Kur më fiksohet bindja, se edhe pak ditë më mbeten
Ftoj në raport të gjithë vitet, sërë – sërë,
I hapim von‘ defterët, e von‘ shoshitim veten !
E vrej çfarë kam kryer e çfarë kam lënë pa bërë:
Kam një bilanc të mjerë ! Ndoshta pa rrugëdalje.
E si kalojnë vitet, rritet kamata e faji.
Faji qenka gjëmbaç, që nxjerr çataj përdit‘ !
Kam dashur të pi Drinin, me këtë lugë çaji.
Po bora shkrin ngamot e bie prap çdo vit.
Kam dashur t’i nxë krejt, të tëra gjuhët e erërave
Dhe nuk po mund t’i nxë
Jam nisur t’u gjëmoj në fluturim skifterëve
Dhe s’po kap dot asnjë !
Kam dashur që të ngre Qytetin më gazmor
e më të drejtë në botë,
Po vetëm pak haliçë në themel kam vënë.
Kam dashur të mbjell vreshtë çdo akullnajë të ftohtë
Po vetëm pak fidanë më kanë zënë!
E, si gjithnjë, pas këtij monologu, me dhimbje kaq akute:
Shtegtimin, ndarjen, vdekjen – a s’di ç’dreq i thonë, –
E shtyj, për miqësi, një çik më tutje…
Ndoshta njëzet a dyzet vjet më vonë !
1991

Tiranë, qershor 1991