Kishte ardhë për mik nji njéri i hajshëm
e i zbetë si letra.
Thoshin se me dorë të vet ai kishte vrà
tre vetë e tash âsht pendue.
E më kujtohet si djé
qeleshja e tij e bardhë,
nji sumbull e kuqe në kraholin e zi
e sjellja e përvujtë e ndeja e tij në shkam
pranë votre para nji tryeze të vogël:
nji t’katërt buke misri e ‘i grusht krypë
kishte përpara – si mbas dëshirës së tij.
“Gjinoj e mbaj çdo ditë – tha ai-
pse fajet e mia janë tri thika
sa tri maje malesh kërcnuese
kah qiella e Zotit!”
Kojet e bukës krisshin nën dhambët e njeriut
që përtypte trishtueshëm, njerzishëm
e me shije.
Komentet