UGSHPD -Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë Shqiptarë të Diasporës
UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës) shpreh shqetësimin e thellë dhe reagimin e fortë publik ndaj vendimit të Parlamentit për të mos pranuar heqjen e mandatit të deputetes Belinda Balluku, e cila është nën akuzë dhe hetim nga SPAK.
Ky vendim përbën një sinjal alarmant për gjendjen e demokracisë, transparencës dhe respektimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Refuzimi për t’i hapur rrugë drejtësisë që të kryejë detyrën e saj pa pengesa politike sjell dyshime serioze për ndërhyrje politike në proceset e drejtësisë dhe për përdorimin e pushtetit si mburojë për zyrtarë të fuqishëm.
UGSHPD e konsideron këtë zhvillim si një goditje të rëndë ndaj besimit të qytetarëve tek drejtësia dhe tek institucionet demokratike. Në një shtet që synon integrimin europian, askush,pavarësisht postit, pushtetit apo ndikimit politik, nuk mund dhe nuk duhet të vendoset mbi ligjin.
Rasti i deputetes Belinda Balluku, i shoqëruar me akuza serioze nga organi i posaçëm i drejtësisë, kërkon transparencë të plotë dhe një proces të lirë nga çdo presion apo ndikim politik. Çdo pengesë ndaj drejtësisë, çdo përpjekje për të zbehur përgjegjësinë ligjore apo për të mbrojtur politikisht individë të fuqishëm, përbën një precedent të rrezikshëm për shtetin e së drejtës.
UGSHPD thekson me forcë se ndarja e pushteteve është një nga shtyllat themelore të demokracisë. Parlamenti nuk mund te shndërrohet në një mekanizëm mbrojtës për zyrtarët e akuzuar, ndërsa drejtësia të mos pengohet dhe të veprojë e pavarur dhe pa presione politike. Seanca e sotme plenare tregoi pikërisht të kundërtën. Çdo cenim i këtij parimi minon besimin e qytetarëve tek institucionet dhe dobëson themelet e shtetit ligjor.
Si gazetarë dhe profesionistë të medias në diasporë, ne ndjejmë përgjegjësinë morale dhe profesionale për të mbrojtur të vërtetën, transparencën dhe interesin publik. Mbrojtja e së vërtetës nuk është vetëm detyrë profesionale, por edhe një mision qytetar në shërbim të demokracisë. Fakti që jetojmë dhe punojmë në vende me demokraci të konsoliduar si Zvicër, Francë, Itali dhe SHBA që rreshtohen ndër partnerët seriozë të ndërtimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave universale të njeriut. Kjo e bën më tepër se kurrë të ndërgjegjshëm UGSHPD për t’ju drejtuar të gjithë mediave shqiptare brenda dhe jashtë vendit që ta vlerësojnë si duhet rolin e tyre për të mbrojtur të vërtetën, për të luftuar censurën dhe gënjeshtrat e qeverisë aktuale.
UGSHPD dënon çdo formë të favorizimit të të fuqishmëve dhe paralajmëron se drejtësia selektive është një nga kërcënimet më serioze për demokracinë dhe për besimin publik.
UGSHPD i bën thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë që të respektojnë pa asnjë kompromis pavarësinë e drejtësisë dhe të garantojnë që askush të mos mbrohet politikisht nga përgjegjësia ligjore.
Ne gazetarët shqiptarë në diasporë do të vazhdojnë të ndjekin me vëmendje zhvillimet dhe të mbrojnë publikisht parimet e së vërtetës, transparencës, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit.




Komentet