(Vijim)
Duhet vënë në dukje se sipas dëshmive të shokëve të tij, kishte raste që Haxhiu prekej shumë shpejt, ose kishte raste që për një moment, pa i thënë gjë askujt çohej nga tavolina ose vendi ku ishte me shokë, pa dhënë asnjë shpjegim. Por tepër qetë dhe pa asnjë shenjë pakënaqësie. Është interesant tregimi i një miku tim, nga Malësia e Madhe, i cili mbasi kishte parë dokumentarin e shfaqur nga RTSH, më tregoi se, disa kohë para “arratisjes”, ai kishte qenë në dasmën e vëllait të tij dhe papritmas, në mes të dasmës, ishte çuar dhe ishte larguar, pa i thënë asnjë fjalë askujt, madje nuk kishte lejuar asnjë njeri ta përcillte.
Po t’i analizosh me gjakftohtësi të gjitha të dhënat që jepen në Dosjen e sipërpërmendur, dhe nga shumë kujtime të shokëve e miqve të tij, krijohet mendimi ( bindja) se Haxhiu, kohët e fundit para “arratisjes” nuk ka qenë mirë nga ana shëndetësore (mendore).
Edhe veprimet e tij për t’u përgatitur për “arratisje”, biseda me Gj.L. lëvizjet e çakorduara për armatosje dhe, mbasi u armatos me automatik, pushkë të gjatë, pistoletë e municione, çantë shpine etj. (që i kishte në shtëpinë e njerëzve të gruas në Shkodër) hipën lirisht në taksi për të shkuar në Golem etj. e shtojnë dyshimin për gjendjen e tij mendore. (Dosja… fq.9). Asnjë njeri normal që ka ndërmend të arratiset nuk bën veprime të tilla, t’i thotë dikujt se do të arratisem, prandaj hajde me mua, (për më tepër një njeriu që ai e dinte se disa herë kishte bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit.), të hipte në taksi me një arsenal armatimesh dhe të shkonte lirisht në shtëpinë e tij dhe aty t’i thotë një miku të tij, që atë natë kishte shkuar për të bujtë në shtëpinë e Haxhiut, se do të arratisej etj. Për më tepër që Haxhiu i njihte mirë këto probleme, sepse kishte shumë vite që punonte në organet e Sigurimit të Shtetit apo të Zbulimit të Ushtrisë, pra ishte i zanatit. Një njeri normal, me përvojë të gjatë në organet e Sigurimit të Shtetit dhe zbulimit, nuk mund të bënte veprime të tilla.
Po t’i qëndrojmë variantit që Haxhiu dyshonte se do ta arrestonin dhe se, sipas tij, kishin shkuar njerëz të Degës Punëve të Brendshme për ta arrestuar, si ka mundësi që ai u ka ikur atyre që e ndiqnin? Sepse në qoftë se vërtet kishte një plan për arrestimin e tij, më e pakta, ai do të kontrollohej dhe do të ndiqej në çdo hap, dhe kuptohet do të arrestohej kur ai u armatos, sikur po shkonte në luftë dhe hipi krejt haptazi në taksi me atë arsenal armësh në krahë.
Por e vërteta është krejt ndryshe, sepse po të kishte ndonjë urdhër për arrestimin e tij, do ta dinte Kryetari Degës Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, sepse ai do të ngarkohej nga organet më të larta që Haxhiu të vëzhgohej, të ruhej e të arrestohej. Por siç del nga dokumentet më sekrete, të përgatitura nga Feçori, edhe ai vetë është çuditur kur ka dëgjuar për arratisjen e Haxhiut, madje nuk e ka besuar. Vetë Feçori shkruan në materialin e sipërpërmendur të datës 20 mars se “Nga këta fakte del qartë se Haxhi Hajdari nuk kishte asnjë bazë që të vinte si shkak për të justifikuar tradhtinë e tij” (Dosja… fq.10)
***
Sidoqoftë, me të drejtë shtrohet pyetja, mbasi u diktua ku fshihen, përse nuk u provua të kapen të gjallë? Interesi e donte, që të kapej i gjallë një “agjent” i përmasave të tilla i UDB-së, siç u quajt në planet operative të hartuara, sepse do të zbulonte shumë lidhje e fije të UDB-së në Shkodër e në Shqipëri… Nga ana tjetër, kapja gjallë do të ishte një sukses shumë i madh, për t’i treguar popullit se sa të fuqishëm janë Sigurimi e Partia që e kapën të gjallë Haxhi Hajdarin. Për më tepër do të kishte efekt më të madh në popull kapja gjallë se sa vrasja në atë mënyrë që u bë (shumë njerëz e dënuan atë mënyrë vrasjeje, madje që atëherë lindën dyshime e pikëpyetje për eliminimin e tij në atë mënyrë).
Kujt i interesonte që Haxhiu të vritej? Është një pyetje e vështirë, por duke analizuar veprimet e bëra, siç del dhe nga dokumentet, krijohet bindja se i pari që nuk ishte i interesuar të kapej gjallë ishte Feçor Shehu dhe ndonjë tjetër që e mbështeste atë. Kush dhe përse ishin të frikësuar që po të kapej i gjallë Haxhiu e gjithë ajo zhurmë e mobilizim i forcave vullnetare e të gjithë kufirit (dhe jo të ushtrisë siç thuhet në dokumentar) do të dilte bllof… Apo mos ndoshta Feçor Shehu e ndonjë shoku i tij donin të fshihnin ndonjë gjë tjetër më të madhe?… Të gjitha këto janë supozime, por vetë fakti se nuk u bë asnjë tentativë par ta kapur të gjallë, lënë shteg për shumë dyshime e hamendësime.
Është tepër interesant fakti se, mbasi u mor vesh vendi i saktë ku fshihej Haxhiu, Halil Zeneli (Deputet i Kuvendit Popullor, Kolonel i Ministrisë Brendshme, mik i ngushtë i Haxhiut) ka propozuar: “Na lini mua e Bejto Faslinë të takohemi me të dhe ta sjellim të gjallë, sepse, si do që të jetë gjendja e tij, ai ne nuk na vret” (Siç kanë pohuar Halil Zeneli dhe Bejto Faslia). Autorët e dokumentarit, trillojnë dhe që pa asnjë bazë thonë që “Halil Zenelin e sollën nga Tirana për ta bindur Haxhi Hajdarin të dorëzohej”… (Në të vërtetë Halil Zeneli kishte ditë që ndodhej në Malësi të Madhe, fakt që e kanë ditur shumë njerëz, por vërtetohet edhe nga materialet e Degës Punëve të Brendshme. (Dosja… fq.70)
I pari që ka kundërshtuar ka qenë Feçor Shehu dhe mbas kësaj është vendosur që t’i largojnë nga Malësia e Madhe, Halilin, Bejton e ndonjë tjetër, me pretekstin se “e kanë kryer detyrën e tyre”. (Kështu u thanë atyre mbasi u mor vesh ku fshihej Haxhiu). Sigurisht Halili, Bejtoja e ndonjë tjetër, kishin kuptuar se diçka jo e mirë po luhej kundër tyre, por deri në këtë kohë nuk e dinin se ç’kishte kurdisur Feçori e ndonjë tjetër kundër tyre…
Në vazhdim të idesë për ta kapur të gjallë Haxhiun, kishte edhe shumë mundësi të tjera. Ata që kishin kapur të gjallë Hamit Matjanin e sa të tjerë si ai, të stërvitur nëpër kampe nga instruktorët më të mirë të asaj kohe, si nuk mund të kapnin të gjallë një gjysmë njeriu siç ishte bërë Haxhiu mbas tre javësh qëndrimi nëpër shpella, për më tepër i sëmurë, e që nuk mund të ecte normalisht? (Siç del nga Dosja e përmendur disa herë, në atë aksion kanë marrë pjesë punonjës të vjetër të Ministrisë së Brendshme që kishin përvojë të madhe për kapjen gjallë të diversantëve e të arratisurve).
Kushdo e kupton se kishte shumë mënyra e rrugë për ta kapur të gjallë. Kështu, mund të kapej i gjallë nëpërmjet atyre që e kishin furnizuar me ushqime, e që tashmë kishin pranuar të bashkëpunonin me Sigurimin e Shtetit. Ose duke u prerë ushqimin e ujin ose dhe me mënyra të tjera. Vetë pozicioni i shpellës ku u vra, ishte i tillë që me një rrethim normal, ata nuk kishin nga të iknin, ose të dorëzoheshin ose të vrisnin veten. Por ai duhej eliminuar me çdo kusht, madje në mënyrën më barbare, mënyrë që nuk ishte parë asnjëherë në ato anë, me top e flakëdhëse (Interesant është fakti se në të gjitha planet e punës dhe urdhrat e dhëna bie në sy fjala vrasje e eliminim dhe rrallë fjala kapje).
Si për ta bërë më bindëse atë që u tha gjatë dokumentarit, autorët shpikin se “kur e pa veten të rrethuar Haxhi Hajdari ulëriti kundër Partisë dhe Enver Hoxhës”. Dëshmitarët që kanë qenë të pranishëm thonë se aq e fortë ka qenë goditja e artilerisë sa që nuk mund të dëgjohej asnjë lloj thirrje apo ulërimë njeriu…
***
Kjo është pak a shumë historia e dhimbshme e Haxhi Hajdarit, e vërteta e së cilës nuk u sqarua kurrë. Nëpërmjet këtij shkrimi u përpoqa të sjell disa të vërteta që dalin nga dokumentet e asaj kohe, por pa pretenduar se kjo është e gjithë e vërteta…
Dua të theksoj edhe një moment tepër të mprehtë, delikat e të rendësishëm. Kjo ngjarje që u mor vesh e bëri bujë jo vetëm në rrethin e Shkodrës, po në të gjitha Shqipërinë, u shfrytëzua nga Feçor Shehu dhe ata që e përkrahnin, në radhë të parë për të krijuar një situatë tensioni e presioni në Shkodër e më gjërë. Por kyesorja, për të e për përkrahësit e tij, për të “vërtetuar” mendimin që ekzistonte tek disa drejtues, se ndikimi jugosllav e UDB-ja jugosllave ishte e fuqishme në Shkodër dhe kryesorja ajo kishte bazat e veta tek disa kuadro të vjetër të Shkodrës.
Pavarësisht se nuk është objekt i këtij shkrimi, duke u bazuar në dokumentet e atyre viteve, do të perpiqem të jap shkurtimisht një tablo të zhvillimeve menjëherë mbas “arratisjes” së Haxhi Hajdarit, të cilin Feçori e akuzoi menjëherë si agjent të UDB-së. Në materialin e përgatitur nga Feçor Shehu, vetëm dy ditë mbas “arratisjes” së Haxhiut, ai shkruan: “Nga veprimet e deritanishme, nga materialet e grumbulluara në lidhje me tradhtinë e tij, arrijmë në përfundimin se ai duhet të jetë agjent i zbulimit jugosllav” (Dosja… fq. 10). Dhe menjëherë ai me ndonjë tjetër fillojnë thurjen e një plani (ndoshta të përgatitur edhe para “arratisjes” së Haxhiut) për krijimin e një grupi armiqësor tepër të rezikshëm, “Grupit të Deputetëve” “armiq të partisë e pushtetit”, ku krahas Haxhiut bënin pjesë deputetët Halil Zeneli (Kolonel i Ministrisë Brendshme) dhe Bejto Faslia.
Po ashtu, krahas tyre, në “veprimtarinë armiqësore” të Haxhiut ai perpiqet të implikoë dhe disa kuadro me emër të mirë në Shkodër e më gjërë, dhe përsëri duke dashur të vertetojë se “Shkodra eshtë reaksionare”, ai thur “planin e një kryengritje në Shkodër” ku tenton të implikojë disa persaon të tjerë, ndonjërin prej të cilëve edhe e arreston.
Lidhur me “Grupin e deputetëve”, që më datën 22.3.1963, pra vetëm tri ditë mbas “arratisjes” në “Planin e masave agjenturoro-operative në drejtim të Haxhi Hajdarit dhe Nosh Kolës” ndërmjet tjerave thuhet: “Duke qenë se ka dyshime që në veprimtarinë armiqësore të Haxhi Hajdarit të jenë të implikuar ose të dinë mbi aktivitetin e Haxhiut edhe B.D, Z.D,Z.H, “Doktori”, “Mustaqja” dhe “Makina” , është e nevojshme të studiohet me kujdesin më të madh dhe të zbulohet karakteri i këtyre marrëdhënieve midis Haxhiut dhe 6 të mësipërvmet” (Dosja… fq. 113). Kuptohet se pseudonimet janë të njerëzve që u vunë në ndjekje, ndërmjet tyre të dy deputetëve… Ndërsa në materialin e dt.27.3.1963 “Plan veprimi-Për rrethimin e disa lagjeve të katundit Kurt-Kurtaj dhe masat e tjera agjenturore-operative” ndërmjet tjerave, në pikën 7 thuhet: “Gjatë kësaj kohe të aktivizohet agjentura me lidhjet e Haxhi Hajdarit dhe Nosh Kolës për të zbuluar lidhjet e tyre dhe si reagojnë këto lidhje.
Gjthashtu te lidhjet e tij, simbas orjentimit të dhanë nga udhëheqja e Drejtorisë II, të drejtohen shokët Halil Zeneli, Bejto Faslia, Xhemal Bejtja” ( Dosja… fq. 70).
Do permend edhe një fakt tepër interesant. Mbas viteve 90-të, nipi i Haxhi Hajdarit, Muho Bala, mbasi kishte bërë mbi 20 vite burg, (i cili gjatë hetuesisë është torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhe nuk ka pranuar asgjë nga ato që akuzohej Haxhiu edhe ai si bashkëpunëtor dhe ndërlidhës i tij) në takimet që ka patur me Halil Zenelin dhe Xhemal Bejton, veç e veç, u ka thënë ndërmjet tjerave se “Feçor Shehu kishte marrë pjesë disa herë në torturat ndaj tij, dhe në dy raste ai, së bashku me dy-tre vetë e kishin çuar në Zall të Kirit (rreth Shkodrës) ku para një grope të hapur, e kanë kërcënuar ose “të pranonte lidhjet e Haxhi Hajdarit me Halil Zenelin e Bejto Faslinë me UDB-në jugosllave, ose do të vritej aty”.)
Pa dashur të zgjatem me fakte e dokumete të tjera për këtë “grup të deputetëve armiq të partisë e pushtetit”, të cilëve u hapën dosje, i ndoqën për shumë kohë etj. kur u pa se po “trashej zullumi” dhe për pak po “shkelej vija e kuqe”, me urdhër nga udhëheqja më e lartë e Partisë u ndërpre ndjekja e tyre, megjithëse hijet e saj kanë mbetur edhe për disa vite më vonë mbi ta dhe njerëzit e tyre.
Për ta mbyllur me “grupin e deputetëve” do t’i referohem një materiali Tepër Sekret dt.2.10.1964, përgatitur për udhëheqjen e Partisë, nga një ekip i Komitetit Qendror të Partisë Punës mbas një kontrolli në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër, ku ndërmjet tjerave thuhet: “Mirëpo në këtë mënyrë, jo kurdoherë arrihen suksese dhe për këtë arsye ndodhë shpesh që elementët armiq të mos flasin dhe veprimtaria e tyre mbetet pa u zbuluar, ose në të kundërten, të flasin sa mos të jenë në gjendje të verifikojnë saktësinë e tyre (të bëjnë disinformacione) gjë që nga një herë eshtë arritur me imponim apo nga sugjerimet. Ky fenomen në Shkodër, gjatë vitit të kaluar u vu re në dy raste, në forma tepër të rënda, aq sa me porosi nga lart u detyruan ta mbyllin si krejt të pabesueshme për njerëz, kuadro, llojin dhe shkallën armiqësore që implikohesh” (Arkivi i Komitetit Qendror të Partisë Punës. Dosja 549. fq.14).
Tepër interesante janë deponimet e të arrestuarve (janë arrestuar dhe dënuar 6 vetë) lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të Haxhi Hajdarit. Me përjashtim të Muho Balës, nipit të Haxhi Hajdarit, (që nuk ka pranuar asnjë akuzë) gjatë marrjeve në pyetje, ata kanë përmendur disa emra kuadrosh shkodranë, gjoja si të lidhur me veprimtarinë e Haxhi Hajdarit. Nga shumë faqe të deponimeve të tyre bie në sy se shumë pohime i kanë bërë ose nën presion ose i kanë mësuar si të flisnin, çka kuptohet shumë lehtë, sepse ngatërroheshin me fjalët e tyre. Kështu L.Sh., ngatërrohet kur pohon se Haxhi Hajdari “është lidhur me Legatën Jugosllave nëpërmjet Muho Balës dhe Nd.P., major i Ministrisë Punëve të Brendshme”. Ose A.T. kur thotë se, “kur erdhi diversanti Arif Shabani në shtëpi, ku ishte edhe Haxhi Hajdari dolën bashkë”, ose kur pohon se “kur e kanë perdorur si korier nuk dinte as kush i ka dhënë letrën, as kush e dergonte as kujt ja dorëzoi në zyrë, në Komitetin Ekzekutiv”. Tërheqë vemendjen fakti se në materialin e marrjes në pyetje, shtypur me makinë shkrimi, poshtë eshtë shtuar me dorë se “eshtë fjala për B”. Kuptohet se fjala eshtë për Bejto Faslinë, sepse nga të gjithë emrat që permendin dëshmitarët (sigurisht me porosi të Feçor Shehut e kompani) vetëm ai punonte në Komitetin Ekzekutiv.
Nuk do të zgjatem me këtë histori të sajuar, por dëshmitarët përmendin (nën presion ose me porosi) edhe emra njerëzish shumë të nderuar si Mëhill Doçi, Ramadan Reçi, Dr.Sitki Bushati etj etj, për të cilët Feçori dhe shokët e tij, kishin dyshime dhe donin ti përfshinin në “grupin e bashkëpuntorëve” të UDB-së jugosllave. (Dosja … Nga fq. 127 deri fq.141).
Lidhur me deponimet e 6 të pandehurve në hetuesi, terheq vëmendjen letra e Prokurorit të Përgjithshëm, Aranit Çela e dt.17.2.1964, dërguar Komitetit Qendror të Partisë Punës “Mbi gjendjen e hetimit të disa çështjeve kryesore në lidhje me krimet kundër shtetit”. Ndërmjet tjerave ai përpiqet të shpjegojë “punën armiqësore” të Haxhi Hajdarit, por shihet qartë se edhe ai vet nuk ishte i bindur, sepse nga hetimi nuk kishin dalë fakte konkrete e bindëse për veprimtarinë e këtij grupi. Prandaj ai pohon se “me përjashtim të Muho Balës, nipi i Haxhi Hajdarit, që nuk jep asnjë shpjegim në lidhje me veprimtarinë e tij armiqësore, të tjerët, përveç atyre që kanë treguar, nuk dinë gjëra të tjera për ekzistencën e kësaj pune armiqësore. Për këtë u vendos që ky proces të mbyllet brenda muajit shkurt” (Arkivi i Komitetit Qendror të Partisë Punës. Dosja 549. fq.8)
Mbas eliminimit të Haxhi Hajdarit, Feçor Shehu me shokë sajuan edhe “përgatitjet për një kryengritje” në Shkodër por që shumë shpejt u pa që ishte një sajesë për të goditur disa persona në Shkodër. Mbas transmetimit të dokumentarit, po pija kafe me një mikun tim, ish punonjës i Ministrisë së Brendshme, që më tregoi se disa kohë mbas vrasjes së Haxhi Hajdarit, Feçor Shehu kishte njoftuar, se në Shkodër po përgatitej një kryengritje. Në grupin e punës që shkoi nga Ministria për të parë në vend situatën dhe sa e vertetë ishte kjo, më perfshin edhe mua, megjithëse isha në moshë të re. Mbasi pamë në vend situatën dhe analizuam “faktet” që kishte paraqitur Feçori, konkluduam se e gjitha ishte një sajesë pa baza, më shpjegoi ai. Më bëri përshtypje fakti se megjithëse kanë kaluar 55 vjet, ai mbante mend emrin e njërit prej të arrestuarve… që përmendet edhe në materialet e sipërcituara.
Dua të vë në dukje se ashpërsia dhe padrejtësitë që bënte Feçor Shehu me shokë në Shkodër, kishte terhequr vëmendjen, e organeve më të larta të partisë, aq sa Prokurori i Përgjithshëm Aranit Cela, mbasi kishin analizuar situatën në Shkodër, në një Informacion për Komitetin Qendror të Partisë, të dt.20.7.1964, sillte shembuj konkretë. Kështu ai vë në dukje se Sh.E. është dënuar me pesë vite burg pa fakte bindëse dhe me dëshmitarë të dyshimtë, se janë arrestuar pa asnjë bazë vellezërit N. dhe M. në Kelmend, F.Z. në Shkodër, P.Gj.Rr, Z.T. dhe N.L i sëmur psiqik. Po ashtu, në letër vihet në dukje se ka raste kur ai që mban proçes verbalin, bën shtesa dhe në letër përmenden konkretisht rastet kur, nga këto shtesa ishin shfrytëzuar dhe nbi bazën e tyre ishte propozuar për arrestimin e R.B. dhe të Xh.K. Në vazhdim ai përmend me emër Feçor Shehun i cili, në prill kishte deklaruar në Plenumin e Komitetit të Partisë se “jugosllavët kanë derguar një bandë të armatosur në Bardhej të Tamarës”, gjë që ishte krejtësisht e sajuar etj. (Arkivi i Komitetit Qendror të Partisë Punës. Dosja 553. fq.16-21).
***
Së fundi dua të vë në dukje se puna dhe veprimtaria e Feçor Shehut kishte tërhequr vëmendjen e grupit të punës që shkoi nga Komiteti Qendror, të cilët vunë në dukje disa nga gabimet e të metat e tij. Kështu ndermjet tjerave në informacionin e përgatitur thuhej se:
“Me informacionet që i jep Komitetit të Partisë, i dikton Partisë se ç’farë duhet të bëjë për këtë apo atë problem”. Ndërsa më poshtë thuhet se “kur këto probleme u diskutuan në Byronë e Partisë së Rrethit, ai bëri autokritikë, mirëpo kjo nuk do të thoshte se ai pranoi të metat e gabimet e tij”. Dhe në vazhdim thuhet se “asnjë anëtar i Byrosë nuk i tha asnjë fjalë apo ti kërkonte ndonjë shpjegim, të paktën kur ai u kritikua nga ne… Byroja nuk foli kur asaj ju thanë konkretisht rastet e diktimit, hezitoi të mbajë qëndrim në këtë çështje parimore si diçka pa rëndësi” (Arkivi i Komitetit Qendror të Partisë Punës Punë. Dosja 516. fq. 18).
Pavarësisht nga fundi i dhimbshëm, Haxhi Hajdari, si bir i popullit të thjeshtë, që gjithë jetën ja kushtoi popullit, duke qenë pjesa e mirë e atyre njerëzve e kuadrove të atij sistemi të cilit i përkiste, që së bashku me shokë idealistë si ai, që gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, u vunë në anën e duhur dhe morën pushkën e luftuan deri në çlirimin e plotë të vendit dhe mbas çlirimit, luftuan me mish e me shpirt për rindërtimin e vendit, për pajtimin e gjaqeve, për zhdukjen e analfabetizmit e përhapjen e arsimit deri në fshatrat më të skajshme, për tharjen e kënetave e moçaleve, për shtrirjen e sistemit shëndetësor e kulturor në çdo skaj të Shqipërisë, për emancipimin e gruas, për elektrifikimin e vendit etj. etj. vepra që shqiptarët nuk duhet ti harrojnë…
Ka kaluar mbi gjysëm shekulli nga vrasja e Haxhi Hajdarit dhe historia e tij mbetet një histori e dhimbëshme, që nuk u sqarua asnjëherë. Inisiativa e RTSH për të perkujtuar figura të tilla duhet përshendetur, por jo me sajesa e trillime siç bënë autorët e dokumetarit, që e quajtën “kundërshtar dhe armik të sistemit”, duke e poshtëruar për herë të dytë, njëlloj si ata që e poshtëruan herën e parë kur e quajtën armik e agjent i UDB-së jugosllave.
Gjatë atij sistemi u bënë të këqia, faje e krime, prandaj dhe u përmbys, por kur kërkohet në mënyrë artificiale të krijohen të persekutuar, disidentë, kundërshtarë e madje trima e heronj, që gjoja paskan dalë hapur e ballasi kundër Enver Hoxhës e politikës së tij, (siç ka ndodhë në jo pak raste këto 27 vjet), nëpërmjet shtrembërimeve, trillimeve e deri gënjeshtrave, siç u pa edhe në dokumetarin “Shpella e Lirisë”, që e shfaqi RTSH, atëherë edhe të vërtetat ngatërrohen me të pa vërteta, dhe bëhen të pabesueshme edhe ato që kanë ndodhur në të vertetë.
(Fund)
DITA
Komentet