Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka kritikuar Ministrinë e Infrastrukturës lidhur me pagesën në traun e vendosur në Kukës-Morinë, ku ngriti shqetësimin se qytetarët paguajnë më shumë kur dalin nga territori i Shqipërisë, sesa kur hyn nga kufiri i Kosovës.
Erion Braçe, në Komisionin për Financat, të cilit ministrja Belinda Balluku që është marrë e pandehur iu shmang duke u përfaqësuar nga zëvendësja e saj Enkelejda Muçaj, u shpreh se “kur hyn nga Kosova pagesa është fiks 5 euro, kur del nga Shqipëria në Kosovë pagesa është 640 lekë”.
Ai theksoi se në pikat e kontrollit ku bëhet pagesa nuk ka kurs monedhe të shpallur, duke theksuar se nëse pagesa bëhet në euro, kusuri dhe llogaria të bëhet në lekë.
“ Këto 1.5, 1.4 euro po të sjellësh në vëmendje fluksin e verës bëjnë shumë para”, theksoi ligjvënësi socialist, duke shtuar se kjo është e pandershme.
Erion Braçe: Si monitorohet nga ana juaj kjo gjë, është thjesht dhe vetëm vullnet e deklarim i kompanive nën kontratë, apo ushtroni edhe ju kontroll për këto flukse të trafikut. Kam një shqetësim që vjen i përsëritur për pagesën Kukës Morinë. Kur hyn nga Kosova pagesa është fiks 5 euro, kur del nga Shqipëria në Kosovë pagesa është 640 lekë. Bëjnë 6.4 euro në kursin e këmbimit. Por ndodh edhe çudia me madhe, po të duash të paguash në euro, që praktikisht i bie më lirë, të kthejnë kusur në leke dhe llogarinë ta bëjnë në lekë.
Ndërkohë në pikë e kontrollit ku bëhet pagesa nuk ka asnjë kurs monedhe të shpallur, që praktikisht duhet të ishte kursi zyrtar i ditës. Këto 1.5, 1.4 euro po të sjellësh në vëmendje fluksin e verës bëjnë shumë para.
Ndaj ju pyes është çështje deklarimi kompanie në këtë rast, trafiku, fluksi apo ushtroni edhe ju kontroll. I bie e pandershme kjo gjë nga ana e operatorit që monitoron rrugën.
Enkelejda Muçaj: Kontratat janë në monitorim të dyja, sa i përket çështjes së trafikut. Ka një mekanizëm të kontrollit të kontratave koncesionare, ndërkohë kontrollon gjithë performancën e kontratës në kuptimin e të gjithë parametrave dhe modelit financiar të secilit prej tyre deri më tani dhe sidomos në lidhje me çështjen e tarifave që ju përmendet mendojmë se duhet ta marrim si një detyrë për ta kuptuar gjendjen aktuale që raportoni, për të përcaktuar se cili është parametër i pandershmërisë, papagesa po.
Tek risku, deri më tani është me koncesionarin, Buxheti shtetit nuk ka paguar asnjë parashtesë për secilin prej tyre
Erion Braçe: Mjafton kursi i euros, që ata të jenë të lumtur, e kupton