Një kurs trajnimi online, i publikuar në faqen zyrtare të qeverisë për “Prevent”, rendit “nacionalizmin kulturor” si një besim që mund të çojë një individ drejt referimit në këtë skemë deradikalizimi.
Kjo përfshin bindjen se “kultura perëndimore është në rrezik nga migrimi masiv dhe mungesa e integrimit nga grupe të caktuara etnike dhe kulturore”, sipas pjesëmarrësve në trajnim.
Ky është shembulli më i fundit i asaj që shihet si kufizim i lirisë së shprehjes nga autoritetet, policia dhe gjykatat.
Në javët e fundit, The Telegraph ka raportuar se një pensionist u arrestua gabimisht për një postim në Twitter që paralajmëronte për antisemitizmin, si dhe për rastin e një burri që u dënua për djegien e Kuranit.
Programi “Prevent” ka qenë subjekt i një raporti kritik dy vjet më parë dhe dështoi të ndalonte Axel Rudakubana-n, vrasësin e Southport-it, i cili ishte referuar tri herë në këtë program.
Kritikët e lirisë së fjalës paralajmërojnë se përkufizimi i “nacionalizmit kulturor” është tepër i gjerë dhe teorikisht mund të përfshijë edhe figura si Sir Keir Starmer dhe Robert Jenrick, për komentet e tyre të mëparshme.
Të tjerë që mund të cilësohen si ekstremistë përfshijnë autorin bestseller Douglas Murray, që ka shkruar gjerësisht për migrimin, si dhe akademikun dhe prezantuesin e GB News, Matthew Goodwin.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme deklaroi: “Prevent nuk ka të bëjë me kufizimin e debatit apo lirisë së fjalës, por me mbrojtjen e atyre që janë të ndjeshëm ndaj radikalizimit.”
Lord Young, sekretari i përgjithshëm i Free Speech Union (FSU), i ka shkruar ministres së Brendshme, Yvette Cooper, duke e nxitur të rishqyrtojë urgjentisht këtë klasifikim.
Ai theksoi se kushdo që referohet në Prevent mund të përballet me “pasoja serioze dhe afatgjata” për arsimin, punësimin dhe reputacionin publik.
Prevent ka për qëllim të identifikojë njerëzit në rrezik për t’u bërë terroristë, të cilët më pas i nënshtrohen një procesi ndihmës për të shmangur radikalizimin. Të dhënat personale të tyre ruhen për të paktën gjashtë vjet dhe shpërndahen mes policisë dhe shërbimeve të inteligjencës.
Shkollat, universitetet, spitalet dhe institucionet publike kanë detyrim ligjor për të ndaluar radikalizimin. Çdo vit, mijëra mësues, oficerë policie dhe punonjës të tjerë marrin trajnim për Prevent.
Kursi zyrtar “refresher awareness” në gov.uk thotë se “nacionalizmi kulturor” është një nga “nën-kategoritë më të zakonshme të ideologjive terroriste të ekstremit të djathtë”, së bashku me supremacinë e bardhë dhe etno-nacionalizmin.
Në letrën për znj. Cooper, Lord Young e cilësoi këtë si një “çështje me shqetësim serioz”.
Ai tha: “Ndërsa nuk është përcaktuar ligjërisht, përkufizimi në kursin e trajnimit zgjeron fushën e dyshimit për të përfshirë individë me qëndrime plotësisht të ligjshme, por politikisht kontraverse.”
“Duke qenë se tani ‘nacionalizmi kulturor’ është kategorizuar si një nënkategori e ideologjisë terroriste të ekstremit të djathtë, edhe besimet e qendrës së djathtë që janë brenda kufijve të ligjshëm të shprehjes, rrezikojnë të trajtohen si ideologjikisht të dyshimta.”
Ai shtoi se kjo mund të përfshijë edhe z. Jenrick, ish-ministrin e emigracionit, i cili më parë kishte paralajmëruar se “migrimi i tepruar dhe i pakontrolluar rrezikon të gërryejë dhembshurinë e publikut britanik.”
Edhe politikanë të lartë laburistë mund të përfshihen në këtë përkufizim. Lord Young përmendi deklaratën e fundit të Sir Keir: “Pa rregulla të drejta emigracioni, rrezikojmë të bëhemi një ishull i të huajve, jo një komb që ecën përpara së bashku.”
Ka shqetësime në rritje se policia po kufizon padrejtësisht lirinë e fjalës.
Muajin e kaluar, The Telegraph raportoi se Julian Foulkes, një ish-oficer policie, u arrestua për një postim në rrjetet sociale për antisemitizmin. Policia, që bastisi shtëpinë e tij, përshkroi koleksionin e librave të tij si “shumë Brexity”. Më vonë ai mori falje dhe dëmshpërblim prej 20,000 £.
Vitin e kaluar, gazetarja Allison Pearson u mor në pyetje nga dy oficerë në shtëpi për një postim në X pas protestave pro-palestineze.
Në një rast tjetër, Hamit Koskun u gjobit këtë javë për djegien e një Kurani, çka nxiti z. Jenrick të akuzojë gjykatat për ringjalljen e ligjeve për blasfeminë.
Lord Young tha se materiali i kursit përfaqëson një zhvendosje të qasjes së Prevent, nga përqendrimi te sjellja (si blerja e armëve apo nxitja e dhunës) drejt “trajtimeve të ideologjisë si tregues rreziku, që përfshin bindje, qëndrime apo pozicionime politike.”
Ai tregoi një rast ku një burrë autik 24-vjeçar u referua në Prevent nga një punonjës social, sepse kishte parë faqe “ofenduese dhe anti-trans” dhe ishte fokusuar te “humori i errët i djathtë”.
Një referim në Prevent mund të njollosë emrin e dikujt, edhe nëse më pas vendoset që nuk nevojitet asnjë veprim tjetër. Emri i tyre mund të mbetet në databaza që përdoren nga MI5, MI6, Ministria e Brendshme, Forcat Kufitare, Doganat, Komisioni i Bamirësive dhe ekipet lokale të mbrojtjes.
Lord Young tha: “Ka raste të dokumentuara ku individët e referuar në Prevent – edhe pse nuk janë përfshirë më tej – kanë përjetuar pasoja serioze vetëm sepse emrat e tyre janë regjistruar në sistem.”
Kjo polemikë vjen pavarësisht një raporti të Sir William Shawcross, ish-vëzhgues i pavarur i Prevent, i cili kritikoi mënyrën se si literatura kryesore dhe një ish-ministër i kabinetit u përshkruan si “nacionalistë kulturorë”. Ministri në fjalë u zbulua më vonë të ishte Sir Jacob Rees-Mogg.
Sir William rekomandoi që Prevent duhet të jetë “konsekuent në aplikimin e standardeve për të gjitha ideologjitë për të garantuar një përgjigje të balancuar dhe efektive.”
Lord Carlile, ish-vëzhgues i pavarur për legjislacionin kundër terrorizmit, tha: “Është një detyrë shumë e vështirë ajo që ka Ministria e Brendshme, por ndoshta duhet të bëjnë një redaktim të kujdesshëm që njerëzit afër qëndrimeve politike kryesore të mos përfshihen në mënyrë të padrejtë.”
Një ish-këshilltar i qeverisë tha se përkufizimi i “nacionalizmit kulturor” ishte “mjaft i dobët”.
“Agjenci si policia kundër terrorizmit dhe MI5 janë shumë më rigoroze në klasifikimet e tyre,” tha ai./The Telegraph – SYRI.NET