fundit që mund të akuzohen janë aktorët ndërkombëtare. Nëse s’do të ketë rezultate atëhere ka dështuar, por ende nuk është momenti për të vënë notën.

Murati thotë se në shtator do të kemi një qeveri ‘Rama 3’ të vazhdimësisë, por nuk përjashtohet që të ketë prurje interesante ose të papritura.
Sa për opozitën, gazetari thotë se ajo duhet të shfaqet si alternativë e re për të sfiduar qeverinë pasi ‘Rama 3’ nuk mund të sfidojë ‘Rama 2’. Murati thekson se nuk mund të pritet një vision i ri nga një kryeministër që ka 8 vite që qeveris.

PYETJE: Çfarë do të kemi në shtator?

MURATI: Besoj do të kemi qeveri të vazhdimësisë, nuk besoj se do të ketë një qeveri që do të reflektojë më pas ndryshime në administratë. Mund të kemi prurje interesante, ose të papritura. Besoj do të ndodhë se Rama i ka dhënë provat. Në 2017 ishin të tjerë njerëz që udhëhoqën fushatë dhe në qeveri u futën njerëz që ekzistencën e tyre e morën vesh ditën kur u emëruan, si Cakaj apo Shahini. Mund të kenë qënë nga pikëpamja teknike funksionarë shumë të mirë, por nga pikëpamja politike nuk kishin lidhje me PS.
Pra në Rama 3 mund të kemi individë që nuk kanë patur karrierë politike apo në PS. Sa i përket opozitës, mbetet detyra për të dhënë alternativë të re, për të sfiduar qeverisjen. S’mund të presim që Rama 3 të sfidojë Rama 2. S’mund të presim vision të ri nga një kryeministër që ka 8 vite që qeveris. Shoh që ka nëj analizë të munguar në opozitë për faktorët që ndikuan në humbjen e saj në 25 prill. E dimë që dy shkaqe ishin bojkotimi i zgjedhjeev lokale dhe djegia e mandateve që solli ndryshimin e kushtetutës.
Këtë duhet të diskutojë opozita. Ka një analizë të munguar në opozitë, nëse do të bësh një analizë atëhere do të godasësh menjëherë lidershipin e PD dhe ngelesh jashtë. Ka një lloj paradoksi, nëse shohim 2 partitë kryesore 15 vite më parë, mbaj mend që ka patur njerëz që janë larguar nga ajo parti. Në kampin e PS aty ka qenë akoma më e emancipua dhe dramatike. Besoj ky është problem, demokracia eb rendshme në PS dhe PD, demokracia ka bërë hapa pas.
Në PD duket që ka një klimë disfatiste. S’mund të flas me terma rithemelimi apo revolucioni, por opozita ka shansin për tu shfaqur si alternativë, ndryshe nuk e shoh shumë positive të ardhmen për kampin e opozitës.

blank

Ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare shkrimtarja dhe gazetarja Vera Isaku

Ndahet nga jeta pas një sëmundje të gjatë dhe të pashërueshme në moshën 66-vjeçare shkrimtarja dhe gazetarja Vera Isaku.

E lindur ne Bilisht, ku kaloi vitet e saj të fëmijërisë dhe të rinise së hershme, Vera Isaku kreu më pas studimet universitare për letërsi në Universitetin e Tiranës.

Pas përfundimit të universitetit, së bashku me bashkëshortin, poetin Agim Isaku, ajo jetoi dhe punoi për një kohë të gjatë në Lezhë. Me nisjen e proceseve demokratike, ajo iu bashkua shtypit opozitar, duke qenë gazetarja e parë femër e gazetës Rilindja Demokratike. Isaku ka qenë gjithashtu drejtuese në Radio-Televizionin Shqiptar dhe drejtore e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës.

Kontributet intelektuale të Vera Isakut përfshijnë një numër të madh shkrimesh publicistike në shtypin vendas dhe të huaj. Ajo është autore e një serie librash në zhanre te ndryshme si romani, tregimi, poezia dhe eseistika. Në vitet e fundit ajo iu kushtua edhe pikturës duke hapur një ekspozitë te suksesshme me 30 punime në 2015.

Në përmbushje të dëshirës së saj ceremonia e përcjelljes do të jetë private me pjesëmarrjen e rrethit të ngushtë familjar. gsh

blank

“Duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike”, pas thirrjes së ish-zëvendës ministrit Petro Koçi, SPAK nis verifikimin e deklaratave

SPAK nis verifikimin e deklaratave të ish-zëvendës ministrit të Mbrojtjes Petro Koçi, i cili pak ditë më parë i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme të shkojë në Fier dhe të hetojë, pasi sipas tij duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike.

Lajmin e konfirmoi për News24 e BalkanWeb, kreu i SPAK Arben Kraja. Më 16 korrik, ish-zëvendës ministri Koçi, i cili hyn në shtator në parlament si deputet i PS ka deklaruar se duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike në Fier dhe se protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës fitojnë tendera publikë.

Ndonëse nuk përmendi emra, ai kërkoi ndërhyrjen e organeve ligjzbatuese që qyteti të mos i nënshtrohet botës së krimit të organizuar.

DEKLARATA E PLOTË
Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji.
Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike.

Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike.

Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit.

Të fuqizuar sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona.

Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar.


Send this to a friend