23 korriku i vitit 1987 ishte një ditë e bukur vere. Dielli lindi në Dajt mrekullisht mbi Tiranë dhe familja e inxhinier Gazmend Toskës nisi gjithë gëzim një ditë të re të jetës. Askush nuk imagjinonte se çfarë do të ndodhte disa orë më vonë në Torrovicë të Lezhës.
Atë ditë Alkida Toska shkëmbeu përqafimin me babain e saj të dashur bashkë me përshëndetjen e bukur “mirë u pafshim” dhe u nis për stërvitje, sepse disa ditë më vonë kishte gara. Ishte Gazmendi vetë që ishte kujdesur që Alkida të angazhohej në Klubin e Tiranës si atlete për garat 100 metër me pengesë dhe 400 metër me pengesë sepse si sportist e shihte se e bija premtonte. Dhe nuk ishte gabuar sepse Alkida do të dilte Kampione e Shqipërisë për të rejat duke e bërë krenar inxhinier Gazmendin.
Gazmend Toska kishte lindur në Tiranë më 5 mars 1940 në një familje qytetare tiranase me tradita prej së cilës trashëgoi vyrtytet më të bukura dhe aq me vlerë të cilat ia përçoi pastaj fëmijëve të tij dhe djali e vajza nipave e mbesave që inxhinieri nuk mundi t’i shihte, por adn e bukur trashëgohet, djali i Alkidës është inxhinier robotik.
Kur ishte i ri, edhe Gazmendi ishte i apasionuar pas sportit, gjithmonë tek Klubi i Tiranës, shok i ngushtë me Ali Memën. Gazmendi nuk zgjodhi futbollin, por sportin e bukur të atletikës në garën për kërcim së gjati, ndērkohë midis shkollës dhe përkushtimit që kërkonte sporti, Gazmendi zgjodhi të përfundonte me sukses studimet në Universitetin e Tiranës dhe të diplomohej si inxhinier ndërtimi.
Ndërkohë që formoi familjen e bukur, ai u punësua në Komitetin Shqiptar të Kulturës Fizike dhe Sporteve dhe ishte i ngarkuar të merrej me projektimin dhe mirëmbajtjen e sistemimin e terreneve sportive e fushave të futbollit në stadiumet e të gjithë vendin, ku bënte të pamundurën t’i përmirësonte ato, ndaj e donin dhe e respektonin të gjithë në të gjithë Shqiperinë.
Të gjitha terrenet dhe ambientet sportive të projektuara dhe ndërtuara në vitet ’70-’80 ishin vepra e tij, i papërtuar, me energji pozitive, i gatshëm t’i binte gjithë Shqipërisë mbarë cep më cep, aty ku ndërtoheshin vepra sportive. Lëvizte me motorrin e tij Jawa që ia kishte vënë në dispozicion puna.
Gazmend Toska kudo ku shkonte me punë bënte shokë e miq, të gjithë e donin, sportistë, atletë, futbollistë, njerëz të zakonshëm sepse ishte një djalosh punëtor që nuk kursehej kurrë. Gazmendi projektoi stadiumet e Shkodrës, Vlorës, Beratit, Burrelit, Lezhës dhe nga veriu në jug inxhinieri i talentuar i ndiqte projektet.
Shkrimtari dhe gazetari veteran i sportit Bedri Alimehmeti tregon se megjithëse “Kanë kaluar vërtetë shumë vite por kur bie fjala për Gazmend Toskën njerëzit flasin me superlativa ende edhe sot. Ka qenë njeri shume i mirë”. Dhe z.Alimehmeti vazhdon: “Gazi, se kështu e thërriste shoqëria, ka qenë një inxhinier shumë i zoti, një nga specialistët më të mirë i terreneve sportive dhe atyre të futbollit. Pikërisht pse ishte i tillë ishte punësuar në KSHKFS, ku i ishte vënë në dispozicion një motorr me anën e së cilit ai lëvizte nëpër të gjitha rrethet e Shqipërisë për mbarë mbajtjen e fushave të futbollit dhe atje ku kishte vepra e terrene ku praktikoheshin sporte. Edhe atë ditë më 23 korrikun e 1987 ai kishte shkuar me punë në Shkodër…”
Ajo ditë e 23 korrikut 1987. Duke u kthyer mbrapsht në kohë. Në mëngjesin e 23 korrikut të vitit 1987, dmth gati 36 vjet më parë, Gazmend Toska pasi shkëmbeu mirë u pafshim me familjarët, bashkëshorten, djalin dhe vajzën i hypi motorrit Jawa në atë ritualin e çdo dite të zakonshme pune që niste në mëngjes dhe përfundonte pasditeve kur dëgjohej zhurma e motorrit që lajmëronte kthimin e inxhinier Gazmend Toskës në shtëpi.
Por në mbrëmjen e 23 korrikut 1987 nuk u dëgjua zhurma e motorrit Jawa, me të cilin ishte bërë i pandashëm Gazi, që të kthehej e të sillte pranë familjes inxhinier Gazmend Toskën.
Inxhinier Gazmend Toska pasi kishte mbaruar punë në Shkodër kishte marrë rrugën e kthimit për në Tiranë, kur Jawa e tij do të përplasej me një karrocë dhe inxhinieri me trup atleti do të humbiste jetën tragjikisht, duke mos arritur kurrë më të kthehej i gjallë në shtëpi.
Inxhinier Gazmend Toska e humbi jetën në krye të detyrës. Nuk kishte objekt sportiv e stadium apo terrene te tjera sportive te ndertuara atyre viteve qe te mos kishte mundin dhe djersen e këtij inxhinieri te talentuar.
Kanë kaluar gati 36 vite nga ajo ditë tragjike dhe kujtimi i inxhinier Gazmend Toskës ka mbetur i gjallë në mendjet dhe zemrat e atyre që e kanë njohur.
Inxhinier Gazmend Toska, që ra në krye të detyrës, ishte modeli i qytetarit të përgjegjshëm, i birit dhe prindit të shkëlqyer, i vëllait e shokut të përkushtuar. Gazi ishte nje specialist i talentuar ne profesionin e vet, ishte nje intelektual i kompletuar me dije te thella e horizont te gjere kulturor, i ndershëm dhe i palodhur, që trashëgoi nga familja e bukur tiranase ndershmërinë, drejtësinë, zemrën e madhe për njerëzit dhe vullnetin e pasionin për punën, urtësinë, bujarinë dhe respektin për të gjithë ata që e rrethonin me të cilët i lidhte puna e jeta, jeta e të cilit u pre në mes padrejtësisht, por kujtimi i inxhinier Gazmend Toskës mbetet i pashuar dhe meriton që të mos harrohet e të nderohet.