VOAL

VOAL

Kukësi qarku më i varfër në vend, të ardhurat për frymë sa 63% e mesatares kombëtare

May 26, 2022
blank

Komentet

blank

VOA- Shqipëri, koncesioni i laboratorëve mjekësorë nën hetim për korrupsion

VOA/Aleksandra Bogdani

Kontrata e kushtueshme e partneritetit publik privat për shërbimin e laboratorëve mjekësorë po hetohet për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme, SPAK pas vlerësimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit se Ministria e Shëndetësisë e ka dhënë atë në kundërshtim me ligjin. Zbatimi i kontratës ka sjellë gjithashtu pasojat e para për pacientët dhe sistemin shëndetësor. Materiali u përgatit në bashkëpunim mes Rrjetit BIRN dhe Zërit të Amerikës

Në fund të muajit maj, në telefonët celularë të mjekëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë mbërriti një urdhër me mesazh, përmes së cilit u kërkohej që të mos referonin analiza për pacientët e tyre, me përjashtim të rasteve tejet urgjente.

Po ju njoftoj se është ezauruar 100% e buxhetit të laboratorit. Ju lutem, njoftoni stafet mjekësore dhe specializantët, që deri më datë 1 qershor do të referohen vetëm urgjencat me Kod të Kuq,” shkruhet në mesazhin e publikuar në media.

Mesazhi në telefonët celularë të mjekëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Mesazhi në telefonët celularë të mjekëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Prej muajsh, lajmërime të ngjashme nuk janë të rralla edhe për mjekët e familjes, shërbimet ambulatore apo disa prej spitaleve rajonale të vendit.

Presioni mbi sistemin shëndetësor vjen si pasojë e kontratës koncesionare të laboratorëve mjekësorë, e cila përcakton tavane mujore buxhetore për spitalet referuese. Nëse numri i analizave tejkalohet, kostot për buxhetin e shtetit rriten.

Shërbimi i laboratorëve mjekësorë është kontrata e katërt e partneritetit publik-privat në sektorin e shëndetësisë dhe parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve rreth 13 miliardë lekë ose 114 milionë dollarë në 10 vitet e operimit.

Kontrata u fitua nga konsorciumi “Labopharma” me seli në Tiranë, “Exalab” me seli në Francë dhe kompania guackë “AB Laboratory Solution” B.V e regjistruar në Hagë të Holandës dhe po zbatohet prej vitit 2020 nga kompania koncesionare “Laboratory Networks”.

Procedurat e Ministrisë së Shëndetësisë për dhënien e këtij shërbimi me koncesion janë vënë në pikëpyetje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe po hetohen për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Mbi bazën e materialit hetimor të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është regjistruar procedimi penal nr.18, datë 31.01.2022 për veprat penale shkelja e barazisë së pjesmarrësve në tendera dhe ankande publike, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike,” tha SPAK.

SPAK ALBANIA

SPAK ALBANIA

Ekspertët e shëndetit publik e kritikojnë këtë skemë të partneritetit publik privat me argumentin se po kufizon mundësinë e pacientëve për të bërë analiza.

Në qoftë se i kufizon pacientit mundësinë për të kryer analiza, praktikisht e ke ekspozuar atë ndaj sëmundjeve kronike ose më sëmundje akute apo sëmundje tumorale, duke rrezikuar direkt jetën e një pacienti,” tha Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik që e ka ndërtuar karrierën në Gjermani.

Dëmton shëndetin dhe në raste të caktuara e dënon atë me vdekje,” shtoi ai.

Ministria e Shëndetësisë nuk komentoi hetimet e nisura nga SPAK dhe deklaroi se kishte zbatuar ligjin në çdo fazë të procedurës koncesionare.

Edhe kompania koncesionare, Laboratory Networks tha se kishte respektuar kërkesat ligjore dhe nuk kishte kryer asnjë veprim, që të mund të sillte si pasojë veprat penale që po hetohen nga SPAK.

Shoqëria dhe shoqëritë zotëruese të saj janë përkujdesur dhe kanë qenë gjithmonë vigjilentë që përgjatë të gjithë procesit të garës si dhe përgjatë kohëzgjatjes së kontratës së partneritetit publik-privat të zbatojnë rreptësisht kërkesat ligjore dhe standartet më të larta të etikës,” deklaroi kompania.

Kompani “koracë’

Kontrolli i Lartë i Shtetit e përfundoi auditin mbi koncesionin e laboratorëve mjekësorë në tetor të vitit 2021 dhe arriti në përfundimin se Ministria e Shëndetësisë e kishte dhënë atë në kundërshtim me ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”.

Për këtë procedurë, KLSH paditi në SPAK shtatë anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit si dhe i kërkon gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë masa për rishikimin dhe zgjidhjen e kontratës.

Auditi i KLSH-së sjell në vëmendje faktin se zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë injoruan shqetësimin e Koorporatës Ndërkombëtare të Investimeve, IFC, për integritetin e kompanisë së regjistruar në Holandë, AB Laboratory Solutions.

Sipas dokumenteve të paraqitura nga konsorciumi, kjo kompani zotërohej nga “Pegasus”, një tjetër kompani shqiptare në pronësi të biznesmenit Janis Karathano.

KLSH vlerëson se AB Laboratory Solutions B.V u përdor si koracë për të mbuluar përqindjen reale të ndarjes së aksioneve në konsorcium.

..Nëse do të ishte paraqitur vetë Pegasus si aksioner në konsorciumin e ngritur, atëherë pjesmarrja e tij rezulton 75% e aksioneve dhe jo ndarja që është paraqitur në marrëveshjen e konsorciumit…, ku natyrisht ndryshojnë edhe kushtet e vlerësimit, të cilat në shumicën e detyrimeve i takojnë atij për t’u përmbushur si nga ana ligjore dhe financiare,” thuhet në raportin e KLSH.

KLSH thekson gjithashtu se zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë e kualifikuan këtë konsorcium në kundërshtim me dokumentet e procedurës konkurruese.

Laboratory Networks shprehu mosdakordësi me konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe theksoi se konsorciumi fitues kishte dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar në përputhje dokumentet e garës.

Konsorciumi fitues, qartazi dhe në mënyrë evidente ka përmbushur në mënyrë strikte dhe ka tejkaluar të gjitha kërkesat teknike, financiare dhe ligjore dhe kriteret e garës në tërësi, dhe mbi të gjitha ajo është përzgjedhur pasi ka ofruar çmimin më të ulët në këtë garë krahasuar me kompetitorët e tjerë…,” tha Laboratory Networks përmes një përgjigje me shkrim.

“Kriteret teknike dhe financiare të garës janë përmbushur dhe tejkaluar veçmas dhe bashkarisht nga anëtari Exalab dhe Labopharma, shoqëri të cilat zotëronin në konsorcium jo më pak se 66.7% të interesave të konsorciumit,” shtoi kompania.

Presioni për analiza

Pavarësisht shqetësimeve të ngritura lidhur me kufizimet periodike të testimeve, Ministria e Shëndetësisë pretendoi se garantonte shërbimin për pacientët.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion buxhetin e nevojshëm për të garantuar shërbimin për pacientët në spitale, bazuar në protokollet dhe udhërrëfyesit përkatës të shërbimeve mjekësore në strukturat spitalore,” tha Ministria në një përgjigje me shkrim.

Por ndryshe nga ky qëndrim, mjekë të sistemit parësor dhe drejtues të spitaleve rajonale i thanë BIRN se po aplikonin lista pritjeje dhe se në disa raste, kishin kërkuar rialokim të fondeve për të plotësuar nevojat e pacientëve.

Drejtori i spitalit të Elbasanit, Agron Gaxho u shpreh i kënaqur me gamën e shtuar të analizave pas dhënies së shërbimit me koncesion. Por ai shtoi se “sa më shumë analiza të bëhen, aq më shumë rriten kostot”.

“Aktualisht ne jemi munduar të kollundrisemi, analizat e planifikuara mundohemi t’i shtyjmë për fillimin e muajit, ndërsa ato urgjentet nuk i shtyjmë dot, sepse shkelim ligjin,” tha Gaxho.

Ai shpresonte gjithashtu për një rishikim të fondit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për të shmangur problemet.

Në spitalin rajonal të Lezhës, drejtori Leon Kaza thotë gjithashtu se numri i analizave është dyfishuar, por njëherëzi mjekët janë bërë “më të lirshëm për të referuar analiza”.

Kaza tha gjithashtu se paratë në dispozicion janë të mjaftueshme për testimet e shërbimit të urgjencës dhe atë spitalor.

“Ndërsa shërbimi ambulatory, për rastet kur ekzaminimet nuk cenojnë shëndetin, kalojnë në listë pritje,” tha ai.

Në qytetet e Vlorës dhe Sarandës, stafet mjekësore po përgatiten për një fluks të shtuar pacientësh gjatë sezonit veror– çka pritet të ndikojë edhe numrin e analizave mjekësore.

“I kemi bërë kërkesë Fondit për rialokim të fondeve gjatë muajve të verës, që më pas do të ulen në muajt nëntor- dhjetor,” tha Arjan Kalcuni, drejtor i spitalit bashkiak të Sarandës.

Ndërsa në qytetin bregdetar të Durrësit, skema e partneritetit publik privat duket se po prek më shumë moshat e treta.

“Kur një pacient vjen për vizitë, nevojiten disa testime laboratorike për të përcaktuar diagnozën dhe mjekimin. Pra, nëse një person vuan nga diabeti, përveç analizës së diabetit nevojitet edhe ajo e gjakut. Por ne na kërkojnë që të referojmë vetëm analizën që ne e vlerësojmë si urgjente,” tha një mjeke familjeje në kushtet e anonimatit.

“Kur erdhi kontrolli, më gjeti me shkelje për referimin e analizave dhe më gjobiti,” përfundoi ajo.

blank

Deputeti shqiptar në parlamentin serb: Miqësia Rama-Vuçiç, nuk ka sjellë asgjë të mirë për shqiptarët

Shaip Kamberi është rizgjedhur sërish si deputet i shqiptarëve në parlamentin e Serbisë. Edhe pse pushteti serb, i përsëriti 5 herë zgjedhjet në Tërnoc, duke manipuluar votimet për të mos zgjedhur Kamberin si deputet, shqiptari sërish u zgjedh deputet.

Duke folur në Edicionin e Pasdites në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko, Kamberi është shprehur se Serbia donte që të shuante zërin e shqiptarëve.

‘Anulimi i disa herë zgjedhjeve, ishte një përpjekje e vazhdueshme. Ishte një përpjekje që shqiptarët të mos kishin zërin e tyre në parlament. Por më në fund, votuesit e zonës 6 në Tërnoc, mbështesin zgjedhjen e tyre, duke kundërshtuar edhe Beogradin.’, u shpreh Kamberi në SYRI TV.

I pyetur nëse ka marrë mbështetje nga politika shqiptare dhe ajo e Prishtinës, Shaip Kamberi ka treguar se ka marrë urime nga politika.

Ndërkaq i pyetur nëse e ka uruar Edi Rama, Kamberi u shpreh se e ka uruar shefi i grupit parlamentar të PS-së.

I pyetur për miqësinë mes Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç, dhe trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, deputeti Shaip Kamberi është shprehur se nuk ka ndryshuar asgjë.

‘Në parim jemi për forcimin e raporteve mes Shqipërisë e Serbisë dhe gjetjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Këto procese, besoj se do të reflektojnë edhe një trajtim tjetër të Beogradit ndaj Luginës së Preshevës.

Por ky proces zgjedhor po tregon se nuk po kemi një trajtim ndryshe të Luginës së Preshevës nga Serbia’, tha deputeti shqiptar Shaip Kamberi, gjatë një interviste në SYRI TV.

blank

Kurti: masat e reciprocitetit me Serbinë, ndihmojnë vendosjen e ligjshmërisë në Kosovë

VOA/Edlira Bllaca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se vendimi i qeverisë mbi përdorimin e targave të makinave dhe dokumenteve personale të lëshuara nga autoritetet serbe, ndihmon vendosjen e ligjshmërisë në Kosovë.

Ai i bëri këto komente pas reagimeve që nxiti vendimi i qeverisë së tij që makinave të cilat kanë targa me shkurtesat e qyteteve të Kosovës e që janë lëshuar nga autoritetet serbe, t’u mundësohet regjistrimi me targa të Kosovës, RKS, deri më 30 shtator të këtij viti.

“Ne në mënyrë shumë gjeneroze kemi krijuar një hapësirë dy mujore për të bërë një konvertim të tillë, i cili i ndihmon ligjshmërisë dhe rregullsisë te ne”, tha zoti Kurti.

Qeveria vendosi të mërkurën po ashtu që personat të cilët hyjnë në Kosovë me dokumente personale serbe, të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve të tilla. Një masë e tillë zbatohet nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës që nga viti 2008 kur ajo shpalli pavarësinë, të cilën Serbia e mbështetur nga Moska vazhdon ta kundërshtojë.

Vendimi nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili në mbrëmjen e së mërkurës u takua me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirsollav Lajçak, tha se “dialogu është rrëfim bosh”, ndërsa akuzoi vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e vendimeve të Prishtinës.

Kryeministri Kurti, tha se Serbia po bën gabim me paralajmërimet për tërheqje nga bisedimet, ndërsa tha se Kosova është e gatshme për takimet e planifikuara që të mbahen gjatë këitj muaji në Bruksel.

Zoti Lajçak, i cili është vënë në përpjekje për të organizuar një takim politik të nivelit më të lartë, tha të enjten në Beograd se vendimet e qeverisë së Kosovës kanë krijuar një situatë të re në marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve.

“Edhe zoti Lajçak ka qenë, vazhdimisht është i njoftuar me veprimet tona. Unë e di që ekziston një plan për takime në muajin korrik edhe të kryenegociatorëve por ndoshta edhe më shumë se aq, por ta shohim se si e sa do të mund të përgatiten në Bruksel për këtë. Ne jemi të gatshëm, jemi të interesuar për marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, të qëndrueshme, me njohjen reciproke në qendër”, tha ai.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh që nga viti 2011 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Të dyja vendet skurse edhe katër shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, tha të premten se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mbështetja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane do të jenë përparësi gjatë kryesimit të Këshillit të Evropës nga Çekia e cila nga sot pason kryesimin gjashtëmuajor të Francës.

blank

Sfidat e Mijëvjeçarit, mbi 200 milionë dollarë për fushën e energjisë në Kosovë

VOA

Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) miratoi një program prej 202 milionë dollarësh me qeverinë e Kosovës. Në njoftimin e kësaj korporate thuhet se programi 5 vjeçar synon nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të ekonomisë së Kosovës.

“Vendimi i sotëm i Këshillit Drejtues paraqet fazën tjetër të partneritetit të Shteteve të Bashkuara me qeverinë e Kosovës dhe vazhdimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për afro 2 milionë qytetarë të Kosovës”, citohet të ketë thënë kryeshefi ekzekutiv i MCC-së, Alice Albright.

Në njoftim thuhet se marrëveshja mes tjerash parasheh investime në infrastrukturën e energjisë, duke përfshirë bateritë akumuluese për të rritur efikasitetin dhe sigurinë energjetike, për të lehtësuar një tranzicion dhe integrim të energjisë së ripërtërishme në sistemin energjetik të vendit dhe të sigurojë një shteg drejt punësimit për të rinjtë dhe gratë në sektorin e energjisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u shpreh “mirënjohës për vendimin e bordit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për të miratuar marrëveshjen e Kompaktit me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh. Ky është investimi më i madh energjetik në Kosovë deri më sot. Do të ndihmojë në vendosjen e themeleve për tranzicionin tonë të drejtë të energjisë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Marrëveshja u negociua gjatë pranverës dhe pasoi një periudhë debatesh pas vendimit të muajit shtator të vitit të kaluar të qeverisë së Kosovës për t’u tërhequr nga projekti i propozuar nga kjo korporatë, i cili parashihte lidhjen e Kosovës me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit është një agjenci e pavarur e qeverisë amerikane që punon për të zvogëluar varfërinë në botë përmes rritjes ekonomike. E themeluar në vitin 2004, MCC-ja ofron ndihmë të kufizuar në kohë për vendet që përmbushin standardet e rrepta për qeverisje të mirë, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave demokratike.

blank

Ukraina bën bilancin: Kemi vrarë rreth 36 mijë rusë që nga fillimi i luftës

Rreth 35,600 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit, sipas ushtrisë së Ukrainës, shkruan la repubblica.

blank

 

Në përditësimin e saj për humbjet e deritanishme të Moskës, ushtria ukrainase tha se kanë rrëzuar gjithashtu 185 helikopterë dhe 641 dronë. Për më tepër, forcat e Kievit pretendojnë se kanë shkatërruar 1,573 tanke ruse, 790 sisteme artilerie, 3,726 automjete të blinduara, 14 anije dhe 143 raketa.

blank

Gjithashtu Ukraina tha se 341 fëmijë janë vrarë dhe 631 janë plagosur që nga fillimi i luftës.

blank

EMRAT- Kush janë ish-zyrtarët që hetohen për bashkëpunim me spiunazhin e huaj

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion ka vënë nën hetim 4 ish zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një të Policisë së Shtetit, të dyshuar për korrupsion dhe nxjerrje të sekreteve hetimore.

Burime për Abcnews.al, bëjnë të ditur se SPAK, hetimin e ka nisur për Frederik Ymerin, Gjergji Kotin, Bashkim Abazin, Luftar Cunajn dhe Maksim Ferran. Mësohet se hetimi ndaj këtyre personave ka nisur që nga janari i viti 2021, ndara SHISH ka dhënë edhe alarmin se vende jo mike kanë tentuar të marrin të dhëna konfidenciale nga zyrtarë shqiptarë.

Ka dyshime se këta persona kundrejt pagesës te jenë kontaktuar nga shërbime të huaja për të shitur informacione konfidenciale. Pas alarmit të dhënë nga SHISH, mësohet se SPAK ka mbajtur nën mbikëqyrje të fortë, 5 persona, si Frederik Ymerin, Gjergji Kotin, Bashkim Abazi, Luftar Çunaj, dhe Maksim Ferra.

Mësohet se hetimi po ndiqet nga prokurori Altin Dumani, për akuzat për veprat penale të “Dhënies informatave sekrete”, “Marrja e Shpërblimeve”, “Vënia në shërbim të shteteve të huaja” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Në dosje mësohet se për Frederik Ymerin shkruhet se ka qenë Drejtor i Krimit të Organizuar në Aparatin Qendror të Shërbimit Informativ Shtetëror, në vitin 2003. Kjo mësohet se ka qenë edhe detyra e tij në këtë institucion të lartë të shtetit shqiptarë.

Ndërkohë Maksim Ferra, thuhet se në vitin 2000 ka qenë pjesë e sektorit të vëzhgimit në Aparatin Qëndror të Shërbimit Informativ Shtetëror. Sot ky person është drejto në një OJF.

Për Gjergji Kotin, sipas SPAK dhe SHISH, është i dyshuar për spiunazh, është një ish-oficer Policie që ka shërbyer pranë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Tiranës.

OraNews raportoi se katër personat e sipërpërmendur Maksim Ferra, Gjergji Koti, Bashkim Abazi dhe Luftar Çunaj, janë rrjeti informative i Frederik Ymerit.

Një prej ish zyrtarëve që akuzohet se bashkëpunoi me të huaj, doli në raportin vjetor të SHISH për vitin 2021, ku tregohej se si kishte dhënë informacione të klasifikuara një agjenti të një vendi jo mik, ndërsa zyrtari shqiptar u josh me një bursë për djalin.

blank

Kreu i Preshevës, Lajçakut: Turp për ju

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, e ka qujtur të turpshme vizitën e Emisarit të BE-së, te minoriteti serb në veri përderisa s’e viziton Luginën e Preshevës.

Arifi i ka replikuar Lajcakut në Twitter duke thënë se standardi i dyfishtë ka emër, raporton Gazeta Express.

“Është turp të ju shoh duke vizituar minoritetin serb në Kosovë përderisa zgjedhni që të mos e vizitoni Luginën e Preshevës, ku minoriteti shqiptar përballet me format më të rënda të diskriminimit. Standardet e dyfishta kanë një emër, BE.” Ka shkruar Arifi.

Dje, Emisari i BE-së, Lajcak, në përfundim të vizitës së tij në Kosovë ka vizituar veriun e Kosovës ku është takuar me kryetarët e komunave veriore dhe zyrtarët e Listës Serbe.

blank

Forcat ruse tërhiqen nga Ishulli i Gjarprit- Ukraina: Bum! Fitore

Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur sot se ka tërhequr trupat e saj nga Ishulli i Gjarprit në Ukrainë.

Ky ishull u bë i famshëm për shkak të rezistencës nga trupat ukrainase. Një grup i vogël ushtarësh ukrainas u dëgjua në radio duke reaguar ndaj një anije luftarake ruse duke thënë: “Shkoni në ferr”.

Rusia tha se kjo tërheqje totale është një gjest i vullnetit të mirë.

Por ukrainasit thonë se sulmet e tyre i kanë detyruar rusët që të tërhiqen.

Shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak shkroi: “Bum. Nuk ka më trupa ruse në Ishullin e Gjarprit. Forcat tona të armatosura bënë një punë të mirë”.

Mediat ukrainase shkruajnë se mbrëmë ka pasur luftime në këtë ishull të vogël dhe mund të dëgjoheshin shpërthime dhe shihej edhe një zjarr.

Sipas BBC, ky ishull ka një rëndësi strategjike. Historikisht ka qenë një territor rumun, por në vitin 1948 kaloi në duart e Bashkimit Sovjetik. syri.net

blank

Zëri i Amerikës: Shqipëri, studimi i ri: Gazetarët pengohen nga qeveria dhe nga pronarët

Ilirian Agolli

Mediat në Shqipëri vazhdojnë të ndeshen me mungesën e transparencës së qeverisë, me pengesa nga agjenci të ndryshme shtetërore si dhe me kushtet e vështira të punës, ndërsa presionet më të mëdha bien mbi gazetarët investigativë.

Këto janë disa nga gjetjet e raportit vjetor që publikoi Rrjeti “Gazetërët e Sigurtë për Ballkanin Perëndimor” mbi “Treguesit e Nivelit të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve në Shqipëri për vitin 2021”.

Raporti thekson se “gjatë vitit 2021 në Shqipëri u regjistruan shenja të përkeqësimit të lirisë së shprehjes, të drejtës së informimit dhe lirisë të shtypit”.

Në raport theksohet se ndikimin më negativ ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias e jep lidhja e fortë mes interesave ekonomike e politike në media, ku përfshihen edhe ndikimi i krimit të organizuar.

“Përdorimi i mediave për shantazh rrezikon të bëhet diçka normale në Shqipëri, thuhet në raport. Mediat janë pëqëndruar tek disa pronarë/familje, të cilët i përdorin ato për ndikime politike dhe përfitime ekonomike” – thuhet në raport.

Autorja e raportit për Shqipërinë, Blerjana Bino, vlerësoi se “viti 2021 ishte viti i përqëndrimit më të madh të pushtetit politik, me një nivel të lartë korrupsioni, me rënie të fuqisë transformuese në procesin e integrimit europian, me polarizim të skajshëm politik pozitë – opozitë si dhe brenda vet opozitës, si dhe me ndikim të fortë social ekonomik të krizave, e në këto kushte u shtuan vështirësitë për mediat”.

Rrjeti “Gazetarët e igurtë” ka regjistruar dhe raportuar 14 raste sulmesh fizike kundër gazetarëve të televizioneve News 24, Ora News, Fax News, Top Channel, A2CNN.

Autorja Blerjana Bino thotë se dhuna fizike ndaj gazetarëve është vetëm një pjesë e vogël e vështirësive të tyre të shumëllojshme, nga kërcënimet dhe mungesa e transarencës prej agjencive shtetërore dhe deri tek kushtet e vështira të punës dhe presionet ndaj gazetarëve prej vet pronarëve”.

Raporti mbi Treguesit e Nivelit të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve në Shqipëri thekson se autoritetet në mënyrë të tërthortë bëjnë një mori presionesh që të duket si e vjetëruar gazetaria profesionale dhe ndërkohë ngrihen fushata shpifëse kundër mediave, bëhen padi në gjykatë për shpifje, kërcënimet me padi kundër gazetarëve investigativë.

Raporti thekson se në vitin 2021 vihet re censurë dhe vetëcensurë në redaksitë e mediave në Shqipëri, të cilat vijnë nga presionet politike dhe ekonomike, mungesa e qëndrueshmërisë financiare të mediave, mungesa e profesionalizmit dhe mungesa e etikës dhe e respektimit të të drejtave të gazetarëve.

“Në Shqipëri censura dhe vetëcensura janë më të zakonshme në mediat audiovizive dhe në shtypin, që kontrollohen nga një pjesë e vogël e familjeve të fuqishme, të cilat kanë lidhje biznesesh në tregjet e rregulluara” – thuhet në raport.

Ky është viti i dytë që Rrjeti Gazetarët e sigurtë të Ballkanit perëndimor nxjerr raport për Shqipërinë. Njëkohësisht me këtë raport dalin raporte mbi gjendjen e medias edhe për 5 shtete të tjera në rajon dhe për Kroacinë.

blank

Strategjia e re e NATO-s: Rusia rreziku kryesor; Ftesë zyrtare Suedisë dhe Finlandës

Marrë nga Associated Press

Të mbledhur në takimin e nivelit të lartë në Madrid të Spanjës, udhëheqësit e NATO-s miratuan konceptin e ri strategjik të aleancës, ku Rusia shpallet rreziku numër një për aleancën dhe u zotuan të rrisin mbështetjen për Ukrainën. Ndërsa aleanca miratoi gjithashtu kërkesat për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës, Presidenti amerikan Joe Biden foli nga Madridi për një mesazh të pagabueshëm që po jep takimi i NATO-s. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një rritje të ndjeshme të pranisë ushtarake në Evropë, përfshirë edhe një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Poloni, dislokimin e anijeve të reja luftarake në Spanjë, si dhe avionë F-35 në Britani.

Udhëheqësit e NATO-s miratuan sot konceptin e ri strategjik të aleancës, dokument që hartohet një herë në dhjetë vjet. Strategjia më e fundit e NATO-s e vitit 2010 e përcaktonte Rusinë një “partnere strategjike”. Tashmë, aleanca e konsideron Moskën një rrezik parësor.

“Sot, udhëheqësit e NATO-s morën vendimin historik për të ftuar Finlandën dhe Suedinë për t’u bërë vende anëtare të NATO-s… Udhëheqësit miratuan konceptin e ri strategjik të NATO-s që po publikohet në këto momente. Ky është një koncept i ri strategjik… E bën të qartë se Rusia përbën rrezikun më domethënës dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë”, njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Denoncimi i veprimeve të Rusisë nuk erdhi papritur. Shefi i aleancës ishte shprehur paraprakisht se lufta e Rusisë në Ukrainë kishte krijuar krizën më të madhe të sigurisë për Evropën, që nga Lufta e Dytë Botërore.

E krijuar rreth 70 vite më parë për t’iu kundërvënë Bashkimit Sovjetik, NATO mbajti takimin e saj në Madrid në një botë të transformuar nga sulmi i Rusisë ndaj vendit fqinj, Ukrainës, që shtyu Suedinë dhe Finlandën të dëshirojnë sigurinë që ofron anëtarësimi në NATO. Ndërsa aleanca miratoi dërgimin e ftesës zyrtare për anëtarësimin e tyre, zoti Stoltenberg u shpreh se lufta solli “ndryshimin më të madh të mbrojtjes tonë kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.

Strategjia e re shpalos përqasjen e NATO-s edhe për çështje si siguria kibernetike, ndryshimi klimatik, apo rritja e ndikimit ekonomik dhe ushtarak të Kinës.

Presidenti amerikan Joe Biden foli nga Madridi për një mesazh të pagabueshëm që po jep NATO.

“Në këtë takim, aleanca mirëpret Finlandën dhe Suedinë. Aplikimi historik për anëtarësim, si dhe vendimi i tyre për ta lënë traditën e neutralitetit dhe për t’iu bashkuar aleancës së NATO-s, do të na bëjë më të fortë dhe më të sigurtë. Po dërgojmë një mesazh të pagabueshëm se NATO është e fortë, e bashkuar, dhe se hapat që do të ndërmarrim në këtë takim do të rrisin më tej fuqinë tonë të përbashkët”, tha Presidenti Biden.

 

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një rritje të ndjeshme të pranisë ushtarake në Evropë, përfshirë edhe një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Poloni, dislokimin e dy destrojerëve të tjerë në bazën Rota në Spanjë, si dhe të dy skuadriljeve të reja me avionë F35 në Britani.

Kryeministri britanik Boris Johnson e përshkroi takimin e NATO-s si një takim historik.

“Mendoj se mësimi i parë nga sot është se nëse Vladimir Putini po shpresonte se do të kishte prani më të vogël të NATO-s në frontin e tij perëndimor, si rezultat i sulmit të tij të paprovokuar dhe të paligjshëm në Ukrainë, ai ka rezultuar plotësisht i gabuar. Ai po merr në këmbim më shumë NATO. Ky është një takim historik në shumë mënyra; kemi tashmë dy vende të reja që po anëtarësohen, Finlandën dhe Suedinë. Një hap i jashtëzakonshëm përpara për aleancën tonë”, tha zoti Johnson.

 

Alenaca do të dërgojë ftesa zyrtare për anëtarësim për këto dy vende dhe vendimi për anëtarësimin e tyre do të duhet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare.

Sulmi i Rusisë ndaj vendit fqinj ka lëkundur paqen në Evropë dhe e ka shtyrë NATO-n të dislokojë forca dhe armatime në Evropën Lindore në përmasa të papara që nga Lufta e Ftohtë. Vendet anëtare kanë dërguar gjithashtu miliarda dollarë ndihma ushtarake dhe civile në Ukrainë.

blank

Investigimi i BIRN: Si do t’i ndihmojë trafikantët amnistia! Ja çfarë është pastrimi i parave

Imagjinoni se keni fituar 2 milionë euro duke u marrë me trafik droge. Paratë i keni me thasë të fshehura në bodrum; janë që të gjitha kartëmonedha të prerjeve të vogla, 5, 10 apo 20 euro, të mbledhura ashtu siç janë paguar nga përdoruesit e drogës. Askush nuk ka çfarë t’ju bëjë për sa kohë paratë i keni në bodrum dhe ju zgjidhni të bëni një jetë modeste e të mos bini në sy si posedues i shumave të mëdha të parave. Problemi është se të pasurit e kaq shumë parave është si një lloj bombe që mund të shpërthejë. Bashkëpunëtorët e tu në krim mund ta dinë se ti ke para dhe për rrjedhojë, mund të bëhesh viktimë e një grabitjeje të dhunshme.

Dhe problemi tjetër është se një person që ka 2 milionë euro, vështirë se do t’i bëjë ballë tundimit të blejë një makinë luksi, të banojë në një apartament apo vilë të këndshme, të bëjë pushime. Thorstein Veblen, një sociolog dhe ekonomist amerikan i fillimit të shekullit të kaluar, krijoi konceptin e konsumit dhe kënaqësisë për dukje, i cili thotë se dëshira për të paguar për mallra dhe shërbime më shtrenjtë nga sa është utiliteti i tyre është pikërisht arsyeja që e shtyn njeriun të punojë dhe të ndërmarrë rreziqe. Pra, nuk është e mundur që dikush të rrezikojë burgun për të fituar 2 milionë euro dhe pastaj të bëjë një jetë të qetë private pa demonstruar kurrë mendjemadhësinë që krijohet nga të pasurit e kaq shumë parave.

Problemi është se në çastin që fillon të bësh jetë luksi, automatikisht të lind nevoja të kesh një alibi për burimin e parave që shpenzon. Nëse nuk ke alibi, ka gjasa që autoritetet ligjzbatuese mund të vijnë të të kapin, ose sepse janë duke bërë punën e vet ose, dhe kjo e dyta duket se ndodh më shpesh në Shqipëri, sepse autoritetet mund të jenë po aq kriminale sa edhe ti dhe po shohin paratë e tua si mundësi për t’u pasuruar edhe ata vetë.

Të pastrosh 2 milionë euro nuk është aspak punë e lehtë dhe vetë procesi i pastrimit rrezikon të të ekspozojë, si përkundrejt grabitësve potencialë ashtu edhe përkundrejt agjencive ligjzbatuese. Shqipëria ka që prej vitesh një ligj të cilit i referohemi si “ligji antimafia”. Koncepti i këtij ligji është i thjeshtë dhe ai është marrë nga një ligj i ngjashëm në Itali. Nëse prokurorët shohin se një qytetar disponon një makinë me, fjala vjen, vlerë 100 mijë euro, atëherë kanë të drejtë që ta sekuestrojnë përkohësisht makinën dhe të pyesin poseduesin e saj për burimin e të ardhurave. Në rast se poseduesi demonstron se të ardhurat i ka nga burime të ligjshme, nga trashëgimia, dhurata apo fitimet e biznesit, sekuestroja hiqet. Në rast të kundërt, makina mund të konfiskohet dhe të vendoset nën pronësinë e shtetit, pavarësisht nëse poseduesi i saj është shpallur fajtor për ndonjë vepër penale apo jo.

Gjyqtarët dhe prokurorët që u përballën me procesin e vetingut e vuajtën në kurriz të vet vështirësinë që krijohet për të justifikuar shuma më të vogla se kaq. Që të blesh një shtëpi me vlerë 100 mijë euro nevojitet që të marrësh një kredi prej rreth 70 mijë eurosh dhe të kesh kursime me vlerë 30 mijë euro, shifra këto jo shumë të lehta për t’u mbuluar me të ardhurat nga paga apo edhe me të ardhurat nga biznesi. Por trafikantët e drogës nuk pritet të përballen me ndonjë proces aq të rreptë sa vetingu. Atyre nuk u nevojiten që të pastrojnë të gjitha paratë që kanë. Atyre u mjafton që të justifikojnë një pjesë të parave, sa për të pasur çfarë të deklarojnë në rast se kapen me automjete apo vila luksoze.

Për këtë arsye, pastrimi i parave të pista nuk është aq i vështirë sa në rastin e zyrtarëve. Në fund të fundit, nëse imagjinojmë që një trafikant droge merret vetëm me trafik droge, besoj se e kemi gabim. Shumica e trafikantëve kanë gjithmonë një biznes të vogël mënjanë, biznes që i mundëson të deklarojnë taksa dhe të ardhura të ligjshme.

Thelbi i pastrimit të parave është që poseduesi i tyre të deklarojë se ka një aktivitet ekonomik të ligjshëm, fjala vjen, një kafene, në të cilën realizon të ardhura të ligjshme, të ardhura për të cilat paguan detyrimet fiskale. Kjo e gjitha ka kosto. Nëse hap një kafene dhe deklaron se bën një xhiro prej, fjala vjen, 20 mijë eurosh në muaj në një kohë kur kafeneja bën realisht vetëm 3 mijë, atëherë për të 20 mijë eurot të duhet të kesh fatura blerjeje dhe fatura shitjeje, me gjasa me TVSh. Procesi i mbajtjes së një biznesi të tillë për hatër të pastrimit të parave mund të hajë një pjesë të majme prej 20 apo 30% të të gjitha parave që po legalizon. Pastrimi i parave është e kundërta e evazionit fiskal. Kur bën evazion, atëherë ke para të fituara me punë të ligjshme për të cilat nuk dëshiron të paguash taksa. Kur bën pastrim parash, ke para të fituara me punë të paligjshme, për të cilat u lutesh taksidarëve që të paguash taksat.

Kjo është arsyeja se pse, për qëllim të pastrimit të parave, disa biznese, të cilat nuk i nënshtrohen Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të tilla si ndërtimi apo agjencitë e këmbimit valutor, janë më me leverdi për të pastruar para se sa ekonomia reale. Në këtë rast, pastrimi i parave mbart vetëm koston e menaxhimit të biznesit si dhe detyrimin për të paguar tatim fitimi në masën 15%.

Por nëse jeni të mërzitur duke shpenzuar para për të mbajtur në këmbë lokale të pasuksesshme dhe dëshironi të mbaroni punë më shpejt, qeveria shqiptare pritet t’ju vijë në ndihmë me një propozim për amnisti fiskale dhe penale. Zyrtarisht qeveria ka në plan të legalizojë vetëm paratë e fituara përmes evazionit fiskal, mashtrimit fiskal apo kontrabandës doganore, por duket se nuk ka ndër mend të lodhet shumë për të dalluar nëse paratë e deklaruara janë me të vërtetë të fituara në këtë mënyrë apo janë fituar nga trafiku i drogës, nga trafiku i qenieve njerëzore apo nga aktivitete të tjera. Me pak fjalë, nëse keni 2 milionë euro dhe doni të legalizoni jetesën tuaj të luksit, mundet të deklaroni se keni fituar me evazion fiskal 200 mijë euro, t’i vendosni ato në bankë dhe me kaq, mund të krijoni profilin e zotërisë së kamur pa probleme me drejtësinë.

Me këto 200 mijë të legalizuara mund të hyni në biznese që janë të përjashtuara nga TVSH-ja si ndërtimi apo shërbimet financiare dhe pas kësaj, asgjë nuk ju ndalon që të legalizoni gradualisht të gjitha paratë e tjera me një kosto minimale duke i deklaruar si fitime të ndershme të një biznesi të ndershëm. Kjo e gjitha është kortezi e qeverisë shqiptare, e cila kërkon për këto para 5 deri në 10%. Në fakt, oferta e qeverisë për të legalizuar paratë përmes blerjes së obligacioneve qeveritare është edhe një mundësi jo e vogël për të fituar para shtesë. Interesat e ofruara për obligacionet pesë apo dhjetë vjeçare aktualisht variojnë nga 4 në 6% në vit kështu që, duke paguar vetëm 5% taksë për paratë e legalizuara, keni mundësinë që të fitoni 4-6% në vit për pesë apo dhjetë vitet e ardhshme. Nuk është aspak ofertë e keqe./BIRN

blank

Helmimi masiv në Kukës: Vijon fluksi në urgjencë

Më shumë se 130 qytetarë të tjerë janë paraqitur gjatë 24 orëve të fundit në Urgjencën e Spitalit të Kukësit, për të marrë shërbim shëndetësor.

Qytetarët e paraqitur në urgjencë kanë simptoma të helmimit. Ata paraqiten me diarre, të vjella, këputje, temperaturë dhe shenja të tjera, që tregojnë anomali shëndetësore, të ngjashme me ato që shkaktohen nga helmimi.

Dyshimet janë se shkak i helmimit mund të jetë uji i pijshëm, por kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, e përjashtoi këtë mundësi një ditë më parë duke u shprehur se uji është i pastër.

Ndërkohë në urgjencë qytetarët presin në radhë për të marrë shërbim mjekësor, pasi nuk ka shtretër për të përballuar fluksin e lartë.

Mjeku i urgjencës Neritan Biba dyshon se shkak i helmimit mund të jenë ushqimet e ekspozuara në temperatura të larta. Mjeku nga ana tjetër thotë se në spital ka kapacitete për të përballuar fluksin e lartë të pacientëve të paraqitur në spital.

syri.net


Send this to a friend