Ku vanë gjithë ato elozhe për arën me grurë,
Për kallzën me kokën plot,
Për fjalët me brumë,
Kur në festën e grurit dekorohen krundet,
Komplementohet kashta në emër të bykut
Dhe himet mburren për firot
Që, gjoja, na paskan duk?!
.
Në festën e grurit
I parë del krundja,
I dyti pabuksi,
I treti një bukëshkal,
Dhe e gjithë majmëria i duartroket,
Ndonëse i kanë hequr kotheren fukarasë.
.
Kur në festën e grurit dekorohen krundet,
Vetja të duket,
Si kali që vërtitet në lëm,
Dhe turren drejt teje ata të llaçes
Kapistallin për të vënë?!
.
Fatbardh Amursi