Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditimin e fundit lidhur performacën e Inceneratorit të Sharrës evidenton shkelje të rënda nga Ministritë dhe Bashkia e Tiranës. Sipas KLSH, kostoja 29 euro për ton mbetje, është e fryrë, pasi kompania koncensionare nuk realizon ende incenerimin e mbetjeve. Po ashtu, konstatohet se edhe proceduarat tenderuese janë bërë në shkelje ligjore e në mungesë të transparencës.
VIDEO SYRI TV
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se çmimi 29 euro për ton depozitim mbeturinash në landfillin e Tiranë nuk është real. Ai është i fryrë, pasi kompania koncensionare nuk realizon ende incenerimin e mbetjeve urbane. Konkluzioni është publikuar pas Auditit të Performancës mbi inceneratorin e Sharrës, të miratuar pak ditë më parë.
Tashmë, akuzat disa-mujore të opozitës, të provuara me fakte dhe dokumenta zyrtarë, mbështeten edhe nga institucioni kushtetues për kontrollin e financave publike. Në raporin e KLSH-së theksohet se “aktualisht, çmimi i paguar 29 euro/ton nuk është çmimi real i shërbimit që kryhet, pasi kjo tarifë përfshin edhe incinerimin e mbetjeve proces i cili nuk është kryer deri më sot”.
Po ashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se “procedura konkurruese për dhënien e këtij projekti me koncension nuk është kryer në përputhje me parimet e transparencës dhe përcaktimet ligjore. Audituesit shtetërore konstatojnë se janë shkaktuar vonesa të konsiderueshme në afatin e fillimit dhe vijimit të punimeve të projektit, si pasojë e veprimeve dhe mos veprimeve si dhe shmangies nga detyrimet e përcaktuara në kontratë si nga Autoriteti Kontraktor, ashtu edhe nga Koncensionari, kompania “Integrated Energy BV”, e krijuar nga Klodian Zoto.
Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se bashkitë e qarkut Tiranë, përveç asaj të drejtuar nga Erion Veliaj, nuk kanë dhënë dakordësi me shkrim për përballimin e kostove për landfillin dhe inceneratorin e Sharrës.
Kjo mungesë dakordësi provokon në të ardhmen kosto financiare për këto bashki, thuhet në raportin e KLSH-së. Në vijim, KLSH konstaton se procedura e planifikimit të projektit të Incineratorit të Tiranës ka mungesa dhe paqartësi, në lidhje me propozimin paraprak të ardhur në ministri nga shoqëria dhe konfirmimin e miratimit paraprak nga ana e Ministrisë së Financave.
Audituesit shtetërorë deklarojnë se procedura koncesionare për landfillin e Sharrës nuk është publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, duke cënuar parimin e transparencës dhe garës së ndershme. Po në këtë pikë, KLSH ka zbuluar edhe një detaj shumë interesant, i cili tregon qartësisht se e gjithë procedura ishte përgatitur për kompaninë e Klodian Zotos.
Komisioni për dhënien me koncension të projektit shprehet se në prani të përfaqësuesve të kompanisë “Integrated Energy B.V”, është bërë mbyllja e pranimit të ofertave nëpërmjet sistemit elektronik të APP, nga ku ka rezultuar vetëm një operator pjesëmarrës.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, është e paqartë se nga i ka marrë koncensionari të dhënat për t’u paraqitur në momentin e duhur, kur nga auditimi rezultoi se në dokumentet e koncensionit nuk jepeshin të dhëna mbi vendin, datën dhe orën e hapjes së ofertave.
Komentet