12:35
Basha: Rashiq u zgjodh në procedure të rregullt, Kuvendi tani mund ta vazhdojë punën
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka hedhur poshtë kritikat për mënyrën se konstituimit të organit ligjvënës, duke thënë se procedura e zgjedhjes së Nenad Rashiqit nënkryetar, ka qenë “plotësisht e rregullt”.
Ai tha se pasi të gjithë nëntë kandidatët e Listës Serbe u hodhën në votim secili nga tri herë dhe dështuan, dhe mbeti vetëm edhe një kandidat, Nenad Rashiq nga partia tjetër serbe, “unë me doemos duhej t’ua ofroja mundësinë e barabartë”.
“Siç e dini, Kushtetuta e Kosovës nuk e përcakton e cilës parti serbe duhet t’i takojë nënkryetari serb, vetëm thotë se duhet të jetë nga komuniteti serb. Për shkak të refuzimit [nga Igor Simiq për ta propozuar Rashiqin] unë jam detyruar ta përdor paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores”, tha Basha për gazetarë pas seancës.

12:24
Çfarë tha Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e 8 tetorit?
Në aktgjykimin e plotë, Gjykata ka thënë se bazuar në Kushtetutë dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, respektivisht 61 vota për, dhe propozimi bëhet me shkrim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb.
“Nga si më sipër, Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb”.
12:21
Lista Serbe: Kuvendi nuk është konstituuar, Rashiq u zgjodh padrejtësisht
Deputeti Igor Simiq, nga Lista Serbe, tha se, sipas kësaj partie, Kuvendi nuk është konstituuar as pas zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar.
“Edhe një herë u dëshmua se drejtësia dhe e drejta nuk ekzistojnë. Sot nuk është përfunduar konstituimi i seancës së Kuvendit dhe mos lejoni të ju gënjejnë”, tha ai, i shoqëruar në hollin e Kuvendit nga deputetët e tjerë të Listës Serbe.
Ai citoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, siç lexoi ai, “fituesi i zgjedhjeve nga komuniteti serb duhet të ketë të drejtën ekskluzive për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit për komunitetin serb”.
“Është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, si edhe Kushtetuta dhe Rregullorja [e Punës së Kuvendit]”, tha Simiq.
Simiq tha se Rashiq “është zgjedhur me forcë si deputet, e tani edhe si nënkryetar”.
“E kanë zgjedhur një njeri pa thënë se ai ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit”, tha Simiq, duke shtuar Lista Serbe do të ankohet ndaj këtij vendimi të Kuvendit.
Në vend të nëntë deputetëve të propozuar nga Lista Serbe, nënkryetar u zgjodh deputeti Nenad Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Rashiq ka qenë ministër në qeverinë e deritanishmë të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
12:19
Memli Krasniqi dyshon se Kuvendi është konstituuar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se konstituimi i Kuvendit “duket se ende nuk e ka marrë përgjigjen e plotë”, pavarësisht emërimit të nënkryetarit të pestë dhe të fundit.
“Unë mendoj që ka pasur hapësirë tjetër për konstituim legal ose kushtetues, sepse kryetari i Kuvendit mundohej të konsultohej me ata që i japin udhëzime, në vend se të jepte interpretim. Ishte një konstatim se është bërë konstituimi, por si do të shkojë tutje mbetet të shihet”, tha Krasniqi pas seancës.
Partia e tij nuk votoi për Rashiqin, pasi zgjodhi të abstenojë, dhe Krasniqi u arsyetua se “qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë, ne kemi vendosur për të gjithë njëjtë, sepse ndryshe i bie të biem në grackën e Albin Kurtit që i ndan serbët sipas lojaliteteve të tij”.
Krasniqi theksoi, gjithashtu, se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme “sa më parë”.
“Për neve është e rëndësishme që konstituimi të jetë final dhe të futemi në afate kushtetuese për formimin e qeverisë së re”, tha ai.
“Duke e ditur se asnjëra palë nuk e ka shumicën parlamentare, besoj se ajo që është më rëndësishme tani, është ta gjejmë mekanizmin që na dërgon në zgjedhje të parakohshme sa më shpejt dhe pa vonesa. Shpresoj se do të ketë racionalitet mes palëve për të arritur pajtueshmëri për këtë”, shtoi ai.


