Nga Boldnews.al
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, vendosi të shkrijë Kadastrën e Vlorës, për ta sjellë në Tiranë, 100 metra larg Burgut 313. Pa një motiv të saktësuar, është urdhëruar që brenda datës 31 të këtij muaji i gjithë dokumentacioni të transferohet në Tiranë. Arsyet më shumë se strukturore janë dukshëm pragmatiste.
Pronat në Vlorë prej më shumë se një dekade shihen si plaçkë që rrëmbehet nga kaçakët më të zotë, një pjesë e madhe e të cilëve jetojnë në Tiranë, por shfaqen si pronarë të Vlorës në qindra hektarë, sidomos zonën bregdetare, ku malit, shkëmbinjve zhurishteve të bregut të detit, e madje vetë detit, i kanë vëndosur “vulë pronësie”, në emër të personave me lidhje të shkurtër qeveri-krim-oligarki.
Përveç arsyes për kontrollin e plotë nga Tirana, ka edhe një motiv praktik e teorik me logjikë ekonomike, që vetëm mendja pjellore e rilindjes mund ta prodhojë. Përse “banuesit” në Tiranë apo Dubai duhet të udhëtojnë deri në Vlorë për të rifreskuar një dokument, apo gllabëruar ndonjë copë ende të patjetërsuar?
Tashmë gjithçka e kanë nën kontroll nga kryeqyteti. Qeveria mendon për ta, me shërbim që u ofrohet Akoma më pranë, mjafton që të zgjasin dorën dhe hartat kadastrale të Vlorës rrethohen që nga kryeqyteti.
Ky trasnferim rëndon pikërisht banorët e Vlorës që kanë vite me vërdallisjen në këtë institucion ku futet lirshëm bota e krimit dhe oligarkisë, por i ulet qepeni i çeliktë në fytyrë çdo banori të qarkut Vlorë, që nuk merr prej dokumentat e pronësisë.
Në Vlorë gjithnjë kërkohej një drejtor, më jetëgjati kapte deri në katër muaj, më pas të gjithë njëri pas tjetrit detyroheshin të largoheshin. Nga viti 2014 e deri më tani janë 23 drejtorë të emëruar, më pas shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen. Në vendin ku krimi ishte zot dhe fjala tjetërsim prone nuk përbën shkelje sipas konceptit të Rilindjes, por zotësi, drejtorët e majmur detyroheshin që të zgjidhnin ose karrotën (mitmarrjen korrupsionin), ose shkopin (armën në kokë), për të vendosur një vulë dhe firmë që bente pronarë kapadai të pushtetit.
Së fundmi Rama hodhi një grep me karrem blu dhe peshkoi ish-drejtuesin e PD-së së Vlorës Genc Doromemaj. Edhe ai si të gjithë të tjerët nuk bëri hajër më shumë se dy muaj. Zyrtarisht dha dorëheqjen, por të vërtetën për largimin e dinë vetë ata, të cilët që në ditën e parë të punës në tavolinë u servirnin dosje pronësie vetëm për firmë dhe vulë, në emër të emrave që njihen si “pronarë të vjetër të krimit” dhe lidhjeve me politikën.