Prishtinë, 10 korrik 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në kuadër të konsultimeve me partitë politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Pas takimit të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti ka deklaruar se diskutimi me kryetarin e PDK-së ishte konstruktiv ndonëse nuk pati rezultat konkret.
“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotërojë edhe në vijim dhe në përputhje me afatet të konstituojmë institucionet. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera konstruktive duhet të vazhdojë të mbizotërojë”, ka thënë ai.
Kryeministri Kurti ka deklaruar po ashtu se “për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë”, ndërsa shtoi se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale, të mos jetë i asnjë partie, dhe dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit.
Në kuadër të konsultimeve, kryeministri në detyrë Kurti pasdite do të takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku./Zyra e Kryeministrit