Më 23 shkurt 2026, në orët e para të mëngjesit, ish-bashkëshorti i Belinda Ballukut, Sokol Balla u paraqit në SPAK për t’u marrë në pyetje për çështje e numrit dy të Edi Ramës, e cila është marrë e pandehur nga organi i akuzës për afera korruptive miliardëshe.
Burime bëjnë me dije se gazetari dhe drejtori i televizionit ‘ABC NEWS’, Sokol Balla, është marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lidhur me hetimet që zhvillohen ndaj ish-bashkëshortes së tij, Belinda Balluku, e cila aktualisht është person i pandehur për shkelje të rënda në procedurat e prokurimit publik dhe kundër barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Hetimi ka përfshirë edhe shqyrtime të transaksioneve, udhëtimeve dhe pagesave të lidhura me emrin e saj.
Balla është ftuar nga prokurori Dritan Prençi dhe është marrë në pyetje për më shumë se 2 orë e 30 minuta si person që mund të ketë dijeni mbi rrethanat e dosjes dhe çështjes. Ai ka dalë nga ambientet e SPAK i tronditur dhe pa dhënë deklarata për median është larguar me shpejtësi nga ambientet e prokurorisë.
Edhe pse është ndarë nga Balluku prej vitesh, marrëdhënia e tyre ka pasur vijueshmëri, çka ka çuar organet e hetimit të kërkojnë informacion nga Balla për transaksione dhe mundësi përfitimesh të dyshimta nga biznesmenë që kanë përfituar kontrata nën administrimin e Ballukut.
Sokol Balla njihet prej dekadash si një nga emrat e gazetarëve pro Edi Ramës në Shqipëri. Gjatë viteve, ai ka folur shpesh për rëndësinë e SPAK-ut, madje duke treguar zell të jashtëzakonshëm.
Për ta bërë më të qartë këtë pjesë po risjellim një episod që tregon shumë në lidhje me gazetarin Kol.
Pak vite më parë, gazetari Adriatik Dosti, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, solli dëshminë e një shkodrani të quajtur Muhamet Omari me banim në New York, i cili kishte dëgjuar një bisedë telefonike të Sokol Ballës në rrugët e New York-ut.
Sipas asaj që shkruante Dosti në rrjetin social Facebook, Sokol Balla po bisedonte me dikë në telefon dhe është dëgjuar teksa i thoshte se: “po paguajmë qimet e kokës për ta larguar e zhdukur nga skena fare… do bëjmë ça kemi në dorë ne që t’ia nxijmë jetën, dëgjo e beso vllain tat ti… kuptove?”.
I gjithë mllefi i asaj telefonate ishte për Sali Berishën dhe lëvizjen që ai nisi për rikthimin në politikë pasi u faktua kapja e Lul Bashës nga Edi Rama.
Ja rrëfimi i Muhamet Omarit, të cilin e përcolli në publik gazetari Dosti:
“…Po ecja në 42 Street në Time Square të enjten e 30 dhjetorit 2021… ishte ora 2.35 PM… kur dëgjoj dikë pas meje që po fliste shqip, madje me zë të lartë…
…A dëgjon ti morr burrë… ç’nuk po bëjmë për ta shkatërruar Berishën… për ta hequr qafe atë plehrën… jemi të vendosur kundra tij… ore a kupton ti… po paguajmë qimet e kokës për ta larguar e zhdukur nga skena fare… do bëjmë ça kemi në dorë ne që t’ia nxijmë jetën, dëgjo e beso vllain tat ti… kuptove?
…Kthej kokën e ç’të shoh… ishte gazetari privat i Edi Ramës, Sokol Balla, që fliste me dikë në celular…
…Kur dëgjova atë lloj fjalori dhe zërin e tij të lartë në shqip… s’durova dot… ndalova… u gjenda ballë për ballë me të e iu ktheva e i thashë ato që meritonte t’ia thoja… u skuq, u tremb… mbylli celularin… më bëri shenjë me dorë sikur kërkonte ndjesë e uli kokën…”
Ky ishte fjalori që përdorte Kol Balla rrugëve të New York-ut vite më parë, kur besonte se me SPAK-un atij dhe ish-gruas së tij nuk do t’i hynte gjemb në këmbë, pasi nën mbrojtjen e Edi Ramës, siç le të kuptohet me shprehjen “po paguajmë qimet e kokës”, qëllimi ishte shkatërrimi i opozitës.
Por sot, kur ish-bashkëshortes i është rënduar barra, siç theksuan prokurorët e çështjes në Këshillin e Mandateve në Kuvend, ku thanë se Belinda Balluku rrezikon 35 vjet burg, Kol Balla doli i tronditur nga dyert e SPAK-ut që dikur e mburrte me të madhe dhe u largua pa thënë asnjë fjalë për gazetarët që prisnin prej më shumë se dy orësh për një prononcim. syrri.net