VOAL

VOAL

Kosovë, politika përfshihet në përhapjen e lajmeve të rreme (video)

December 11, 2019

Komentet

Dënimet e shqiptuara në Hagë për luftën e fundit në Kosovë

Doruntina Baftiu

 

128 vjet burgim për shqiptarët, 107 për serbët. Këto janë dënimet e shqiptuara nga gjykatat me seli në Hagë, me korniza të ndryshme juridike, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë. rel

Kandiq: Elita politike në Kosovë paraqiti UÇK-në vetëm në këndin e heronjve, por qendrat e ndalimit kanë ekzistuar

 

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq në emër të tri organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Serbi, HLC, HLCK dhe RECOM, pas vendimit të Dhomave të Specializuara për ish-krerët e UÇK-së, shkroi se ‘qendrat e ndalimit ekzistuan’, edhe pse elita në Kosovë e ka ngulitur narrativën e UÇK-së si lufte për liri kundër forcave serbe.

“Elitat politike të Kosovës kanë ngulitur narrativën e luftës heroike të UÇK-së për liri kundër forcave serbe si pothuajse i vetmi interpretim i pranueshëm i luftës. Kjo narrativë nuk mund t’i ndryshojë faktet e përcaktuara në aktgjykim: vendet e ndalimit ekzistonin, njerëzit keqtrajtoheshin aty dhe shumë prej tyre u vranë ose u zhdukën” – thuhet në reagimin e organizatave.

Në reagim theksohet se etiketimi i dikujt si “bashkëpunëtor” nuk mund të zëvendësojë provat, procesin e rregullt ligjor dhe përcaktimin e përgjegjësisë individuale, dhe as nuk mund të justifikojë rrëmbimin, torturën, zhdukjen ose vrasjen.

Në të njëjtën kohë, në reagim theksohet se pakënaqësia në Kosovë lidhur me mungesën pothuajse të plotë të ndjekjeve penale ndaj oficerëve të lartë të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë para gjykatave serbe është e justifikuar.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Qendra Humanitare për të Drejtën dhe Qendra Humanitare për të Drejtën në Kosovë, forcat serbe vranë 6,872 civilë shqiptarë në Kosovë ndërmjet 20 marsit dhe 14 qershorit 1999.

“Njëzet e shtatë vjet më vonë, asnjë komandant i lartë i Forcave Jugosllave ose MPB të Serbisë nuk është ndjekur penalisht në Serbi për operacionet gjatë të cilave u vranë mijëra civilë, pavarësisht mijëra fakteve të vërtetuara në aktgjykimet e Tribunalit të Hagës lidhur me veprimet e njësive të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe MPB-së dhe lidhjet e tyre me strukturat komanduese të drejtuara nga gjeneralë të cilët përfundimisht u dënuan”.

Në reagim më tej theksohet se një mosveprim i tillë institucional tregon se Serbia vazhdon të mbajë anën e personave të dënuar dhe të mbrojë oficerët e Ushtrisë jugosllave dhe të MPB-së së Serbisë të lidhur me strukturat përgjegjëse për krimet më të rënda ndaj shqiptarëve të Kosovës, në vend që të qëndrojë në anën e viktimave dhe të ndjekë përgjegjësinë penale individuale.

“Por viktimat e krimeve për të cilat, sipas aktgjykimit të gjykimit, mbajnë përgjegjësi ish-krerët e UÇK-së nuk ishin vetëm serbë dhe romë, e as vetëm kundërshtarë politikë të UÇK-së. Ato përfshinin shqiptarë të Kosovës, anëtarë të LDK-së, persona pa përkatësi politike, si dhe anëtarë dhe përkrahës të UÇK-së. Për ta duhet të flitet me emrat e tyre dhe përmes dokumenteve e provave – jo përmes etiketave të vendosura mbi ta për të justifikuar ndëshkimin e tyre”. Kallxo.com

Shqipëria e harruar fillon aty ku shkolla mbetet pa nxënës! – Nga MYQEREM TAFAJ

Viti shkollor 2026–2027 e riktheu vetëm për një ditë në vëmendjen publike zbrazjen e shkollave rurale. Pas klasave kolektive dhe dyerve të mbyllura qëndron jo vetëm shpopullimi, por edhe një pabarazi e thellë arsimore.

Viti shkollor filloi me urime zyrtare, statuse, ceremoni dhe pamje nga oborret e shkollave. Por lajmi më tronditës që përcollën kryesisht mediat joqeveritare ishte tjetër: shkolla që nuk i hapën dyert për mungesë nxënësish, godina me vetëm pak fëmijë dhe klasa kolektive ku mësojnë së bashku nxënës të disa klasave. Në raste të raportuara nga zonat rurale, një shkollë ka vetëm një, dy apo tre nxënës në një klasë; në raste të tjera, fëmijë të klasave të ndryshme zhvillojnë mësim në të njëjtën hapësirë dhe në të njëjtën orë. Kur bashkohen edhe klasat e arsimit të mesëm të ulët, nga klasa e pestë deri në të nëntën, nuk kemi më thjesht një mënyrë të pazakontë organizimi. Kemi një reduktim të skajshëm të së drejtës për arsim cilësor.

Mediat raportuan për gjendjen në shumë rrethe të vendit. Për shëmbull, shumë shkolla të Permetit kishin një numër nxënësh sa gishtat e dorës. Por pasqyra reale dhe ajo e qeverisë ishte e trishtueshme në shumicën e rretheve të vendit. Kjo është Pasqyra reale e Shqipërisë së shpopulluar, e Shpopullimit që tashmë prek fshatrat, zonat e varfra, periferitë dhe qytetet e vogla.

Por problemi është se Shqipëria e zbulon këtë realitet vetëm një ditë në vit: ditën e parë të shkollës. Pastaj kamerat largohen, statistikat shpërndahen nëpër institucione dhe fëmijët mbeten sërish vetëm me pabarazinë e tyre. Shkolla e boshatisur është pasqyra më e qartë e shpopullimit, por edhe institucioni i parë që e përshpejton atë: kur një familje bindet se fëmija nuk mund të marrë arsim cilësor aty ku jeton, largimi bëhet jo vetëm zgjedhje ekonomike, por vendim për të ardhmen e fëmijës.

Kjo gjendje e shpopullimit çon fillimisht në shtimin e klasave kolektive dhe pastaj në mbylljen e shkollave. Por klasa kolektive nuk është barazi e thellë shkollimi. Klasa kolektive mund të jetë një zgjidhje e përkohshme në kushte të jashtëzakonshme dhe për grupmosha të afërta, nëse mbështetet nga mësues të përgatitur, materiale të posaçme dhe teknologji funksionale. Por bashkimi i shumë klasave (sic ndodh rëndom edhe për klasat fillore 5-9), veçanërisht nga klasa e pestë deri në të nëntën, e bën pothuajse të pamundur realizimin e kurrikulës. Një mësues nuk mund të zhvillojë njëkohësisht lëndë kaq të ndryshme, të vlerësojë individualisht nxënësit dhe të krijojë kohën e nevojshme për ushtrime, korrigjim, etj., ndërsa për punë të diferencuar me nxënësit as nuk mund të bëhet fjalë. Pra, fëmija figuron në shkollë, por merr vetëm një pjesë të shkollimit që shteti është i detyruar t’i garantojë.Shkollat e vogla rurale përballen njëkohësisht me mungesë mësuesish me kualifikimin përkatës, mbulim të paplotë të lëndëve, mungesë të mjeteve didaktike dhe, shpesh, kushte të papërshtatshme higjienike.

Në këto zona funksionojnë edhe shkollat e mesme të bashkuara, që përbëjnë një pjesë të arsimit të mesëm të përgjithshëm të vendit. Në shkollat e mesme të bashkuara, mësues të përgatitur për arsimin fillor ose nëntëvjeçar japin shpesh mësim edhe në klasat e gjimnazit. Shkolla të tilla nuk mund të ofrojnë realisht lëndë me zgjedhje dhe as thellimin që kërkon kurrikula në klasat XI dhe XII. Pikërisht këto shkolla arrijnë rezultatet më të ulta në Maturë, me një diferëncë së paku prej 2 notash krahasuar me mesataren e gjimnazeve të zakonshme.

Për pasojë, pabarazia territoriale shndërrohet në prapambetje në shkollim. Analizat e mëparshme të PISA-s dhe të Bankës Botërore kanë treguar një hendek që mund të arrijë rreth 1.5–2 vite shkollimi ndërmjet nxënësve të zonave më të pafavorizuara dhe atyre të Tiranës apo qendrave kryesore. Kjo do të thotë se një nxënës i klasës së nëntë mund të ketë, në kompetencat bazë, një formim të krahasueshëm me atë të një nxënësi të klasës së shtatë në një shkollë të Tiranës apo të 4-5 qyteteve kryesore të vendit. Kjo prapambetje nuk zhduket vetvetiu në gjimnaz; ajo bartet në Maturën Shtetërore, në konkurrimin universitar dhe më pas në tregun e punës.

Pikërisht shkollat e vogla u shndërruan në problemin metodologjik më serioz të pjesëmarrjes së Shqipërisë në PISA 2025 që deformoi rezultatet e testit. Sipas shënimit të OECD-së në raportin e rezultateve të PISA 2025, shkollat me më pak se 21 nxënës 15-vjecarë (kohorti që testohet në PISA) u hoqën nga harta e shkollave të kampionit të përcaktuar nga autoritetet e PISA. Për këtë arsye nuk u përmbushën standardet e kampionimit dhe OECD dhe rezultatet u deformuan, sepse në realitetin shqiptar shkollat shumë të vogla ndodhen në mënyrë disproporcionale në zona rurale, të varfra dhe periferike. Kështu, kufizimi metodologjik prodhoi realisht një përjashtim territorial me pasoja të qarta mbi përfaqësimin kombëtar dhe, për rrjedhojë edhe në rezultatet kombëtare. Rezultatet e PISA 2025 për Shqipërinëjapin informacion për nxënësit e përfshirë në kampion, por jo një pasqyrë plotësisht të krahasueshme të të gjithë 15-vjeçarëve shqiptarë. Nëse pjesa e munguar përfshin në mënyrë joproporcionale shkollat me kushtet dhe rezultatet më të dobëta, mesatarja rrezikon të jetë fiktivisht më optimiste se sa realiteti i vërtetë.

Pasojat e kësaj pabarazie të thellë në shkollim nuk kufizohen te notat. Nxënësi i një shkolle të dobët ka më pak mundësi të arrijë rezultate të mira në shkollë të mesme, të këtë një Maturë më cilësore dhe, për rrjedhojë, më pak mundësi të konkurrojë për mjekësi, mësuesi, inxhinieri, teknologji apo programe të tjera të kërkuara. Familja me të ardhura të ulëta në këto zona të disfavorizuara nuk mund ta kompensojë mangësinë me kurse private, transport të përditshëm ose zhvendosje në qytet. Kriteri i meritës mbetet i drejtë vetëm kur shteti ka garantuar një minimum realisht të krahasueshëm mundësish. Përndryshe, ai mat jo vetëm përpjekjen dhe aftësinë e nxënësit, por edhe rrethin ose „kodin postar“ ku ai ka lindur.

Kjo gjendje prodhon një rreth vicioz. Shkolla e dobët nxjerr më pak maturantë me rezultate të larta; më pak prej tyre hyjnë në programet e mësuesisë, mjekësisë apo profesioneve të tjera; edhe ata që diplomohen rrallë kthehen në zonat ku mungojnë shërbimet. Mungesa e profesionistëve ul më tej cilësinë e jetës dhe nxit largimin e familjeve të reja. Shqipëria e harruar nuk është, pra, vetëm një metaforë politike. Ajo është hapësira ku shteti ofron më pak arsim, më pak shëndetësi dhe më pak mundësi, ndërsa më pas fajëson qytetarin që largohet.

Ndërkohë, komunikimi qeveritar përqendrohet te masa më të dukshme në Tiranë: kamera, digjitalizim apo programi pas mësimit. Siguria në shkollë dhe mbështetja pas mësimit janë të nevojshme, por nuk mund të zëvendësojnë mësuesin e kualifikuar, laboratorin, ujin, ngrohjen, higjienën dhe sigurinë e ushqimit që hyn në shkollë. Modernizimi i disa shkollave në kryeqytet apo në pak qytete të mëdha nuk është politikë kombëtare e mjaftueshme për zhvillimin e arsimit në të gjithë vendin, nëse në pjesën tjetër të vendit një mësues torturohet të japë 5-6 lëndë në klasa kolektive ku mund të jënë edhe nxënës të të gjitha klasave 5-9.Edhe Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2025 mbetet tepër i përgjithshëm për këtë sfidë. Ai evidenton rënien e regjistrimeve, shpenzimet publike për arsimin prej 2.6% të PBB-së kundrejt mesatares 4.6% të BE-së, braktisjen më të lartë në zonat rurale, mangësitë në trajnimin e mësuesve dhe infrastrukturën e vjetruar. Megjithatë, nuk analizon posaçërisht pabarazinë arsimore, klasat kolektive, shkollat e mesme të bashkuara dhe nevojën për riorganizimin territorial të rrjetit shkollor. Për një vend që po zbrazet, ky nuk është problem anësor, por një nga çështjet themelore të cilësisë dhe gjithëpërfshirjes.

Reforma territoriale e largoi de facto vendimmarrjen nga fshati. Reforma territoriale e vitit 2014 dobësoi përfaqësimin dhe kapacitetin vendimmarrës të shumë komuniteteve rurale. Bashkimi i njësive të vogla në bashki shumë më të mëdha nuk u shoqërua me mekanizma të mjaftueshëm që arsimi, transporti dhe shërbimet bazë të planifikoheshin pranë qytetarit. Shkolla e fshatit mbeti shpesh jetime, askush nuk do tia dijë për të, madje zor se administrator I njësisë administrative (për kryetarin e bashkisë as nuk mund të mendohet!) nuk e viziton ndonjëherë një shkollë të tillë, lërë pastaj të interesohet dikush për investime. E shumta ndonjë kryplak mund të ngre zërin për një shkollë të tillë, por është zë I humbur. Mbetet që shpesh vetë mësuesit apo mësuesit e mbetur tëluftojnë vetë për cdo gjë, madje edhe me xhepin e tyre, në mënyrë që shkolla të mbijetojë disi. Kur shkolla mbyllet, komuniteti informohet për pasojën, por rrallë përfshihet në projektimin e zgjidhjes.

Edhe projekti i ri i Partisë Socialiste për reformën territoriale rrezikon ta thellojë këtë prirje, nëse mat efikasitetin vetëm me numrin e bashkive, administratën dhe kursimin financiar. Reforma territoriale duhet të vlerësohet edhe me distancën e fëmijës nga shkolla, kohën e udhëtimit, sigurinë e transportit dhe cilësinë e shërbimit që merr. Një hartë administrative që zvogëlon zërin e komuniteteve të largëta, pa u garantuar shërbime më të mira, përfshirë atë arsimor, nuk është modernizim, por injorim dhe krijon parakushte për shpejtimin e shpopullimit në atë fshat apo zonë.

Por çfarë duhet bërë? Shqipërisë i duhet menjëherë një hartë e re kombëtare e shkollave të arsimit të detyruar dhe e gjimnazeve, e mbështetur në të dhëna demografike dhjetëvjeçare, jo në vendime të rastit. Qëllimi nuk duhet të jetë mbajtja artificiale e çdo shkolle hapur, por garantimi që çdo fëmijë të ketë qasje të sigurt në një shkollë me masë të mjaftueshme kritike nxënësish në klasë, pa klasa kolektive në klasat 5-9, mësues të kualifikuar, bazë didaktike dhe kurrikulë të plotë, dhe me kushte normale mësimi dhe të higjënës. Përqendrimi i nxënësve në shkolla funksionale duhet të shoqërohet me transport publik shkollor falas, të sigurt e të monitoruar dhe, për zonat e thella, me konvikte për arsimin e mesëm. Lypse politika të diferencuara për mësuesit: bonuse reale për zonat e vështira, strehim, transport, kontrata disa-vjeçare, mentorim dhe zhvillim profesional të lidhur me nevojat e klasave shumë-nivelëshe. Financimi “i barabartë” për nxënës nuk mjafton; barazia reale kërkon më shumë burime për shkollën që nis nga kushtet më të pafavorshme.Qeveria duhet të sigurojë strategjinë, financimin dhe standardet; bashkitë të organizojnë transportin, konviktet dhe mirëmbajtjen. Prindërit dhe komunitetet duhet të marrin pjesë në çdo vendim për bashkimin ose zhvendosjen e një shkolle.

Në fund, PISA 2025 rikujton një të vërtetë që qeveria vazhdon ta injorojë: rezultatet e arsimit ndërtohen gjatë një dekade, ndërsa mandatet qeverisëse zgjasin katër vjet. Shqipërisë i nevojitet një strategji kombëtare 10–15-vjeçare, me objektiva të matshëm për kompetencat bazë, zvogëlimin e diskriminimt rajonal/territorial, cilësinë e mësuesve, sigurinë dhe infrastrukturën. Një Këshill Kombëtar i Arsimit, profesional dhe me mandat shumëvjeçar, mund të monitorojë vazhdimësinë përtej alternimeve politike.

Shkolla me pesë nxënës nuk është vetëm një statistikë e shpopullimit. Ajo është prova nëse shteti arrin ta mbrojë të drejtën e fëmijës edhe atje ku votuesit janë pak, kamerat mungojnë dhe kostoja për nxënës është më e lartë. Nëse Shqipëria vazhdon ta kujtojë këtë realitet vetëm në ditën e parë të vitit shkollor, atëherë “Shqipëria e harruar” nuk është harruar rastësisht. Ajo është lënë jashtë politikave publike.

BIRN: Censurë, IA dhe deepfake! Lufta online rreth ‘Revolucionit të Flamingove’

Protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove” e zhvendosën betejën nga rruga drejt rrjeteve sociale, ku zërat e aktivistëve, gazetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës u tentuan të mbyteshin përmes metodave të targetimit të koordinuar.

Prej fillimit të qershorit, aktivistja dhe ekspertja e komunikimit, Alesia Burnazi e ka kthyer llogarinë e saj në Instagram në një dritare raportimi nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Me një telefon celular në dorë dhe një mikrofon të vogël “mizë”, Burnazi nisi të raportonte mbi protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove” për të mbushur sadopak boshllëkun informativ të krijuar nga bojkoti i mediave tradicionale.

Por ajo gjeti një audiencë të re në Instagram dhe e vazhdoi raportimin live, shpeshherë e ngjitur mbi ndonjë bllok betoni apo vazo lulesh përgjatë bulevardit për të siguruar pamje më gjithëpërfshirëse të protestës.

Por sulmet nuk vonuan të shfaqeshin.

Burnazi u targetua fillimisht nga përfaqësues të qeverisë dhe nga profile anonime, të cilët e akuzuan atë për manipulimin e videove me qëllim rritjen e numrit të protestuesve, një akuzë që ajo e konsideron qesharake.

Më pas në fund të gushtit, dhjetë video me pamje nga protesta u fshinë nga profili i saj në Instagram me pretekstin e shkeljes së të drejtës së autorit – ndërsa më 3 shtator, llogaria u çaktivizua tërësisht pa asnjë shpjegim.

“Ky ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe gazetarisë së pavarur,” thotë Burnazi.

E nisur si një protestë spontane kundër planeve të qeverisë për të ndërtuar një resort turistik masiv në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, “Revolucioni i Flamingove” u kthye shpejt në protestën më të madhe anti-qeveritare të ndodhur në Shqipëri që prej rënies së regjimit komunist në fillim të viteve ’90.

Megjithatë, beteja nuk po zhvillohet vetëm në rrugë, por është zhvendosur gjithashtu në hapësirën vortuale të rrjeteve sociale.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se përgjatë protestave maratonë u përdorën si armë një mori mjetesh për të mbytur zërat kritikë; duke përfshirë qindra profile anonime, Inteligjencën Artificiale, teknologjinë deepfake dhe sulmet e sofistikuara për të censuruar online dhjetra aktivistë, gazetarë, përfaqësues të opozitës, platforma qytetare dhe llogaritë në Instagram të mediave të mëdha.

Organizata globale “Repro Uncensored” që dokumenton censurën digjitale në dëm të lirisë së shprehjes e klasifikon “Revolucionin e Flamingove” si shembullin më të dukshëm të përpjekjeve për të mbytur zërat kritikë në një shoqëri, ndonëse aktorët malinjë janë ende të paidentifikuar.

“Shqipëria mund të jetë shembulli më i qartë që kemi dokumentuar, por pyetjet shtrihen përtej një vendi të vetëm,” thotë Martha Dimitratou, drejtoresha ekzekutive e “Repro Uncensored”.

“Nëse aktorë të koordinuar mund të shfrytëzojnë sistemet e platformave për të fshirë aktivistë, gazetarë, media të mëdha dhe përfaqësues të zgjedhur nga debati publik, kjo krijon një model që mund të riprodhohet kudo,” shtoi ajo, duke e konsideruar këtë një lajm të keq për demokracinë në Shqipëri dhe përtej.

IA, një thikë me dy presa

rama ia
Dy protestuese me pankartë në duar. Foto: LSA.

“Revolucioni i Flamingove” në Shqipëri po ndodh paralelisht me revolucionin e Inteligjencës Artificiale – një mjet i ri i përdorur gjerërisht nga aktivistët për të prodhuar përmbajtje kreative dhe ironizuese në adresë të klasës së vjetër politike që dominon prej tre dekadash vendin.

Por Inteligjenca Artificiale është një thikë me dy presa; ajo u përdor gjithashtu për të shpërndarë dezinformim dhe informacione të rreme rreth protestuesve dhe protestës.

Përmes një kërkimi online, BIRN identifikoi me dhjetra raste kur Inteligjenca Artificiale u përdor për të përhapur informacione të rreme, të cilat u amplifikuan më pas përmes faqeve apo profileve anonime.

Kjo konfirmohet edhe nga eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj, i cili thekson se sistemet e IA e kanë identifikuar ‘Revolucionin Flamingo” si një nga zhvillimet kryesore në Shqipëri.

”IA ka qenë pjesë e ekosistemit të komunikimit online rreth protestës, sidomos për krijimin dhe përpunimin e përmbajtjeve,” tha për BIRN Semanaj, një mbështetës i protestës.

“Por duhet bërë një dallim, përdorimi i IA për komunikim apo krijim përmbajtjeje është një gjë, përdorimi i IA si armë për censurim apo sulm ndaj protestuesve është diçka tjetër. Protestuesit po e përdorin për kreativitet, kurse qeveria për dezinformim,” shtoi ai.

Të njëjtin mendim ndan edhe Alba Brojka, eksperte e Politikave Digjitale. Brojka thotë se në të dyja kampet ka pasur një përdorim të Inteligjencës Artificiale, por qëllimet kanë qenë të ndryshme.

“Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në protestë ka qenë masiv dhe kjo jo vetëm sepse protestuesit dhe çdo aktor ka zgjedhur ta përdorë, por shkon edhe sipas trendit global,” tha Brojka.

Brojka kujton rastet kur përmes mjeteve të komunikimit u shpërndanë imazhe të falsifikuara, të njohura si deepfake për të ushqyer narrativën e ndërhyrjes së aktorëve të huaj gjatë protestës.

“Fotoja e njerëzve që pretendohej se vinin me autobusë nga Greqia ishte një deepfake e hedhur online specifikisht për të manipuluar opinionin publik dhe për t’i shërbyer një lloj narrative dhe një argumenti të qarkulluar si nga qeveria, qoftë edhe nga mbështetësit e kampit tjetër jo protestues,” theksoi Brojka.

Pas përdorimit të deepfake, fushatave të dezinformimit dhe sulmeve digjitale qëndron një problem më i thellë, që lidhet me mungesën e rregullimit ligjor. Sipas Brojkës, në Shqipëri mungon një kuadër rregullator i mirëfilltë për të kërkuar llogari apo transparencë mbi mënyrën se si përdoren këto sisteme.

“Ne për momentin përdorimin e IA e kemi të rregulluar vetëm në strategjinë kombëtare të digjitalizimit 2022-2026 dhe nuk kemi akoma një strategji për IA,” tha Brojka.

Për të njëjtën çështje ekzistojnë gjithashtu dy drafte ligjore të hedhura për konsultim, por mungesa e legjislacionit të miratuar e bën të vështirë transparencën mbi mënyrën se si po përdoret Inteligjenca Artificiale.

Censurë digjitale

memet e protestes
Disa nga memet e ekspozuara në bulevard në ditën e 100 të protestave. Foto: LSA.

Në fillim të shtatorit, dhjetra llogari në Instagram u çaktivizuan pa asnjë paralajmërim nga kompania Meta, mes të cilëve aktivistë, gazetarë, përfaqësues të opozitës si dhe faqet e mediave Euronews Albania dhe Citizens.al.

Organizata “Repro Uncensored” ka verifikuar të paktën 70 raste – të gjitha të lidhura me “Revolucionin e Flamingove”. Por ajo beson se shkalla e vërtetë mund të arrijë disa qindra.

Qeveria shqiptarë ka mohuar çdo përfshirje të mundshme në këto përpjekje dhe Dimitratou thotë se nga hetimet e deritanishme, nuk ka prova konkrete që implikojnë qeverinë apo ndonjë instutucion publik.

Megjithatë, faktet flasin për një targetim të koordinuar, ku rastet e verifikuara lidhen me të njëjtën protestë, me ankesa të përsëritura për të drejta autori brenda periudhave të shkurtra dhe me llogari zëvendësuese të targetuara pas çaktivizimit të llogarive origjinale.

Për më tepër, Dimitratou i tha BIRN se kanë siguruar komunikime ku një raportues pranon se ishte paguar 1,800 dollarë në kriptomonedhë për të targetuar disa llogari, ndërsa kishte përdorur një numër telefoni të regjituar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa personat e targetuar besojnë se fushata mund të jetë e motivuar politikisht, Dimitratou thotë se po vazhdojnë hetimet për të zbuluar se kush e ka urdhëruar dhe financuar fushatën e fshirjes së llogarive të mbështetësve të protestës në Instagram.

Shqetësimi shkon megjithatë përtej zbulimit të autorëve dhe rastit të Shqipërisë.

“Meta duhet t’i trajtojë këto raste si një model të koordinuar dhe jo si një koleksion gabimesh të izoluara në zbatim, të ruajë të gjitha të dhënat përkatëse dhe të hetojë kush e ka urdhëruar dhe financuar aktivitetin e raportimit,” thotë Dimitratou.

“Pa transparencë, masa mbrojtëse domethënëse dhe llogaridhënie, infrastruktura e platformave mund të kthehet në një mjet të gatshëm për të shtypur opozitën politike, raportimin e pavarur dhe pjesëmarrjen demokratike,” theksoi më tej ajo.

Në të njëjtën linjë, edhe Semanaj flet për targetim të koordinuar në rastin e çaktivizimit të llogarive në Instagram, me qëllimin e shtypjes së zërave kritikë në mbështetje të “Revolucionit të Flamingove”.

Përveç anës teknike, Semanaj vë në dukje edhe kontrastin e thellë në mënyrën se si institucionet shtetërore reagojnë kur preken interesat e qeverisë kundrejt rasteve kur targetohen zërat kritikë.

“Një gjë tjetër shqetësuese është standardi i dyfishtë i qeverisë. Kur u prekën bizneset pranë saj nga komentet në Google, qeveria ngriti në këmbë çdo institucion dhe kontaktoi Google-in. Për rastin e llogarive të protestuesve, nuk u bë asgjë. Thjesht deklaroi Rama se ‘nuk e kemi bërë ne,” theksoi ai./ BIRN

Historiani Konrad Clewing- Çfarë do të thotë vendimi i Hagës për UÇK-në?

A e ndryshon vendimi i Hagës mënyrën si duhet parë UÇK-ja? Historiani Konrad Clewing flet për fajin individual, luftën e Kosovës dhe kufijtë e gjykimit historik.

DW: Zoti Clewing, Gjykata Speciale i shpalli Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin fajtorë për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Si e vlerësoni këtë vendim si historian?

Konrad Clewing: Nga njëra anë, gjykata arriti më mirë se prokuroria të dallojë përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Prokuroria kishte kërkuar nga 45 vjet burg për secilin prej të katërve. Gjykata tani bën një diferencim më të madh dhe arrin në dënime shumë të ndryshme. Megjithatë, për mua si historian mbetet një vështirësi themelore. Gjykata vazhdon të punojë me konceptin e “Joint Criminal Enterprise”, pra të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Dhe këtu, sipas meje, ekziston rreziku që përgjegjësia individuale dhe përgjegjësia e një grupi të shkrihen sërish me njëra-tjetrën. Dhe  sipas mendimit tim, vendimi nuk e merr sa duhet parasysh strukturën e veçantë të një lufte guerile.

 

DW: Në ç’kuptim?

Clewing: Një pikë që mua, si historian, më duket veçanërisht e çuditshme është kjo: në rastin e Thaçit, gjykata cakton një dënim individual prej 15 vjetësh për arrestim dhe privim lirie të paligjshëm ose arbitrar. Këtë e konsideroj historikisht të rëndësishme. Si mund të veprojë ushtarakisht një forcë guerile që nuk mund të marrë askënd rob?

Një pikë e dytë lidhet me dënimin e Rexhep Selimit. Sipas mënyrës se si e lexoj unë arsyetimin e vendimit, atij i atribuohet përgjegjësi edhe për faktin se ka marrë pjesë në ndarjen e zonave operative dhe, si rrjedhojë, edhe për burgjet e paligjshme që ekzistonin në këto zona. Si historian, këtu shoh një problem: vetë fakti që dikush ka marrë pjesë në ndarjen e zonave ushtarake nuk mund të përbëjë krim në vetvete. Vendimtare është se çfarë përgjegjësie konkrete ka pasur ai për burgjet e paligjshme dhe për krimet e kryera aty.

Interesante ishte edhe se gjatë caktimit të dënimit, gjykatësi tha se lartësia e dënimeve duhet të japë edhe një sinjal për komunitetin ndërkombëtar dhe jurisprudencën ndërkombëtare. Natyrisht, është e rëndësishme të thuhet: dhuna e paligjshme dhe vrasjet ndëshkohen. Por nuk mund të jetë qëllimi që luftërat partizane dhe guerile të bëhen praktikisht të pamundura. Përndryshe, edhe dikush që bën rezistencë për një kauzë sado të drejtë do ta kishte pothuajse të pamundur të merrte përgjegjësi ushtarake në një luftë guerile.

DW: Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Brendshëm, Ivica Dačić, e sheh këtë vendim si dëshmi se UÇK-ja ka qenë një “organizatë kriminale dhe terroriste”. A fiton me këtë vendim më shumë peshë edhe narrativa e Milosheviçit për luftën?

Clewing: Vetë gjykata thotë se nuk ka gjykuar legjitimitetin e luftës. Dhe ajo nuk është përpjekur as t’i vërë krimet e UÇK-së në peshore me krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.Ky vendim përcakton përgjegjësinë individuale të personave konkretë. Nga kjo nuk mund të nxirret automatikisht një vlerësim historik për gjithë luftën. Edhe pavarësia e Kosovës, sipas meje, nuk preket në legjitimitetin e saj nga ky vendim. Shumica shqiptare në Kosovë, pas viteve të represionit, kishte arsye shumë të forta për të mos dashur më të ishte pjesë e Serbisë. Në këto arsye historike vendimi i sotëm nuk ndryshon asgjë.

Turmë njerëzish në një tubim, me flamuj të kuq me emblemën e UÇK-së. Në qendër shihet një flamur i madh i UÇK-së, ndërsa përreth ka pjesëmarrës, gazetarë dhe kamera.

Prishtinë 2026: Marrshim në Prishtinë për lirimin e ish-udhëheqësve të UÇK-sëFotografi: Ermal Meta/Matrix Images/picture alliance

DW: Gjermania i ka mbështetur politikisht dhe financiarisht Dhomat e Specializuara të Kosovës. A çon ky vendim tani në një rivlerësim të bashkëpunimit të atëhershëm të Perëndimit me UÇK-në?

Clewing: Së pari duhet parë kronologjia. Pjesa dërrmuese e veprave për të cilat ata janë dënuar tani kanë ndodhur në pranverën e vitit 1999. Para kësaj, me sa shoh unë, kishte vetëm pak raste relevante. Nëse do të thoshim se që atëherë duhej thënë: me ju nuk bashkëpunojmë, sepse jeni kriminelë, atëherë do ta bënim kusht për bashkëpunimin që një palë në luftë t’i kishte duart krejtësisht të pastra. Në një luftë është praktikisht e pamundur t’i mbash duart krejtësisht të pastra. Prandaj edhe këtu duhet parë dinamika e përgjithshme e luftës: kronologjia, krimet e palëve të ndryshme dhe pyetja se me kë bashkëpunon në këto rrethana dhe kujt i jep mbështetje.

Detajet e verdiktit për ish-krerët e UÇK-së: Çka konstatoi trupi gjykues?

Trupi gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë, më 16 shtator 2026.

Doruntina Baftiu

Mbi 41 muaj pas nisjes së procesit gjyqësor, Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, më 16 shtator i shpalli fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Pas dëshmimit të 273 dëshmitarëve, dhe vlerësimit të gati 5.500 provave materiale, ata u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Thaçi, ish-president i Kosovës, dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan me nga 25 vjet burgim. Veseli, po ashtu ish-kryetar i Kuvendit, u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Selimi, ish-deputet, me 13 vjet.

Në anën tjetër, të katërt u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë.

Të pafajshëm u shpallën edhe për një numër incidentesh specifike që ishin listuar në aktakuzë, brenda akuzave për krime lufte.

Çfarë u konstatua për akuzat për krime lufte?

Sipas trupit gjykues, midis prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, anëtarë të UÇK-së privuan arbitrarisht nga liria së paku 385 persona që i akuzonin se ishin “kolaboracionistë”, “spiunë” apo “tradhtarë”.

Në shumicën e rasteve, tha trupi gjykues të mërkurën, nuk kishte prova se këta persona ishin përfshirë në veprimtari kriminale, luftime apo veprimtari që do të përbënin shqetësim legjitim sigurie.

Të ndaluarit nuk u informuan zyrtarisht për arsyet e ndalimit, nuk dolën pa vonesë para një gjyqtari ose autoriteti tjetër kompetent, dhe nuk iu dha mundësia të kundërshtonin ligjshmërinë e ndalimit.

Në lidhje me trajtimin e të ndaluarve, trupi gjykues konstatoi se të ndaluarit mbaheshin në kushte të rënda, në dhoma të mbipopulluara, pa ushqim dhe ujë të mjaftueshëm, pa kujdes shëndetësor dhe, në disa raste, të lidhur me zinxhirë ose pranga.

Gjykata konstatoi, gjithashtu, se shumë prej tyre ishin rrahur me shkelma, qyta të pushkëve, shkopinj, shufra metalike dhe mjete të tjera. Disa thuhet se u detyruan të shikonin keqtrajtimin e të ndaluarve të tjerë, ndërsa disa iu nënshtruan ekzekutimeve të simuluara dhe kërcënimeve për vrasje.

Në 49 raste, Gjykata konstatoi trajtim mizor, ndërsa 303 persona tha se ishin torturuar.

Në rastin e vrasjeve, trupi gjykues konstatoi se së paku 96 persona ishin vrarë nga anëtarë të UÇK-së në 12 komuna të Kosovës dhe në një lokacion në Shqipërinë veriore. Viktimat, sipas Gjykatës, ishin vrarë me armë zjarri ose kishin vdekur si pasojë e rrahjeve brutale.

Shfajësimi për krime kundër njerëzimit

Ndryshe nga krimet e luftës, për të cilat trupi gjykues gjeti përgjegjësi penale të të akuzuarve, për krimet kundër njerëzimit ai konstatoi se nuk ishin përmbushur të gjitha kushtet që kërkon ligji.

Gjykata konstatoi se anëtarë të UÇK-së kishin kryer akte dhune dhe keqtrajtimi ndaj civilëve në Kosovë dhe në disa zona të Shqipërisë veriore. Sipas saj, këto akte ishin pjesë e një sulmi të përhapur ose sistematik.

Por, për t’u cilësuar juridikisht si krime kundër njerëzimit, nuk mjafton që aktet të jenë të shumta ose të organizuara. Duhet të provohet edhe se sulmi ishte i drejtuar kundër një popullate civile. Pra, se civilët ishin shënjestër, si pjesë e një grupi të caktuar dhe jo vetëm individë të veçantë.

Pikërisht këtë element, sipas trupit gjykues, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk arriti ta provonte përtej dyshimit të arsyeshëm. Gjykata vlerësoi se viktimat ishin përzgjedhur kryesisht për arsye individuale – për shembull, për shkak të identitetit, veprimeve ose lidhjeve të tyre të pretenduara – dhe jo sepse i përkisnin një popullate civile që ishte shënjestruar në tërësi.

Prandaj, edhe pse Gjykata konstatoi një sulm të përhapur ose sistematik ndaj civilëve, ajo nuk gjeti të provuar elementin e nevojshëm që ai sulm të përbënte krime kundër njerëzimit. Si rrjedhojë, të katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për gjashtë pikat e tilla.

Gjykata konstatoi “qëllim të përbashkët kriminal”

Trupi gjykues konstatoi se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, së bashku me persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, kishin si qëllim pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik e institucional mbi një Kosovë të pavarur.

Sipas gjykatës, për realizimin e këtyre objektivave, ata kishin një qëndrim të përbashkët se disa persona që konsideroheshin pengesë për qëllimet e tyre duhej të “shënjestroheshin”, “eliminoheshin” ose “neutralizoheshin”.

Këta persona thuhet se përfshinin, ndër të tjera, anëtarë ose përfaqësues të forcave të tjera politike dhe ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), persona që konsideroheshin të lidhur me autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rome dhe serbe.

Gjykata konstatoi se ky qëllim i përbashkët ishte zbatuar përmes vrasjeve, arrestimeve dhe ndalimeve pa proces të rregullt ligjor, si dhe keqtrajtimit fizik e psikologjik, frikësimit dhe përdorimit të asaj që në aktgjykim quhet “luftë speciale”.

Trupi gjykues tha se krimet nuk ishin rezultat vetëm i hakmarrjeve personale, bandave apo veprimeve të izoluara, por ishin pjesë e një plani që, sipas tij, ishte hartuar nga të akuzuarit dhe persona të tjerë dhe ishte zbatuar gjatë konfliktit.

Gjykata gjithashtu listoi një numër figurave të tjera të njohura të UÇK-së – Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Shukri Buja dhe Sabit Geci – për të cilat tha se ishin në dijeni për këtë qëllim të përbashkët kriminal dhe se kishin rënë dakord me të, si dhe kishin marrë pjesë në realizimin e tij.

Megjithatë, aktgjykimi thekson se ndaj këtyre shtatë personave nuk është bërë konstatim fajësie në këtë çështje, dhe se ata vazhdojnë të kenë të drejtën të prezumohen të pafajshëm.

Si e përcaktoi Gjykata përgjegjësinë e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit?

Gjykata konstatoi se katër të akuzuarit kishin dhënë kontribut të qenësishëm në zbatimin e këtij qëllimi të përbashkët dhe, mbi këtë bazë, i gjeti penalisht përgjegjës për katër krimet e luftës.

Në rastin e Thaçit, gjykata tha se ai kishte luajtur rol kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët, ndërsa konstatoi se kishte marrë pjesë edhe personalisht në disa prej krimeve, përfshirë rastin e Behajdin Allaqit.

Sipas trupit gjykues, më 11 qershor 1998, Behajdin Allaqi u mor në pranga në shtabin e UÇK-së në Drenoc, pak pasi aty mbërritën Thaçi dhe Veseli. Ai nuk u pa më, dhe trupi gjykues konstatoi se ishte vrarë.

Para zhdukjes, Allaqi kishte qenë nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Gjykata konstatoi gjithashtu se pas vrasjes, për të fshehur përgjegjësinë, u publikua Komunikata 61 e UÇK-së, e cila pretendonte se Allaqi kishte rënë dëshmor në betejë.

Pas luftës, sipas aktgjykimit, Thaçi, Veseli dhe Azem Syla u përpoqën ta bindnin familjen e tij të hiqte dorë nga kërkimi i drejtësisë dhe së vërtetës, përmes ofertave për ryshfet dhe premtimeve.

Për Veselin, gjykata veçoi pozitën e tij si shef i Drejtorisë së Zbulimit të UÇK-së, organ që, sipas konstatimeve, kishte përgjegjësi për identifikimin, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave të dyshuar si “kolaboracionistë”. Gjykata tha se ai nuk ndërmori hapa për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e krimeve, megjithëse kishte dijeni për to.

Për Selimin, trupi gjykues konstatoi se ai kishte kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit të përbashkët. Gjykata vuri në dukje se pozita e tij si inspektor i përgjithshëm i UÇK-së i jepte më pak pushtet mbi anëtarët e tjerë të organizatës, krahasuar me disa prej të akuzuarve të tjerë.

Ndërsa për Krasniqin, gjykata konstatoi se ai kishte përdorur pozitën, rolin si udhëheqës, pushtetin dhe statusin e tij për zbatimin e aspekteve kriminale të qëllimit të përbashkët.

Çfarë tani?

Aktgjykimi mund të apelohet dhe avokatët e katër të dënuarve kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë atë në shkallën e apelit.

Avokati i Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e cilësoi aktgjykimin si “tallje me drejtësinë” dhe tha se mbrojtja do të kërkojë rrëzimin e tij në apel.

Ai paralajmëroi se procesi i apelit mund të zgjasë me vite.

 

 

Pas Ballukut, protestuesit kapin “mat” në rrugë edhe Olta Xhaçkën: O hajdute, ju erdhi fundi!

Pasi kanë kapur mat në rrugët e Tiranës Belinda Ballukun dhe Taulant Ballën, protestuesit këtë herë janë përballur me Olta Xhaçkën. Sapo e kanë parë Xhaçkën, protestuesit kanë thirrur në kor “Hajdutë”, “Ju erdhi fundi”.

Xhaçka shihet teksa largohet me vrap, kur sheh se po e ndjekin protestuesit.

Madje, në një moment protestuesit i thërrasin edhe në emër socialistes:“O Olta o hajdute”.

Olta Xhaçka ka qenë një emër i lakuar për akuza për korrupsion. bw

Hoti me një gur vret dy zogj: ta çajë LDK-në dhe ta çojë shtetin në zgjedhje pa fund!

Inati më i madh se Dardania

Hotit sërish i erdhi “vera kah dera”.

Ai, me trojkën e tij primare, respektivisht me gjashtëshen e turpit, me një gur mund të vrasë dy zogj:

ta çajë LDK-në dhe ta çojë shtetin në zgjedhje pa fund.

Misionin e trojkës e admirojnë opozitarët dhe e presin me ankth e padurim,

duke refuzuar pafundësisht funksionimin e shtetit dhe duke shpresuar se ky është i vetmi opsion që u ka mbetur në këto kohë të turbullta,

kur votuesi i ka braktisur masovikisht.

Pyetja është e thjeshtë dhe vendimtare:

A do ta zgjedhin presidentin gjashtë votat e dëshiruara dhe kritike të inatmëdhenjve?

A do ta shpëtojnë LDK-në nga falimentimi politik dhe shtetin nga agonia,

apo, nga inati, do të hidhen si kamikazë dhe do ta përmbysin veten, partinë dhe vendin?

Kur inati bëhet më i madh se Dardania,

nuk rrëzohet vetëm një parti por edhe më keq, rrezikon të plagoset edhe shteti.

Tezat themelore të rishikimit të strategjisë shqiptare në transformimin e marrëdhënieve transatlantike- Nga Dr. Sadri RAMABAJA

 


Hyrje: Drejt një doktrine të re strategjike shqiptare në epokën e transformimit të marrëdhënieve transatlantike

Transformimet e thella që po përjeton sistemi ndërkombëtar po sinjalizojnë fundin gradual të modelit strategjik që ka dominuar marrëdhëniet transatlantike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Lufta në Ukrainë, rivaliteti sistemik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, rikthimi i Rusisë si fuqi revizioniste, krizat energjetike, sfidat teknologjike dhe presioni mbi financat publike të demokracive perëndimore po e shtyjnë Uashingtonin drejt një rishqyrtimi të rolit të tij global dhe, në veçanti, të marrëdhënieve me Evropën.

Në këtë kontekst, analiza e Dr. Jakub Grygiel nuk duhet lexuar thjesht si një debat mbi politikën e jashtme amerikane. Ajo përfaqëson një reflektim më të gjerë mbi mënyrën se si mund të rikonfigurohet arkitektura euroatlantike e sigurisë në dekadat e ardhshme.

Pesë pyetjet strategjike që ai shtron – mbi integrimin evropian, pozicionimin ushtarak amerikan, zgjedhjen e partnerëve kryesorë, shkallën e ndërhyrjes në politikën evropiane dhe autonominë ushtarake të Evropës – nuk kanë rëndësi vetëm për Uashingtonin. Ato krijojnë një kornizë të re analitike brenda së cilës edhe shtetet e vogla dhe të mesme duhet të rishikojnë supozimet mbi të cilat kanë ndërtuar strategjitë e tyre kombëtare.

Për hapësirën shqiptare, kjo përbën një moment me rëndësi të veçantë historike. Për më shumë se tri dekada, strategjia shqiptare është mbështetur mbi premisën se integrimi euroatlantik dhe garancitë e sigurisë të ofruara nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara përbënin boshtin pothuajse të pandryshueshëm të politikës kombëtare. Ky orientim ishte jo vetëm i drejtë, por edhe vendimtar për mbijetesën politike të Kosovës, për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe për stabilitetin e rajonit.

Megjithatë, ndryshimi i mjedisit ndërkombëtar kërkon kalimin nga një kulturë strategjike e mbështetur kryesisht mbi pritjen e garancive të jashtme drejt një kulture të re, të bazuar në prodhimin e kapaciteteve kombëtare dhe në kontributin aktiv në sigurinë kolektive.

Aleancat nuk po humbasin rëndësinë e tyre; përkundrazi, ato po bëhen më selektive dhe më kërkuese ndaj anëtarëve të tyre. Në rendin e ri që po merr formë, pesha politike e një shteti do të matet gjithnjë e më shumë nga aftësia për të prodhuar siguri, për të ndërtuar reziliencë ekonomike e teknologjike dhe për të ofruar vlerë strategjike për aleancën.

Kjo nënkupton se edhe faktori shqiptar duhet ta rishikojë paradigmën mbi të cilën ka ndërtuar mendimin e tij strategjik. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të konceptohen më vetëm si përfitues të arkitekturës euroatlantike të sigurisë, por duhet të synojnë të shndërrohen në aktorë që kontribuojnë në mënyrë të matshme në stabilitetin e Krahut Juglindor të NATO-s dhe të Evropës.

Dhjetë tezat që parashtrohen në vijim nuk përbëjnë një program qeveritar dhe as një platformë partiake. Ato janë një përpjekje për të formuluar elementet themelore të një doktrine të re strategjike shqiptare, të aftë për t’iu përgjigjur transformimeve të rendit ndërkombëtar dhe për të orientuar mendimin politik, akademik dhe institucional drejt një vizioni afatgjatë. Në thelb, ato synojnë të nxisin debat mbi mënyrën se si kombi shqiptar mund të kalojë nga pozita e një subjekti që kërkon mbrojtje, në një faktor që prodhon siguri, stabilitet dhe peshë strategjike në hapësirën euroatlantike.

Nëse shekulli XX ishte epoka e mbijetesës dhe e afirmimit të çështjes shqiptare, atëherë sfida e shekullit XXI është ndërtimi i kapaciteteve që e bëjnë faktorin shqiptar një komponent të pazëvendësueshëm të arkitekturës së re të sigurisë evropiane. Pikërisht mbi këtë premisë ndërtohen dhjetë tezat e mëposhtme.

Nga transformimi i marrëdhënieve transatlantike drejt një doktrine të re strategjike shqiptare

Duke u mbështetur në analizën e Dr. Jakub Grygiel,[1] por duke e lexuar atë nga perspektiva e interesit kombëtar shqiptar (Shqipëri–Kosovë, koha është të formulohet një platformë strategjike e re shqiptare. Thelbi i saj nuk duhet të jetë përshtatja pasive ndaj ndryshimeve transatlantike, por pozicionimi aktiv i faktorit shqiptar si pjesë e arkitekturës së re të sigurisë në Evropën Juglindore.

Në këtë kuadër, doktrina e re strategjike shqiptare duhet të përfshijë si objektiv afatgjatë transformimin gradual të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës drejt një bashkësie të integruar politike, ekonomike, të sigurisë dhe të politikës së jashtme, që në perspektivë mund të marrë formën e një Federate Shqiptare, të ndërtuar mbi vullnetin demokratik të qytetarëve të të dy shteteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Në këtë kuptim, Federata Shqiptare nuk paraqitet si një projekt revizionist territorial, por si faza më e avancuar e integrimit funksional të hapësirës shqiptare në kuadrin e rendit të ri evropian.

Më poshtë janë tezat themelore që, sipas meje, mund të përbëjnë bazën e një doktrine të re strategjike shqiptare.

Teza I

Nga “objekt sigurie” në “prodhues sigurie”

Për tri dekada politika shqiptare është ndërtuar mbi supozimin se siguria garantohet kryesisht nga SHBA-ja dhe NATO.

Transformimet aktuale sugjerojnë se aleatët do të gjykohen gjithnjë e më shumë sipas aftësisë së tyre për të prodhuar siguri dhe jo vetëm për ta konsumuar atë.

Prandaj objektivi strategjik shqiptar duhet të jetë:

  • ndërtimi i kapaciteteve ushtarake moderne;
  • rritja e industrisë së mbrojtjes;
  • zhvillimi i aftësive në fushën kibernetike;
  • inteligjenca strategjike;
  • mbrojtja civile.

Në këtë mënyrë faktori shqiptar shndërrohet në eksportues stabiliteti.

Teza II

Rishikimi i partneriteteve strategjike në përputhje me evolucionin e Krahut Lindor të NATO-s

Analiza e Dr. Jakub Grygiel argumenton se qendra e gravitetit të strategjisë amerikane në Evropë po zhvendoset gradualisht nga boshti tradicional franko-gjerman drejt Krahut Lindor të NATO-s dhe shteteve të Evropës Qendrore e Veriore. Ky zhvillim nuk nënkupton zëvendësimin e aleancave tradicionale transatlantike, por përshtatjen e tyre me realitetet e reja të sigurisë evropiane.

Për interesin strategjik shqiptar kjo nuk përkthehet në një zhvendosje të boshtit të politikës së jashtme, por në një zgjerim dhe diversifikim të rrjetit të partneriteteve strategjike.

Në këtë kuptim, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara mbetet themeli i sigurisë kombëtare shqiptare, ndërsa bashkëpunimi i ngushtë me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Kroacinë dhe Turqinë vazhdon të ketë rëndësi të dorës së parë për mbrojtjen, diplomacinë, zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.

Megjithatë, transformimi i prioriteteve strategjike amerikane kërkon që edhe politika shqiptare të zhvillojë një dimension të ri të bashkëpunimit me shtetet e Krahut Lindor të NATO-s, të cilat po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në arkitekturën e re të sigurisë evropiane.

Në këtë kuadër, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë partneritete më intensive me:

  • Poloninë;
  • Shtetet baltike;
  • Finlandën;
  • Suedinë;
  • Çekinë;

si edhe të zhvillojnë një dialog strategjik më të strukturuar me Rumaninë dhe Sllovakinë, pavarësisht faktit se këto dy vende ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Interesi për një bashkëpunim më të ngushtë buron nga fakti se ato ndajnë një perceptim të ngjashëm lidhur me kërcënimet që vijnë nga politika revizioniste ruse dhe mbi nevojën për forcimin e Krahut Lindor të NATO-s.

Prandaj, rishikimi i strategjisë shqiptare nuk konsiston në zëvendësimin e aleancave ekzistuese, por në harmonizimin e diplomacisë dhe të politikës së sigurisë me evolucionin e prioriteteve të aleancës transatlantike. Sa më shumë që vëmendja strategjike e Shteteve të Bashkuara përqendrohet te Krahut Lindor i NATO-s, aq më shumë edhe faktori shqiptar duhet të jetë i pranishëm në këtë hapësirë, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi pa cenuar marrëdhëniet e konsoliduara me aleatët e tij tradicionalë.

Teza III

Shqipëria dhe Kosova si porta jugore e arkitekturës së re euroatlantike të sigurisë

Nëse Polonia po konsolidohet si porta veriore e strategjisë së frenimit ndaj Rusisë në Evropë, atëherë Shqipëria dhe Kosova kanë potencialin të shndërrohen në portën jugore të kësaj arkitekture të re të sigurisë në Evropën Juglindore.

Ky rol nuk buron vetëm nga pozita e tyre gjeografike, por edhe nga fakti se hapësira shqiptare përfaqëson pikën kryesore të lidhjes ndërmjet Adriatikut, Ballkanit Perëndimor dhe Krahut Juglindor të NATO-s. Në një mjedis të karakterizuar nga konkurrenca gjeopolitike, rritja e ndikimit rus nëpërmjet Serbisë dhe paqëndrueshmëria e vazhdueshme në rajon, Shqipëria dhe Kosova mund të shndërrohen në një faktor kyç të stabilitetit dhe të projeksionit të sigurisë euroatlantike.

Në këtë kuptim, si dy shtete sovrane dhe aleate të natyrshme, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë gradualisht një hapësirë të integruar strategjike. Në perspektivë, përmes procesit të integrimit institucional dhe funksional, e më pas edhe të institucionalizimit të një Federate Shqiptare, ky potencial do të mund të konsolidohej në një subjekt strategjik më të fuqishëm, i aftë të kontribuojë në mbrojtjen e Evropës Juglindore dhe në forcimin e Krahut Jugor të NATO-s.

Ky objektiv nënkupton:

  • modernizimin e bazave ushtarake në Shqipëri;
  • zhvillimin e korridoreve strategjike logistike Adriatik–Kosovë;
  • integrimin progresiv të planifikimit të mbrojtjes ndërmjet dy shteteve;
  • përshpejtimin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s;
  • ndërtimin e infrastrukturës së përbashkët strategjike në transport, energji, komunikim dhe mbrojtje;
  • koordinimin e politikave të sigurisë dhe të menaxhimit të krizave.

Në këtë mënyrë, hapësira shqiptare nuk do të perceptohej më vetëm si një konsumatore e sigurisë euroatlantike, por si një nyjë strategjike që kontribuon drejtpërdrejt në mbrojtjen e krahut jugor të Evropës nga kërcënimet konvencionale dhe hibride.

Teza IV

Integrimi shqiptar duhet të jetë funksional dhe jo burokratik

Nëse SHBA fillon të favorizojë shtetet funksionale mbi strukturat burokratike supranacionale,

atëherë edhe bashkëpunimi Shqipëri–Kosovë duhet të orientohet drejt integrimit praktik.

Prioritetet:

  • treg i përbashkët;
  • energji;
  • mbrojtje;
  • arsim;
  • teknologji;
  • infrastrukturë.

Më pak deklarata politike. Më shumë institucione të përbashkëta funksionale.
Ky proces integrimi nuk duhet të shihet si një qëllim në vetvete, por si faza përgatitore e një bashkimi gjithnjë e më të thellë institucional ndërmjet dy shteteve shqiptare. Në këtë kuptim, krijimi de facto i institucioneve të përbashkëta në ekonomi, mbrojtje, energji, diplomaci, infrastrukturë dhe arsim duhet të paraprijë krijimin, në kohën e duhur dhe mbi baza demokratike, të një Federate Shqiptare si forma më e lartë e organizimit politik të kombit shqiptar në shekullin XXI. Kalimi nga integrimi funksional në institucionalizimin de jure të këtij bashkimi duhet të përbëjë një nga objektivat afatgjata të doktrinës së re strategjike shqiptare.

Teza V

Siguria kombëtare duhet të konceptohet në hapësirën shqiptare

Kërcënimet nuk ndalen në kufijtë administrativë.
Prandaj strategjia shqiptare duhet ta trajtojë hapësirën shqiptare si një sistem të vetëm sigurie.

Në këtë kuptim:

  • Shqipëria;
  • Kosova;
  • Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut;
  • Lugina e Preshevës;
  • Ulqini /Tuzi [viset shqiptare në Malin e Zi];
  • Sanxhaku [Novi Pazari]

duhet të analizohen si elemente të së njëjtës arkitekturë strategjike.

Teza VI

Serbia si faktor strategjik dhe balanca e fuqisë në Ballkanin Perëndimor

Në doktrinën e re strategjike shqiptare, Serbia nuk mund të trajtohet vetëm si një shtet fqinj me të cilin ekzistojnë mosmarrëveshje historike apo politike. Ajo duhet të analizohet si aktori kryesor strategjik që ndikon drejtpërdrejt në mjedisin e sigurisë së Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë hapësirës shqiptare.

Kjo nuk buron nga një qasje ideologjike apo emocionale, por nga një vlerësim realist i zhvillimeve gjeopolitike në Ballkan. Politika e jashtme dhe e sigurisë e Serbisë vazhdon të karakterizohet nga përpjekja për të ruajtur një pozitë dominuese në rajon, duke kultivuar njëkohësisht partneritete strategjike me fuqi që sfidojnë rendin euroatlantik. Në këtë kuptim, Serbia mbetet kanali kryesor përmes të cilit ndikimi rus, e në disa fusha edhe ai kinez, projektohet në Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, zhvillimi i një dialogu strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë duhet të interpretohet si pjesë e përpjekjeve amerikane për të ndikuar mbi orientimin strategjik të Beogradit dhe jo si një zëvendësim i partneritetit të privilegjuar me Shqipërinë dhe Kosovën. Pikërisht për këtë arsye, politika shqiptare duhet të shmangë reagimet emocionale dhe të mbështetet në një analizë të ftohtë të interesave dhe të ekuilibrave të fuqisë.

Kjo kërkon braktisjen e iluzionit se marrëdhëniet ndërkombëtare ndërtohen mbi simpati politike apo afërsi retorike. Në politikën ndërkombëtare, shtetet udhëhiqen nga interesa afatgjata dhe nga balanca e fuqisë. Për rrjedhojë, edhe strategjia shqiptare duhet të ndërtohet mbi këtë logjikë.

Në këtë kuadër, doktrina e re strategjike shqiptare duhet të mbështetet mbi katër shtylla themelore:

  • balancimin strategjik të fuqisë, përmes forcimit të kapaciteteve kombëtare dhe të aleancave euroatlantike;
  • parandalimin, duke rritur aftësitë ushtarake, diplomatike dhe ekonomike për të penguar çdo destabilizim të hapësirës shqiptare;
  • reziliencën kombëtare, përballë kërcënimeve hibride, ndikimit politik, ekonomik, informativ dhe kibernetik;
  • inteligjencën strategjike, si instrument për parashikimin e zhvillimeve, identifikimin e rreziqeve dhe mbështetjen e vendimmarrjes shtetërore.

Në këtë mënyrë, Serbia nuk konceptohet si një kundërshtar i përhershëm, por si një faktor strukturor i mjedisit strategjik të Ballkanit, ndaj të cilit politika shqiptare duhet të zhvillojë një qasje të qëndrueshme, realiste dhe të bazuar në interesin kombëtar. Objektivi nuk është konfrontimi, por ruajtja e ekuilibrit strategjik, mbrojtja e interesave shqiptare dhe forcimi i rolit të hapësirës shqiptare si një faktor stabiliteti në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.

Teza VII

Nga diplomacia tradicionale te diplomacia strategjike dhe gjeopolitike

Transformimet e rendit ndërkombëtar po e bëjnë gjithnjë e më të pamjaftueshme diplomacinë tradicionale, e cila përqendrohet kryesisht në administrimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në përfaqësimin formal të shtetit. Në një mjedis të karakterizuar nga konkurrenca ndërmjet fuqive të mëdha, diplomacia duhet të shndërrohet në një instrument të projektimit të interesit kombëtar dhe të fuqisë shtetërore.

Për Shqipërinë dhe Kosovën, kjo nënkupton ndërtimin e një diplomacie strategjike, e aftë të integrojë politikën e jashtme me mbrojtjen, ekonominë, teknologjinë, energjinë dhe sigurinë kombëtare. Objektivi nuk është vetëm ruajtja e marrëdhënieve të mira me aleatët, por rritja e peshës së faktorit shqiptar në proceset vendimmarrëse euroatlantike.

Në këtë kuadër, diplomacia shqiptare duhet të zhvillojë pesë dimensione të reja:

  • Diplomacinë e sigurisë dhe të mbrojtjes, duke e bërë Shqipërinë dhe Kosovën pjesë aktive të iniciativave të NATO-s, të planifikimit të mbrojtjes rajonale dhe të bashkëpunimit ushtarak me aleatët.
  • Diplomacinë ekonomike dhe industriale, me synimin për të tërhequr investime strategjike në sektorët që lidhen me sigurinë kombëtare, infrastrukturën kritike, industrinë e mbrojtjes, inteligjencën artificiale dhe ekonominë digjitale.
  • Diplomacinë energjetike, duke e pozicionuar hapësirën shqiptare si një nyjë e rëndësishme e korridoreve energjetike të Adriatikut dhe Mesdheut, me rol në diversifikimin e furnizimit evropian dhe në rritjen e sigurisë energjetike rajonale.
  • Diplomacinë teknologjike, për të ndërtuar partneritete në fushën e inovacionit, inteligjencës artificiale, mbrojtjes kibernetike, teknologjive me përdorim të dyfishtë (civil dhe ushtarak) dhe transformimit digjital të administratës shtetërore.
  • Diplomacinë e ndikimit strategjik, përmes instituteve kërkimore, universiteteve, diasporës, mediave ndërkombëtare dhe diplomacisë publike, me synim fuqizimin e pozitës së faktorit shqiptar në debatet strategjike evropiane dhe transatlantike.

Ky transformim kërkon edhe një ndryshim në kulturën institucionale të politikës së jashtme. Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të funksionojnë më vetëm si administrata diplomatike, por si qendra të planifikimit strategjik, të koordinuara ngushtë me institucionet e mbrojtjes, inteligjencës, ekonomisë dhe zhvillimit teknologjik.

Në këtë mënyrë, diplomacia shqiptare nuk do të kufizohej në administrimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por do të shndërrohej në një instrument të drejtpërdrejtë të fuqizimit të shtetit dhe të realizimit të interesave strategjike të kombit shqiptar në rendin e ri shumëpolar.

Teza VIII

Mërgata shqiptare si komponent strategjik i fuqisë kombëtare

Në shekullin XXI, fuqia e një shteti nuk matet më vetëm nga territori, popullsia apo kapacitetet ushtarake. Po aq vendimtare janë kapitali njerëzor, rrjetet globale të ndikimit dhe aftësia për të mobilizuar burimet intelektuale, ekonomike dhe teknologjike që shtrihen përtej kufijve shtetërorë.

Në këtë kuptim, mërgata shqiptare duhet të konsiderohet një komponent organik i fuqisë kombëtare dhe jo thjesht një komunitet emigrantësh apo burim remitancash. E shpërndarë në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermani, Zvicër, Itali, vendet nordike dhe në qendra të tjera të rëndësishme ekonomike e shkencore, ajo përfaqëson një potencial unik për të rritur peshën ndërkombëtare të faktorit shqiptar.

Doktrina e re strategjike shqiptare duhet të synojë institucionalizimin e këtij potenciali përmes një partneriteti të qëndrueshëm ndërmjet shtetit dhe diasporës.

Në këtë kuadër, mërgat duhet të integrohet në mënyrë sistematike në:

  • diplomacinë publike dhe strategjike, duke fuqizuar ndikimin shqiptar në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes;
  • rrjetet e dijes dhe inovacionit, përmes transferimit të teknologjisë, ekspertizës dhe kërkimit shkencor;
  • zhvillimin ekonomik dhe industrial, veçanërisht në sektorët me vlerë të shtuar, industrinë e mbrojtjes dhe ekonominë digjitale;
  • sigurinë kombëtare, përmes angazhimit të ekspertëve shqiptarë në fushat e inteligjencës strategjike, mbrojtjes kibernetike, analizës së rrezikut dhe planifikimit të sigurisë;
  • investimet strategjike, duke orientuar kapitalin financiar dhe sipërmarrës drejt projekteve që forcojnë konkurrueshmërinë dhe reziliencën ekonomike të hapësirës shqiptare.

Ky proces kërkon krijimin e mekanizmave të përhershëm institucionalë që lidhin diasporën me qendrat e vendimmarrjes në Shqipëri dhe Kosovë. Nuk mjafton më një politikë që e sheh diasporën vetëm si elektorat apo si burim kapitali financiar; ajo duhet të trajtohet si pjesë e arkitekturës strategjike të shtetit.

Në perspektivën e ndërtimit gradual të një Federate Shqiptare, mërgata fiton një rol edhe më të rëndësishëm. Ajo mund të shërbejë si ura kryesore ndërmjet hapësirës shqiptare dhe qendrave globale të politikës, ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, duke shumëfishuar kapacitetin e subjektit të ri politik për të ushtruar ndikim në sistemin ndërkombëtar.

Prandaj, një nga objektivat afatgjata të doktrinës së re strategjike shqiptare duhet të jetë kalimi nga një politikë ndaj diasporës në një strategji të integrimit të diasporës në fuqinë kombëtare, duke e bërë atë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit, sigurisë dhe projeksionit ndërkombëtar të kombit shqiptar.

Teza IX

Inteligjenca strategjike duhet të bëhet kapacitet kombëtar

Në një rend ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguria, konkurrenca gjeopolitike dhe krizat e njëpasnjëshme, shtetet nuk mund të qeverisen vetëm përmes reagimit ndaj ngjarjeve të ditës.

Ato kanë nevojë për kapacitete të qëndrueshme të inteligjencës strategjike – aftësi për të mbledhur, analizuar dhe interpretuar informacionin, për të identifikuar rreziqet, për të parashikuar skenarët e mundshëm dhe për të orientuar vendimmarrjen kombëtare.

Kjo kërkon ndërtimin e një ekosistemi të ri të dijes strategjike përmes:

  • qendrave kombëtare të analizës dhe parashikimit strategjik;
  • instituteve të pavarura të gjeopolitikës dhe studimeve të sigurisë;
  • laboratorëve të skenarëve për zhvillimet afatgjata;
  • mekanizmave profesionalë të vlerësimit të rreziqeve kombëtare.

Inteligjenca strategjike nuk duhet të shihet vetëm si funksion i strukturave të sigurisë, por si një kapacitet i shtetit për të menduar përtej ciklit politik, për të mbrojtur interesin kombëtar dhe për të vepruar me parashikim.

Teza X

Nga politikat e fragmentuara drejt një doktrine strategjike shqiptare për shekullin XXI

Në një epokë të konkurrencës së fuqive të mëdha dhe të rikthimit të gjeopolitikës, hapësira shqiptare ka nevojë për një vizion strategjik që tejkalon politikat e fragmentuara dhe ciklet e shkurtra politike.

Një doktrinë e re strategjike shqiptare duhet të përcaktojë interesat afatgjata kombëtare, burimet e fuqisë dhe mënyrën e koordinimit të tyre në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks.

Ajo duhet të krijojë një qasje të integruar ndërmjet:

  • politikës së jashtme dhe diplomacisë gjeopolitike;
  • sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare;
  • zhvillimit ekonomik dhe kapaciteteve industriale;
  • teknologjisë, inovacionit dhe ekonomisë së dijes;
  • sigurisë energjetike dhe burimeve strategjike;
  • arsimit, kapitalit njerëzor dhe diasporës;
  • dinamikave demografike dhe qëndrueshmërisë shoqërore.

Kjo doktrinë nuk do të ishte thjesht një dokument politik, por një kornizë kombëtare orientimi, që synon të ndërtojë kapacitetet e shqiptarëve për të vepruar si faktor i qëndrueshëm në rendin shumëpolar të shekullit XXI.

Në këtë perspektivë, ideja e Federatës Shqiptare duhet të trajtohet si një horizont strategjik i organizimit dhe bashkërendimit të potencialeve shqiptare, në përputhje me realitetet evropiane, euroatlantike dhe me parimet e zhvillimit demokratik.

Qëllimi i saj do të ishte përgatitja e kombit shqiptar për rendin shumëpolar të shekullit XXI.

Përfundim

Analiza e Dr. Grygiel nënkupton se SHBA-ja po kalon nga një strategji e administrimit të Evropës në një strategji të zgjedhjes së aleatëve më të aftë dhe më të gatshëm për të ndarë barrën e sigurisë. Për hapësirën shqiptare, kjo krijon një mundësi historike: të mos mbetet në periferi të arkitekturës euroatlantike, por të pozicionohet si nyjë strategjike e Krahut Juglindor të NATO-s.

Në këtë kontekst, teza qendrore e një strategjie të re shqiptare mund të formulohet kështu:

Objektivi strategjik i kombit shqiptar nuk duhet të jetë më vetëm integrimi në strukturat euroatlantike, por shndërrimi në një faktor të domosdoshëm të sigurisë, stabilitetit dhe projeksionit strategjik të NATO-s në Adriatik dhe Ballkanin Perëndimor.

Kjo nënkupton që Shqipëria dhe Kosova duhet të imponohen si subjekt strategjik ndaj faktorit ndërkombëtar dhe, para së gjithash, ndaj fqinjëve të tyre, me theks të veçantë Serbisë, e cila vazhdon të ndjekë politika me potencial destabilizues. Qëllimi është që hapësira shqiptare të mos trajtohet më si “plaçkë tregu” apo si “monedhë këmbimi” në kalkulimet e fuqive të mëdha, por të konsolidohet si një faktor dhe aktor kombëtar e ndërkombëtar, pesha e të cilit nuk mund të anashkalohet në asnjë arkitekturë të re të sigurisë dhe të rendit politik në Evropën Juglindore.

Një tezë e tillë do të përfaqësonte kalimin nga një kulturë strategjike e mbështetjes te aleatët në një kulturë të bashkëprodhimit të sigurisë, në përputhje me transformimin që pritet të pësojnë marrëdhëniet transatlantike gjatë dekadës së ardhshme.
Nga kjo perspektivë, transformimi gradual i marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës drejt krijimit de facto dhe, në një fazë të mëvonshme, de jure të Federatës Shqiptare nuk duhet të trajtohet si një projekt politik i momentit, por si një proces strategjik afatgjatë i ndërtimit të një subjekti më funksional, më konkurrues dhe më të aftë për të kontribuar në sigurinë e NATO-s dhe në stabilitetin e Evropës Juglindore. Në rendin e ri gjeopolitik që po merr formë, bashkimi funksional i kapaciteteve shqiptare nuk është vetëm një aspiratë kombëtare, por edhe një domosdoshmëri strategjike.
____________________________

1. Varianti origjinal: https://www.thefreedomfrequency.org/p/five-choices-for-american-strategy,
Në shqip: https://ishgj.org/analize/pese-zgjedhje-per-strategjine-amerikane-ndaj-evropes/

Kërcënohet me vdekje gazetari Osman Stafa- Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë: Policia e Shtetit të hetojë rastin me urgjencë

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar me shqetësim të thellë dhe ka dënuar kërcënimin e drejtpërdrejtë ndaj gazetarit të “News24”, Osman Stafa. Sipas kallëzimit të depozituar në Drejtorinë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, gazetari ka marrë një mesazh me përmbajtje kërcënuese në rrjetin social Facebook, ku i shkruhej “mbaje mend do të vras” dhe “këtë ta garantoj”.

Kërcënimi dyshohet se lidhet me një material filmik të publikuar nga Stafa gjatë protestës së 8 shtatorit pranë Parlamentit, ku dokumentoheshin veprimet e disa personave me rroba civile gjatë ndalimit të një protestuesi.

AGSH vlerëson se kërcënimet e tilla përbëjnë një sulm të rëndë ndaj sigurisë individuale të gazetarit, lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

Reagimi i plotë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë dhe dënon me forcë kërcënimin serioz ndaj jetës së gazetarit të News24, Osman Stafa.
Sipas kallëzimit të depozituar pranë Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, gazetari ka marrë në llogarinë e tij në Facebook një mesazh me përmbajtje të drejtpërdrejtë kërcënuese, ku ndër të tjera shkruhet: “mbaje mend do të vras” dhe “këtë ta garantoj”.

Sipas dëshmisë së gazetarit, kërcënimi dyshohet se lidhet me një material filmik të realizuar dhe publikuar prej tij gjatë protestës së 8 shtatorit pranë Parlamentit, ku kishte dokumentuar veprimet e disa personave civilë gjatë ndalimit dhe arrestimit të një protestuesi.
AGSH vlerëson se kërcënimet me vdekje ndaj një gazetari, veçanërisht kur lidhen me ushtrimin e detyrës dhe publikimin e materialeve me interes publik, janë të papranueshme dhe përbëjnë një sulm të rëndë jo vetëm ndaj sigurisë individuale të gazetarit, por edhe ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Ne i kërkojmë Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë të veprojnë me urgjencë, të identifikojnë personin ose personat që qëndrojnë pas llogarisë nga e cila është dërguar kërcënimi, të hetojnë motivin dhe çdo lidhje të mundshme të tij me punën gazetareske të Osman Stafës dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së gazetarit.
AGSH do ta ndjekë nga afër këtë rast dhe pret që autoritetet të informojnë publikisht për ecurinë e hetimeve. Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk duhet të normalizohen dhe as të mbeten pa autor. Çdo gazetar duhet të jetë në gjendje të dokumentojë dhe raportojë ngjarjet me interes publik pa frikën se për këtë do të kërcënohet me jetë.

Corriere della Sera: Protestat në Shqipëri po kthehen në revoltë të madhe kundër qeverisë, kërkohet dorëheqja e Ramës

Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës në Tiranë po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Ajo që nisi si kundërshtim ndaj projektit të resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner dhe Donald Trump, tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë anti-qeveritare.

Kështu shkruan media e njohur italiane Corriere della Sera, që nënvizon se shqiptarët kanë dalë sërish në rrugët e kryeqytetit shqiptar, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestat kanë vijuar prej 105 ditësh dhe janë mbështetur edhe nga aktivistë mjedisorë, organizata të shoqërisë civile dhe kundërshtarë politikë të qeverisë.

Sipas artikullit, presioni kundër qeverisë po rritet ndjeshëm dhe kërkohet dorëheqja e kryeministrit.

Artikulli

Të shtunën, protestuesit dolën në rrugët e Tiranës në kuadër të protestave që nisën në fund të majit, për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Protestat, që kanë hyrë në ditën e tyre të 105-të, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë antiqeveritare, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Qeveria shqiptare argumenton se investimi i planifikuar përgjatë bregdetit do të përfaqësonte një projekt transformues për vendin, duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit të nivelit të lartë dhe se mbështet aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Megjithatë, projekti, i cili përfshin një ishull të braktisur dhe një zonë bregdetare ngjitur me të, ka shkaktuar kritika të forta nga aktivistët mjedisorë, grupet e shoqërisë civile dhe kundërshtarët e qeverisë socialiste të Ramës.

Protestuesit kanë vijuar të mblidhen në rrugët e Tiranës, ndërsa kundërshtimi ndaj projektit është ndërthurur me pakënaqësi më të gjera ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë. bw

Sot në 20:45, pjesë e re audio-përgjimi në “Çim Peka live”- Çdo javë do keni pjesë të reja

Gazetari Çim Peka ka reaguar në rrjetet sociale, duke paralajmëruar publikimin e një tjetër pjese të audio-përgjimeve që lidhen me Edi Ramën, Ron Yeffet, ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nuhu.

Peka shkruan se, debati për çështjen e vilës së Belinda Ballukut po përdoret për të zhvendosur vëmendjen nga audio-përgjimet.

‘Për Ramën-SPAK-Yeffet: Telenovelë doni. Atë do t’ju japim. Të hënën në 20:45, pjesë e re audio-përgjimi’, shkruan Peka.

Peka paralajmëron se pjesa e radhës do të fokusohet te marrëdhëniet mes Ron Yefet dhe ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, se si Yefet kishte ndikim në vendimmarrjen e Ministrisë së Energjisë.

Reagimi i gazetarit Çim Peka:

Për Ramën-SPAK-Yeffet: Telenovele doni.

Atë do tu japim. Të Hënë në 20:45 pjesë e re audio-përgjimi.

Nuk e spostoni dot vëmendjen nga superskandali me një vilë më shumë apo një vilë më pak të Belindës!

Rama në bashkëqeverisje me SPAK, paska vendosur të mundohet të spostojë të gjithë debatin dhe vëmendjen nga audio-përgjimet e Ron Yefet, Ermal Nuhut dhe në fakt vetë Ramës.

Pasi i plotësoi dëshirën duke dhënë Ministrin e Brendshëm drejtuesit të ri të SPAK, duket se Rama ka marrë zemër dhe me porositë e tij të gjitha mediat po mundohen të spostojnë debatin rreth një vide më shumë apo një vide më pak të Belinda Ballukut.

Por meqënëse SPAK është vendosur në shërbim të Ramës dhe po mundohet të krijojë një Big Brother për të spostuar vëmendjen, pa merak, sepse kësaj radhe jemi shumë hapa para. Nëse duan Big Brother për të tërhequr vëmendjen, atë po ua japim ne.

Nga nesër, sërish vazhdim përgjimesh. Janë tre orë, realisht nuk e dimë se çfarë ka sepse Ameta me këtë punë po merret. I papunë është, ka kohë sa të duash, janë në disa gjuhë dhe duhet të përkthehen, duhet prerë.

Por nesër një tjetër pjesë audio-përgjim, ku do e shikoni se si një monstër si Ron Yefet drejton Ministrinë e Energjitikës të Belinda Ballukut kur ajo ishte zëvendëskryeministre dhe ministre. Ai vendos për gjithçka dhe do e kuptoni vetë se e gjithë loja me një vidë më shumë apo një vidë më pak e Ramës, SPAK dhe Ballukut, është për të spostuar vëmendjen nga super skandali i kontrollit të gjithçkaje nga Ron Yefet dhe Edi Rama.

Mos keni merak, Big Brother doni, Big Brother do e bëjmë. Çdo javë do keni pjesë të reja. Nesër, pjesa e re.


Send this to a friend