Sistemi ambicioz i mbrojtjes ajrore që synon të ndërtojë presidenti amerikan, Donald Trump, mund t’i kushtojë SHBA-së më shumë se 1 trilion dollarë gjatë dy dekadave të ardhshme, sipas një raporti të publikuar nga Congressional Budget Office (CBO).
Agjencia e pavarur amerikane vlerëson se projekti i quajtur “Kupola e Artë” mund të arrijë deri në 1.2 trilion dollarë vetëm për pajisjet përgjatë 20 viteve të ardhshme.
Sipas raportit, rreth dy të tretat e kostove pritet të shkojnë për komponentin hapësinor të sistemit, përfshirë satelitë të armatosur dhe teknologji të avancuara të mbrojtjes raketore.
Trump e prezantoi planin në fillim të mandatit të tij të dytë, duke marrë frymëzim nga sistemi izraelit Iron Dome, por me një shtrirje shumë më të gjerë. Projekti synon të krijojë një mburojë kombëtare të aftë të neutralizojë jo vetëm raketa me rreze të shkurtër veprimi, por edhe raketa balistike me rreze të gjatë, raketa hipersonike dhe dronë.
Njoftimi i presidentit amerikan nënkupton një zgjerim të madh të kapaciteteve ekzistuese të mbrojtjes raketore të SHBA-së në shkallë kombëtare.
Republikani deklaroi vitin e kaluar se ishte siguruar një fond fillestar prej 25 miliardë dollarësh, ndërsa kostoja totale e projektit vlerësohej rreth 175 miliardë dollarë. Megjithatë, raporti i fundit i CBO-së sugjeron se shifra reale mund të jetë shumë herë më e lartë.
Raporti bazohet në një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Trump për zhvillimin e sistemit të ri strategjik të mbrojtjes ajrore.bw