Caktimi i datës 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve nga Presidentja Vjosa Osmani ishte një propozim realist dhe i drejtë, i cili u pranua nga shumica e subjekteve politike të Kosovës.
Kushtetuta kërkon që presidenti i shtetit të jetë i pavarur dhe jopartiak, por kjo nuk do të thotë se ai/ajo duhet të jetë neutral. Ai/ajo duhet të anojë dhe të mbështesë çështjet që janë në interes të popullit dhe të shtetit.
Nëse këto çështje përputhen me veprimet e një partie të caktuar, kjo është krejtësisht në rregull.
Kritikat ndaj Presidentes Vjosa Osmani se po favorizon një parti apo tjetrën janë të pabazuara. Gjatë gjithë mandatit të saj, ajo ka përmbushur detyrimet për të cilat e obligon kushtetuta. Ato parti, puna dhe veprimet e të cilave nuk i kanë shërbyer interesit shtetëror, nuk kanë të drejtë të ankohen për asgjë.
Sa i përket caktimit të datës së zgjedhjeve, është e pamundur të plotësohen dëshirat e të gjithëve, dhe asnjë datë nuk është ideale. Nëse 28 dhjetori mundëson pjesëmarrje më të madhe të votuesve, veçanërisht atyre në diasporë, kjo është shumë e mirë dhe nuk duhet të pengojë askënd.
Zgjedhja e vendit të jetesës është e drejtë dhe çështje familjare personale për secilin. Është vendim privat në të cilin askush nuk ka të drejtë të përzihet. Kritikat në këtë drejtim vijnë vetëm nga individë pa edukatë familjare, të paaftë për të zgjidhur problemet e tyre, ose të prekur nga lakmia, inati, xhelozia dhe sëmundje të tjera mendore.
Kosova dhe diaspora kanë qenë dhe mbeten të pandashme si në situata të mira ashtu edhe në të këqija. Ato kanë nevojë dhe interes për njëra tjetrën. Rezistenca e popullit shqiptar kundër pushtuesit fashist serb dhe lufta për liri do të ishin bërë shumë më të vështira, ose edhe të pamundura, pa mbështetjen e mërgatës sonë legjendare. Ajo vazhdon misionin e saj historik edhe sot me përkushtim dhe krenari.
Armiku ynë shekullor, Serbia hegjemoniste, me vasalët e saj, kurrë nuk e ka fshehur dëshirën dhe përpjekjet për shfarosjen e popullit shqiptar. Regjimet serbe i përgatitën projektet e tyre famëkeqe edhe me shkrim, me kujdes e hollësi, në koordinim me Kishën Serbe dhe Akademinë e Shkencave. Dëbimi i detyruar i shqiptarëve u është kthyer si bumerang. Mërgata nuk e harroi atdheun, por u bë më e fortë, duke i goditur në kokë serbët e sëmurë nga urrejtja ndaj shqiptarëve.
Prandaj, askush nuk ka të drejtë t’i mohojë diasporës të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit. Edhe pse ka argumente për anim të mundshëm nga njëra ose tjetra parti, kjo është e parëndësishme. Vota e mërgatës është e garantuar me ligj. Është detyrë e çdo partie të veprojë me mençuri, me propozime dhe veprime konkrete, për të tërhequr votuesit.
Votuesit nga diaspora mund të konsiderohen më të pavarur dhe më të vendosur në qëndrimet e tyre. Ata janë ekonomikisht të qëndrueshëm dhe gëzojnë siguri më të lartë personale në shtetet demokratike ku jetojnë.
Partitë politike të Kosovës mund ta fitojnë lehtësisht mërgatën përmes punës dhe veprimeve të qarta dhe konkrete në interes të shtetit. Mërgata e kupton luftën për pushtet. Por kur ajo luftë shndërrohet në rezistencë kundër shtetit me qëllim dobësimin ose eliminimin e kundërshtarit politik, ajo bëhet e pakuptueshme dhe e papranueshme.
Me gjithë respektin dhe admirimin për luftëtarët e lirisë të UÇK-së së lavdishme, të udhëhequr nga Komandanti Adem Jashari, dhe për partitë që dolën prej saj—PDK, LDK, NISMA—më duhet të them me dhimbje se udhëheqësit e këtyre partive pas lufte, kanë dështuar plotësisht politikisht. E njëjta gjë, me shumë respekt për lëvizjen demokratike të Presidentit Ibrahim Rugova, mund të thuhet edhe për udhëheqjen e sotme të LDK-së.
Këto parti dështuan si qeveri për shkak të korrupsionit të pakontrolluar, nënshtrimit të panevojshëm ndaj ndërkombëtarëve dhe lëshimeve të panevojshme ndaj kërkesave armiqësore të Serbisë. Dështimet e tyre të shumta si opozitë janë edhe më të pakuptueshme dhe të papranueshme. Ato nuk mund të arësyetohen.
Bllokimi monstruoz i formimit të parlamentit, refuzimi i çdo forme të koalicionit apo bashkëpunimit me shumicën qeverisëse, por veçanërisht mosmiratimi i buxhetit, mospagesa e pagave të RTK-së dhe mosmiratimi i marrëveshjeve për përfitime ndërkombëtare, i bëjnë ato të pavotueshme për shumicën e votuesve të diasporës. Përpjekjet e tyre për t’ia lënë fajin kryeministrit aktual Albin Kurti për gjithçka nuk e bindin diasporën.
Ndërkaq, LVV me Guxo dhe Alternativa, të udhëhequra nga Kryeministri Albin Kurti, pavarësisht nga disa lëshime, sidomos për ta afruar një pjesë të opozitës, kanë arritur rezultate të mëdha në forcimin e demokracisë, zgjerimin e sovranitetit, ruajtjen e integritetit territorial dhe forcimin e shtetit. Çmontimi i strukturave paralele, shpartallimi i shumë bandave serbe në veri të Kosovës dhe thyerja e forcave terroriste serbe në Banjskë janë arritje historike.
Bazuar në kontaktet dhe informacionet që kam nga të gjitha anët, besoj dhe shpresoj që mërgata, sidomos kjo në Amerikë, në zgjedhjet e 28 dhjetorit, bashkë me votuesit në Kosovë, do t’u japë një goditje të fortë partive opozitare që ato të vetëdijesohen, të ndryshojnë dhe të fillojnë të punojnë siç duhet për të mirën e popullit dhe të shtetit. Në këtë moment, ato nuk ofrojnë asgjë të mirë për Kosovën. Përkundrazi, të gjitha faktet flasin se vota për ta është gabim i pafalshëm që do ta bënte të mundur kthimin e Serbisë në Kosovë.
Kosova Dardane nuk mund të kthehet prapa. Populli i Kosovës nuk do të lejojë që liria e fituar me gjak dhe sakrifica të panumërta të preket. Liria është më e vlefshme se interesat personale, grupore apo partiake, si dhe se presionet e maskuara me lajka mashtruese ndërkombëtare për interesa gjeopolitike. Liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës është mbi të gjitha.