VOAL

VOAL

Kosova në heshtje zgjedhore, gjithçka gati për votimin e 11 qershorit

June 10, 2017

Komentet

Kurti: Brenda katër viteve krijuam 87 mijë vende pune më shumë, shënuan rritje ekonomike dhe të buxhetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në një periudhë katërvjeçare, 2019-2023, në Kosovë janë hapur 87 mijë vende pune më shumë. Ai gjithashtu ka folur për rritjen ekonomike dhe të buxhetit gjatë qeverisjes së tij.

Këto komente kreu i ekzekutivit të vendit, i ka bërë sot gjatë prezantimit të projektit për reformën e asistencës sociale nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).

Kurti tha se statistikat e rritjes së vendeve të punës, uljes së shkallës së papunësisë, rritjes së punësimit të grave dhe të rinjve, rritjes ekonomike, rritjes së qarkullimit të bizneseve, e rritjes së të hyrave buxhetore, pasqyrojnë qartazi suksesin e Qeverisë sonë në këtë drejtim.

“Nga 331,742 vende pune në mbyllje të vitit 2019, në fund të vitit 2023, pra për një periudhë 4 vjeçare, kemi 419,126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26 për qind. Më tej, nga një rritje ekonomike prej 1 miliard euro për tri vite gjatë mandateve para qeverisë sonë, kaluam në një rritje ekonomike prej 1 miliard euro në vit me Qeverinë tonë. Nga një rritje e të hyrave buxhetore prej 1 miliard euro për më tepër se 10 vite para nesh, kaluam në një mbledhje të të hyrave buxhetore për 1 miliard euro më shumë për tri vite qeverisje”, ka thënë Kurti.

Më tej ai ka thënë se këtë realitet të ri ekonomik për vendin, e konfirmojnë edhe institucionet ndërkombëtare financiare në raportet e tyre, sikurse Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar e së fundmi edhe raporti i agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit kreditor, Fitch Ratings.

“Por punën tonë për zhvillim ekonomik të vendit e cila u përkthye në më shumë vende pune për qytetarët e Republikës dhe më shumë të hyra buxhetore për Kosovën, nuk e ndalëm këtu”, tha kryeministri.

Ai tha se Qeveria që ai drejton ka punuar që këto të hyra t’i rishpërndajë përmes skemave të ndryshme sociale e masave të shumta për qytetarët, bizneset e posaçërisht tek grupet e cenueshme të shoqërisë.

Kurti theksoi se skema e re e heq diskriminimin që ekziston me skemën aktuale, duke mos përjashtuar nga skema familjet që nuk kanë më fëmijë nën 5 vjeç, dhe e inkurajon punësimin në anën tjetër përmes mekanizmave nxitës dhe bashkëpunimit me Agjencinë e Punës.

Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se mësimet që do të nxirren nga ky pilotim do të reflektohen edhe në Projektligjin e ri për mbrojtjen sociale. sn

AP: Kosova kritikon Këshillin e Evropës që nuk votoi për anëtarësimin e saj, fajëson lobimin serb

Prishtinë, Kosovë — Kosova kritikoi të premten vendimin e Këshillit të Evropës për të mos zhvilluar votimin për anëtarësimin e saj, duke thënë se ai vendim e privoi popullin e saj dhe veçanërisht pakicat e saj etnike nga mjetet demokratike të ofruara nga organi më i lartë i të drejtave të njeriut në kontinent, sipas Associated Press.

“Anëtarësimi i Kosovës nuk ishte në agjendën e takimit të ministrave të jashtëm të këshillit pasi disa anëtarë i kishin kërkuar Kosovës që të krijonte një asociacion të komunave me shumicë serbe në veri të vendit përpara se të bëhej një votim.

Kosova ka frikë se një strukturë e tillë mund të shndërrohet në një Republika Srpska tjetër me autonomi të gjerë. Republika Srpska është emri për pjesën e Bosnje-Hercegovinës që drejtohet nga serbët etnikë.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gervalla-Schëarz tha se disa vende zgjodhën të mbështesin Serbinë pas “një fushate lobimi kundër anëtarësimit të Kosovës”.

Kjo i privoi “qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë e tyre të ofruara nga mekanizmat e një organizate të tillë, veçanërisht për komunitetet pakicë etnike dhe ato të tjera të margjinalizuara”, tha ajo.

Një ditë më parë ministrja bëri një përpjekje të minutës së fundit për të bindur fuqitë perëndimore për të mbajtur një votim, duke i dërguar një letër Theodoros Rousopoulos, kreut të Asamblesë së Parlamentit të Këshillit të Evropës. Ajo ofroi një projektligj që Kosova po e harton për komunat me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës deri në fund të majit.

Kjo nuk u mor parasysh dhe “për rrjedhojë ajo letër dhe ai propozim e humbet aktualitetin dhe rëndësinë,” tha ajo.

Kosova ka denoncuar kërkesën e minutës së fundit në lidhje me asociacionin e komuniteteve serbe para votimit, duke thënë se ajo i kishte përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në këshill.

Komiteti i çështjeve politike të këshillit në mars dhe një votim në asamblenë e tij parlamentare në prill miratuan anëtarësimin e Kosovës dhe votimi i ministrave të jashtëm është hapi i fundit përpara se Kosova të mund të ftohet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk mund të ndalet edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë”, tha Gervalla-Schwarz.

Asociimi është një kërkesë kryesore për Kosovën në bisedimet e saj të normalizimit të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian me Serbinë.

Asosacioni do të koordinojë punën për arsimin, kujdesin shëndetësor, planifikimin e tokës dhe zhvillimin ekonomik në qytetet dhe qytezat me shumicë serbe dhe do të shërbejë si urë lidhëse me qeverinë e Kosovës.

Kosova ka hezituar të ecë përpara me të pavarësisht garancive nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Për themelimin e asosacionit u ra dakord për herë të parë në Bruksel në vitin 2013 dhe u miratua nga parlamenti i Kosovës. Por Gjykata Kushtetuese e Kosovës më vonë e konsideroi atë jokushtetues, duke thënë se nuk përfshinte etnitë e tjera dhe mund të përfshinte kompetenca ekzekutive.

Gjykata Kushtetuese tani duhet të vendosë nëse një draft i ri do të ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Për asnjë draft të ri nuk është rënë dakord deri më tani.

Bisedimet e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë dështuar pa bërë përparim dhe Brukseli i ka paralajmëruar të dy shtetet se refuzimi për të bërë kompromis rrezikon shanset e tyre për t’u bashkuar me bllokun europian. Serbia nuk e njeh ish provincën e saj të shpalljes zyrtare të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Lufta e viteve 1998-1999 midis forcave qeveritare serbe dhe shqiptarëve etnikë në Kosovë shkaktoi rreth 13,000 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë të Kosovës. Në vitin 1999, një fushatë bombardimi 78-ditore e NATO-s i dha fund luftës dhe forcat serbe u dëbuan. sn

Kosova zgjat afatin e procesit të regjistrimit të popullsisë – deri më 24 maj

Prishtinë – Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është shtyrë afati i procesit të Regjistrimit të Popullsisë deri më datën 24 maj.

Sipas komunikatës  së qeverisë, ky institucion ka zhvilluar djet një mbledhje elektronike në të cilën, me kërkesë të komunës së Dragashit, Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Fushë Kosovës, Skenderajt, Obiliqit, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Gjakovës ka miratuar vendimin për shtyrjen e afatit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave deri me datën 24 maj 2024.

“Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës i cili do të mbulojë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare që për çfarëdo arsye nuk mund të regjistroheshin më herët”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, regjistrimi i diasporës, përmes portalit eDiaspora shtyhet deri më datën 31 gusht 2024.

“Për më shumë detaje, Agjencia e Statistikave të Kosovës do të dalë me një komunikatë dhe do të bëjë publik planin e veprimit për periudhën e regjistrimit shtesë nga data 18-24 Maj, 2024”, theksohet në njoftim.

Kuvendi i Kosovës miraton disa marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë atë ushtarake me Turqinë

Në dy senaca plenare, Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumicën e marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen kornizë ushtarake me Turqinë.

Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kishe mbetur pezull që një kohë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme.

Sipas ligjit në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votat e dy të tretave të deputetëve.

Sipas Qeverisë së Kosovës, marrëveshja me Turqinë parasheh bashkëpunim, ndër të tjera, në operacione paqeruajtëse, humanitare dhe kundër terrorizmit.

“Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin në këto fusha: stërvitje dhe edukim ushtarak, industri dhe mbrojtje, shkëmbim të inteligjencës ushtarake, mjekësi ushtarake, operacione paqeruajtëse dhe humanitare kundër terrorizmit e të tjera”, tha ministri i Bujqësisë, Faton Peci, derisa e arsyetoi marrëveshjen në mungesë të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Dy prej marrëveshjeve ndërkombëtare nuk morën mbështetjen e nevojshme të deputetëve gjatë seancave plenare të 16 majit: Traktati ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, si dhe Marrëveshja e kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

Me përkrahjen e deputetëve nga partitë opozitare, u arrit miratimi, ndër të tjera, edhe i Ligjit për ratifikimin e “amendamentit 3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”.

Ligjvënësit mbështetën edhe marrëveshjen me me Bankën Evropiane për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj.

Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo marrëveshje arrin vlerën prej 20 milionë eurove.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi Ligjin për aderimin e Kosovës në Konventën për importin e përkohshëm.

Deputetët miratuan edhe Ligjin për marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimit Evropian në atë që quhet Programi i tregut të vetëm.

Në seancën e 16 majit, u miratua edhe Marrëveshja ndërkombëtare me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim.

Subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovosës bëri të ditur më 15 maj se do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, vetëm një ditë pasi kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Marrëveshjet ndërkombëtare arrijnë vlerën e 300 milionë eurove, ka thënë më herët ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Në seancën e së enjtes, që është vazhdim i asaj që është mbajtur më 2 maj, në rend dite ishte edhe votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit amerikan të Shtetit.

Me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, votimi u shty për një seancë tjetër meqë sipas tyre “rezoluta nuk është e plotë”.

“Kërkojmë më tepër kohë për [harmonizimin e qëndrimeve] për plotësimin e rezolutës”, tha shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. REL

Kurti: Opozita të bëhet gati për zgjedhje ose unë qeveris deri në fund të mandatit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se partitë opozitare janë ato që duhet të bëhen gati për zgjedhje e jo Qeveria, duke paralajmëruar se në të kundërtën, ai do të përfundojë mandatin e tij katërvjeçar në krye të ekzekutivit kosovar.

“Opozita duhet të bëhet gati për zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat, shkon mandati deri në fund”, tha Kurti shkurt për gazetarët, pasi mori pjesë në një ngjarje në Prishtinë.

Mandati i Qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025, por partitë opozitare që një kohë po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi argumentojnë se Kurti po keqqeverisë me vendin.

Për këtë kërkesë të opozitës, Kurti më 13 maj u takua me Memli Krasniqin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë.

“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative sepse kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare të ngujuara”, tha Kurti më 14 maj, duke iu referuar takimit me Krasniqin.

Pas takimit me Krasniqin, Kurti kishte deklaruar se është i interesuar që të diskutojë me opozitën për caktimin e një date se kur do të mbaheshin zgjedhjet e reja. Sipas tij, zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.

Dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë refuzuar që të takohen me Kurtin.

Por, Kurti ka zhvilluar edhe një takim lidhur me çështjen e zgjedhjeve edhe me drejtuesit e dy partive më të vogla, që janë pjesë e Qeverisë aktuale: Donika Gërvallën dhe Faton Pecin nga partia Guxo, dhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.

Pavarësisht se opozita është e unifikuar sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, ajo ka dallime sa i përket mënyrës se si vendi do të shkonte në zgjedhje.

PDK-ja kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, e cila paraprakisht kërkon mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mocionin, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

LDK-ka kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shkarkimit të Qeverisë apo dorëheqjes së saj dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit. Kërkesë të ngjashme ka edhe AAK-ja.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së ekzekutivit aktual.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar. REL

Kurti bisedon me drejtuesit e partive Alternativa dhe Guxo për zgjedhjet e reja

Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me drejtuesit e partisë Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, dhe me kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me udhëheqësit e partive Guxo dhe Alternativa për kërkesën e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Takimi i Kurtit me bashkëdrejtuesit e partisë Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, dhe me kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila u zhvillua mbrëmjen e 14 majit.

“Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtutjeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës, si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend. Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat për diskutime të procesit të ri zgjedhor”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.

Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 garuan në kuadër të listës së Lëvizjes Vetëvendosje të udhëhequr nga Albin Kurti.

Mandati i Qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025, por partitë opozitare që një kohë po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi argumentojnë se Kurti po keqqeverisë me vendin.

Për këtë çështje, më 13 maj, Kurti bisedoi edhe me Memli Krasniqin, kryetarin e subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Pas takimit, Kurti tha se është i interesuar që të diskutojë me opozitën për caktimin e një date se kur do të mbaheshin zgjedhjet e reja. Sipas tij, zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.

Ftesa për takim të ngjashëm u refuzua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

PDK-ja kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, e cila paraprakisht kërkon mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mocionin, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

LDK-ka kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shkarkimit të Qeverisë apo dorëheqjes së saj dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit. Kërkesë të ngjashme ka edhe AAK-ja.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së ekzekutivit aktual.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar. REL

Anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk përfshihet në agjendën e Komitetit të Ministrave

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti.

 

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, që do të mblidhet këtë javë.

Kështu ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, përmes një postimi në Facebook.

Ahmeti ka thënë se pavarësisht mbështetjes që gëzon Kosova për anëtarësim në Këshillin e Evropës – organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut – janë disa vende që kërkojnë prej Kosovës të pranojë “draft statutin e [të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi] Miroslav Lajçakut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën”.

“Ka gjasë që ky votim të shtyhet. Shtyrja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft statutin e Lajçakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel”, ka thënë mes tjerash Ahmeti.

Sipas tij, kërkesa për Asociacionin nuk të bëjë aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

“Shtyrja eventuale do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e Këshillit të Evropës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për t’i adresuar të drejtat e tyre. Për më tepër, shtyrja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit”, ka vlerësuar Ahmeti.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

Autorja e raportit, Dora Bakoyannis, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe çështjen e formimit të Asociacionit e ka konsideruar si temë të brendshme të Kosovës.

Megjithatë, ka ditë që qarkullojnë informacione se disa vende të Perëndimit janë duke kërkuar që Kosova të shënojë përparim drejt formimit të Asociacionit, në mënyrë që të pranohet në këtë organizatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë ditë më parë se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, ka thënë Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Prokuroria Speciale ngre aktakuza në mungesë kundër tre personave për krime lufte

Prokuroria Speciale në Kosovë ka ngritur të martën aktakuza në mungesë kundër tre të pandehurve të nacionalitetit serb, me inicialet L.Ç, P.B dhe M.I, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” në periudhën 1998-99.

Prokuroria ka thënë përmes një komunikate se dyshon që i pandehuri L.Ç e ka kryer veprën penale sa ka qenë drejtor i burgut të qarkut në Prishtinë dhe paralelen në Lipjan, ndërsa dy të tjerët, P.B dhe M.I kanë qenë atë kohë gardianë të burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan.

Gjykimi i parë në mungesë për krime lufte pati nisur në nëntor të vitit 2023 në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Mbajtja e gjykimeve në mungesë parashihet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit dhe kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë më herët gjatë vitit se gjykimet në mungesë shënojnë një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës “duke paraqitur një sfidë të re për sistemin gjyqësor në Kosovë”.

Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. REL

Albin Kurti: Dita e Martirëve në Korishë

Më 13 maj të vitit 1999, forcat e armatosura të Serbisë kryen masakër mbi popullsinë civile të pafajshme në Korishë. Aty u vranë 77 civilë. Prej tyre, 14 ishin fëmijë.
Vrasjet pa dallim moshe e gjinie, janë dëshmi e pafajësisë së tyre dhe e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Në Ditën e Martirëve të Korishës, kujtojmë civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë, të vrarë në maj të vitit 1999. Përkujtojmë viktimat civile që ishin futur në kurthin e vdekjes prej forcave serbe.
Lavdi martirëve të Korishës!
Lavdi secilës jetë të sakrifikuar në rrugën tonë për liri!

Nënsekretarja e Shtetit viziton Kosovën, takim me Osmanin dhe Kurtin

Nënsekretarja e Shtetit Amerikan për Diplomaci Publike, Elizabeth Allen, gjatë kësaj jave do të zhvillojë vizitë në Bosnjë, Serbi, Kosovë e Maqedoni të Veriut.

Siç njofton Departamenti Amerikan i Shtetit, qëllimi i kësaj vizite është thellimi i partneritetit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shtyrja përpara e qëllimeve për bashkëpunim rajonal dhe integrime evropiane.

Në Prishtinë, nënsekretarja Allen do të takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar mbështetjen e SHBA-së për rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik dhe partneritetin me Kosovën. Po ashtu, nënsekretarja Allen do të vizitojë pjesëtarët e shërbimit amerikan të dislokuar si pjesë e Misionit Paqëruajtës të Forcave Kosovare të NATO-s (KFOR) në Camp Nothing Hill, duke nënvizuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, njofton RTK.

Sipas DASH-it, nënsekretarja Allen do të zhvillojë gjithashtu diskutime me studentë të ndryshëm kosovarë të angazhuar në lëndët e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës në Institutin Teknologjik Rochester – Kosovë.

Ajo po ashtu do të udhëtojë në Dresnik për të zbuluar mozaikët e kohës romake që arkeologët po restaurojnë falë mbështetjes nga Fondi i Ambasadorëve të Departamentit të Shtetit për Ruajtjen e Kulturës.

PD: Anija ruse u zhdoganua në Durrës, Rilindja e ktheu portin në han për kontrabandistët dhe mafian!

Partia Demokratike ka kë kërkuar sot nga organet e drejtësisë të nisin hetimet për një anije ruse, e cila është zhdoganuar në Portin e Durrësit më 24 maj 2024, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare që i janë vendosur vendit të saj të origjinës.

Z. Lisandër Hoxha, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD,  në një deklaratë për mediat tha sot: “Shqipëria që prej 2022 ka aplikuar sanksione ndaj Rusisë duke u bashkuar me vendet e Perëndimit kundër agresionit rus të Putinit ndaj Ukrainës. Ky jo vetëm si një detyrim ndaj NATO, por edhe ndaj partnerëve tanë amerikanë.

Sanksionet janë një mekanizëm për të dobësuar ekonomikisht makinerinë e luftës së regjimit të Vladimir Putin.

Partia Demokratike ka mbështetur fuqimisht Ukrainën dhe vendet e NATO-s në çdo nismë për të frenuar makinerinë e luftës së Putin për të vazhduar më tej pushtimin e saj.

Edhe qeveria Rama në dukje ka bërë të njëjtën gjë, por në fakt vepron ndryshe. Prej muajsh ka raportime për anije që vijnë nga Rusia të ngarkuara me mallra të ndryshme.

Rasti i fundit është i datës 24 mars 2024, me një anije ruse të nisur nga porti i Rostov on Don drejt portit të Durrësi me nr, OMSKIY-105. Anija në fjalë është zhdoganuar më datë 26 Mars 2024 me një procedurë të dyshimtë e cila krijon kushtet për kontrabandë.

Dërguesi i produkti, kompania CJSC Red October është një kompani e dyshimtë e cila nuk tregon origjinën e mallit. Ajo merret vetëm me dërgesa nga Rusia drejt vendeve të tjera.

Malli që është shkarkuar nga dogana shqiptare nuk është peshuar sipas procedurave ligjore standarde, por është larguar menjëherë nga porti duke rritur dyshimet për kontrabandë.

Partia Demokratike i bën thirrje organeve kompetente të nisin menjëherë hetimet për këtë rast.

Shqipëria duhet të jetë e vërtetë dhe serioze në angazhimin e saj si vend anëtar i NATO për të kontribuar në këtë luftë me çdo mjet dhe mënyrë. Qeveria Rama është sot e dyshimtë nga partnerët në çdo hap të saj për shkak të korrupsionit madhor.

Vendi ynë nuk mund jetë parajsë kontrabande për naftën, elbin apo mallrat të tjerë që futen rëndom në vendin tonë.

Qeveria Rama dhe doganierët e Rilindjes e kanë kthyer portën tonë kryesore detare në një han pa porta për kontrabandistët rusë dhe mafian ndërkombëtare duke na bërë të pabesueshëm në angazhimin tonë euroatlantik.

Partia Demokratike është e vendour të vijojë luftën e saj kundër korrupsionit duke denoncuar publikisht çdo rast që cënon sigurinë tonë kombëtare, integritetin e vendit tonë në NATO dhe përbën shkelje korruptive.

Shqiptarët kërkojnë një qeveri serioze e cila të luftojë seriozisht korrupsionin dhe të angazhohet fuqimisht në krah të partnerëve. Regjimi Rama do te ketë fundin e të regjimeve që mbijetojnë mbi korrupsionin dhe kontrabandën.”

Kosovë: 1 milion e 420 mijë e 148 qytetarë të regjistruar, edhe pak ditë përfundon procesi

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) mbajti konferencën e radhës për media lidhur me ecurinë e punës gjatë javës së gjashtë në terren për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

U.D. i kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati ka theksuar se disa komuna kërkojnë shtyrjen e procesit të regjistrimit, ndërsa deri më tani janë regjistruar 1 milion e 420 mijë e 148 qytetarë.

Kastrati, ka thënë se procesi i regjistrimit po vazhdon edhe në javën e gjashtë.

Ai tha se procesi i votimit ka shkuar mirë, disa komuna kanë kërkuar të shtyhet afati i regjistrimit, mirëpo, Kastrati tha se sipas mënyrës që ka shkuar procesi i regjistrimit deri më tani nuk e shohin të arsyeshme shtyrjen e afatit.

“Një komunë ka kërkuar përmes një shkresë të shtyhet në aspektin statistikor nuk ka arsye me u shty. Në përgjithësi regjistrimet kanë qenë aktiv, ka thirrje masive me u regjistru ka një lloj frike te qytetarët se nëse nuk regjistrohen. Bëj thirrje regjistruesve të bëjnë edhe një vizitë sidomos te banesat e shprazëta mos ka mbet dikush pa u regjistru”, tha ai.

Kastrati tha se në disa komuna janë hapur zyre ku qytetarët munden të shkojnë të regjistrohen. Këto komuna janë Prishtina dhe Prizreni, por e njëjta mund të ndodhë edhe në komuna tjera nëse e shohin të nevojshme. Ndërsa në Prishtinë, qytetarët mund të regjistrohen në ASK, edhe në komunë.

Kurse, sa i përket regjistrimit në komunat veriore, Kastrati tha se ka hezitime, por pritet edhe këto ditë të vazhdojë regjistrimi. Regjistruesve iu bë thirrje të bëjnë edhe një rishikim në shtëpi të pabanuara.

“Regjistrimi po shkon sipas planit nga dje deri sot janë regjistruar numri. Komunitetet po marrin pjesë në veri ka hezitim, presim edhe këto ditë të regjistrohen”, tha Kastrati. sn


Send this to a friend