VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kostandin Boshnjaku – antijugosllav, mbrojtës i ekonomisë private, burgoset, persekutohet

By | January 23, 2016

Komentet

In memoriam UNË, NE, PRISHTINA, KOSOVA PA DR. GANI DEMOLLIN Nga Don LUSH GJERGJI

Jeta është e tillë, kohë pas kohe t’i rrëmben miqët dhe dashamirët, bashkëpunëtorët më të afërt, më të çmuar dhe të dalluar duke shkaktuar huti, dhembje, pikëllim, por edhe kujtime, falënderime, krenari për ata që i patëm, për ata që shënuan kohën dhe hapësirat tona, si Presidenti  historik i Kosovës Dr. Ibrahim RUGOVA, Prof. Anton ÇETTA, Prof. Jak MITA, Dr. Gani DEMOLLI e shumë të tjerë. Vdekja e pamëshirëshme, “hajni” tinzar për çdo njeri vazhdon “korrjen” e fytyrave tona të ndritshme,  na varfëron nga këta “heronjë” të ditëve tona,  krijon ndër ne dhe në ne zbrazëti të mëdha dhe shpesh edhe të pakompenzueshme,  na  vetëdijëson, udhëzon dhe drejton kah  shtegtimi dhe amshimi.

Mirëpo ne që besojmë në vlera dhe virtyte, mbi të gjitha në Mirësi dhe Dashuri – në Jetë edhe pas kësaj jete, në amshim, kemi një siguri dhe ngushëllim se vdekja nuk është fjlala dhe fati i fundit i kësaj jete.

Tashmë i ndjeri Dr. Gani Demolli, ishte për mua një Vëlla, bashkëpunëtor, së bashku me Prof. Jak Mitën “shtylla dhe zemra e “Nënës Tereze”. Ai dhe shumë të tjerë, për ne, për Prishtinën, Kosovën tonë ishin “shpëtimi” në disa aspekte dhe dimensione, si mjek dhe organizator i shërbimeve shëndetësore në Kosovë, në një kohë pa kohë, njeri me vizion dhe parime të qarta, me vendime dhe përcaktimve  profetike, me vullnet të fortë dhe të palëkundshëm, me zemër të madhe dhe vepruese. Ai ishte “dirigjenti” i “orkestrës” së madhe të mjekve, infermierëve, teknikve, me një fjalë, i tërë asaj që quhet dhe është “Shërbimi shëndetësor”, gjithnjë i gazshëm për veprim dhe flijim të pashoq, për ballafaqim dhe organizim të saktë dhe të përpikët, për synime dhe zbatime magjistrale.
Dr. Gani Demolli  kishte shumë vlera dhe virtyte, mbi të gjitha vizion për punë dhe vperimtari, guxim për shërbim dhe flijim në të mirë dhe në dobi të jetës dhe të njeriut, shëndetit, optimist i “papërmirësueshëm” edhe atëherë kur shumçka, mos të themi asgjë, nuk ishte mirë, Njeri i cili në historinë e këtyre 20 viteve të Kosovës dhe një kontribut të pamohueshëm dhe një impuls pozitiv jo vetëm për shëndetësi, por edhe për çdo Njeri të kërcnuar dhe të rrezikuar nga çdo lloj pengese, ndalese, kufizimi, anësimi, nënçmimi.

Ishim së bashku në shumë anë dhe të kënde të Kosovës sonë të robëruar. Kudo dhe kurdo që isha me të ndihesha dhe isha mirë. Në një rast mjaft të koklavitur dhe të rrezikshëm i pata thënë kështu: “Doktor Gani, për këtë duhet të mendojmë pak më gjatë dhe më mirë, sepse, sa më duket mua, nuk është fare lehtë dhe pa rreziqe të mëdhaja…”. Ai më shiqonte me ata sy sy të vegjël, por depërtues, dhe pas pak kohe më tha: “Don Lush, unë për këtë kam menduar gjatë dhe shumë, kam matur dhe shmatur, dhe jam më se i bindur se për Njeriun e sëmurë dhe të rrezikuar ia vlen të rrezikojmë edhe ne çdo gjë, deri edhe jetën… Asgjë e madhe, e rëndësushme, me vlerë nuk arrihet lehtë dhe pa flijime dhe rrezikime… Ti më së miri e di dhe na ke mësuar strategjinë e jetës dhe të veprimeve të Nënës Tereze. Parimi i saj i mdhe dhe i shenjtë: “Kudo që jeta është në rrezik, aty do të jemi edhe ne”, është përbetimi dhe qëndrimi ynë jetësor.  Ajo, pa askend dhe pa agjë, kishte filluar veprën madhe të dashurisë, me Zotin dhe me Njeriun pa asnjë mbrojte… Jam i sigurt se edhe ne do t’ia arrijmë qëllimeve dhe synimeve tona…”.

Duke parë bindjen dhe sigurinë e tij, pranova këtë sfidë dhe veprimtari, dhe sot, mund të them me plotë gojë dhe zemër, Dr. Gani Demolli, së bashku me të ndjerin Prof. Jak Mitën, ishte “motori, lokomotiva, zemra” e shumë veprimeve të Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze” jo vetëm në shëndetësi, por edhe në shumë lëmi. Ai vite të tëri i ka siguruar popullatës sonë në Kosovë jo vetëm shërbime nëpërmjet personelit, mjekime me barna dhe paisje teknike, por mbi të gjitha e ka ushqyer shpresën, e ka ngjallur shpresën dhe e ka zbatuar dashurinë në flijim dhe në veprim për ta mbrojtur dinjitetin dhe lirinë tonë, vlerat dhe virtytett shekullore dhe aktuale, mbi të gjitha “kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë” sipas parimeve dhe veprimeve të së Lumes Nënës Tereze.

Do ta kujtoj gjithnjë qetësinë dhe sigurinë e mendimeve dhe planeve të tija, gatishmërinë për të biseduar dhe dialoguar me të gjithë, largpamësinë dhe besimin në Zotin dhe në Popullin Shqiptarë, në drejtësi dhe në liri. Në një rast në Qendrën Poliklinike “Nëna” në Kodrën e Trimave, ishte një vizitë e një delegacioni amerikan. Ishim së bashku me Dr. Gani demollin. Gjatë vizitës se maternitetit “Nëna”, personeli na tha se ishte një rast i rëndë dhe tejet i rrezikshëm për jetën e nënës dhe fëmijës. Dikush më tha: “Don Lush, binde ti këtë grua, që të shktrohet në “Klinikën shtetërore”. Provova, por pa sukses. Ajo më tha: “Kam ardhur tek Nëna Tereze, tek ju. Më leni të vdes këtu!…”.

S’pata më fjalë, u dorëzova. Pas pak kohe, na thirri prapë personeli ynë. Ishim ende në bisedime. Mendova në më të keqen, në vdekjen e saj dhe të fëmiut ende të palindur, Por jo, ndodhi, besfasia, mos të them mrekullia. Nëna kishte lindur një djalë dhe të dy ishin shëndoshë dhe mirë, Shkuam për ta vizituar dhe për t’ia uruar lindjen e djalit. Ajo më tha prap një fjalë të madhe dhe shenjte që s’do ta harroj kurrë: “Don Lush, së paku ti beson dhe e di se edhe për ne ka Zot! Unë nga zemra u falënderoj që s’më keni larguar. Jeta vazhdon…”.

Dr. Gani Demolli është disi “ati” i më se 12.000 fëmijëve të lindur në këtë Qendër, i mijëra jetave të shpëtuara dhe të shëruara, Njeriu që jetonte për t’ua mundësuar të tjerëve jetën, vepronte për t’i ndikuar dhe frymëzuar të tjerët për jetë dhe punë, fliste, shkruante, udhëtonte me një qëllim të madh dhe të shenjtë: që të tjerët, Populli Shqiptar në Kosovë të jetë gjithnjë më i lirë dhe më i mirë.

Jeta dhe vepra e Dr. Gani Demollit është një kapitull i veçantë në historiografinë e SHHB “Nëna Tereze”, në Kosovën e viteve 1990 e këndej, e shëndetësisë sonë, e humanizmit dhe bashkëpunimit ndërvëllazëror për të mirën e përbashkët, ku është dëshmuar bindshëm fuqia e vëllazërisë dhe bashkëpunimit, arti i dashurisë dhe flijimit, mençuria dhe provania e Zotit dhe përkrahja e gjithmbarshme e Popullit..

Deshti Zoti, rethanat, rasti që mos të isha në Kosvë për vdekjen dhe varrimin e Dr. Gani Demollit, gjë kjo që e rëndon edhe më shumë dhembjen dhe pikëllimin tim: Ky fakt  shton bindjen se jeta dhe vepra e tij është monument mirësie dhe humanizmi që gjatë do të jetojë në mendjen dhe zemrën time,  në jetën dhe veprimet tonë. Ai ishte dhe mbetet shembull i mirë dhe  bujar i altruizmit flijues dhe dhurue, humanizmit pa kufi, veprimit me dashuri dhe për dashuri, me jetë dhe për jetë, që na ngushëllon të gjithëve.
Dr. Gani Demolli ka dy aspekte të pavdeksisë, jetën dhe veprën me të tjerët dhe për të tjerët, si dhe idealizmin, fenë në Zotin dhe në Njeriun, që ishin “krahët” bartës të këtij personaliteti kaq të rralë dhe të dashur.

Dr. Gani Demolli s’pati “kohë” për  pushim, sepse sëmundja dhe vdekja e “rrembeu” atë fizikisht nga rrethi familjar dhe shoqëror. Ai tashmë “pushon” në Zotin, jeton në mendjet dhe zemrat tona, na ndihmon, përkrah dhe frymëzon nga Amshimi i lumtur.
Familjes, miqve dhe dashamirëve të shumtë të Dr. Gani Demollit, ngushëllime vëllazërore, që më tepër i përngjajnë urimit: TË LUMTË JU – NE QË E PATËM DR. GANI DEMOLLIN! PUSHOFTË NË PAQE!

Prishtinë, 25 mars 2014

Mehdi Frashëri më 1921: Nuk kemi konflikte ndërfetare, por zënka partiake – Nga ARMAND PLAKA

Ai njihet si njëri ndër shtetarët më jetëgjatë dhe më me ndikim në jetën politike të Shqipërisë nga periudha e Shpalljes së Pavarësisë deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore e ardhjen në pushtet të komunistëve. Bëhet fjalë për Mehdi Bej Frashërin (1874-1963). Janë tre momentet që e karakterizojnë në mënyrë më simbolike veprimtarinë e tij, duke sjellë me vete, përveç arritjeve personale në karrierën si politikan, edhe disa pikëpyetje.

Kështu, roli i tij në të ashtuquajturin “Protokolli i Korfuzit” në vitin 1914, do vijojë të mbetet një hipotekë me ngarkesa negative për të, edhe pse ai vite më vonë në kujtimet që do të botonte, do të jepte shpjegime në dukje shteruese për të kuptuar pozicionin e tij në këtë “tentativë”, e cila, nëse do vihej në jetë dhe nuk do refuzohej nga ekzekutivi shqiptar i kohës, për pak do të bënte që Shqipëria të humbiste jo vetëm karakterin unitarist të shtetit.

Më pas, historiografia zyrtare e pasluftës do ta akuzonte atë se ishte bartësi kryesor i Regjencës, e si pasojë kreu i regjimit kolaboracionist në vitet 1943-1944, duke ia mohuar shumë kontribute me kahje pozitive, që e lidhnin atë pandashmërisht me rrjedhat dhe përpjekjet shtetformuese shqiptare, si ajo në vitet 1920-1939, ku spikat sidomos fjalimi i tij në Radio “Tirana”, mbrëmjen e pushtimit italian të Shqipërisë.

Por veç tyre, postet e shumta e të larta shtetërore që ai mbajti dhe kryesimi i të gjitha iniciativave që kishin të bënin me reformimin shtetëror sidomos në fushën e jurisprudencës, administratës publike dhe atë ekonomike, qoftë në angazhimin e tij në ekzekutiv apo në sferën legjislative, sikurse dhe orientimi i tij tërësisht perëndimor e përqafimi i ideve më liberale të kohës, e bëjnë atë padyshim një rekordmen të pakonkurrueshëm për kohën.

Në këtë kontekst, vjen edhe një intervistë e panjohur e tij në shtypin austriak në vitin 1921, me titull: Shqipëria e pavarur! – Bisedë me ministrin shqiptar të Punëve Botore, Mehdi Bej Frashëri (shih burimin origj: “Das Unabhängige Albanien- Eine Unterredung mit dem albanischen Minister Mehdi Beg Frasheri”, Reichspost, 19 tetor 1921, fq. 1), kohë në të cilën Shqipëria po vuante akoma probleme madhore të brendshme e të jashtme, siç ishin pretendimet e fqinjëve për kufijtë, edhe pse njohja ndërkombëtare e saj tashmë ishte bërë realitet qysh më 17 dhjetor 1920 kur vendi i vogël ballkanik u pranua anëtar me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve, duke marrë 35 vota pro, 7 abstenime dhe asnjë votë kundër.

Ky hap do t’i sillte asaj sigurisht përforcim të sovranitetit shtetëror, por s’do ta bënte dot imune ndaj provokimeve të fqinjëve, të cilët ushqenin çdolloj pakënaqësie e iniciative, që do të çonte në copëzimin e destabilizimin e Shqipërisë. Kështu ndodhi edhe me parinë fisnike të Mirditës, të cilët edhe pse mund të gjenin plot arsye për të justifikuar veprimin e tyre, ndërmorën një hap për të cilin ata vetë më vonë do të pendoheshin e që do ta njolloste jo pak një krahinë e rajon me kontribute të spikatura në mëvetësimin dhe shtetformimin shqiptar.

Nga ana tjetër, këmbëngulja e shtetit të saporiformatuar shqiptar nën frymën e ideve shumë revolucionare e atdhetare të Kongresit të Lushnjës shënonte në këtë kohë një nga përpjekjet më pozitive e më konsensuale të shqiptarëve për të gëzuar më në fund të gjitha atributet e një shteti të vërtetë, i cili duket se tashmë i kishte marrë seriozisht ato që shkruante më parë në letër, duke tentuar t’i verë në jetë e shfrytëzuar çdo mundësi për të ushtruar sovranitetin shtetëror e ruajtur kësisoj edhe unitetin kombëtar.

Në intervistën për të përditshmen vjeneze të 19 tetorit 1921, të cilën e hasa rastësisht duke studiuar tiparet e shtypit të huaj në raportimet e tij në lidhje me Shqipërinë në periudhën 1920-1939, pohimet e Mehdi Bej Frashërit, tashmë në postin e ministrit të Punëve Botore, gjenden në faqe të parë. Nga hyrja shoqëruese që bën intervistuesi (që na shfaqet nën inicialet E.K.) mësojmë se biseda e zhvilluar në frëngjisht, ka qenë relativisht e shkurtër dhe është zhvilluar në Tiranë, në prag të nisjes së Mehdi Beut në Vjenë, drejt së cilës ai po shkonte për të rekrutuar inxhinierë e specialistë austriakë për t’u inkuadruar menjëherë në planet për ndërtimin e modernizimin e infrastrukturës shqiptare.

Po ashtu, një pohim tejet interesant është edhe ai, të cilin edhe pse mund ta kemi hasur e mund ta kemi ditur si fakt, e përforcon më shumë idenë se shteti shqiptar i kohës, edhe pse i dalë nga një luftë rraskapitëse, në kufijtë e mbijetesës e duke trashëguar një shkallë varfërie e prapambetje emblematike, kishte një bilanc pozitiv në buxhet dhe çka është më e rëndësishmja: nuk trashëgonte borxhe kundrejt shteteve apo organizmave të huaja, çka në përballje me realitetet e sotme, ku niveli i borxhit të akumuluar ndër dekada nga qeveritë shqiptare kap nivele të frikshme, e bën këtë pohim edhe më domethënës. Ndërsa flet për mosekzistencë reale të problemit të së ashtuquajturës “Republika e Mirditës” dhe shfrytëzim të tij nga Serbia, ai nxjerr në pah edhe përpjekjet për marrëdhënie të mira me fqinjët, ndërsa në fund pyetjes këmbëngulëse të gazetarit vjenez, se a do të mund t’i rezistonte dot Shqipëria një sulmi serioz nga ana e Serbisë, ai i përgjigjet: “Ne kemi një divizion të mirorganizuar dhe efektiv ushtarak.

Nëse ai nuk do të mjaftonte, atëherë i gjithë populli do të dilte në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë”. Të gjitha këto e bëjnë atë intervistë të dhënë, thuajse 100 vjet më parë, të tingëllojë aktuale edhe sot, duke parë zhvillimet dhe sfidat që na shoqërojnë. Më poshtë, intervista e plotë e Mehdi Bej Frashërit për gazetën vjeneze “Reichspost”, 19 tetor 1921. * * * Shqipëria e pavarur! – Bisedë me ministrin shqiptar të Punëve Botore, Mehdi Bej Frashëri Vjenë më 18 tetor 1921 Ministri shqiptar i Punëve Publike, Mehdi Bej Frashëri, do të mbërrijë shumë shpejt në Vjenë për të gjetur inxhinierë për shtrimin e rrugëve, ndërtimeve dhe elektroteknikës, të cilët do të kishin dëshirë të merrnin përsipër të kryenin punë në Shqipëri. Njëri prej redaktorëve tanë pati sot rastin të bënte një bisedë me ministrin rreth situatës në një vend, në të cilin për shumë vite ndodheshin edhe trupat austriake dhe me të cilin ne tashmë qysh prej fundit të Luftës Botërore, nuk kemi më lidhje direkte.

Shkëlqesia e tij Frashëri, një burrë në të pesëdhjetat, e priti përfaqësuesin e gazetës “Reichspost” me një mirësjellje, e cila duket se është pjesë e karakterit të çdo shqiptari të arsimuar dhe i dha atij, në gjuhën frënge, deklaratat e mëposhtme: Rreth Shqipërisë sot në vendet e huaja kanë përhapur pikëpamje nga më të çuditshmet. Europa merr lajme rreth Shqipërisë jo nga burime të mirëfillta. Sidomos raportimet serbe tregojnë gjëra të cilat as që ekzistojnë. Unë mund ta kuptoj se ngjarjet në një shtet fqinj, me të cilin perceptohet se ti ke marrëdhënie armiqësore, mund të të duken të ekzagjeruara, por është e pakonceptueshme se si atë që është e bardhë ta bësh të zezë dhe të zezën ta bësh të bardhë.

Shteti ynë sot është njëri nga më të sistemuarit e më të rregulltit në Europë. Ne nuk kemi konflikte ndërfetare, kemi pak zënka ndërpartiake dhe zotërojmë edhe financa të qëndrueshme. Katolikët dhe muhamedanët jetojnë në mirëkuptim me njëri-tjetrin, një marrëdhënie fatlume, që na çon në atë që qeveria sot të përbëhet nga katër ministra katolikë dhe katër muhamedanë, megjithëse muhamedanët përbëjnë shumicën e popullsisë. Është shumë domethënës fakti se Qarku i Dibrës, i cili përbëhet nga një popullsi tërësisht myslimane, ka dërguar në Parlament dy deputetë të krishterë. Deputetët në fjalë, të cilët si pasojë e ligjit të përgjithshëm zgjedhor u dërguan në Parlament, ndahen në dy parti: atë Popullore dhe atë Përparimtare, e veç tyre, ka dhe disa deputetë të pavarur.

Ne kemi një buxhet tërësisht të stabilizuar, në të cilin shpenzimet që zënë një vlerë prej 20 milionë frangash ari, balancohen me të ardhurat e për më shumë, Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë borxh shtetëror. Përpjekja jonë tashmë synon që nëpërmjet një kujdesi më të madh ndaj arsimit, shtypit, nëpërmjet Parlamentit dhe qeverisë, të vendosim një zhvillim të qetë në aspektin e zhvillimeve të brendshme dhe të synojmë në rritjen kulturore e ekonomike të popullit tonë. Më shumë ne nuk kërkojmë. Prirë nga ky synim i ndershëm, ne kemi dërguar ndërkaq tre herë përfaqësues drejt Beogradit për t’i ofruar shtetit jugosllav marrëdhënie miqësore. Ne, madje, jemi deklaruar që të njihen kufijtë e vitit 1913, megjithëse këta kufij, të cilët lënë nën zotërimin e serbëve 1 milion shqiptarë, paraqesin një padrejtësi të madhe kundrejt popullit dhe vendit tonë. Pikërisht, kujdesi ndaj këtyre bashkatdhetarëve na bën që të lëvizim e të kërkojmë të ndërtojmë marrëdhënie të mira me Serbinë, në mënyrë që të arrijmë që këta të pafatë, të paktën të trajtohen si njerëz. Serbia ka zgjedhur të thotë ndaj nesh sigurisht fjalë të bukura, por fatkeqësisht veprat e saj janë të tjera.

Duket sikur shkolla e vjetër ruse e pansllavizimit të ketë gjetur tashmë në Beograd vijimin e saj. Një rrymë e caktuar politike rrjedh prej saj e që duket se po kërkon përhapjen e dhunshme të ndikimit të vet. Serbia po kërkon me çdo kosto Shqipërinë me brigjet e saj adriatike dhe e ndjek këtë synim me një këmbëngulje të fortë. Përsa kohë që italianët ishin në Vlorë, serbët e shfrytëzuan këtë avantazh të rivalëve të tyre si justifikim për të kërkuar për vete Shkodrën dhe luginën e Drinit.

Qëkurse italianët u tërhoqën nga qyteti i Vlorës, serbët tashmë pretendojnë se ne po furnizohemi me armë nga italianët, që t’i përdorim ato kundër Serbisë. Është e drejtë që ne të posedojmë armë italiane, por këto armë italianët nuk na i kanë dhënë me vullnetin e vet, porse ata u desh t’i braktisnin ato papritur e t’i linin depove në male ndërsa largoheshin gjithë nxitim nga Vlora. Por ne kemi edhe armë austriake, madje edhe franceze, të cilat janë siguruar prej pushtimeve të mëparshme. Për të penguar konsolidimin e shtetit tonë, Beogradi po përpiqet të na nxjerrë telashe në aspektin e brendshëm. Kështu, para pak kohësh, bota iu gëzua lajmit për themelimin e një të ashtuquajture “Republika e Mirditës”, një republikë imagjinare, e cila me shumë gjasa është ngritur në Serbi, e që për ekzistencën e së cilës te mirditorët, katolikët shqiptarë, nuk dihet asgjë.

Në Beograd po shitet sikur në një masë të veçantë, mbrojtja e katolikëve shqiptarë t’i jetë hequr tashmë vendit tonë, një lloj proteksionizmi, të cilin katolikët tanë nuk e duan, por të cilin me siguri që do të mund ta pretendonin katolikët shqiptarë në Jugosllavi. Fatkeqësisht, këtë dashuri që duhet ta tregonin në Beograd kundrejt tyre, ata e kanë harruar, duke goditur katolikët shqiptarë në Kosovë, duke i diskriminuar ata përballë ortodoksëve, madje duke ua vjedhur edhe besimin e tyre katolik. Mirditorët katolikë refuzojnë si pasojë si serbët, ashtu dhe Republikën e tyre të nëmur dhe në Lidhjen e Kombeve dërguan një telegram, në të cilin theksohet se nuk i njohin themeluesit e kësaj “Republike të Mirditës”.

Përsa i përket pyetjes: A do të mund t’i rezistonte dot Shqipëria një sulmi serioz nga ana e Serbisë, i cili po përgatitet aktualisht si pasojë e masave ushtarake kundër Shqipërisë, ministri iu përgjigj: “Ne kemi një divizion të mirorganizuar dhe efektiv ushtarak. Nëse ai nuk do të mjaftonte, atëherë i gjithë populli do të dilte në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë”. E.K.

IMZOT VINÇENS PRENNUSHI – IPESHKËV, POET, MARTIR (4 shtator 1885 – 19 mars 1949)

Nuk është e lehtë ta përmbledhësh me pak rreshta jetën aq të pasur të imzot Vinçenc Prennushit. Lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. U Pagëzua me emrin Kolë, së shpejti ndjeu thirrjen e Zotit për jetën rregulltare. Hyr në kuvendin françeskan të vendlindjes më 1900; u shugurua meshtar në Tirol të Austrisë, ku kryente studimet, duke e ndërruar emrin në Vinçenc.

Nisi të botonte rreth 1909-1910-tës. Më 1911 botoi “Kangë popullore gegnishte”; më 1918 fletëpalosjen liturgjike “Fjala e Zotit”; “Java e Madhe”, libër feje, për javën para Pashkëve. më pas dramat “E trathuemja” e “Prej robnie në liri”; studimin “Nder lamije të demokracisë së vërtetë” (1922). Kryeveprën poetike “Gjeth e Lule” e botoi më 1924, për të vijuar me veprat agjiografike “Shën Françesku i Asizit” dhe “Jeta e Shna Ndout prej Padue” (1913) ; “N’Agape”, vjershë (1926); “Vorri i fratit”, 1717-1918. Dy fjalë mbi jetën e A. Anton Soranit, dëshmitar feje françeskan (1918);

Ndër përkthimet e imzot Vinçenc Prennushit kujtojmë: “Quo Vadis” të novelistit polak, Henryk Sienkiewiz; “Burgjet e mia” të italianit Silvio Pellico, poemën “Dreizehnlinden” të gjermanit Friedrich Wilhelm Weber, nga e cila “Hylli i Dritës” u botuan te vetëm tri këngë. Këtu këputet veprimtaria e mbyllet, për të përfunduar kush e di se ku, arkivi i tij jashtëzakonisht i pasur.

Imzot Vinçenc Prennushi, njihet si këngëtar i ëmbëlsisë dhe i trishtimit. Ndër poezitë e tij, kumbon një jehonë e këndshme dhe një ushtimë e trishtë, ashtu siç këndon atdheun me bukuritë e tij, po kështu edhe kur vargëton misteret e besimit. Në poezinë e Prennushit, bota lëndore vështrohet si një ndër arsyet e shkatërrimit të njeriut, për shkak të paaftësisë për t’u vetëpërmbajtur dhe të lakmive të pangopura vetjake.
Shkruan At Justin Rrota: “E n’atë mënyrë qi At Fishta mund të thirret për kah trajta e gjuhës poeti i Gegnìs, pse dijti me i a vjedhë popullit të malit e të fushës bukurìt mà të pikaturat e të shprehunit, kështu Prennushi mund të mbahet si poeti i qytetit të vet, mbassi gjithshka gjeti të hijshëm në fjalë e në frazeologji të këtij dialekti e mblodhi si bleta dhe e vendoi me shije të madhe ndër shkrimet e veta”.

Më 1947 imzot Vinçenc Prennushi u arrestua nga komunistët në Tiranë e më pas u nis për në Burgun e Durrësit, ku edhe vdiq më 19 mars 1949 në një natë të errët e të acartë, duke kërkuar “më shumë dritë e duke mbrojtur deri në frymën e fundit, vlerat, idealet e bindjet e veta. Shkruan mes tjerash Arshi Pipa, që ia mbylli sytë e vdekur “…asht vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë qysh njerëzit vdesin për ideale”.

Procesi i beatifikimit të imzot Vinçenc Prennushit dhe 39 martirëve të tjerë shqiptarë, që tashmë gjenden në Kongregatën përkatëse të Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtorëve, ka filluar më 9 nëntor të vitit 2002 në Kishën katedrale të Shkodrës, në pranin e kardinalit Sepe, aso kohe prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve.
*******
Më 19 mars përkujtojmë vdekjen e ipeshkvit shembullor imzot Vinçenc Prennushit, kryeipeshkëv i dioqezës së Durrësit. (4 SHTATOR 1885 – 19 MARS 1949)
“..E ngarkuan me bajtë trungje prej rrugës posht e te kodrina ku gjindëj burgu. Si Krishti n’Udhën e Kalvarit u përpoq tri herë me radhë, por u rrëzue të trija herët pa shprehë ankim.”
Prof. Arshi Pipa

Ka le në Shkodër me 4 shtator 1885, nga prindët Gjon e Drande Prennushi dhe asht pagëzue me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa, në seminarin e Troshanit iu kushtue Urdhnit françeskan. Mësimet e larta i përfundoi në Tirol të Austrisë. Asht shugurue meshtar me datën 25 mars 1908, dhe si françeskan merr emnin At Vinçenc Prennushi O.F.M.

Asht i formuem jo vetëm nga ana fetare, atdhetare dhe kulturore, por radhitët ndër letrarët ma në za të Rilindjës sonë. Shkruan në revistën “Hylli i Dritës”,”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout” dhe ka vlera të posaçme për artikujt e shkruem në gazetën “Ora e Maleve”, mbasi, aty, Ai shfaqë edhe pikëpamjet e veta atdhetare, politike dhe demokratike. Ban pjesë në veprimët e vazhdueshme të klerit për pavarësinë dhe, si i tillë, me rastin e ngritjës së Flamurit në Kalanë “Rozafat” në Shkodër, me 14 mars 1914, mban fjalimin kryesor ku spikat oratoria e At Vinçencit.
Në librin “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”, At Vinçenci, jep mendime të sakta për një shtet të andrruem demokratik të tipit Përendimor, mendime që mbetën të gjalla edhe për kohën e sotme. Fusha e përkthimëve asht ndër ma të dashtunat për té, mbasi “Fabiola” dhe “Quo vadis?”, janë kenë si oficet e klerikëve ndër familjet shkodrane. Libri “Gjeth e lule” mbetët ndër veprat e letrarit të nivelëve të larta, mbasi ashtu ishte edhe pena e tij.

At Vinçenci asht kenë Provinçial i Françeskanëve në vitin 1928. Koha e shërbimit si drejtor’i Kolegjit Françeskan dhe si Provinçial, ka provue mendimin se ai dinte me drejtue, prandej në vitin 1936, At Vinçenci, shugurohet Ipeshkëv i Sapës (Dioçezi i Zadrimës). Në vitin 1940, Ai emnohet Argjipeshkëv i Dioçezit të Durrësit. Kur asht Metropolitan i Durresit asht edhe koha kur kryeqyteti i Shqipnisë, Tirana, përfshihej në Dioçezin e Durrësit (ashtu si sot), pra, vetvetiu qendra kryesore e Shqipnisë kalonte nën drejtimin e Imzot Vinçenc

Prennushit. Asht e vërtetë se aso kohe ai ka përkrah tij edhe Imzot Luigj Bumçin, një ndër përsonalitetët ma të njohtuna të Klerit Katolik edhe si politikan, që ka lanë emnin e vet të paharruem në çastët ma delikate të fateve të Shqipnisë. Atë kohë në Tiranë nuk duhet harrue se ishte edhe Don Lazër Shantoja, At Pjetër Meshkalla dhe Don Shtjefën Kurti, përsonalitete që kanë lanë në kujtesën e qytetarëve të Tiranes, një “epokë”, ku spikatën me punën e tyne këta kolosë të atdhetarizmës.

Fatkeqësisht gjendja e keqe shëndetësore e Bumçit, ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Imzot Prennushi jo vetëm kreu me ndër detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike, pikërisht, në fazën ma delikate të historisë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo -komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.

Asht e vërtetë se Jakomoni i dha një dekoratë Vinçenc Prennushit, po kurrë nuk asht shkrue çfarë ka thanë Jakomoni, për françeskanët e Shqipnisë dhe për shkollat e tyne; kurrë nuk asht botue teksti i plotë i kujtimeve të Kontit Çiano, ku shprehët kjartë pritja që i ka ba Italisë Kleri Katolik dhe Katolikët e Shqipnisë. Pra, këtij Kleri dhe këtyne françeskanëve, i përkiste edhe Imzot Vinçenc Prennushi, i cili deklaron: “Kam marrë një medalje nderi për shka, nuk e dij – Lekë jo. Dekoratës nuk i dij as emnin”. (Dosja 1245 Arkivi i M.M.Tiranë). Kujtimet e Kontit Çiano as nuk kanë me u botue ndonjëherë, mbasi fatkeqësisht aty asht shkrue edhe se kush e priti mirë okupacionin fashist. Për telegramin e dërguem mbas okupacionit fashist shprehët kjartë bashkfirmuesi Imzot Frano Gjini, (atëherë Abat i Mirditës), në letrën origjinale të Tij:
“……..4. se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit italian me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italian, bashkë me Kolegët të tjerë t’Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç nji formalitet konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të pregatituna prej tjerve; po si kanë veprue të gjithë përfaqsuesit e entëve civile, ushtarake e fetare të vendit tonë.” (Dosja 1302 Arkivi M.M.Tiranë).

Ndërsa, Imzot Prennushi deklaron: “Se shka përmban telegrami nuk me kujtohet, ai asht ba nga Metropoliti i Shkodrës.” (Dosja 1245, Arkivi M.M.Tiranë).

Si Imzot Prennushi, si Imzot Gjini, deklarojnë se, “na kemi firmue para një fakti të kryem dhe, jo, para okupacionit të Shqipnisë nga Italia.”.

“Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim”, shënon Imzot

Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjale deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta, mbasi veprimet e tija diheshin.

Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imzot Gaspër Thaçi. Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë….

Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër në vitin 1949, dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës, ku i rrahu shpatullat “birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës”, “shokut të dashtun” Tuk Jakova, kujtoj si tashti që, kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot

Prennushin dhe shprehu si zakonisht, “konsideratën” e tij për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa….

Me datën 19 maj 1947 Imzot Prennushi, arrestohët dhe si të tjerët fillon Kalvarin. Qëndrimi i tij në Hetuesi tregon karakterin burrnor që shihët edhe ndër ata pak dokumenta që ruhën. Imzot Prennushi asht i parapregatitun për rrugën që ka përpara. Ja, si shprehët për té At Gjolaj: “…..Letra që Imzot Frano Gjini, u ka dërgue Misjonëve të hueja i asht dorzue Imzot Prennushit, me ia dhanë atyne. Prezent ka kenë edhe Don Anton Muzaj e Don Shtjefën Kurti. Letra asht përpilue nga At Meshkalla. Arsyeja që e shkruen këte letër asht kenë mospritja e drejtuesve të Klerit nga ana e Enver Hoxhës. Mbasi Imzot Prennushi, e kishte dorzue këte letër erdhi në Shkodër, dhe na tha atyne pak vetëve që ishim në oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit:
-Bijt’e mij, ishe tek përfaqsuesi i UNRRES, dhe i shpjegova shka asht tue u ba në Shqipni me Klerin dhe popullin Katolik. I tregova represionet dhe burgjet e mbushuna me né. I tregova se pasiguria shtohet përditë e ma shumë. Ai u përgjigj: -Ecelenza, i dijmë të gjitha shka ke thanë e, shka ké me thanë, bile, dijmë edhe ma shumë se ju, prandej, duhët të dini se kemi ba shka asht e mundun por nuk kemi shka bajmë ma. Ju jeni të përfunduem, se për 40 vjet komunizmi nuk do të hiqet prej Shqipnijet!
Unë ika.
Na që ndigjuem, i thamë: -Ti jé pesimist!
Imzot Prennushi, ashtu i ambël dhe i butë si ishte Ai, na tha: -Jo, nuk jam pesimist, por keni me pa, e ndoshta ma parë tek unë se shka do t’ju gjejnë ju. Ndoshta, asht premtue prej Zotit me e provue unë shumë shpejt”. Prej asaj ditë nuk e pashë ma. Ai me të vërtetë u martirizue.”

Kur, Imzot Prennushi pyetët për shkuemjen e tij në Misionin amerikan, ai përgjigjet: “Në Misionin amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin….Në Tiranë, në një mbledhje të Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare, si, dhe ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një memorandum, me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopjo ia kam çue misionëve amerikane e franceze në Tiranë.” (Dosja1245).

Imzot Prennushi shpjegon për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare, në Tiranë: “Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme, por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez, ku me kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit, dhe më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t’i bënin rrobe me veshë fukaratë!

Nuk u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë.”(po në atë dosje).
Për vuejtjet dhe torturat e bame mbi Imzot Prennushin tregon Prof. Arshi Pipa ndërsa, kush ishte Imzot Vinçenci, tregojnë këto rreshta të deponuem në hetuesi prej tij me datën 4 shtator 1947:
“….Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té, dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët né na luftojnë deri në zhdukje”.
Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përberë nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:
1.Monsinjor Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i Drandës, lindë në Shkodër.
2.Don Anton Lekë Zogaj, datlindja 1905, prift katolik, i biri i Lekës dhe i Marijës, lind në Kthellë të Mirditës.
3.Don Pal Martin Gjini, datlindja 1910, prift katolik në Jubë, i biri i Martinit e Terezës, lindë në Shkodër, arrestue me 19 maj 1947.
Vëndimi i gjykatës u dha me datën 20 dhetor 1947 si vijon:
1.Don Anton Zogaj, vjeç 42, me vdekje, me pushkatim.
2.Monsinjor Vinçenc Prennushi, vjeç 63, me 20 vjet burg.
3.Don Pal Gjini, vjeç 37, me 10 vjet burg, heqje lirie.
Vëndimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Naltë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quejtun Sotir Qiriaqi (data, 1 dhetor 1947), në të cilin kam shkëputë një frazë, lexoni me kujdes:
“……Don Anton Zogaj pranon menjëherë sa thotë katoliku Gjon Vlashi se ka zhvilluar aktivitet të gjerë kundërshtar, sidoemos në pjesën katolike….Mbrend në Kishë ka bërë mbledhje me katolikun Gjon Vlashi e Palush Koka….”. (përforcimi i shkronjave në tekst asht i emi, autori).
Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e përberë nga: Kryetar, major Niko Ceta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar, aspirant Thoma Rino, me datën 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çeshtjën e të pandehurve….”refuzon kërkesën e tyre”….

Arsyeja e refuzimit nuk ka nëvojë për koment, mbasi do të lexoni prap ma poshtë:
“…..Don Anton Zogaj dhe dy shokët e tij të akuzuar mohuan, njëkohësisht edhe pohimët e tyre në proçes-verbalët e hetuesisë në Sigurim, shoqëruar megjithse fjalë për fjalë janë të njëllojta dhe pa asnjë ndryshim me deponimet e të pandehurve….
Don Anton Zogaj thotë se unë kam ba një proçes-verbal dhe nuk e pranoj krejtësisht….por më kanë detyruar….
Janë kundërshtarë koshient të Pushtetit Popullor.
Vinçenc Prennushi deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste, që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.” (Dosja 1245, po aty).
Prof. Arshi Pipa, në “In memoriam”, për Imzot Prennushin tregon: “Kur gjyqi ushtarak që u zhvillue në nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë, fjala e tij e mbrojtjes qe: “Nuk i kam dashtë kujt të keqën. Jam mundue me ba mirë”.
Dosja mbyllët me Proçes-verbalin nr.103/1, datë 10 mars 1948, i mbajtun me datën 9 mars 1948, nr. 51/3 në Seksionin e Sigurimit Durrës:
“Don Anton Zogaj deklaroi dëshirën e fundit para ekzekutimit:
Nuk kam ba aq faj sa Qeverija të më dënojë, por kjo asht vullnesa e saj dhe i bindëm, dhe shtoi – ju lutëm që trupin tem t’ma çoni në Kishë, dhe teshat që kam në burg të mi marri kushrina. Mbasi bani Kryq u ekzekutua dhe u konstatua nga doktori se kishte vdekë.”
Prokurori Publik i qytetit të Durrësit
( Muharrem Rugia) d.v.
Data 9 mars 1948 në Durrës, më kujton datën tjetër në Shkodër, 11 mars 1948, ditën e pushkatimit të Prelatve të Klerit Katolik. Pra, vërehët deshira dhe pangopësia e komunistëve me gjak klerikësh ndër ato ditë në të gjithë Shqipninë.

Po cili nga këta tre klerikë u shpëtoi thonjve të Sigurimit të Shtetit?
Don Anton Zogaj u pushkatue me datën 9 mars 1948.
Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949.
Don Pal Gjini “lirohët” i sëmurë nga burgu i Shkodrës, në vitin 1951 dhe vdes në shtëpi.
Kishe me thanë, se Dosja 1245 asht mbyllë formalisht me pushkatimin e Don Anton Zogaj, por me siguri ajo ka vazhdue me kenë e hapun deri me vdekjën e Don Pal Gjinit. Kur vdiq edhe MARTIRI i fundit, vetëm atëherë, ndoshta, nuk asht mendue ma për ata njerëz të pafajshëm nga katilët e Sigurimit komunist shqiptar, tham ndoshta, mbasi komunistët kanë pasë punë nganjëherë, e shpesh, mashumë me të vdekun se me të gjallë.
Kur pashë shprehjën e Imzot Vinçenc Prennushit: “Lufta ime ishte kundër komunistave dhe Partisë Komuniste, që të mos egzistonte..”, mu kujtue Imzot Ernesto Çoba, i cili thotë edhe ai mbas 20 vjetësh: “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër, deri në vdekje….” (Dosja Monsinjor Ernesto Çoba me grupin.). Edhe Imzot Çoba, dha shpirt ndër birucat e Sigurimit të Tiranës.
Tue lexue kujtimet e Imzot Vinçenc Prennushit, në revistën “Zani i Shna Ndout”, kallnuer 1930, me titull “Nji e stigmatizueme e ditve tona”, u ndalova një çast në takimin që Imzot Prennushi kishte pasë me TERESA NEUMANN, në Bavari të Gjermanisë, e cila i kishte thanë:
“Do të keshë nji aksident rrugor,
Do të bahësh Ipeshkëv dhe,
Mbas 13 vjetësh të Ipeshkvisë do të vdesësh MARTIR I FESË”.
Dhe, me të vërtetë, në atë prag pranvere, nësa lulja e Sh’Jozefit shpërthente gonxhët e saja në degët e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za ndigjohej në atë errësinë, në të mekun: MEHR LICHT !”….

IMZOT VINÇENC PRENNUSHI: In memoriam FALI, ZOT, NUK DIJNË ÇKA BAJNË… – Nga ARSHI PIPA, Profesor Emeritus University of Minnesota, USA*

 

 

E kam njohë Imzot Prennushin në burgun e Durrësit gjatë periudhës 1948 – 49. Ai u suell aty nga Seksioni i Sigurimit të Durrësit, mbasi qé torturue ma parë. Kur e prunë, mezi mbahej në kambë. E kishin dërmue tue e rrahë me shkopinj e mandej e kishin varë, lidhë kambësh e duersh, “si nji dash në çengel kasaphanëje”, thonte ai vetë tue ba buzën në gaz.

Imzot Prennushin e vendosën në dhomën nr. 8, që kishte shërbye dikur si xhebehane dhe ku banojshin ma të rrezikshmit: 18 vetë. Unë qillova ngjat tij dhe pata kështu rastin të miqasohesha me té.

Kur gjyqi ushtarak zhvillue në nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë, fjala e tij e mbrojtjes qé: “Nuk i kam dashtë kujt të keqen. Jam mundue me ba mirë”. Në nji qelë të posaçme ngjitun me xhebehanen ishte ndry Don Anton Zogaj, famullitar i Durrësit. Ai kishte qenë dënue me vdekje, gja që e trishtonte shumë Imzotin. Nuk kam harrue ngazullimin e tij kur nji shok i dorëzoi kapsat e petkut fetar të Don Antonit, lanë dëshmi e martyrizimit të vet.

Mbaj mend nji skenë të devotëshme në infermjerinë e burgut, ku unë u shtrova mbas kthimit në Durrës nga kampi i Vloçishtit. Në infermjerinë e burgut gjeta Imzotin qi vuente prej asmës. Kjo ishte e tillë sa me e lanë pa frymë prej gulshimit. Nji ditë prunë në infermjeri Don Jul Bonattin, famullitar i Vlonës. Kur i thashë kush ishte i smundi qi përpëlitej, ai u ngrejt prej shtratit dhe ngau me i puthë dorën Imzotit. Imzoti tërhoqi dorën, bekoi me té Don Bonattin dhe u përmbys në shtratin e vet.

Përveçse prej asmës, Imzot Prennushi vuente nga nji hernia e randë. Nji ditë rojet e ngarkuen me bajtë trungje prej rrugës poshtë te kodrina ku gjindej burgu. Si Krishti n’ udhën e Kalvarit, ai u përpoq tri herë me rradhë. Por u rrëzue të trija herët, pa shprehë ankim.

Imzot Prennushi vdiq në Mars 1949. Kur i mbylla sytë e etshëm per dritë – ai më pat çekë njiherë frazen e Goethe-s “Mehr Licht !” – kuptova se çfarë drite ai kishte nder mend. Ka njerzë qi besojnë në Pavdekshmëninë e Shpirtit dhe ka të tjerë që nuk besojnë në té. Por asht vështirë me pranue se gjithçka merr fund me vdekjen e trupit kur mendon se ka njerzë qi vdesin per Ideale!
Arshi PIPA
Tiranë, 28 Shkurt 1995.Kopjue nga origjinali që Autori Prof. A. Pipa, i ka dhurue Fritz Radovanit.
Melbourne, Mars 2014.

ARSHI PIPA

19 Mars 1949 – 70 VJETORI I VDEKJES IMZOT V.PRENNUSHIT O.F.M. – Nga Fritz RADOVANI

 

IMZOT VINÇENC PRENNUSHI O.F.M.

Argjipeshkvi i Durrsit dhe i Tiranës Imzot Vinçenc PRENNUSHI O.F.M.(1885–1949) në  1946 ka thanë: “Në këte kohë në Shqipni, asht turp i madh me kenë jashta burgut!..”

Gjurmët e kudondodhuna të sandaleve të mathuna nder kambët e zbathuna të Fratit të Shqipnisë, shkelën nder male e fusha ku kanë grrye gurin dhe kanë lanë të shkrueme me gjakun e stigmave të Tyne të Shenjta, veprat ma të mëdhaja të Lirisë, Drejtësisë dhe të Demokracisë Europjane, themelet e të cilave, janë t’ lidhuna per ahët e lisat shekullor në shkamijtë e Bjeshkëve të Nêmuna, bash me konopin e vllazenve tê Shen’ Françeskut t’ Asizit, Urdhnit të Françeskanve të Vegjel Shqiptar, që i perket edhe Imz. Prennushi.

Në Shekullin e XX Fisi Prennushi i dha Atdheut dhe Fesë klerikët e njohun: Don Mati Prennushi, At Mati Prennushi, Imz. Vinçenc Prennushi, At Karlo Prennushi dhe Don Kolec Prennushi, që studjuen në Austri. Asnjëherë nuk u pajtuen me sunduesit e huej…

Imzot Vinçenci u le në Shkoder nga Prindët Gjon e Drande Prennushi me 4 Shtator 1885 dhe, para Shugurimit Meshtar kishte emnin Kolë. Studimet e nalta i perfundoi në Tirol t’ Austrisë dhe u Shugurue me 25 Mars 1908. Asht njohës i luftës së malazezëve të 1913, kur rrethuen Shkodren dhe, pikrisht Ky At Vinçenc me 14 Mars 1914, u tregoi pushtuesve se:

“Sot, në Kështjellen Rozafat do të valvitet i Lumnueshmi Flamur Komtar i Kastriotit!..”

Ai ishte letrar i “Hyllit të Dritës”, politikan i “Orës së Maleve 1924”, letrar i njohun dhe antisllav, antifashist dhe antikomunist deri në diten e vdekjes me 19 Mars 1949.

Ishte Argjipeshkëv i Durrësit e Tiranës, dhe mbas vdekjes së Imzot Thaçit (1946) ishte Primat Katolik i Shqipnisë, detyrë që e ven perballë me qeverinë komuniste të Tiranës.

Dosja 1245 Arkivi Min. M. Tiranë, zbulon plotsisht qendrimin dhe pikpamjet Atdhetare të Imzot Prennushit, perballë diktatorit dhe pushtuesve sllav të Shqipnisë Europjane…

Në vitin 1945 u takue me diktatorin E. Hoxha, dhe rezultati besoj i kujtohet shkodranve nga fjalimi i Enverit, në Prefekturen e Shkodres me 16 Shtator 1949… Kur Argjipeshkvi kalbej mbas vdekjes në torturat e sigurimit të shtetit komunist në burgun e Durrsit…

19 MARS 1949: “Pak Dritë!.. Mehr Licht!”… Dishmon bashkvuejtësi i Tij, i Madhi Prof. Arshi Pipa… Dhe gjithshka u shue.., e u fik… E bashkë me Ata Kolosë t’ Atdheut u shue edhe ajo “pak dritë”, per të cilen shpresuem aq shumë në vitet 1990…

            Melbourne, 18 Mars 2019.

DOLI NGA SHTYPI LIBRI “POETËT MARTIRË VILSON BLLOSHMI DHE GENC LEKA NË SHTYPIN SHQIPTAR” Nga Bedri Blloshmi

Doli nga shtypi libri”POETËT MARTIRË VILSON BLLOSHMI DHE GENC LEKA NË SHTYPIN SHQIPTAR” përgatitur për botim nga vëllai i njërit prej poetëve, Bedri Blloshmi.

Libri ka në përbërjen e tij dy ese të Ismail Kadaresë  si dhe shkrime dhe poezi kushtuar dy poetëve martirë që janë botuar në shtypin shqiptar nga autorë të ndryshëm.

Sponsor i librit është Flamur Hoxha, redaktor Agron Tufa, recenzentë: Sadik Bejko dhe Çerçiz Loloçi

Libri është botuar Klubi i Poezise, Tiranë dhe ka 472 faqe.

Fotografia e Rexhep Shahu

Homazhe në përvjetorin e shkuarjes nga kjo jetë e intelektualit të madh shqiptar AVDYL SULAJ – Nga Muhamet Rogova

 

AVDYL  SULAJ

Laryshi fjalësh nga goja e popullit

( Fjalë të urta – Urime – Mallkime – Betime – Lutje – Ngushllime –        fjalë të rrella – Frazeologjizma )

 

Avdyl  Sulaj ishte një intelektual  që me punën dhe angazhimin e tij na ka lënë si trashëgim vepra të shumta  në fusha të ndryshme   si në letërsi,  artë, gjuhësi,  etnologji dhe në shumë fusha të ndryshme të dijes. Mund të themi se ishte një intelektual  që posedonte një kulturë të gjerë dhe ishte njohës shumë i mirë  i historisë,  kulturës dhe shpirtit të pullit  tonë, të cilat me punën, përkushtimin dhe angazhimin e tëj  të pandërprerë  na i ka lënë si trashëgim  të shkruara në veprat e shumta   prej tij  që sot e kujtojmë me respekt  për punën e tij të madhe që ka bërë dhe për veprat e shumta që na ka lënë si trashëgim e që mund t’iu shërbejnë studiuesve të ndryshëm   për thellimin e studimeve të tyre  në fusha të ndryshme të dijes, si në aspektin gjuhësor, psikologjik, sociolegjik  juridik, historik. Folkloristik  etj.

Kur mora në shqyrtim  librin e tij “Laryshi  fjalësh nga goja e popullit”  që është një studim mjaftë i thelluar, jo vetëm gjuhësor, por edhe etnologjik , pashë se sa punë të madhe  është deshtë të bënte  për të na mbledhur dhe sistemuar të gjithë atë material gjuhësor, jo vetëm nga literatura, por edhe nga goja e popullit dhe përmes kësaj vepre përpiqet të na tregojë  se sa e pasur është gjuha shqipe  dhe sa shumë shprehje gjuhësore  janë të krijuara nga populli jonë, shprehje që nuk paraqesin vetëm kuptimin semantik të tyre, por edhe psikologjinë e thellë të popullit tonë  që i ka krijuar këto fjalë dhe shprehje gjuhësore përmes shekujve , pra që nga periudhat më të hershme e deri në ditët e sotme  që vazhdojnë të jenë në përdorim  prej popullit tonë,

Duke e lexuar këtë libër  kuptohet se kemi të bëjmë me një intelektual që ka një përgatitje të lartë profesionale dhe e njeh materjen gjuhësore, etnopsikologjinë dhe kulturën e lartë të asaj pjese të popullit nga të cilët e ka mbledhur këtë materjal kaq të gjerë të cilin e ka pasqyruar në këtë libër. Si shprehet autori në parathënjen e këtij libri;Duke e mbledhur, sistemuar dhe kategorizuar  gjithë këtë materialë gjuhësor , dhe duke parë vlerat e larta të këtyre fjalëve,  kishte depërtuar në embrionin  kuptimor të  fjalëve dhe të shprehjeve gjuhësore  dhe se sa ishte i thelluar dhe i magjepsur prej begatisë  së këtyre shprejhjeve gjuhësore , mund ta kuptojmë nga mendimi i tij që e shpreh në paratënjen e këtij libri  ku ndër të tjera thotë;  “Fjala ka alkiminë e saj. Ka peshën, ka ngjyrë e shije, ka forcë shëndërruese, çudibërëse, misterioze dhe magjike.”  Ai ka plotësisht të drejtë. Fjala në gojën e popullit është e gjallë që e bën jetën bashkë me popullin që e flet ate. Prandaj autori, këto veti të gjuhës i ka parë, i ka prekur  dhe i ka ndierë. Fjala herë ka kuptimin e saj primar për të emërtuar një send, një ide apo një fenomen, herë merr kuptime dytësore dhe shëndërrohet në metaforë duke shprehur ndienja dhe emocione nga më të ndryshmet. Nëse fjalët në kuptimin e tyre parësorë paraqiten të lëvizshme, të lakueshme duke iu shtruar rregullave gramatikore, lakohen apo zgjedhohen, por kur të njëjtat fjalë përdoren në shprehjen e urimeve, mallkimeve, betimeve, ngushllimeve apo edhe frazeologjizmave, fjalët e humbin aftësinë e lakimit e zgjedhimit, janë të ngurosura dhe marrin kuptime të tjera dytësore  e metaforik.

Se sa mund e drejrsë i ka kushtuar  autorit ky libër që ka një vlerë të  veçantë, tregon vëllimi i punës së tij që ia ka kushtuar këtij materiali të mbledhur në teren nga goja e popullit por edhe nga librat e autorëve të ndryshëm të kësaj ane të arealit tonë gjuhësor. Në bazë të një statistike të nxierrë nga ky libër, del se autori ka bërë një punë mjaftë të madhe e të kujdesshme në grupimin, kategorizimin dhe sistemimin e këtyre shprehjeve gjuhësore që janë krijuar jo për një kohë të shkurtër, por shekuj e shekuj deri sa na kanë ardhur në ditët tona në këtë formë shprehëse që na i sjell autori.

Në këtë libër janë të regjistruara 1371 proverba përmes të cilave paraqitet urtësia dhe përvoja jetësore e popullit e të cilat tani na vijnë si këshilla për brezin tonë që të jemi më të kujdesshëm, më vigjilent, ta duam punën, diturinë, ta duam atëdheun dhe lirinë. Të bëhemi më të virtytshëm dhe më të suksesshëm në jetë. Janë të shenuara 20 shprehje proverbiale që shpesh përdoren në popull në formë këshillash. Po ashtu në këtë  libër autori i ka mbledhur dhe shenuar 868 urime, bekime dhe përshëndetje  që paraqesin begatinë e madhe shpirtërore të popullit tonë,  Janë të regjistruara edhe 732 nëmë e mallkime që paraqesin mllefin e madh shpirtëror  të popullit të varfër e të vuajtur për të gjithë ata që ishin bërë shkaktarë për vuajtjet e tyre dhe që vetëm prej tyre mund ta kuptojmë se sa shumë ka vuajtur ky popull gjatë shekujve nga faktorë nga më të ndryshëm. I hasim të regjistruara edhe 207 be dhe betimi për të treguar besnikërinë e tyre të thëna me plotë pasion  dhe me ndjenja të fuqishme shpirtërore përmes të cilave përpiqen të tregojnë vërtetësinë  e ndonjë veprimi  apo edhe për ta shfajsuar veten nga  ndonjë shpifje apo intrigë e thurrur  me qëllime të caktuara  dhe për ta shpërlarë veten nga  pesha e ndonjë faji me të cilin përpiqen që ta ngarkojnë   apo edhe nga ndonjë përgjegjësi  që nuk kishte bazë rreale  me të cilën përpiqen që ta ngarkojnë të tjerët.Autori i mbledh dhe i regjistron edhe   122 lutje duke iu drejtuar njerëzve apo edhe Perendive, qëllimi i të cilave ishte  për t’iu lehtësuar jetën dhe vuajtjet e tyre nga shkaktarë të ndryshëm 47 shprehje ngushlluese, 374 fjalë të rrella si dhe 284 shprehje frazeologjike.  Nga të gjitha këto, del se autori me një durim të lakmueshëm  në këtë libër i ka regjistruar 4.625 njësi sintaksore dhe gjuhësore që paraqesin një punë mjaftë të vëllimshme.

Me këtë punë autori dëshmon aftësinë e tij intelektuale duke kryer një mision shumë të rëndësishëm gjuhësor e kombëtar për të treguar  begatinë e madhe shpirtërore të popullit tonë, përmes të cilave trergon se sa e thellë dhe  e  lashtë  është gjuha dhe kultura e këtij populli dhe sa e gjallë është kjo gjuhë  që është krijuar, rritur e begatuar gjatë shekujve  kultura gjuhësore e popullit tonë  e që ka vazhduar të  gjallërohet e të begatohet  që nga periudhat e lashta të antikitetit e deri në ditët e sotme.  Por ky studim gjuhësor mundt t’iu shërbej dhe lehtësoi  punën e studiuesve të  ndryshëm  në studimet gjithëpërfshirëse të tyre rreth këtyre temave që janë përfshirë  në këtë  përmbledhje të etnokulturës shqiptare me interes të vaçantë.

Për të treguar se sa  e thellë dhe e begatshme  është gjuha dhe etnopsikologjia e popullit tonë që i ka krijuar dhe përdorur të gjitha kjëto shprehje gjuhësore , mund të shërbehemi edhe me një shembull konkret;

Gjatë viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar, kishte ardhur për të marrë pjesë në konferencën e studimeve albanologjike  që organizohej nga Fakulteti Filozofik i Prishtinës  “Java e kulturës shqiptare” një studiuese ruse, Desnickaja.  Profesorët e Prishtinës i kishin rekomanduar që ta përgatiste një temë rreth përshëndetjeve  shqiptare. Ajo në fillim mbeti e habitur se si mund të përgatitej një temë e tillë ku shumë-shumë mund të mblidheshin dhjetë apo njëzet  shprehje gjugësore  që paraqesin përshëndetje. Por profesori nga Prishtina i kishte thënë; Mos u brengosni për këtë, ne do t’iu japim materialin dhe Ju në bazë të atij materiali mund ta përgatisni temën.  Kur studiuesja ruse e mori materialin  e mbledhur  nga folkloristët tanë  dhe i hyri studimit, kishte mbetur e befasuar  se  si i kishte hasur disa qindra  fjalë e shprehje frazeologjike  që shprehnin përshëndetjet  gjuhësore të këtij populli.  Kur kishte dalur në foltore për ta lexuar kumtesën e saj të përgatitur nga ky material, ishte shprehur;  Unë kam ardhur për të marrë pjesë në këtë konferencë  për kulturën dhe gjuhën shqipe  si përfaqësuese e një populli të madh, Por përkulem me respekt  para këtij populli të vogël por me një kulturë dhe begati shumë të madhe  gjuhësore e sidomos  për materialin  që kam marrë në shqyrtim  lidhur me fjalët dhe shprehjet gjuhësore  me të cilat  shprehen përshëndetjet  e këtij populli  e që deri tani  gjatë studimeve të mia,  në asnjë gjuhë,  këtë numër kaq të madh  të fjalëve dhe të shprehjeve gjuhësore  që  populli shqiptar i përdor  për përshëndetje, nuk i kam hasur”

Kjo tregon se sa e bagatshme është gjuha shqipe  dhe sa e veçantë nga gjuhët e tjera është etnopsikologjia  e popullit tonë  në krijimin dhe përdorimin  e të gjithë këtij  arsenali gjuhësor  që posedon  populli ynë  gjatë komunikimit të tij të përditshëm

Megjithate, autori përmes këtij libri ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në mbledhjen, sistemimin dhe seleksionimin e të gjithë kësaj begatie shpirtërore të popullit tonë si dhe duke e paraqitur aftësinë e madhe shprehëse të gjuhës tonë që konsiderohet ndër gjuhët më të lashta të Evropës dhe që kjo begati e arsyeton këtë mendim.

Do t’i mbetemi përherë mirënjohës  autorit Avdyl Sulaj  për punën e madhe që ka bërë  dhe për të gjithë këtë trashëgimi studimore  për  kulturën  dhe  gjuhën shqipe.  Po ta vështrojmë në vëllim  të punës, jo vetëm në këtë vepër , por edhe në veprat e tjera gjuhësore, sidomos “Shkrime dhe hulumtime gjuhësorer” të botuar më 2012, të len përshtypjen se gjithë ky material gjuhësor  do të jetë mbledhur nga një ekip studiuesish, e jo nga një dtudiues i vetëm siç ishte Avdyl Sualj  që investoi një punë dhe energji shumë të madhe  në realizimin e këtyre veprave që na ka lënë si trashëgim.

 

 

 

Shkurt   2019                                                                      Muhamet Rogova.

Gjakovë

 

SHQETËSIM I PROFESORIT ISLAM ALIKAJ: “Mbroni matematikën e gjimnazit” – Nga Kadri Tarelli

E kam njohur Profesorin që në vitet e gjimnazit në “16 Shtatori” të Durrësit, unë në vit të parë dhe ai maturant. Më pëlqen ta quaj profesor, si të gjithë bashkëqytetarët durrsak, që e kanë pagëzuar kështu. Emër që i le në hije dekorimet dhe titujt, që tani jepen me lopatë dhe që, më së shumti mbeten varur në kornizë, për të zbukuruar dhomë apo korridorin e shtëpisë.
Jeta i shpërndan njerëzit. Më pas ai mësues me emër në gjimnazet e Krujës dhe të Durrësit, dhe në UT (filiali i Durrësit), ndërsa unë mësues në fshatrat e Kavajas dhe të Lushnjës. U njohëm më mirë, kur udhëtonim së bashku në këmbë ose biçikletë, për në shkollat e zonës së Katundit të ri, (Komunë e Durrësit), unë mësues historie ndërsa Islami mësues matematike. Ishte koha kur në shtëpinë e fshatarëve, gjeje veç mikpritje dhe raki. Sot qeshim kur kujtojmë, se si, mes bujarisë së tyre mësuam të pimë dhe të gremë dolli. Ishte një jetë plot vështirësi dhe sakrifica, por që përballohej me forcën dhe energjinë e moshës rinore.
Kam përshtypjen, se mësues të mirë dhe të përkushtuar, ka me qindra dhe mijëra, por intelektualë të vërtetë janë ata, që bëjnë më shumë se detyra e punës së përditshme, për të thënë më shumë dhe për të parë më larg se kolegët. Islami ishte, është dhe do të mbetet një ndër më të mirët në fushën studimore dhe përgjithësuese për matematikën, duke hartua e botuar me dhjetëra libra për Arsimin e Mesëm dhe Universitetin. Sepse puna kërkimore shkencore, sidomos matematika, është e ftohtë në pamje, sepse do talent dhe durim, pasi është e vështirë, si në mendim e mundim, vullnet, përqendrim dhe shpenzim kohe pa kufi. Është e vështirë të dashurohesh dhe të ngjitesh në kështjellën e mbretëreshës së shkencave, por më e vështirë të rrish pranë saj.


Unë jam diplomuar për histori-gjeografi, por më shumë kam shkruar për matematikën dhe matematikanët, duke ngritur edhe problemin e “plakjes” së matematikës nëpër shkollat tona. I pari në listën e “stekave të vjetra” në Durrës, më dilte Islami, të cilit i kushtova disa shkrime: 1. Gazeta “Mësuesi”. 05. 12. 2007. “Pse u mplak matematika?”. 2. “Durrësi Bulevard”. 23. 12. 2005. Shkrimi: “Islam Alikaj. “Mësuesi që nuk e pranon pensionin”. 3. “Bulevard”. 08. 07. 2006. “Islam Alikaj. “Gabim testi i matematikës për provimin e maturës”.
Pas Universitetit dhe studimeve pas universitare, ai ka botuar shumë shkrime dhe libra për matematikën, përfshi edhe astronominë. Lista është goxha e gjatë. Mes tyre është dhe një studim kushtuar astronomisë dhe ndikimi i saj në ekonomi. Bëhet fjalë për ndikimin e cikleve të hënës në rritjen e midhjeve. Ishte një punim shkencor që tërhoqi vëmendjen e specialistëve të peshkimit dhe ekonomisë. Vetë ai, shpesh e kujton me dhimbje dhe krenari atë ngjarje të viteve të rinisë.
Nuk mund të le pa përmendur edhe përfshirjen e Islamit në jetën politike e shoqërore të kohës, si një ndjesi intelektuali, për të marrë pjesë në lëvizjen demokratike, për përmbysjen e diktaturës. Ishte ai, që theu frikën, duke qenë në ballë të mitingut të parë në Durrës, që u organizua pranë stadiumit të qytetit. Janë disa shkrime kushtuar këtyre ngjarjeve madhore për historinë e Durrësit dhe më gjerë, të cilat u publikuan në shtyp: 1. Gazeta “Durrësi Bulevard”. 06. 01. 2006. Ribotim i zgjeruar. 12. 01. 2016. “15 vjetori i mitingut në Durrës”, dhe 25-vjetori i mitingut të madh të PD në Durrës”. Më pas edhe një shkrim tjetër: Gazeta “Bulevard”. 05. 10. 2006. “Islam Alikaj. Kandidat për Bashkinë e Durrësit”.
Është meritë e Islamit, që e kuptoi shpejt, se politika nuk i do dhe nuk i pranon njerëzit e ndershëm, ndaj u tërhoq dhe u rikthye tek dashuria e vjetër, te matematika, ku punon pa u lodhur edhe në ditët e sotme, si konsulent për gjimnazistët dhe studentët. Lidhur më këtë dua të theksoj dy momente, që mendoj se janë të rëndësishme për kohën dhe arsimin shqiptar:
Së pari: krahasimin e matematikës që jepet nëpër shkollat shqiptare, me si motrat gjermane, italiane, amerikane, franceze dhe ruse, të cilat i studion në origjinal, pasi i zotëron mirë këto gjuhë, në të folur dhe të shkruar. Besoj se është shpirti idealist dhe qëndrim i tij atdhetar, që të thotë me zë të lartë, se matematika shqiptare, nuk qëndron më poshtë, por e barabartë me të tjerat, që zhvillohen ne shkollat e përparuara të botës. Besoj se këtu ka vend të citoj librin “Matematika. Për mësuesit dhe nxënësit e gjimnazeve në Itali dhe Shqipëri, që është mirëpritur nga profesionistët e matematikës.
Së dyti: Ai si mësues i vjetër dhe njohës i mirë i programeve mësimore që zhvillohen nëpër shkollat tona të mesme, nuk mund të heshtë, kur shikon se gjerat nuk ecin siç duhen. Ndaj ka ndërmarrë një studim kritik lidhur me programet mësimore të matematikës që zhvillohen sot nëpër gjimnazet tona. Është një zë kritik, ndaj atyre që pa u thelluar shkencërisht, me mendimin se po sjellin metoda bashkëkohore, kopjuan programe nga vende të tjera “të mëdha”, me gjasa si më të përparuara, kur në fakt janë programe për shkollat e mesme profesionale. Çdo mësues, veçanërisht i matematikës, në çast do të bëjë pyetjen: Cili student, që merr guximin të ndjekë degën e matematikës, ekonomisë apo inxhinierisë, do ta përballojë ngarkesën e Universitetit, pa bërë me dhjetëra orë konsultime? Si të thuash një shkollë të dytë, që përkthehet në kohë dhe para.
Më duhet të përmend, se janë disa kronika televizive, ku Islami i ka shtjelluar gjerësisht këto probleme, duke ngritur zërin si mësues dhe specialist i njohur, pasi i shërben forcimit dhe përparimit të arsimit dhe shkollës shqipe. Duke parë këtë punë voluminoze disa vjeçare, mendja rreh lart: Vallë ç’bëjnë misionarët shërbestarë të zotit, më shumë se mësuesit tanë të përkushtuar, që i shërbejnë misionit të dijes? Vetë Islami është një “Misionar në udhën e dijës”, sepse e nisi dhe po e grisi jetën si mësues dhe po vazhdon të mos e përfillë moshën, lodhjen dhe mundimin.
Nuk po them diçka të re, por duke e njohur mirë natyrën e tij këmbëngulëse, besoj se “Profesori” e ka vetë në mendje, ndërkaq unë vetëm sa po e kujtoj, se duhet një studim i plotë i veprës së tij, nga një profesionist matematike. Librat e botuar, janë pasuri e vyer, që mund dhe duhet t’u shërbejë nxënësve dhe studentëve tanë.
Pa e tepruar, mendoj se ai ka një jetë interesante, të ngarkuar me punë dhe me shumë të papritura. Kështu, kur të jetë i ngeshëm të mbledhë e të shkruajë kujtimet, që do të shërbejnë në të ardhmen, si bazë për të hartuar monografi. Të gjitha shkrimet e shumta, të tijat dhe të të tjerëve, të hedhura në shtypin e kohës, janë si kokrrat e grurit të shpërndara nëpër ara. Ato shkojnë kot, po nuk u mblodhën në një libër, që unë e quaj “Arka e kujtesës”.
Në këtë takim mbresëlënës, u ngritën dolli urimi, nga familjarët dhe miqtë. Mes tyre edhe shokët e hershëm të gjimnazit, Lefter Muzina, Valentina Kondakçiu, Veibe Basha, Luli Veliu, Marika Duri, Diko Mustafaraj, bashkë me ata edhe unë që fola dhe po shkruaj këto radhë.
Urime miku ynë, në 80-vjetorin tënd! Duke kërkuar, që kështu mes familjarëve, miqve dhe shokëve, të festosh edhe 100-vjetorin, me shëndet të plotë dhe mendje të kthjellët, duke shtuar në listën e librave, botime me vlerë, për t’i shërbyer matematikës dhe shkollës shqiptare.

Kadri Tarelli
Durrës, më: 10, të fillim pranverës, 2019.

Shënim: E gjithë veprimtaria u filmua nga gazetari telekronist, Pjetër Sinani.

 

Më 12 mars 1991 u nda nga jeta përkthyesi i shquar Henrik Lacaj

Henrik Lacaj (Shkodër, 11 shkurt 1909 – Tiranë, 12 mars 1991) ka qenë shkrimtar, përkthyes i klasikëve, leksikograf dhe pedagog shqiptar.

Biografia

Lindi në Shkodër shkollohet në Kolegjin Saverian të Jezuitëve dhe më tej studimet e larta i vazhdon në Universitetin e Padovës. Studimet e larta nuk mundi t’i përfundojë, kthehet në atdhe.

Në shtator të 1939 qe redaktor i gazetës “Rinija Fashiste” në Shkodër.[1] Më 1940, së bashku me Pashko Gecin qe ngarkuar si përfaqësues nga ministria e Arsimit për të kryesuar provimet e maturës së liceut Illyricum në Shkodër.[2] Më 1942 caktohet drejtor i arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit.[3]

BIBLIOGRAFIA

 

Vepra origjinale

Fjalori Latinisht-Shqip (mbi 20 000 fjalë, në bashkëpunim me Filip Fishtën)

Monografi për Pjetër Budin

Monografi për Dom Ndoc Nikajn

Studim per jetën dhe veprën e Luigj Gurakuqit

Studim për jetën dhe veprën e Hilë Mosit

Moisi Golemi i Dibrës (dramë)

Ora e Shqipinisë

Artikuj në revista të ndryshme

Sonet për pavarësinë

Skënderbeu në letërsinë italiane (studim)

Historia e mësimit dhe shqiptimit të latinishtes në Shqipëri (Shkruar italisht dhe botuar në revistën Das Altertum, Berlini Lindor)

Esé për Aleksandër Pushikinin

 

Përkthime

Eneida (Virgjil, përkthyer me Engjell Sedajn, me parathënie nga Muzafer Xhaxhiu

Aminta (Torkuato Taso, me parathënie nga Dalan Shapllo)

Antologji e lirikës antike greke

Zogjtë – Aristofani

Ushtari mburravec (Plautus)

Bukoliket (Virgjili)

Rrethimi i Shkodrës (Marin Barleti)

Ekloget III

Elegji (Tristium)

Epigramet (Katuli)

Epigramet (Marciali)

Fragmente nga Dante Alighieri

Jeruzalemi i çliruar dhe Jeruzalemi i pushtuar (Torkuato Taso)

Historia e jetës dhe veprës së Skënderbeut (Marin Barleti, bashkëpërkthyer me Stefan Priftin)

Metamorfozat (Ovidi)

Mbreti Edip (Sofokliu)

Bretoksat (Aristofani)

Trëndafila dhe gjëmba (Pashko Vasa)

Vepra të tjera nga Aristofani, Katuli, Homeri, Horaci, Marciali, Virgjili, Properci e tjerë.

Më 12 mars 1915 lindi Mahir Domi, akademik i shquar shqiptar

Mahir Domi (Elbasan, 12 mars 1915 – 19 tetor 2000) ishte filolog, pedagog dhe akademik i shquar shqiptar.

Jeta

Lindi në qytetin e Elbasanit, i biri i Sulejman Domit[1].

Studimet e mesme i nisi në Normalen e Elbasanit dhe i vazhdoi e përfundoi në Liceun Kombëtar të Korçës më 1937. Ndoqi studimet e larta për filologji klasike dhe u diplomua në Universitetin e Grënoblës në Francë më 1941. Po atë vit filloi punën si mësues e më pas si drejtor në Normalen të Elbasanit[2].

Pjesëmarrës i lëvizjes nacionaloçlirimtare në Shqipëri. Për këto ide ai u internua nga pushtuesit fashistë në Porto Romano. Pas mbarimit të luftës ai e nisi udhën e tij të gjatë në shërbim të arsimit e të shkencës plot pasion e dashuri për t’i shërbyer atdheut e popullit të vet me tërë forcën e shpirtit e fuqitë e mendjes. Prof. M. Domi ka dhënë një kontribut të shquar në fushë të arsimit si drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit dhe si drejtues e pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ai punoi me përkushtim e dha ndihmesën e tij të çmuar si mësues e pedagog në hartimin e planeve dhe të programeve të reja të shkollës sonë si edhe me librat e gjuhës dhe të letërsisë që hartoi për nevoja të niveleve të ndryshme parauniversitare e universitare të shkollës. Veç punës së tij të gjerë në fushën e mësuesisë, prof. M. Domi dha një kontribut të shquar në shumë fusha të dijes albanologjike në të gjitha shkencat filologjike e letrare shqiptare, në radhë të parë në fushë të studimeve gjuhësore, duke u bërë një nga gjuhëtarët më të shquar me një njohje të gjerë brenda dhe jashtë vendit. Kontributi i tij veçanërisht në fushën e studimeve gjuhësore është i jashtëzakonshëm jo vetëm se ai organizoi, nxiti e drejtoi veprimtaritë krijuese shkencore në shumë degë të gjuhësisë, por edhe sepse ai vetë, bashkë me gjuhëtarë të shquar si A. Xhuvani, K. Cipo, E. Çabej, S. Riza, A. Kostallari, Sh. Demiraj, S. Floqi e të mjaft kolegëve të tjerë më të rinj, të cilët më parë i pati studentë e më vonë bashkëpunëtorë, e ngritën gjuhësinë shqiptare në nivele bashkëkohore. Ai u dallua me punimet e tij në fushën e sintaksës, të historisë së gjuhës shqipe e të marrëdhënieve të saj me gjuhë të tjera të Ballkanit, në fushën e gjuhës letrare e të kulturës së gjuhës, në leksikografi e në terminologji, në histori të gjuhësisë shqiptare e të mendimit shqiptar etj. Ai qe nismëtar i organizimit dhe i drejtimit të studimeve dialektologjike në Shqipëri, duke krijuar e ndihmuar një grup dialektologësh, i cili arriti të mbulojë me studime e përshkrime dialektore thuajse të gjitha të folmet e shqipes, të cilat u kurorëzuan me hartimin e “Atlasit dialektologjik të shqipes”. Në të gjitha këto fusha duket shkencëtari me horizont të gjerë, gjuhëtari që njeh me themel gjuhën shqipe dhe dialektet e saj dhe që përpiqet të hapë gjithnjë shtigje të reja e të orientojë studiuesit e rinj drejt tyre, kërkuesi i palodhur e vëzhguesi i mprehtë. Studimet e tij janë shquar gjithnjë për analiza e sinteza dhe kanë shërbyer edhe si shtysa për studime më të thelluara. Me punën e tij të shumanshme, prof. M. Domi ka dhënë një ndihmesë themelore për krijimin, organizimin dhe drejtimin e veprimtarisë arsimore e shkencore në fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në Institutin e Shkencave, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe në Akademinë e Shkencave. Me ndihmën e tij të kualifikuar e të pakursyer shkencore janë formuar një serë punonjësish të rinj, të cilët u frymëzuan prej tij me dashurinë e përkushtimin për punën shkencore. Mund të thuhet me plot të drejtë që nxënësit e tij janë dhe vepra e tij shkencore po aq e gjerë dhe e shumanshme sa ç’është prodhimi i tij shkencor. Veprimtaria shkencore e shumanshme e ka bërë të njohur prof. M. Domin edhe në Kosovë e vise të tjera shqiptare si dhe jashtë kufijve. Ai nderohet e vlerësohet nga studiues të ballkanologjisë e të indoevropianishtes. Në shumë kongrese e konferenca ndërkombëtare e kombëtare ku ka marrë pjesë ka thënë fjalën e tij me peshë për problemet e shqipes, duke e përfaqësuar denjësisht shkencën shqiptare. Krahas veprës së tij të gjerë shkencore, ai ka lënë kujtimin e një shkencëtari të palodhur erudit, me horizont të gjerë, të njeriut të ndershëm e fisnik, i cili një pjesë të jetës së tij, me dashamirësinë dhe zemërgjerësinë që e karakterizonte, ia kushtoi përgatitjes së brezit të ri. Profesori u shua më 19 tetor të vitit 2000.

Burime

  1. ^ Dervishi K., Historia e floririt të Sulë Domit në Elbasan, voal.ch, 23 maj 2016.
  2. ^ “Akademik Mahir Domi”. Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

VATRA, FAMILJA DHE MIQTË FESTUAN DITËLINDJEN E SHKRIMTARIT NAUM PRIFTI Nga Dalip Greca

Shkrimtari Naum Prifti me dy vajzat Juliken dhe Rafaelen

Në ditëfestën e mësuesit, me 7 Mars, që është dhe ditëlindja e shkrimtarit Naum Prifti, ish sekretar i Vatrës për  rreth dy dekada, nën organizimin e Vatrës dhe me sponsorizim nga Kristaq Foto, pronar i lokalit “KUQ E ZI”  në Astoria, Queens, Nju Jork, u mblodhën vatranë, familjarë dhe miq të shkrimtarit për t’ia uruar e festuar ditëlindjen. Dhurata simbolike, lule, Torta me urimin e Vatrës me urime zemre: Gezuar 87 Vjetorin e  Lindjes, shkrimtari ynë i dashur! Në festë kanë ardhë edhe artistë, profesorë, miq, lexues të veprës së tij.

Fillimisht u ndoq dokumentari me titull”Edhe unë diç mbolla” i autorëve Munish Jashari dhe Rafaela Prifti kushtuar jetës dhe vepërës të shkrimtarit të shquar të letrave shqipe.

E bija e shkrimtarit Rafaela Prifti ka falenderuar Vatrën, pjesmarrësit dhe i ka uruar ditëlindjen të atit.

Kryetari i Vatrës z. Driitan Mishto e ka uruar në emër të vatranëve shkrimtarin dhe ish sekretarin e Vatrës dhe ka vlerësuar kontributin e tij të shquar në Letërsi, teatër, përkthime, dhe në kinematografi. Rrallë gjenë shembuj si kjo e familjes Prifti, ku tre breza kanë kontribuar në Vatër, i vëllai i shkrimtarit, studuesi i shquar Peter Prifti, në vitet 58-60 ishte sekretar i Vatrës dhe Editor i Diellit, Naum Prifti pasi erdhi në SHBA trokiti në Vatër, vatranët i besuan postin e sekretarit, e bija e shkrimtarit Rafaela është tash në Vatër si editore e anglishtes në Gazetën Dielli!

Kryetari Mishto ka sjellë në kujtesë dhe fragmente e personazhe nga krijimtaria e shkrimtarit, veçanërisht nga librat për fëmijë.

Editori i Diellit ka sjellë për Naumin një kujtim të largët të 7 Janarit 1959, ku në Faqen e parë të Diellit, botohej në dy numra reportazhi i Naum Prifti me titull”Bukuria e Bregdetit të Shqipërisë”, ndërsa në faqen dytë vijonte Drama me tre akte “Për Mbrojtjen e Atdheut” e dramatizuar nga Peter R. Prifti sipas novelës të shkrimtari, ish vatranit Foqon Postoli. Ja pra kur dy vëllezërit, në kohën e largët të ndarjes nga  perdja e luftës së ftohtë, i takonte gazeta Dielli në Boston.

E bija e shkrimtarit, Julika Prifti, ka zgjedhur ta urojë të atin në ditën e lindjes duke ekspozuar një dhunti pak të njohur të prej publikut, por shumë të pëlqyer nga familjarët, atë të interpretimit. Julika imiton sikur të ishte në skenë të atin.

Naum Prifti, tha ajo, zë një vend të veçantë në kulturën shqiptare me veprat e tij në lëmin e tregimit, novelës, kritikës letrare, ese historike, shënime udhëtimi, dramë, komedi, skenar, kritikë letrare, biografi, përkthime etj. Por në fushën e interpretimit atë e njohin vetëm familjarët dhe të afërmit.

Kur ishim fëmijë, kujton Julika; babi na lexonte përralla dhe recitonte nga një repertor  i pasur e i shumanshëm. Interpretimi i tij  i bënte karakteret të gjallë përpara syve tanë. Edhe tani i kujtoj interpretimet e tij të poetëve shqiptarë si Mjeda, Kadare, Frashëri.

Kujtoj: “Shkonte fili në pazar/ ishte veshun krejt n’ar/ mzat, lope, qen e dhi,/ tek e panë me kaq stoli/ për me i banun filit nder/ ulën kryet menjëherë.”…

ose: Krujë o qytet i bekuar/Prite prite Skënderbenë/Po të vjen si pëllumb i shkruar/ të shpëtojë mëmëdhenë….!”

Kur u rritëm ai i interpretonte të gjitha veprat që shkruante. Me mbarimin e drekës, apartamenti ynë në rrugën “Bajram Curri” kthehej në një teatër të vogël privat, ku të gjitha rolet interpretoheshin nga Naum Prifti. Zëri i plotë e i fuqishëm, diksioni i qartë, ndjesia e veçantë për ritmin e tingëllimin e fjalës i bënin karakteret personazhe të paharrueshme.

Babi dinte ku të ngrinte zërin, ku ta zbuste, ku ta shpejtonte ritmin e të folurit, apo ku ta ngadalësonte. Mbi të gjitha ai kuptonte mirë ku binte theksi logik i frazës. Interpretimi i tij të bënte të të rrihte zemra sikur të donte të dilte nga kraharori, të të merrej fryma nga ankthi apo frika, e të fluturoje lart nga entuziasmi.

Kujtoj se, ndonjëherë, kur shkoja në teatër a kinema për të parë veprat e tij të vëna në skenë, mbetesha e zhgënjyer nga që diksioni nuk tingëllonte aq mirë dhe fuqishëm sa nën interpretimin e vetë Naumit, aq sa mua më vinte t’u thërrisja aktorëve: Nuk po e thua mirë! Pse bërtet kot dhe nuk nxjerr kuptimin e frazës!”

Mua më vjen keq që nuk e inçizova apo regjistrova interpretimet e tij kur kisha mundësi. Më dukej se vitet nuk do të ndryshonin asgjë. Sot në 87 vjetorin e ditëlindjes së tij, i sjell në mendje këto kujtimë e  i uroj shumë ditëlindje të tjera me shokë, dashamirës e lexues të veprave të tij.

Edhe 100 BABI!

Nënkryetari i Vatrës z. Agim Rexhaj ka kujtuar momentet e këndshme që kalonin me shkrimtarin si sekretar i Vatrës, veçanërisht kur shkonin në rrugëtime të gjata, ku zotërsia e rrërfimeve, humorit nga Naum Prifti, e largonte lodhjen dhe i bënte të këndshme udhëtimet.

Edhe ish nënkryetari i vatrës Asllan Bushati e ka uruar z. Naum duke nxjerrë në pah vlerat e tij si shkrimtar dhe kontributin në Vatër të tij, vëllait Peter dhe së bijës Rafaela.

Emocionet festës ia shtojë Profesoresha Mjaftime Dushollari, e cila mori përsipër promovimin dhe analizoi botimin më të fundit të shkrimtarit Naum Prifti, përkthimin nga anglishtja të librit“Çarli dhe Ashensori i Madh prej Xhami” të autorit anglez Roald Dahl. Libri u botua vitin që shkoi nga “ÇABEJ”. Duke e analizuar librin, Dushollari tha: U kënaqa shumë kur Julika Prifti më dhuroi librin “Çarli dhe Ashensori i Madh prej Xhami” për mbesën time të shtrenjte, Klarën. Një nga veprat më të mrekullueshme për fëmijë të tregimtarit të njohur botërisht, Roald Dahl, u përkthye nga origjinali anglisht prej tregimtarit të njohur shqiptar Naum Prifti. Botohet për herë të parë në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese Çabej në Tiranë.Ky përkthim më bëri kurioze të njoh stilin e tij si përkthyes i talentuar.  Me këtë qëllim, e lexova librin vetë përpara se sa t’ia lexoja Klarës.Dua të theksoj se vetë zgjedhja e këtij libri për t’u përkthyer nga Naum Prifti është shumë e gjetur.

Së pari; Naum prifti, mjeshtri i tregimit shqiptar ka zgjedhur të përkthejë veprën për fëmijë të kampionit të rrëfimit botëror, Roald Dahl.  Së dyti, Naum Prifti është autor edhe i shumë veprave të bukura për fëmijë. Këto janë dy pika të forta takimi midis tyre.Nga ana tjetër, kjo zgjedhje është edhe e guximshme sepse të ngarkon me përgjegjësinë e sjelljes para lexuesit shqiptar të vlerave të larta të veprës së rrëfimtarit anglez, të zhdërvjelltësisë së tregimit, fantazisë, pasurisë së gjuhës, humorit etj.Këto arsye, e bëjnë lexuesin të rriti pretendimet për cilësinë e përkthimit.

Vepra që i jepet në dorë jo vetëm fëmijëve, por mbarë lexuesit shqiptar, është një shqipërim i përkryer.  Struktura e fjalisë në shqip ndryshon shumë nga struktura e fjalisë në anglisht.Te “Çarli në Ashensorin e Madh prej Xhami” nuk gjen as edhe një herë të vetme ndonjë fjali të tingëllojë apo të ketë konstruktin e anglishtes.  Kjo bën që historia e bukur fantastike për fëmijë, e shkruar në anglisht, të bëhet shumë e pëlqyer në të gjitha aspektet e saj edhe në gjuhën tonë të bukur shqipe.

Përkthyesi jo vetëm ka gjetur fjalën korresponduese në shqip, por ka përshtatur, ka krijuar fjalë të reja sipas rastit.  Dhe të gjitha këto e bëjnë gjuhën aq të zhdërvjellët dhe me ngjashmëri me krijimet origjinale të Naum Priftit, sa, kur lexon krijimin e Roald Dahl në shqip, të duket se lexon një vepër origjinale të shkruar nga Naum Prifti.

Shprehjet “ia mori këngës” në vend të “filloi të këndojë”, “u zgërlaq fare”, “po flet kodra pas bregut”, “e bëre çorbë derri”, “e nise, bitise”, “I re pikës” dhe shumë të tjera si këto, janë shprehje shumë të gjetura shqiptare që të bëjnë ta shijosh më shumë këtë krijim në gjuhën shqipe.

Naum Prifti në këtë përkthim shpalos pasurinë e gjuhës shqipe. Për një fjalë anglisht asnjëherë nuk përsërit fjalët shqip, por përdor fjalë sinonime ose shprehje të ndryshme me të njëjtin kuptim sipas situatës, që e bëjnë tregimin të rrjedhshëm dhe gjuhën më të larmishme. “Duhet shkuar shumë larg,” përmend diku në kreun e parë.  Më tej përdor: “Duhet shkuar qamet larg”.  Dhe më vonë: “Atëherë kemi shkuar firifiu shumë larg.”

Në krijimin fantastik të Roald Dahl ka shumë aventura dhe autorë të aventurave të cilët në shumicën e rasteve quhen “crazy” (të çmendur).  Naum Prifti e shqipëron këtë tipar të karaktereve për lexuesin shqiptar me epitetet: i krisur, i çaktisur, i lajthitur, apo me shprehjet: I ka ikur fiqiri, ka shkarë nga mendtë, i janë liruar vidat etj. Ndonjëherë, edhe në të njëjtën situatë përdor epitete të ndryshme sinonime për të karakterizuar sa më mirë gjendjen emocionale të personazheve si, u bukosën, u nemitën, u pataksën…..

***

Më pas festa ka vijuar me humor, batuta dhe serenata korçare, ku zë i parë ishte Naumi.Prerja e Tortës nga shkrimtari solli emocione të veçanta dhe të gjithë kënduan së bashku “Shuumë Urimeee…!”

***

 

 

Më 6 mars 1927 lindi shkrimtari nobelist kolumbian Gabriel Garcia Marquez

Gabriel García Márquez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur nobelist kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.

Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.

Tetë vjetët e para të jetës së Markezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë.

Ne vitin 1935 humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12 vjeçarit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942 u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Ne moshën 20 vjeçare fitoi të drejtën e studimit në Universitetin e Bogotá, dega drejtësi. I mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i krahinës se Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve me të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet.

Megjithë pasionin e madh për librat Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte një periudhë ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit liberal Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën “El Universal”.

Në vitin 1949 vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbehej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës “El Espectador” të Santa Fésë një tregim me titull “La tercera resignación”. Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (përkthyer shqip si Gjethurinat) dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi shkruhej që mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi.

Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi. Te gjitha punimet e tij deri në 1956, u publikuan si një libër i vetëm me titull “Relato de un náufrago”, që trazoi skenën politike në vend pasi aty trajtoheshin trafiqet e drogës nëpërmjet detit. Qëndrimi i Markezit ndaj këtij fenomeni gjeti aprovimin e popullit, por provokoi keqas politikanët. Në nëntor të vitit 1956 drejtori i gazetës “El Espectador”, për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin. Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit që ndodhi një vit me pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër. Gjatë jetës në Evrope, ai vizitoi shumë qytete të famshme të kontinentit të vjetër së bashku me mikun Plinio Apuleyo Mendoza. Udhëtimi në fjalë shërbeu si frymëzim për të shkruar “90 días en la cortina de hierro”. Më 1958, pas një qëndrimi në Londër, García Márquez u kthye në Amerikë, për t’u vendosur më pas në Venezuelë.

Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo (lindur në Bogotá në 1959) dhe Gonzalo (lindi në Meksiko në 1962). Më 1961 u transferua në New York ku filloi punën si korrespondent i Prensa Latina. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanëve e shtynë të transferohej në Meksikë. Më 1967 realizoi kryeveprën e krijimtarisë se tij “Cien años de soledad“ (përkthyer shqip si Njëqind vjet vetmi), një libër që shënon kulmin e të ashtuquajturit realizëm magjik. Më 1974 dolën në treg “Ojos de perro azul” dhe “El otono del patriarca” (Vjeshta e patriarkut), dy veprat më komplekse të krijimtarisë së tij, një metaforë e gjerë mbi vetminë, mjerimin si pasojë e pasurimit.

Nga viti 1975, Márquez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë. Më 2002 publikoi vëllimin e parë të Vivir para contarla (Të jetosh për të treguar), ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, të paktën deri tani Memorias de mis putas tristes (përkthyer në shqip nga Mira Meksi me titull Kujtim kurvash të trishta). Aktualisht Gabriel García Márquez jeton në Mexico Disctricto Federal në Meksikë, ku shkruan autobiografinë e vet dhe lufton kancerin limfatik. Ndër veprat e tij me të mëdha përmenden Dashuri në kohërat e kolerës, Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar dhe “Njëqind vjet vetmi” e cila është përkthyer në shqip nga i madhi Robert Shvarc, Gjenerali në labirintin e tij, Erendira etj. Veprat e Markezit në shqip i kanë përkthyer Ramiz Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi e Robert Shvarc.

Tituj të veprave të botuara në Shqipëri

  • Njëqind vjet vetmi, (Cien años de soledad) 1967
  • Vjeshta e patriarkut, (El otoño del patriarca) 1975
  • Varrimi i Nënë Madhes, (Los funerales de la Mama Grande) 1962
  • Histori e Miguel Litinit, ilegal në Kili , (La aventura de Miguel Littín clandestino en Chile) 1986
  • Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë, (El coronel no tiene quien le escriba) 1961
  • Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar, (Crónica de una muerte anunciada) 1981
  • Gjethurinat, (La Hojarasca) 1955
  • Një histori me paskuinë (La mala hora) 1961
  • Dashuri në kohën e kolerës, (El amor en los tiempos del cólera) 1985
  • Gjenerali në labirinthin e tij, (El general en su laberinto) 1989
  • Erendira 1983
  • Për dashurinë dhe demonë të tjerë, (Del amor y otros demonios) 1994
  • Historia e një rrembimi, (Noticia de un secuestro) 1996
  • Kujtim kurvash të trishta, (Memorias de mis putas tristes) 2004
  • Dymbëdhjetë tregime pelegrine, (Doce cuentos peregrinos) 1992
  • Të jetosh për të treguar, (Vivir para contarla) 2002

Lidhje të jashtme

  • Gabriel García Márquez pages
  • Çmimi NobelStampa:Link FA