Unë kam një pyetje të thjeshtë publike. Me këto dorëheqjet që pritet të vijnë njëra pas tjetrës, majtas a djathtas – të presim e të shohim, të këtyre kryebashkiakëve që po na dalin nga pak ‘shtatzënë me krimin’, do të zgjidhen kryebashkiakë të rinj? Duke përfshirë edhe Shukriun që u kap me brekë nëpër këmbë, do të zgjidhen të gjithë sërish? Po paratë për fushatat e reja (se helbete, një vit më parë u shastisëm prej fushatës së garipave të qyteteve), kush do t’i paguajë? Se populli nga taksat e tij, pagoi një herë. Për së dyti përse të paguajë prapë ngaqë nuk paska votuar të saktët? Popullit i duhen paratë e taksave për shkolla, për pensione, për çerdhe, për banjo publike, për rrugë, për gjykata, jo për t’i harxhuar dy herë për sharlatanët e politikës. Meqenëse gabimin e kanë bërë partitë, le të dënohen partitë e të paguajnë fushatat e reja nga buxhetet e tyre. Pra t’u zbriten nga fondet që marrin për aktivitetin e tyre, qoftë edhe zgjedhor. Kështu do të mësojnë edhe si të zgjedhin më mirë. Të bëjmë siç bëmë me Bankën: ngaqë paratë u vodhën nga puna e ‘shkëlqyer’ e Guvernarorit dhe e stafit të tij, atij ia ngarkuam ato 7 milion eurot. U këput në dysh duke paguar, aq sa ëndrrat po iu bëhen zhgjëndrra drejtuesve të dikurshëm të bankës. Të gjitha këto nuk i bëni dot, sa kohë keni fatin të drejtoni ‘dele’ shqiptarët e varfër, siç edhe ju duken nga Olimpi i parasë ku rrini, të paktën bëni një Ndjesë publike. Më e pakta… sa për të larë gojën, se dushin etik dhe moral, nuk e njihni.
Komentet